Friday, August 26, 2016

Të zonjat e bujtinës (shënime pas nje shfaqje teatri)

Siç mund ta keni kuptuar nga titulli, isha në teatër. Për të parë shfaqjen “Mirandolina”. Ose siç njihet nga të gjithë, “E zonja e bujtinës”.
Nuk do rri të bëj analizën e shfaqjes tani, se kjo nuk pritet nga unë. Domethënë kjo nuk pritet nga të gjitha ato vajza që dinë për koleksionet e fundit të dizainerëve, apo që celuliti nuk zhduket me palestër. Për një arsye apo për një tjetër, vajzat që dinë këto gjëra nuk quhen të besueshme të flasin për letërsinë apo për dramat, ndaj dhe ua lënë këto tema atyre vajzave që moslyerjen e flokut e konsiderojnë vlerë dhe veshjen e pantallonave pa formë me këpucë të zeza me majë e takë katrore dhe një bluzë me ngjyrë allasoj e kanë sfidën më të madhe të intelektit ndaj botës së modes. Ndaj, siç edhe pritet nga vajza si unë dhe shoqet e mia, i bie të merrem me ca thashetheme mbi personazhin kryesor, Mirandolinën, të zonjën e Bujtinës.
Edhe pse jeton andej nga shekulli i tetëmbëdhjetë, ajo bën një jetë si ne. Në fakt nuk është se e ka zgjedhur të jetë single, të jetojë  vetëm dhe të jetë shefja e një bujtine, por kështu ia ka sjellë fati. Në fund të fundit ç‘rëndësi ka kjo, rëndësi ka që ajo është një femër e pavarur edhe shumë e shumë vjet përpara sesa fjala feminizëm të shpikej, Drejton një biznes, pret e përcjell klientë dhe nuk e ka problem të tregojë që kur vjen puna tek shtrati, ka dikë me të cilin të ndajë netët. Kurse gjatë ditëve ka adhuruesit. Jo nga ata që i shprehin ndjenjat me fjalë të bukura, me yje e me hëna, por nga ata që dashurinë e tregojnë me dhurata të vyera, mundësisht ar ose diamantë. Dhe pas ca ngatërresave me një kalorës që urrente femrat e që Mirandolina, thjesht ashtu për qejfin e saj e bëri të ndryshonte mendim e të binte kokë e këmbë në dashuri me të, vendos të martohet me atë që i ngrohte shtratin, që nuk ishte as më shumë e as më pak, por një nga punonjësit e bujtinës së saj. Ai nuk e kishte me aq qejf këtë punën e martesës, por ajo e kërcënoi që do mbetej pa punë e do kthehej në fshat. Kurse prendentët e dashuruar, kontër dhe markezë dhanë bekimin e tyre duke premtuar që do ta mbronin çiftin dhe do t’i dhuronin lekë. Dhe në fund fare, të gjithë jetuar në lumtur.
Morali? Ku është morali? Epo që dashuria e vërtetë në fund triumfon. Ose që gocat e shkathëta gjithmonë gjejnë burrë. Ose që gocat e shkathta edhe pasi gjejnë burrë, arrijnë t’u zgrëpin ndonjë lek pretendentëve. Ose që kalorësit, kontët dhe markezët duhet të bëjnë dhurata. Sepse kjo është mënyra e duhur për të shprehur dashurinë.
Që nga kohët e Mirandolinës e deri në ditët e sotme, shumë pak gjëra paskan ndryshuar. Edhe pse kalorës, kontër dhe markezër me shpata si qëmoti nuk ka më. As me ato shprehjet poetike të dashurisë me hënë dhe me yje. Ama ka plot nga ata që e shprehin dashurinë me dhurata, edhe pse diamantët nuk janë më miqtë më të mirë, por janë zëvendësuar nga këpucët. Apo me ca çanta me rroba. Apo me pagesën e qirasë së shtepisë së të adhuruarës së vet. Ose ata kalorësit e mirë fare, ata dhurojnë edhe makinë, madje edhe krejt shtëpinë. Por që të kesh rreth vetes të tillë kalorës, duhet të jesh pak , Mirandolinë. Domethënë të dish si ta vërtisësh. Sepse ai që është kalorës për dikë, dhe që i bien krahët në tokë nga çantat e pazarit që bën për të, kur rri me një vajzë tjetër, domethënë me një jo-Mirandolinë, del që është çun normal, nga ata që e dashura i bën pazarin me lekët e veta dhe i gatuan…
Ndërsa Mirandolinat nuk ndryshojnë, me ose pa kalorës pranë. Sapo e kuptojnë që janë të tilla, ato sillen denjësisht si të tilla. Si ajo vajza që ka mbaruar shkollën për dentiste, që edhe kur vishej me Zara dhe me Mango dhe dukej yll e bukur. Pastaj pasi Kalorësi u shfaq në jetën e saj (ashtu si në shfaqje, këta kalorësat i bie të jenë të martuar, ndaj dhe për të krijuar familje me Mirandolinën, as që bëhet fjalë) nisi të shfaqej me veshje dhe çanta nga koleksionet e fundit, mijëra euroshe. Kuptohet, si single-girl e suksesshme, mburret se biznesi i saj i dhëmbëve shkon për mrekulli. Kurse një tjetër, njëzetëenjëcik vjeçare që njoh unë, as që merr mundimin të justifikohet fare për për miijëra eurot që mban në trup: Mirandolina do dukej naive përpara saj, sepse Kalorësi i njëzetëenjëçik vjeçares është gati të luftojë gjithë dragonjtë për të (domethënë të ndahet më të fund nga gruaja e të martohet me të). Kurse një tjetër Mirandolinë, tek pallati ngjitur me mua, i shkoi skenarit deri në fund duke e bërë edhe më të bukur mbylljen: pasi Kalorësi investoi për makinë, shtëpi, e katandi (kjo e fundit dmth llogari bankare), nuk jetoi  e lumtur me kamarierin, por me shefin e vet, që fiks si kamarieri e kishte të madhe dëshirën të jetonte në shtëpinë e saj, me të.

Mos e teprova ndonjëçik me thashetheme? Ëëëëë? Se unë për teatrin po flisja. Siç do thoshin ato vajzat që s’janë si unë dhe u lejohet të flasin për të tilla tema intelektuale: shfaqja erdhi tek publiku në mënyrë shumë bashkëkohore.

Thursday, July 14, 2016

Ne as nuk shitemi, as nuk blihemi (por sponsorizohemi)

Gjithmonë më ka futur në dyshim ajo thënia, se pas çdo burri të suksesshëm qëndron një grua. Qëndron në shtëpi, sigurisht. E lan, e shpëlan, gatuan dhe i hekuros këmishat, rrit fëmijët dhe u thotë në darkë të mos flasin me zë të lartë, sepse shqetësohet babi, duron mamanë e tij dhe pret e përcjell fisin e shoqërinë. Në disa raste punon dhe u thotë shoqeve që sado lekë të kesh mirë është të dalësh nga shtëpia, në të tjera raste thotë që nuk ka punë më të vështirë, sesa mbajtja e shtëpisë dhe se s’ka lekë që t’ia vlejnë aq mund... E di, se të bësh gjithë këto gjëra nuk është punë dhe aq e thjeshtë (nga gjithë ato më sipër, ajo që mund të bëja më pa u lodhur, është t’u thoja fëmijëve që mos flisnin me zë të lartë). Por dhe të arrish deri aty, sa të thuash se pikërisht gjithë këto gjëra janë çelësi i suksesit të një burri, nuk më mbushet dhe aq shumë mendja. Se mirë kur burri është i suksesshëm. Po kur nuk është, dhe gruaja prapë lan e shpëlan, hekuros, i gatuan dhe i bën gjithë ato gjërat e tjera me fëmijë, mamanë e tij e sojin e sorollopin? Mos nuk po i bën mirë ajo këto punë që burri s’qenka i suksesshëm? (me siguri fëmijët bëjnë shumë zhurmë në darkë, kjo do jetë :P).
Për momentin, unë nuk jam gati të qëndroj pas suksesit të asnjë burri. Dhe asnjë nga shoqet e mia nuk e bën ndonjë gjë të tillë. Fjalimet e Cherrie Blerit nuk i lexojmë, ndërsa mamatë tona janë qetësuar dhe nuk përmendin më sakrificat e dikurshme e as nuk u thonë më burrave “çdo bëje pa mua o i zi?!”. Prandaj dhe nuk e citojmë kurrë këtë thënien, se pas çdo burri të suksesshëm qëndron një grua. Por ja që ma citon një mikesha ime, fiks kur nuk e pres, fiks kur shtriqem si mackë e kënaqur, pasi i kam nxjerrë fundin një vazoje me “Nutella” dhe nis të përfytyroj se ç’burrë babaxhan duhet të ketë qenë ai që na ka ëmbëlsuar gjithë mëngjeset. Fiks në atë kohë shoqja ime nis e përfytyron se si mund të ketë qenë e shoqja? E pse e shoqja? Ç’hyn ajo këtu, apo ishte nepërkë aq e hidhur sa ky donte t’i ndërronte shijen?! “Po sepse pas çdo burri të suksseshëm qëndron një grua pra?!”, më plas ajo në fytyrë klishenë. Ama kur e pyes për emra, hiç. Domethënë asnjë kontribut konkret, veç atyre nikoqirlliqeve lart. Po e kundërta? Domethënë pas çdo gruaje të suksesshme kush është? Po ja njëherë, Hillari Clinton? Para saj ishte Billi. Mbretëresha e Anglisë? Ia la pushtetin i ati. Pastaj vijmë këtu. Një biznesmene që del në televizor dhe flet për investime e punësime? Ka një alamet burri, por që s’ka fare qejf të dalë para kamerave, ndaj del ajo. Një tjetër që ka ca media? Ka burrë edhe ajo, edhe pse i urtë e me flokët me vizë në një anë. Po ajo tjetra që ka atë karrierën e lartë fare??? U po, ja ajo qenka përjashtim: burri i saj ka ndikuar në karrierën e të shoqes, po aq sa dhe nikoqiret e mësipërme të karrierat e burrave. Shembuj të tjerë? Plot e plot. Ku ka para, ka burrë. Nëse nuk është burrë me unazë, prapë burrë është... Nëse nuk bëhet fjalë për lidhje në çift, ka një baba apo vëlla. Por lekë dhe grua bashkë, si zor.

Kthehemi dhe njëherë në botë. Miti im: Coco Chanel. Grua e fortë. E suksesshme. Revolucion në veshje. Çliroi gratë nga korsetë dhe krijoi stil unik, pa pasur ndonjë familje nga të trashëgonte, as stilin e as paratë. Nuk është historia e Hirushes së ardhur nga provinca dhe që shtriu kryeqytetin  modës në këmbët e saj: e shtriu vërtetë Parisin ndër këmbë, por dikush e hoqi më parë nga Provinca, një tjetër burrë e mbajti në një kështjellë, një tjetër i dha paratë për të bërë kapela dhe në fund fare një burrë i pagoi atelierin  famshëm... Do thoni tani që po përgojojmë të vdekurit e jashtëm... Jo jo, thjesht po kërkojmë të gjejmë një femër, që është ngritur një ditë, ka bërë ca punë dhe tani ka para dhe pushtet, ka shumë para ndoshta dhe aspak pushtet, por jo një burrë... Nuk e gjejmë dot. As te shoqja tjetër e tavolinës, që ndonëse ka një punë shumë të mirë e të shumëpaguar, ka një burrë edhe më të paguar akoma e që ka ca punë e lidhje biznesi me shefin e të shoqes. Nuk e gjejmë dot as tek kushërira, intelektuale e mirëfilltë, me rrogë të mirë pedagogeje, që nuk do kishte shtëpitë që ka, në plazh e qytet, po të mos kishte burrin ndërtues... Është momenti që mikesha ime, kjo që citoi klishenë e famshme të tërhiqet: “po unë pse s’kam burrë? Nuk do ishte keq të isha gruaja e këtij burrit që shpiku “Nutella”-n në fund të fundit. Ia bëja dritë këmishat dreqi e mori, vetëm të mos shkoja në mëngjes në punë!”. E ta mendosh që ajo është tipi që as shitet as blihet. Thjesht do që të sponsorizohet.

Friday, April 8, 2016

Gjithë fajin e ka paranoja

Nuk është ndonjë fjalë e bukur  për t’u thënë. Askush nuk do që ta pranojë. Por ja që në mënyra të ndryshme, në momente të ndryshme, me fjalë krejt të ndryshme nga njëra tjetra, duke vepruar në mënyra të ndryshme, ne femrat shkojmë e nga shkojmë dhe përfundojmë aty: tek paranoja.
“Thuaja vetes tënde, se unë nuk jam ashtu”, do thoshte ndonjëra. Ose “gjej ndonjë fjalë tjetër dhe hajde e diskutojmë”, do thoshte ndonjë tjetër. Se po ta zbrazësh kështu, me emrin që ka “paranojë”,  askush nuk mund ta pranojë e të thotë: “po, kam paranoja dhe më lumtë që kam”.
Epo mire pra, ja ti nuk je me paranoja. Unë jo e jo. As kushërira ime. As shoqja e ngushtë. Me përjashtim të atij rastit, ku sa herë që i ecën diçka keq në punë, e shpie mendjen tek ai kolegu i saj, goxha më i suksesshëm, që nuk mjaftohet me suksesin e vet, por bën gjithfarë skenarësh që t’i prishur punë kësaj. Madje madje edhe i sukesshëm nuk është se është edhe aq: thjesht kështu është perceptimi i njerëzve,  se ai në fakt është një i papaftë me brirë por thjesht ka ngritur këtë imazhin rreth vetes… E kotë ta kundërshtoj shoqen time: ajo do ketë gjithmonë një histori për ta ilustruar, do ketë gjithmonë dikë që do i ketë treguar diçka. Dhe largqoftë t’i them që bën mirë ta fillojë analizën nga vetja dhe të mendojë se ai tjetri nuk është kot ai që është. Unë do isha thjesht e keqe. Dhe nëse largqoftë do shqiptoja frazën që kjo e saj është “paranojë”,  do isha e denjë për t’u futur në listën e ish-mikeshave.
Eshtë pastaj dhe ajo shoqja tjetër. Ajo që kontrollon orë e çast telefonin e të shoqit. Jo siç e kontrollon gjithë dynjaja, sepse kështu fjala ‘paranojë’ do humbte çdo ngarkesë negative, për aq kohë sa këtë e bëjnë (thuajse) të gjithë. Por që e kontrollon me themeli. Dhe paralelisht me këtë mban një ditar të gjithë veprimeve të të shoqit, për të kryqëzuar informacionin. Dhe meqë jemi tek kryqëzimi i informacionit, se nga ka gjetur një mik në një kompani celulare nga ku merr cdo muaj dhe tabulatët e dy shokëve të tij të ngushtë. Dhe kur nuk gjen asnjë dyshuese, nuk mendon se i shoqi është i pafajshëm, por thotë: çfarë më ka shpëtuar në këtë histori? Ku duhet të kontrolloj, që të gjej prova?!
Pikërisht provat dhe hetimet janë paranoja e kushërirës sime.  Njeh dikë dhe po mendon të dalësh me të? Shko e pyet kushërirën time. Brenda 24 orëve do kesh gjithë informacionet që të duhen dhe ato që s’do doje t’i kishe ditur kurrë. Pikërisht në këtë moment ti ke hapur kutinë e Pandorës. Sepse ajo nuk e lë me aq. Ndërmerr veprime dhe hidhet në aksion me një zell të paparë. Zbulon çdo gjë që nuk shkon me djalin që ti ke njohur dhe përpiqet ta rregullojë. Nëse ai ka një problem në punë, kjo lëviz gjithë gurët që problemi të zgjidhet, kap gjithë dynjanë dhe telefonon gjithë rrjetin e njerëzve, sa për 5 minutra gjithë Tirana do merret me atë problem. Dhe nëse largqoftë ai ka një ish lidhje nga ato ende të pambyllurat e të vulosurat për fare, kjo do bëjë çmos që ajo tjetra, që ende nuk e ka mbledhur mendjen, të marrë vesh se, ky që sapo ke njohur dhe ti, jeni ndërkaq duke zgjedhur se ku do e keni shtëpinë e plazhit dhe si do i keni emrat e fëmijëve.
Pastaj është dhe mikesha ime e fëmijërisë që mendon se është perfektja dhe asaj nuk i ndodhin kurrë gjërat e këqija. Aq problem e ka që të tjerët të mos e marrin vesh që asaj i ka ndodhur diçka e keqe, sa në vend të vuajë hallin e saj e harxhon gjithë kohën dhe energjinë për t’u mbushur mendjen të tjerëve që është shumë mirë dhe s’i ka ndodhur asgjë… E shoh teksa qesh e shpenguar, duke rrezatuar sigurinë që bota është shumë e bukur dhe jeta e saj perfekte dhe rri e mendoj: kur do pëlcasë?! Po sikur në vend të asaj të qeshure që unë e di që është e sforcuar, të qante me të madhe, a do ndihej ndoshta më mirë?
Po unë, vetë unë a kam paranoja? Ndoshta jo. Sepse, si zor se mund të quhet paranojë ajo frika, se mos prish gjithçka. Ja përshembull, je mirë e bukur dhe befas dëgjon diçka, që është shumë e vogël, fare e vogël, e që nuk duhet të të bëjë përshtypje… Pastaj rri e mendon, që dikur të ka ndodhur diçka e ngjashme, por s’ja vlen ta krahasosh, sepse nuk është rasti. Pastaj zë e mendon po sikur?? Por nuk e flet… E mendon prapë dhe e heq nga mendja. Pastaj të kujtohet se si dikur… U pooo, epo mirë, tenton ta harrosh e të mos e lësh kurrsesi të ndikojë në të tashmen tënde. Ndërkohë kalojnë disa ditë, me të njëjtën ndjesi. Dhe mjafton një gjest i vogël dhe të shpërthesh… Dhe teksa nis e shpërthen, e ndjen se ke bërë  gabim, se fiks kështu e ke shkatërruar dhe shumë vite me parë dhe s’duhej  ta bëje më, se je penduar ndërkohë që e dëgjon veten që flet dhe flet, dhe prish e prish…
Po sikur të thuash: më fal, nuk jam unë, është paranoja ime! Të kupton njeri vallë?

Së paku t’i kishin gjetur një tjetër emër. 

Saturday, February 6, 2016

Ndarja. Na duhet një manual

 E premte në mbrëmje dhe ja ku del përpara një seri e “Sex and the City”: një kanal në satelit që ka vendosur që për kushedisesatësajtën herë të bëjë shikues me historinë e katër vajzave beqare (grave të reja domethënë) më të famshme në botë. Nuk mund ta humbasësh, edhe pse sapo dalin titrat e kupton që bëhet fjalë për serinë e parë të sezonit të dytë, që ti e di përmendësh dhe e di që do qash disa here përgjatë saj, sepse është ajo seria ku Carrie është ndarë për herë të parë nga Big dhe shpik ato rregullat e ndarjes, që ne i dimë të gjitha: kaloje kohën me shopping, mendo gjithë kohën për të, sepse në të vetmin moment që nuk do ta bësh dhe do jesh e shkujdesur dhe e lumtur, ai do të të shfaqet përpara syve dhe në fund fare, çfarëdo që të ndodhë ti ke pranë grupin tënd të mikeshave.
Siç edhe pritet qan që në sekuencat e para me çastet e shopping-ut e deri tek patatet e skuqura të ftohta me Mirandën në fund… Pastaj duke ndjellë hundët merr në tel shoqen e ngushtë. Ajo ta mbyll telefonin e të nis në whatsapp atë mesazhin: “zemra jam e zënë, të marr më vonë, ke ndonjë gjë urgjente!?”. Pastaj merr shoqen tjetër të ngushtë, ajo ka dalë për një ecje në këmbë dhe nuk flet dot. Por pastaj i mbushet mendja që atë ecjen ta bëjë drejt shtëpisë tënde, për të bërë ca orë muhabet rreth kësaj teme, që i ka rënë nga qielli, pikërisht tani, që s’ka shumë që është ndarë; cili do jetë manuali jonë për ndarjet?! Domethënë të rreshtojmë dhe ne rregullat tona se si të ndahemi. Jo të tipit “si t’i thuash atij, që mes jush ka marrë fund”, se po arrite në këtë pikë, ti nuk është se e vret shumë mendjen. Por nga ato këshillat e tipit “si të përballosh një ndarje, që nuk e ke kërkuar vetë”.
Pikën e fundit e kemi fiks si tek lista e Carrie-t dhe që funksionon gjithmonë: të kesh pranë një grup mikeshash që të durojnë, edhe nëse ti je në ditën tënde më të keqe dhe dinë të thonë atë që duhet: më mirë që ndodhi kështu (këtë mund t’ia thoje dhe vetes, por kur ta thonë të tjerët, të duket çik si më e vërtetë). Tastaj nisin përvojat tona, nga ku del rregulli ynë kryesor: Me kalimin e kohës, shërohen të gjitha plagët. Por problemi i madh është si t’ja bësh kur ajo koha që shëron plagët nuk ka kaluar dhe ndërkohë ti je në ato ditët e para, kur plaga është e majisur keq. Këtu kemi nevojë për ca rregulla të tjera, nga ato që ndihmojnë të mos ndihesh më keq.
Si fillim duhet të ruhesh nga telefoni. Që të mos e marrësh në dy të natës dhe të qash se nuk rri dot pa të. Që të mos i shkruash, kur nuk rri dot pa të. Që të mos i bësh zile me numër privat, thjesht për të parë nëse e ka të hapur apo të fikur (se çfarë do marrësh vesh nga kjo, një dreq e di, por  ja që të gjitha femrat pohojnë se e kanë bërë këtë së paku një herë në jetë). Që të mos hapësh orë e çast whatsapp-in apo facebook-un e tij për të parë se kur është futur për të fundit herë online (edhe këtu nuk është se do marrësh vesh ndonjë kushedi se çfarë ).
Nëse nuk ia del dot ta lësh mënjanë telefonin, atëherë shkruaja mesazhin, por mos e nis, thjesht ruaje për ta nisur një ditë tjetër. Duke shpresuar se ajo dita tjetër, s’do vijë kurrë, derisa të kesh arritur tek ajo koha kur janë shëruar gjithë plagët. Kurse me facebook dhe instagram e ndonjë gjë tjetër të këtij lloji (Carrie ka qenë rehat, në kohën e saj nuk ka ishte komplikuar jeta kaq shumë, ajo kishte vetëm sekretari telefonike ku Big fliste ose nuk fliste dhe kaq) do e kesh paksa më të vështirë. Sepse trupi ta do t’i bësh block menjëherë. Por kujtohesh që është mirë që ai ta shohë sa mirë je pa të dhe që s’e vret mendjen fare (normal, ti je nga ato goca që dhimbjen e mban për vete, sa më keq të jesh aq më e hatashme shfaqesh në rrjetet sociale). Por kjo të sjell atë ankthin tjetër: orë e çast do bubrrosh tek faqja e tij (po sikur ta shohësh me dikë tjetër, je gati dhe për këtë dhimbje të re?), ndërkohë që nuk ke asnjë shenjë që të kuptosh që ai ka kaluar në faqen tënde dhe ndihet keq që ti je kaq mirë… Mirë pra, besoji instiktit të parë, bëji block, thjesht është më e shëndetshme.
Pastaj, sa të kalojë kjo koha e “zisë” do mundohesh ta zësh kohën sa më mirë të mundesh. Palestra funksionon gjithmonë. Po aq sa shopping-u. Sidomos nëse ke edhe mundësitë që të blesh ndonjë nga ato këpucët me takë të lartë që bëjnë mbi 400 euro. Sa më të larta takat dhe çmimi, aq më e lartë është kënaqësia. Por edhe pastrimi i shtëpisë është dorë me një në të tilla raste (dhe 400 eurot që nuk i kemi, këtu nuk i harxhojmë). Sidomos nëse bëjmë ndryshime thelbësore, që nga përmbysja e sirtarëve e deri në ndërrimin e vendit të mobiljeve. Eshtë shumë më mirë dhe shumë më e nevojshme sesa prerja e flokëve apo lyerja me fije që bëjnë 90 përqind e femrave. Apo drejtimi nëse i ke kaçurrela dhe bërja me kaçurrela nëse i ke të drejta (prerjen në fund të fundit nuk do e shmangësh dot, por përpiqu të mos e bësh drastike).
Ndërkohë duhet të vishesh dhe njëçik bukur. Domethënë të bëhesh e hatashme. Jo sepse mund të takosh rastësisht atë që të ka thyer zemrën, por sepse ia vlen të bësh ca koka të kthehen kur kalon ti. E meqë ra fjala tek këto takimet e rastësishme, mirë është të shmangen të gjitha pikat në qytet ku Ai rriskon të të dalë përpara. Një hartë me udhë të sigurta dhe udhë të pasigurta, mirë është të vizatohet në mendje (jo në letër se do lësh nam po ta kapi njeri).
Pastaj ia vlen të dalësh fundjavave. Por pa e tepruar me alkoolin, sepse në fund të mbrëmjes, kur truku në fytyrë ka nisur të të tregojë nja dhjetë vjet më të madhe e më të lodhur, do nisësh të mendosh për  atë. Dhe do duash ta marrësh në telefon. Ose t’i nisësh sms. Ose t’i bësh një thirrje me numër privat, sa për të parë nëse i shkon thirrja apo jo…

Mos! Ja ku jemi prapë te telefonat. A thua manuali i ndarjes në ditët e sotme paska vetëm një pikë: bëji derman vetes dhe zhduk celularin!  Kur nuk  ishte shpikur celulari, ndarja paska qenë gjëja më e thjeshtë në botë. Epo kot nuk thonë që ne jemi brez që paska lindur për të vuajtur!

Wednesday, December 9, 2015

Një i dashur “dora jonë”

Më duket se jua kam treguar njëherë. Domethënë jua kam thënë shkarazi. Domethënë kam thënë diçka, duke menduar se mund ta merrnit vetë me mend… Epo mirë pra, le ta them nga e para: lidhja ime nuk shkon vaj. Ka raste kur shkon vaj, por ka dhe raste te tjera kur ngec aty këtu. Ose kur nuk shtyhet fare. Ose kur ndahemi… Dhe pak a shumë, të gjitha rastet, kanë një arsye të përbashkët: ai, zemra ime pra, nuk është shumë i kujdesshëm me telefonin. 
Unë mendoj se telefonat janë bërë për këtë punë, për ta marrë tjetrin njëqind herë në ditë, për ta pyetur ku je, kurse pjesen tjetër të kohës, të të marrë ai ty dhe të të thotë që nuk po rrinte dot pa ta dëgjuar zërin. Ja për këtë janë shpikur celularët, e për çfarë tjetër?! Por ja që ai nuk mendon aspak kështu, përkundrazi, nuk e kupton që unë e kam të nevojshme ta shtyj rrugën nga shtëpia në punë e anasjelltas duke folur me të (ta ketë për nder, se unë mund të llomotis dhe me shoqen e ngushtë, por ja që kam zgjedhur atë). Kurse ndonjëherë, nuk e ngre fare telefonin, dhe as nuk merr mbrapsht, ndërsa të nesërmen thotë pa të keq “zemra ti e di që unë këtë tip kam”… 
E meqë ai ka këtë tip, ka raste që unë nuk e dua fare këtë dreq tipi. Dhe normal, meritoj më shumë. Meritoj dikë që ta hapë telefonin që në zilen e parë. Dikë që të më marrë dhe sa për të më dëgjuar zërin. Dikë që edhe kur është në takim pune, kur unë e telefonoj, të më shkuajë që s’më përgjigjet dot sepse është i zënë, dhe pastaj të më thotë me ça është i zënë, kur do mbarojë së qeni i zënë, të më pyes po unë ç’po bëj, e pastaj të më thotë që e ka marrë malli... Dikë që të më thotë mirëmëngjes e natënemirë me sms, mms, bbm, a ç’të jetë... Pra dikë krejt të ndryshëm nga ky palo i dashur që nuk më meriton. Dikë si ai që njoha ca kohë më parë, atëherë kur unë dhe ai (zemraimepërhershme pra!), kaluam ndarjen e radhës (dhe ta mendosh që kisha menduar se kësaj radhe do zgjaste përgjithmonë, se s’do t’i flisja kurrën e kurrës, në jetë të jetëve)
Në fakt nuk ishte një njohje fringo e re, por një i njohur i vjetër, i takuar rishtazi, që kur pa që unë mbaja blackberry, më kërkoi ‘pin’-in. Aty filloi gjithçka, me një pin... Në fillim ca batuta, pastaj shumë të tilla, pastaj orë të tëra chat, pastaj një ftesë për darkë... Vijimi po dihet (atë më drita të kuqe nuk ua tregoj sikur ç’të bëhet), ai jo vetëm më shkruan të nesërmen, por më shkruan gjithë kohës, duke më thënë se sa mirë që kemi gjetur njëri tjetrin, pastaj më fton për drekë, pastaj kur ndahemi më lë porosi që t’i shkruaj... Pastaj më shkruan prapë, më fton prapë... Për pak ditë në shtëpinë e tij, veç furçës së dhëmbëve (një ish i dashuri im thoshte që ajo është kali i Trojës, pas saj pushtohet gjithë shtëpia prandaj një femre nuk i duhet lejuar kurrë ta vendosë në banjo) ja ku lirohet edhe një raft rrobash, për ndërresat e mia, që unë të ndihem sa më komode. Më duket sikur kam kapur qiellin me dorë. Ja pra, morën fund vuajtjet e mia, kjo është ora e shpagimit. E ku ka më mirë, kur ti nuk ke zbritur ende nga ashensori për të ikur nga shtëpia e tij dhe ai të shkruan “je zemër”?! Pale nëse bëjmë sherr (megjithëse nuk kemi probleme komunikimi, se pse dreqin bëjmë sherr çdo ditë, kjo mbetet mister), mund të thuash fjalën e fundit, të ndahesh çdo ditë dhe të jesh e sigurt se pas dy orëve ai do të shkruajë, do gjejë një justifikim, do pyesë për diçka dhe do shkruajë. Në një situatë të tillë, teksa shfryj me një shoqen time, ja ku më shkruan ai, për të më pyetur për një gjë fare pa rëndësi... Sa për të thyer akullin. “Po ky qenka komplet dora jonë!”, më thotë shoqja ime. Normal, që ndihem krenare. Të gjitha luten të gjejnë një mashkull të tillë, që jo vetëm të mos bezdiset nga sjellja jonë, por që të sillet fiks si ne. Komplet dora jonë. Aq sa kur një ditë unë e acaruar në kulm, vendos që t’i fik të dy celularët, tre orë më pas, kur i hap e kuptoj që ky është dora jonë e shkuar dorës sonë: thirrje të hunbura e sms tek të dy telefonat, mesazh në bbm, mesazh në gmail dhe mesazh të facebook... Epo s’paska pasur dhe aq faj zemra ime (ai i përhershmi) kur akohej për vrullin tim të telefonatave. I paskam rënë më qafë kot. Ne qenkemi shpirtra binjakë. E meritojmë që të jemi bashkë, me gjithë ulje ngritjet, ndarjet dhe të njohurit të vjetër a të rinj që takojmë.

Google+ Followers