Thursday, February 28, 2013

Zgjidhe “atë tjetrën” më të mirë se veten


 
Gjithmonë më ka munduar një dilemë – ne femrat duam që konkurrentja jonë (shemraaaaa pra, por e urrej shumë këtë llafin), të jetë më e bukur apo më e shëmtuar?! Kam pyetur shumë vërdallë, dhe nuk marr dy herë rresht të njëjtën përgjigje. Nëse ajo tjetra ndodh të jetë më e mirë, nuk lëmë defekt pa i gjetur, edhe nga ato të imtat fare, për ta sharë e për të arritur në përfundimin “S’është gjë, kot e mban veten me të madh”. Pastaj nëse vërtetë s’është gjë, ose thjesht është pak më keq nga ne, kjo dihet “të kishte gjetur ndonjë më të mirë edhe ia falja, por asaj ç’i pa?!”... Por historia që i ndodhi shoqes sime të ngushtë, vetëm sa m’i hallakati edhe më shumë mendimet.
Del kjo shoqja ime para ca ditësh nga makina, me atë pamjen triumfuese që mund të ta japin vetëm një palë këpucë lëkure, prodhim i rrallë krejt të bëra me dorë e me fjongo mëndafshi rozë, që kombinonin më së miri me një shall mëndafshi po rozë, nga ata që duken si të thjeshtë farë por që kushtojnë një rrogë nëpunësi shteti... Dhe fiks te dera e dyqanit ku po futej, i del përpara ajo, ish shemra e dikurshme (gruaja e ish- Atij pra, dhe mos të bëni kot si moraliste). Kjo shoqja ime normal që nuk e dha veten, burrin në fund të historisë e kishte mbajtur ajo tjetra, kështu që mendoi se i kishte të gjitha arsyet për t’u ndjerë ca viktimë e jo fitimtare. Por ndërsa tentoi të kalonte, sikur ishte shumë e përqendruar te vitrina dhe ngjyrat e reja të sezonit, befas tjetra iu kthye e nuk la gjë pa i thënë. Ku fjala “si s’të vjen turp e më kapardisesh dyqaneve”, qe e vetmja e citueshme, sepse të tjerat ishin nga ato me pullë të kuqe. E zënë në befasi, kjo shoqja ime mundi të thoshte vetëm “katunare” dhe u fut me vrap në dyqan, ku mërzinë e nxori me një fustan të ri të kuq, që gjatë gjithë dimrit i ishte zilepsur kur e shihte në vitrinë e tani po e blinte me gjysmë çmimi... Ia doli ta harronte ngjarjen sa mbaroi punë me blerjen po me t’u gjendur në makinë inati dhe tërbimi nuk e lanë gjatë të bënte indiferenten (“pse ç’a jam unë të më shajë ajo në rrugë”, “unë nuk ia mora burrin dhe nuk i rashë kurrë më qafë”, “le të shajë burrin e vet ajo dhe jo mua”) ishin arsyetimi i duhur që e bënë t’i binte me urgjencë numrit të telefonit të burrit të gruas e të pinte një kafe ngushëlluese. Ai, po i dha të drejtë me vrap, dhe pasi s’lanë gjë pa thënë për poshtërsinë që kishte bërë ajo tjetra (fraza “unë nuk kam hallin tim por më vjen keq për ty që ajo po të vë bojën në këtë mënyrë”, ishte vendimtare), filluan të bënin plane se si duhej ta ndëshkonin fajtoren. Kjo shoqja ime pati idenë brilante, që ta merrte në telefon nga celulari i të shoqit, e t’i thoshte “paketoji pak rrobat atij se do ta marr në shtëpi”, por iu desh të hiqte dorë menjëherë se tjetri i tha “vij edhe pa rroba unë”. (“e tmerrshme”, - na tha ajo më vonë, -“kam gjithë jetën që s’martohem dot dhe desh u martova tani tak fak. Po ai nuk e thoshte dot këtë gjë nja dhjetë vjet më parë, atëherë kur unë e doja?!”)... pasi hoqën dorë nga ky plan hakmarrjeje kaq i rrezikshëm, kaluan te plani B: ai do shkonte në darkë në shtëpi, do ta kërcënonte e telendiste të shoqen, që i kishte vënë bojën dhe do ta detyronte të kërkonte të falur e të premtonte se nuk do ta bënte më... Ngjarjet rrodhën pak a shumë kështu, ndonëse falja nga ajo tjetra nuk erdhi në formatin e dëshiruar, por bashkë me arsyen që ia kishte ngritur nervat dhe e kishte bërë t’i lëshohej me të shara. “Mu errën sytë’, i kishte thënë ajo të shoqit, “kur e pashë që ishte veshur me rroba të shtrenjta e po futej në atë dyqanin. Pale këpucët me ato fjongot rozë, me erdhi ta mbysja me ato fjongot, kur e pashë”... Me pak fjalë, sipas kësaj shoqes sime, e kishin fajin rrobat. Nga i qëlloi të dilte e pispillosur fiks atë ditë kur kishte gjithë javën që bënte varavinga me tuta dhe atlete! Sepse në fund të fundit ne femrat nuk qenkemi xheloze fare për burrat. Mjafton që ajo tjetra të mos ketë rroba më të bukura.

Tuesday, February 19, 2013

Kush i do çunat e mamit?!


Të them të drejtën nuk po gjej asnjë shoqe që ta thotë me gojën plot: “Po! Burri im është alamet djali, ndonëse është çun mamaje”. Ama nga ato që ankohen ka plot. Kur i kanë ende të dashur ca më shumë, kur i kthejnë në burra, shumë më pak (në këto raste zonjat në fjalë thonë që ai ka ndryshuar, që është shkëputur ca nga e ëma, ama në çdo foto ditëlindjeje, pushimesh, Viti të ri, apo dhe përvjetor martese, aty shfaqet ajo, mami i atij).
Ka disa të mençura, që e vënë punën në vijë që në fillim. Domethënë i vënë vetes detyrë: nuk do shoqërohen kurrë me djem që janë të prirur të jenë çuna mamash. Në pamje të parë duket se është e thjeshtë t’i pikasësh, por ja që nuk qenka aspak kështu. Sepse nëse në filmat e realizimit socialist “çunat e mamit” dalloheshin menjëherë për shkak të sjelljes prej qullacësh (këta çuna nuk bënin kurrë gjimnastikën e mëngjesit) apo të flokëve të krehura për merak me vijë në anë dhe çunat harram (ata për së mbari pra, të lezeçmit që ne kemi qejf) dalloheshin nga flokët e gjata dhe pantallonat e gjera, në ditët e sotme kështu, nga pamja e jashtme, nuk mund të bëjmë ndonjë klasifikim. Prandaj ia vlen ta nisim punën nga baza: familja. Është djalë i lindur pas disa vajzave? Është djalë i vetëm fare? Është i vetëm fare dhe të atin nuk e ka prej kohësh? Atëherë (sidomos në rastin e fundit), mbathja me vrap! Çdo femër me mend në kokë e kupton që, djali në fjalë, është nga ata të lidhurit pas fustanit të së ëmës dhe jo vetëm që nuk do ndahet kurrë prej saj, por do ta ketë gjithmonë në vend të parë.
Por llogaritë jo gjithmonë dalin për mirë. Sepse një mikesha ime, dy herë shmangu idenë e martesës me djem të tillë, që jetonin vetëm me të ëmën që të vegjël. Me të dytin madje krijoi edhe lidhje, gjatë së cilës sa herë fliste në telefon me të dashurin, dërdëlliste nja një orë më të mirë dhe me të ëmën. Pastaj, kur i kishte dhënë duart kësaj lidhjeje dhe e fuste në paketë bashkë me rastin e parë, si “burra të mundshëm që ta nxijnë”, ja ku vjen dita dhe pas shumë vitesh merr vesh se që të dy djemtë janë martuar dhe që të dy jetojnë... në shtëpi më vete. Asnjë gjurmë nga mamatë.
E pra, në këto punë nuk paska rregulla. Sepse një djalë mamaje shfaqet edhe aty ku nuk e mendon. Edhe tek ai që nuk është i vetëm dhe është larguar nga familja që 18 vjeç e ka shtëpi më vete dhe që në pamje nuk ka asgjë prej çuni të tillë. Por, po t’i afrohesh pak më afër, mund të zbulosh se hera herës (sidomos në mëngjes herët dhe në darkë vonë) i bie telefoni dhe ai përgjigjet “Zemra ime!” (paska lidhje tjetër ky?! Le, po ajo i kërkoka edhe llogari: jo po ça hëngre, jo po je veshur a s’je veshur?! Mirë që ai e pyet ‘si është babi’ që të qetësohesh që po flet me të ëmën). Epo mirë, është pak i dashur djali, kaq i falet. Pastaj gjërat fillojnë e komplikohen nga pak, kur të dielave ai drekon gjithmonë tek “mami” (Kujdes! Nuk thotë kurrë tek prindërit), apo kur të shtunave, ti gatuan në shtëpinë e tij, ai pas çdo luge që fut në gojë tregon se si e bën e ëma atë dhe si e bën këtë... Normalisht që për Vit të Ri, Krishtlindje, Pashkë e Bajram, madje dhe Një Majin dhe Ditën e Dëshmorëve e planifikon si ditën kur të ëmës nuk do t’i mbetej hatri nëse ai nuk do shkonte, por ai vetë e ndjen që duhet ta bëjë (në këto raste ti nuk e di as vetë çfarë është më e mira për ty: të të përjashtojë nga këto plane apo të të përfshijë). Ja pra, në këtë pikë ti duhet të jesh mëse e bindur, që ai i zgjedhuri yt, i cili në fillim nuk jepte asnjë shenjë, është plotësisht një çun mamaje. Dhe në këtë rast nuk ke ç’të bësh, veçse të dorëzohesh, për të pritur ndërhyrjen nga lart. Që mund të të vijë dhe në formën e një kutie unaze, që ai befas e nxjerr nga sirtari i parë i komosë, pasi të ka çuar për dore në dhomë për të të thënë se do të të pyesë për diçka... Kutia hapet, por në vend të atij gurit solidar, të del një unazë e stërmadhe floriri të verdhë, pa pikë diamanti sipër (nuk mund të rrish pa menduar nëse atij i mbetet shumë qejfi nëse ti shkon e ndrron në argjendari). Dhe fill pas saj pyetja “Zemra si të duket kjo për mamin? Ka 55 vjetorin nesër”.

Saturday, February 16, 2013

Mirë që kemi telefonat


“Prrip prrip prrip”, vjen një tingull i çuditshëm nga celulari mbi komodinë e që më nxjerr gjumin. Dreqi e mori, është mesi i natës dhe gjumi më kish zënë me njëmijë peripecira (pale që kisha pirë dhe një gotë qumësht të vakët, ulur në tavolinën e kuzhinës, e veshur me një kanatiere mëndafshi dhe me këmbët njëra mbi tjetrën, fiks si revista që kisha parë në orarin e punës, ku jepeshin këshilla për një gjumë të qetë)… Mezi kujtohem që këtë pasdite jam pajisur më në fund me blackberry (se pse kisha vendosur që nuk do ta hap trurin kurrë për këto sofistikimet teknologjike) dhe se kam instaluar aty gjithë postat elektronike dhe chat-et e mundshme që disponoj. Pra qenka chat-i. Qenka Ai! (e pra, ja ku i nxori dhe blackberry lekët e veta, ia vlente të shpenzoja një rrogë për të qenë më pranë Atij). “Zemra ç’bën në chat në ktë orë?”, më shkruan dhe unë i shpjegoj gjerë e gjatë se si kisha instaluar gmail-in aty, dhe si e kisha harruar hapur, dhe si pastaj nuk po më zinte gjumi, dhe si më kishtë zënë dhe pastaj si më kishte dalë… Dmth folëm kshu pak, pastaj puc puc dhe natën. Se ç’po bënte ai në atë orë në chat, nuk më shkoi mendja fare ta pyesja, me siguri do ketë pasur ndonjë email pune për të dërguar, se ç’do ketë tjetër për të bërë në këtë orë?!
Mëngjes. Sa hap sytë marr celularin dhe hap facebook-un. E do njeriu një status që në mëngjës. Po ç’të shkruaj? Të them thjesht “mirëmëngjesi”, do duket sikur s’di ca të them tjetër dhe po kërkoj ndonjë gjë sa për t’u kruajtur. Të them ndonjë gjë filozofike më mirë, po po filozofike. Nga ato ku të gjithë do më bëjnë like brenda dy sekondave, pastaj do më komentojnë, unë do kthej një përgjigje edhe më të thellë akoma, pastaj shoqja ime e  ngushtë do thotë që është krenare që ka një mike kaq të mencur e kaq të kulturuar dhe ajo tipja që kemi pasur në klasë e që orë e çast bubrron për të parë ç’bëhet te wall-i im, do plasë nga inati… Po ja që s’po më vjen në mend asnjë gjë e hajrit paaaa!!!! Pa të shoh njëherë vërdallë ç’kanë bërë të tjerët. Uuuu, Ai paska shkarkuar këngë deri në tre të mëngjesit. Romantik djali! I nis një mesazh në inbox, ku i them sa xhan e kam dhe se më ka marrë njëcik malli dhe se nuk do ishte keq që sot të rrinim pak bashkë. Pastaj nxitoj të vishem e të pispillosem pak dhe t’ja mbath për në punë (që pa dalë nga krevati e di që jam shumë vonë, por do sajoj ndonjë justifikim të hajrit, në fund të fundit sa kam filluar punë dhe atyre të zyrës nuk u janë mësuar ende sytë me mua, prandaj s’kanë si ma vënë re mungesën që në pikë të mëngjesit). Sa ulem përpara kompiuterit, hap menjëherë gmail-in, sa për të parë se mos ndonjë klient i studios është ngatërruar dhe në vend të adresës zyrtare ka shkruar në atë private. Shoh që Ai, (zemra ime pra!) më ka kthyer përgjigje aty dhe më thotë që do lidhemi më vonë. Më vonë më vonë, por duhet ta marr unë, apo jo?! Apo të pres, se meqë thotë do lidhemi më vonë, do më marrë ai… Nejse, tre orë më vonë quhet më vonë. Pra i nis një sms në celular. Që mos dukem sikur po i zë frymën, e pyes për një gjë që nuk e mbaj mend, e që ai duhet ta dijë mirë… Hiç përgjigje. Me siguri ka punë. Ose është në makinë dhe me njerëz. Një nga këto të dyja, ose ka harruar celularin në palestër. Pas ca, dëgjoj një zhurmë në blackberry (paskam harruar hotmail-in hapur) AIIIIII!!!! Më ka nisur një artikull nga një revistë italiane, që flet për atë që e pyeta qëparë. Ma ka nisur nga celulari i tij iphone (e pse nuk ka blackberry ky, që të shkëmbenin pin-et e të bënim pak chat, kot fareeee tani). I kthej përgjigje në hotmail dhe i them që pastaj kur të shihemi, do flasim dhe për këtë artikullin. Pasi ha drekën, e gjej në chat-in e gmail-it dhe e pyes cfarë hëngri (jemi njerëz në fund të fundit, do interesohemi kaq!). Po dhe ai më pyet. Pastaj, rrugës për në shtëpi, ndaloj në një dyqan këpucësh ku janë ato të kuqet që më duhen patjetër. I fotografoj dhe ia nis me mms (mendimi i tij është vendimtar në çështje kombinimesh). Më dërgon një sms të shkurtër “ok”. Ok? Vetëm kaq?! Kur shkoj në shtëpi e marr në numër fiks. Sekretaria telefonike më thotë që ta provoj më vonë e tërci e vërci... I them të bëhet i gjallë se po më bën merak. Hiç! Epo kjo punë?! E marr në celular. “Zemra sa po të merrja, shiko, se më ka ardh ai shoku i ngushtë nga Italia, ai që kam dhjetë vjet pa e parë e pa e dëgjuar por që kemi qenë si vëllezër? Nuk e njeh, nuk ta kam treguar?!. Nejse, më duhet ta takoj patjetër, ti nuk mërzitesh, ëëëë?! Lidhemi nesër, puc, puc, natën”. Normal që nuk më ngelet hatri! Pse ca jam unë?! Nga ato gërret që të qepen nga pas. Vetëm një gjë s’kuptova: kur thotë lidhemi, ta marr unë apo të pres të më marrë ai? Apo shihemi në ndonjë chat?

Thursday, February 14, 2013

Do jesh Valentini im? (për gjithë vitin)


Dua një buqetë të madhe me lule njëngjyrëshe. Kurrsesi në shportë. Dhe as të mbështjella me qese e fjongo, por me një letër të thjeshtë bezhë…
Dua dhe një kuti me çokollata. Bacci Perugina më mirë, siç i kërkon festa. Ose Mon Chéri, sepse vdes për qershi. Ose po dorëzohem: Ferrero Rocher, të preferuarat e zemrës sime.
Sikur të bënim një udhëtim? Ama e dua surprizë. Unë nuk di gjë që do nisemi: ai shfaqet te puna ime, më merr në makinën e tij, ndërkohë që ka bërë gati të gjitha veshjet e mia më të mira dhe i ka futur në valixhe. Pastaj drejt e në aeroport, pa më thënë ku po shkojmë. Vetëm gjatë kohës së tranzitit të Vjenë, të marr vesh që destinacioni është Parisi.
Një orë e bardhë e zbukurruar me diamante (jo Rolex, se mos dukem e rëndomtë, më mirë Baume Mercier) është dhurata perfekte: shfaqet befas kur unë nuk e kam mendjen.
Pastaj një darkë romantike në një restorant lundrues mbi Senë. Nga tingujt e violinës “Just the way you look tonight”.
Pastaj një kutizë e vogël me stemën “Cartier”, nga ku del një unazë me diamante… Jo nuk dua kuti. Unaza Cartier shndrit mbi një ëmbëlsirë të bukur ngjyrë rozë…
Pastaj…
… Epo paskam parë ca si shumë filma për të imagjinuar një Shën Valentin të këtillë.
Apo mos jam bërë dhe ca si materialiste?! Sepse kur isha njëzetë vjeç, asnjë nga ëndrrat e mia nuk kishte emra markash sipër… Sepse kur isha njëzetë vjeç Shën Valentini, më dukej  dita që duhej festuar me patjetër. E nëse jo, kishte vend për dramë, kishte vend për lotë.
Tani, 16 vjet pas 20 vjetorit, ëndërroj ndoshta alla-grande. Por e lë me kaq. Sepse nuk më intereson fare ajo ditë. Më interesojnë gjithë të tjerat. Dua ta ta kem Shën Valentinin të timin për gjithë ditët e tjera të vitit. Dua të jetë me mua me skenarë romantikë a jo, pak rëndësi ka. Jemi të rritur tani. Gjithsesi ato lulet njëngjyrëshe dua pa tjetër. Vetëm jo në shportë!

Tuesday, February 12, 2013

Ligji tjetër i Universit: Ai kthehet gjithmonë


“Ju femrat jeni shumë të komplikuara”. E thonë shpesh meshkut. E thonë duke mbledhur supet, e duke iu shmangur bisedës më tej. E thonë dhe nuk lënë vend për diskutim, se pse qenkemi kaq të komplikuara. E thonë dhe maksimumi i sqarimit që bëjnë, është ai krahasues, se ata janë të thjeshtë, o e duan o nuk e duan një gjë dhe nuk i vijnë anash siç bëjmë ne.
Të thjeshtë ata?
Po a na e shpjegojnë dot se si ua thotë truri që kthehen gjithmonë pas? Pasi të kanë lënë, pasi mund të kenë nisur një histori paralele, pasi nga një ditë në tjetrën nuk të kanë telefonuar më dhe janë shmangur, ose pasi janë zhdukur pa lënë gjurmë… Pikërisht atëherë kur ti ke shpëtuar njëherë e mirë dhe je mirë në jetën tënde, pikërisht atëherë ata kthehen.
Ndonjë reaksion kimik. Ndonjë ligj i  universit? Pse?
Dihet vetëm që ata kthehen. Gjithmonë.
Këtë po mundohem t’i shpjegoj mikeshës sime. Se pasi është lënë, pasi është zëvendësuar me një tjetër, pasi ai është zhdukur nga faqja e dheut, pasi ajo ta ketë kontrolluar me miliarda herë celularin me shpresën që çdo sms që mbërrin është nga ai, vetëm kur t’i ketë ikur çdo shpresë, kur të ketë vendosur ta fshijë numrin dhe çdo kontakt të tijin, në të vetmen natë që nuk do ta ketë mendjen tek ai, ajo do të jetë pikërisht nata që ai do ta telefonojë. Dhe ky do jetë momenti i saj i shpagimit.
Por kjo nuk do të ndodhë tani, nuk do të ndodhë për sa kohë ajo është e përlotur dhe e përvuajtur, nuk do të ndodhë për sa kohë kontrollon orë e çast telefonin dhe nuk do të ndodhë sigurisht për aq kohë sa ajo mendon vetëm skenare se si të kthehet me të. Por do ndodhë pikërisht atëherë kur ajo të ketë një lidhje të re, mundësisht një nga ato lidhjet që shkon më së miri dhe i dashuri i ri i jep pa kursim gjithë ato që ky që i theu zemrën ia jepte me pikatore, atëherë kur ajo të ketë një jetë sociale, nga ato që i zilepsen të gjithë dhe një punë që e kënaq, jo vetëm kur merr rrogën, pikërisht atëherë kur nuk ka nevojë për të.
Në këtë moment mikesha ime duhet të dijë të sillet. Domethënë nuk duhet të mendojë me trutë e të tashmes, kur telefonata e tij i duket dhurata më e bukur nga Zoti, por me mendtë e të ardhmes, kur ajo e ka kaluar gjithë dëshpërimin dhe duhet thjesht t’i kënaqet shpagimit. E mira do ishte që të mos i përgjigjej fare në telefon. Hiç fare, as me sms. Injorim total. Por kjo do ta bënte atë tjetrin ta dëshironte edhe më shumë, gjë që do të thotë që ai do shtonte notat lutëse nëpër tekste, shprehjet malluese, të falurat e përgjërimet… Derisa ndonjë natë që do ndihej keq, apo që i dashuri i ri do ishte me shërbim, apo që nuk ia kishte thënë “natën e mirë”-ën me gjithë shpirt, qëndresa e saj do thyhej dhe ajo do ia kthente “edhe mua më ka marrë malli për ty”…
Prej këndej skenarët errësohen shumë.  Ndaj e fshijmë këtë opsionin e mosngritjes së telefonit dhe i përgjigjemi. Qoftë edhe sepse jemi aq të edukuara. Qoftë edhe për kuriozitetin për të parë se si do e nisë bisedën. Por nuk duhet pritur shumë prej tij. Sepse nëse telefonin e hapim me të parën, ai thjesht do pyesë ç’po bën sot dhe maksimumi që mund t’i kthesh përgjigje është “Hiç!”. Këtu do biesh në gabim. Duhej t’i thoje që ke shumë gjëra për të bërë: që do dalësh me të dashurin; që ke një ftesë për të shkuar në një sfilatë mode; që duhet të shkosh me të dashurin për të takuar arkitektin, që po merret me arredimin e shtëpisë suaj të re; që je duke mësuar kinezçen dhe provimin e ke pasnesër; që do shkosh me të dashurin për darkë te miqtë e tij; që je jashtë shtetit dhe nuk e dëgjon mirë se ke problem me roaming-un; që je duke bërë valixhet, gati se nesër do ikësh me të dashurin jashtë shtetit… Nga një million gjëra që mund t’i thoje, që ai ta kuptonte se jeta jote pas ndarjes është thjesht e hatashme, ti do dish të thuash vetëm një gjë: “hiç”. Sepse gjithçka do të të duket hiç në atë moment kur ai, sikur të mos kishte ndodhur asgjë, të merr dhe të pyet se çdo bësh sonte. Ndërsa e di që ky është moment yt i shumëpritur i shpagimit dhe ti nuk do duash të biesh kurrë në  kurth, truri është nisur para teje tek dollapi i rrobave për të gjetur fustanin më të ri e më të bukur me të cilën do dalësh sonte me të. Do dalësh thjesht për t’u sqaruar. Kështu do gënjesh veten: po del që ai të shohë sa mirë je. Por që këtu e deri tek kthimi me të, rruga është shumë e shkurtër dhe e drejtë.
Ja sqaroj këtë mikeshës sime, ndërsa më thotë që edhe pse është zemërthyer, kthimi tek ai është e keqja më e madhe, skenari më i keq. Por ja që sipas ligjit të Universit ai do kthehet sërish. Ka vetëm një mënyrë për ta larguar: të vazhdojë të mendojë për të. Sepse në të vetmin moment  kur nuk do ta bëjë, telefoni do bjerë dhe më në fund do jetë ai.

Monday, February 11, 2013

Ka shoqe e shoqe...

Sapo zgjohem me pahir nga gjumi dhe hap celularin (për t’u bërë pak interesante tek ai pra, i dashuri im, që mendon se unë edhe kur fle e kam mendjen tek ai, gjë që nuk është absoooooluuuutiiiisht e vërtetë, ose është ca, po këtë s’ka pse ta dijë njeri), kur fap, një sms nga shoqja ime e ngushtë, që më thotë ta marr urgjent se ka një çështje për jetë a vdekje dhe vetëm unë mund ta ndihmoj (e kotë ndoshta t’ju rrëfej që Aiqënukduhetpërmendur, as e ka marrë mundimin fare të telefonojë, se me siguri do ketë pasur shumë punë, domethënë ndeshje për të parë dhe ndonjë gotë me shokët...). Nejse, nuk do bëjmë drama tani që pikë të mëngjesit për punë më mori s’më mori në telefon. As që do mendoj fare për këtë, nuk mund të jem kaq egoiste kur shoqja ime ka hall koke. Prandaj urgjent duhet marrë në telefon, tani tani, madje dhe pa larë dhëmbët (kjo pika e zezë te balli duhet shtrydhur urgjent, si s’e paskam parë më parë, kur ka dalë?...). Një dezinfektim i lehtë me tonik duhet bërë pas kësaj, po dhe një maskë që shitet në dyqan, por që thuhet se është fiks si ato të bërat në shtëpi, dhe tani jam gati. Gati për t’u gjendur aty ku duhet të jem, te halli i kokës së shoqes. “Alo, po ku je mi ku je, si e fik kshu ktë telefonin, po të kemi nevojë për ty si të të gjejmë... Mua po më lot mendja këtu, kurse ti si zonjë e rëndë na fle deri në dhjetë të mëngjesit me telefonin fikur...”. (Epo pikë e zezë kjo, fle njëçik robi ditë të shtunë). 
Pasi dëgjoj gjithë këtë sulm për egoizmin tim të përbindshëm dhe papërgjegjshmërinë ndaj halleve të shoqërisë, ja ku bie dhe halli – t’i çoj urgjentisht atë fustanin çiklamin, që i kam huajtur para nja gjashtë muajve dhe me të cilin ka vënë një foto profili në facebook (e kotë të them që unë nuk kam guxuar të bëj foto me atë fustan, që e kam blerë dhe në fillim sezoni, moj po pa pikën e uljes, se do duket sikur e kam marrë borxh). I duhet urgjentisht, sepse i fejuari i saj ka një darkë me ata të punës, ku mikesha ime duhet të shkojë dhe pasi është ankuar se s’ka ç’të veshë, ka marrë përgjigjen që të veshë fustanin çiklamin. E meqë ajo nuk duhet të duket sikur merr veshje borxh, unë duhet t’ja jap. Por meqë ajo do lyejë dhe flokët dhe do bëjë një depilim dhe e ka shumë ters të kalojë këndej nga unë meqë është shkepur bulevardi dhe duhet t’i bjerë rrotull, po s’përtova të kaloj njëcik e t’ja shpie. Se medemek mua më ka zënë halli dhe në qendër do kaloj patjetër... E kam në majë të gjuhës atë “ik qërrohu me gjithë fustan”, por shtrëngoj dhëmbët... Tek revista “Cosmopolitan” kam dëgjuar që duhet të numërosh deri në 100 para se të kthesh një përgjigje kur je shumë i nxhehur. Meqë nuk kam nerva të numëroj, merrem me xhinglat e mëngjesit dhe kaloj, që kaloj nga qendra (se mos ka rrugë tjetër), i shpie dhe atë dreq fustani...
Kur në atë kohë “cërr...” zilja. Eshtë ajo shoqja tjetër, besoj se e keni të gjithë nga një si ajo, që merr në gojë gjithë dynjanë, po e bën fare padashje, duke thënë fjali të tipit “E shkreta ajo miiiii, nuk e meriton që ti ndodhë ashtu e kështu...”. Në ditë normale do ta evitoja, por këtë të shtunë jo. E pse t’i them jo ftesës për drekë?! Mund dhe ta kem paragjykuar... Ndoshta nuk e ka me të keq, thjesht kam qenë unë me humor jo të mirë... 
Ulemi për të ngrënë lehtë (dmth coca cola-n e marrim dietike) dhe ja ku jemi... Kolegia ime, ka thënë për mua (krejt pa të keq) që unë vendin e punës e mbaj kot. Shoqja ime e vjetër e fëmijërisë ka thënë që unë e kam hundën të bërë. Një shoqe tjetër, që gjithë jetën  më ka bërë be që ish të dashurin tim e ka pasur thjesht shok, ka pasur me të një lidhje disa vjeçare. Kurse miku im më i mirë, ka thënë që ka raste që nuk i duron dot krizat e mia... Buzëqesh deri në fund. Nuk mund ta jap veten që jam mërzitur, s'mund t'ia jap këtë kenaqësi. I them se të gjitha këto i kam ditur me kohë dhe që s’e vras fare… Ndahemi duke u puthur në faqe, i them se jam kënaqur shumë dhe se duhet të mblidhemi më shpesh (vdektë deri atëherë ishalla!) dhe hipi në makinë. 
Aty mund të qaj rehat... 
Kur bie zilja e celularit. Emergjenca që vijon nga mëngjesi, cila varëse i shkon fustanit çiklamin… “Zemra ti po qan? Ja se erdha… Varja darkës, nuk iki fare. Mos qaj, më ke mua”.

Sunday, February 10, 2013

Sepse te diele ka vetem nje!

Sikur  java te kishte dy te diela,me siguri qe ne njeren prej tyre do zgjohesha heret, do laja e shplaja, tundja e shkundja, pastaj do dilja te tregu e do blija perime te fresketa, po dhe nje tufe lule, pastaj do gatuaja, do pastroja qelqet, do ndrroja dheun e luleve ne ballkon...
Por ja qe e diela eshte nje dhe vetem nje. Ndaj keto punet e mesiperme mund te lihen per ndonje dite tjeter... Kur te vije pranvera ndoshta. Atehere dhe kur vertete ia vlen te ndrrohet dheu i luleve. Sepse tani ne dimer te dielat me te bukura jane ato kur ushtoj hoby-n tim me te madh: dembelizmin. Ore te tera ne divan, filma dhe reviste. Dhe ca gjera te mira per te ngrene. Jo domosdoshmerisht te gatuara...
Ju uroj te diele te embel dembele! E meritojme te gjithe nga njecik dembelizem, apo jo?!

Saturday, February 9, 2013

Ku(nata)!?


Unë dhe zemra ime nuk jemi të fejuar. Domethënë ai ka takuar ata të shtëpisë sime dhe në biseda e sipër e kemi lënë që në të ardhmen të shesim shtëpinë time dhe të tijën, të shtojmë lekët që ai ka mbledhur dhe bashkë me një kredi tjetër, të blejmë një shtëpi, tek një nga ato rezidencat që po bëhen në periferi të Tiranës, ku jetojnë shumë VIP-a (domethënë njerëz që dalin në televizor) dhe ca biznesmenë e juristë (këta që janë më të rëndësishëm e me para, por që nuk i njeh kush për fytyrë, sepse nuk dalin as në ekrane e as në gazeta e revista). Kurse unë, nuk mund ta quaj veten kurrsesi të fejuar, nëse në gishtin e katërt të dorës së majtë, nuk do të shndrisë ndonjë diamant, që nuk është së paku dy karat. Mund edhe të martohem ndërkohë me të, ama pa atë unazën, s’ka fejesë!
Gjithsesi, në këto kushtet e të pafejuarës zyrtare, u organizua një takim, në formë darke jozyrtare, me vëllanë e madh të zemrës sime dhe gruas së tij. Të vëllanë, kisha pasur rastin ta takoja dhe më parë shumë herë, madje i kam rënë rregullisht më qafë sa herë që unë dhe ai (zemra ime pra) ziheshim dhe ndaheshim dhe mua më duhej dikush që të merrte përsipër që të sqaronte keqkuptimet (pra që t’i thoshte atij që unë nuk kisha faj) apo thjesht që të krijonte një mundësi, që ne të shiheshim si rastësisht dhe pastaj krejt natyrshëm, të nisnim të flisnim sërish (sepse po u pamë apo po folëm prapë, edhe nëse ndahemi për arsyet më të mëdha të botës, ne të dy duam të rrimë menjëherë bashkë e t’i harrojmë të gjitha). Por gruan e tij, me të cilën ka dhjetë vjet i martuar dhe kanë dy fëmijë, unë nuk e kam takuar kurrë. Jo sepse unë kam pasur ndonjë problem, por ka qenë ajo, që deri më sot, nuk ka takuar kurrë asnjë shoqe, mikeshë, të dashur apo ish-të dashur të kunatit të saj, me pretendimin që do takohet vetëm me atë, që në të ardhmen do bëhet gruaja e tij (sa inat i kam këto gratë e martuara që bëjnë sikur jashtë rrethit të përsosur të martesës çdo gjë tjetër është e pamoralshme). Por, meqë jam natyrë pozitiviste, duke e quajtur veten si të vetmen të denjë për t’u ulur në tavolinë me të, karikohem me një dashuri të pashoqe për zonjën, që pritet të bëhet kunata ime, tetoja e dashur e fëmijëve të mi; mikesha ime më e mirë, me të cilën do ulemi pasdite e do shfletojmë albumet e familjes, duke këmbyer ide se kujt i kanë ngjarë më shumë fëmijët tanë që janë më të bukurit e botës (normal që do e shajmë dhe ca vjehrrën e përbashkët, se ndryshe ku është lezeti i kësaj shoqërie...); shoqen e shopping-ut dhe të gatimeve të ndërlikuara me salcra franceze...
Ja kështu e përfytyroj veten dhe kunatën time të ardhshme. E që të bëj figurë të mirë, sepse mendimi i saj ka rëndësi të dorës së parë, kam veshur fustanin e zi tub, një varg perlash, flokët e drejtë të shtrirë dhe një çantë të vogël... Pres me frymën pezull, derisa në derë të shfaqet e mezipritura, që sipas rrëfimeve të zemrës sime, duhet të jetë shumë elegante dhe shpirt njeriu... Por zonja që shfaqet në derë, pak ka nga përfytyrimi im – mbipesha e dukshme, xhinset e gjera, një bluzë linoje stil indian dhe flokët biondë me rrënjët e zeza tre gishta, nuk janë maksimumi i elegancës (në fund të fundit pamja nuk është gjithçka, me siguri ajo është tip dhe sigurisht shpirt njeriu). Pastaj fillon porosia: ajo kërkon që sallata të mos ketë asnjë dressing dhe largon me neveri vajin e ullirit nga tavolina, sepse siç thotë, ajo është maniake pas formës fizike (epo kjo, po të ishte kaq maniake, nuk do dukej si shitëse djathi), kërkon një pasta të veçantë dhe përfundon në tortelini me panna, proshutw e kërpudhë (ky gatim në ’95-ën edhe mund të ishte i veçantë), e kthen mbrapsht mishin, sepse e kërkoi të papjekur shumë, doli që ishte shumë i papjekur dhe kur u poq disi, përfundoi që ishte i djegur dhe larg shijes së saj të sofistikuar... Pastaj bën fjalë me kamerierin për verën, për nxehtësinë e pjatës, për muzikën që vjen në sfond, për vonesën e tij në sjelljen e një thike për të zëvendësuar atë që ra në tokë... Pastaj kur na sjellin një sallatë frutash, pretendon që thika, me të cilën qenë prerë frutat, kishte qëruar më parë qepë...
Uuuuufaaaaa!!!!!!
E ku qenka rritur kjo princesha mbi bizele kështu?! Pale bisedat. Fillojnë e mbarojnë duke më thënë mua se çfarë fati më ra, që jam e zgjedhura, sepse unë nuk e ditkërkam, por zemra ime na paskërka pasur... ehuheeeee.... sa e sa të dashura... “Po ti nuk e di se sa kam pasur unë!”, i them kur nuk mundem më, dhe kur ëndrrat ku ne të dyja e kalojmë pasditen me çaj, albume fotografike apo salcra franceze janë zhdukur përfundimisht nga truri.
Në fund të fundit s’kam pse e mbaj shoqe. As që dua t’ia di për të. Ajo është thjesht kunata. Ku – nata. Nata pra, mirë e kanë quajtur. Jo dita.  

Thursday, February 7, 2013

Po këto shefe nga na dolën?!


Dita nis në mënyrën më të keqe të mundshme. Një nga ato ditët tipike (me qiell gri dhe zagushi mbytëse), kur sapo nxjerr këmbën jashtë krevatit pendohesh që po e bën dhe e vetmja dëshirë që ke është të heqësh dorë nga të gjitha e t’i kthehesh gjumit, të harrosh që je rritur, që ke punë e njëmijë detyrime të tjera… Po ja që si e rritur nuk ke zgjidhje tjetër, prandaj me shpirt nëpër dhëmbë bën punët e mëngjesit (domethënë pispillosjet e zakonshme, që është e kotë të themi që në të tilla raste shkojnë ters, që nga lapsi i syve që nuk ka majë e deri tek kopsa e këmishës që e gjen të këputet fiks kur jam duke mbyllur derën e shtëpisë për të dalë). Pastaj vijon në të njëjtën mënyrë, trafiku i tmerrshëm, polici që më ndalon pse po flisja në telefon (po pse ça pret polici, të merrem vesh me sms unë kur jam në timon?!). Normalisht që në punë, mbërrij vonë… Meqë nuk kemi kartë elektronike te dera (që para gjashtë muajsh kur unë fillova punë, na u tha që do montohej, por kurrë mos u vëntë!), duhet të firmosim tek sekretarja në çfarë ore erdhëm. Mendoj që të shënoj një dhjetë minutësh më herët (po i dhashë një kafe sekretares, ajo nuk i thotë njeriu), por pastaj ndërroj mendje… E ç’bëri pesë minuta më shpjet, pesë më vonë, kur ora është gati dhjetë pa një çerek dhe orari zyrtar është në nëntë!? Në fund të fundit nuk ka të thotë fare se në ç’orë ikën e vjen, rëndësi ka sa produktive je. Dhe unë, të them të drejtën, kur nuk kam ndonjë hall, jam si i thonë, qen i punës…  Dhe sot kam ndër mend t’i mbaroj të gjitha punët që kam lënë pezull (sepse kam një parim, punën e sotme mos e lër për nesër kur mund ta shtysh për pasnesër… Por ç’e do që e pasnesërmja vjen shpejt, dhe kur bëhen shtatë të pasnesërme bashkë, është tmerr i vërtetë). Sa hap kompjuterin dhe përvesh mëngët, ja ku bie telefoni i brendshëm. Sekretarja na thotë që kemi mbledhje me drejtorin e përgjithshëm. Kaq. Drejtor në mashkullore, edhe pse në fakt bëhet fjalë për një bionde 27 vjeçare, që është, as më shumë e as më pak, por gruaja e pronarit të studios. Historia tipike - ajo që fillon punë si sekretare (me të dëgjuar e kam, se në atë kohë nuk punoja aty), gratë e zyrës bëjnë ca çuçuçu me të e i qajnë hallet, ajo po kokulur i dëgjon, pastaj dikush thotë se ajo është prej kohësh e dashura e shefit, pastaj dalin hapur dhe bum! Ato gratë që nuk dinë ku të futen, kjo që bën sikur nuk mban mend dhe vijon të bëjë sikur nuk ka ndryshuar (ama rrobat i ka ndryshuar që ç’ke më të. Në vend të një fustani të zi që kishte laj thaj, tani ka një koleksion ngjyrash, të tëra firmato). E pra, tani është drejtor i përgjithshëm (funksionarët e lartë nuk kanë nevojë për gjini) dhe si e tillë duhet të merret me ne. Por meqë nuk merr vesh fare nga puna (diplomën nuk e ka marrë akoma thuhet), bën të vetmen gjë që di të bëhet në këto raste: oraret. Ajo i quan disiplina në punë. Na flet një orë të tërë, duke futur në fjalim dhe llafe të tipit “performanca në punë”, “duhet menduar marketingërisht”, “segmente tregu”, “efiçente”, “zëra”, “portofol”, “parti” (me këtë nënkupton një grup sendesh, kaq e kam mësuar unë!)... Na kërcënon në përgjithësi që thyerja e disiplinës do ndikojë në pakësimin e benefiteve mujore (thuaj që do na mbash rrogën bibë!!!!!! Nga na doli ky talent për të shpikur kshu llafesh). Në fund fare, kalon në emra të përveçëm. Vërejtja për mua është me gojë, jo me shkrim, që ndiqet me porosinë “Kur themi në 9, jemi në 9 para kompjuterit dhe jo shkallëve” (do e ketë pas orën mbrapa kjo, se unë për vete erdha gati në 10). Jep urdhrin për të cilin edhe na ka mbledhur: nga sot e tutje duhet të jemi efiçentë në punë, për këtë duhet të bëjmë një “to do list”. Domethënë, në një formular që na shpërndahet, do shkruajmë minutë pas minute se ç’bëjmë... Ufaaaaaa!!!!!!!!!!!!!!! Po tani si i bëhet? Fiks në këtë moment më merr shoqja e ngushtë, ka nevojë për një kafe urgjente. Shkruaj në “to do list” që po dal të takoj një klient të mundshëm (derisa të kthehem do e kem sajuar një emër për të qenë, ose dhe ndoshta e gjej ndonjë rastësisht...). E mbaj dorën për pak, që bashkë me firmën të mos shtoj dhe “Pika ty dhe atij që të vuri ty drejtor të përgjithshëm!”

Kush jami im


Kam treçerek ore që rri përballë kompjuterit dhe akoma s’po arrij të sajoj dy rreshta. Po më lëshojnë sytë xixa nga e bardha e ekranit. Ngaqë nuk ia them dhe aq për të shkruar nga këto si tip CV-je. Edhe kur më është dashur që të paraqes të tilla nëpër të gjitha punët ku kam aplikuar, i kam vjedhur në internet dhe pastaj i kam zëvendesuar të dhënat me të dhënat e mia. Ok, disa herë nuk i kam zëvendësuar të gjitha. Ç’kuptim ka të tregosh për veten po nuk gënjeve nga një çikë? Se mos do shkojë shefi të verifikojë të gjitha të vërtetat e të gënjeshtërtat e mia: shkollën e mesme, universitetin, masterat e kualifikimet apo gjuhët e huaja, të cilat as që të bie radha ndonjëherë t’i përdorësh (po gjuhën vllehe, që fliste gjyshja e mamit, a ta shkruaj që e di dhe unë?! Duhet vallë? Apo që di të flas me “f”: këfështufu!). Nuk verifikohen, nuk verifikohen... ama po nuk i radhite mirë e bukur e zezë mbi të bardhë, vështirë se ndonjë nga shefat t’i hedh sytë. Pra, siç iu thashë, unë nuk jam shumë e aftë për të shkruar një CV. Jo se nuk di të flas për veten ëëëë! Po do ta kisha më të thjeshtë nëse në një CV do kërkohej të shkruaje se sa e ke numrin e këmbës ose më mirë sa palë këpucë ke, cilat janë lulet e preferuara, kë telefonon të parën kur ndahesh nga i dashuri, si e kupton kur të tjerët të shohin me zili apo kur janë duke të gënjyer, cili është libri i fundit që të ka lënë pa gjumë dhe thashethemi i fundit që të la pa frymë, sa kilogramë je (apo s’thuhet kjo…?!), në ç’vend gudulisesh më shumë, sa ke pa bërë seks (kjo thuhet, po po e lë për javës tjetër, se është një çikë si e ngatërruar… ;).
Në vija të trasha, CV-ja ime është kjo.
Emri dhe mbiemri: Dihen
Mosha: 28 (ja maksimumi 30 jo më shumë. Ju betohem!)
Gjendja civile: Single (Domethënë e pamartuar. Jo se jam single fare, fare, fare,...)
Arsimimi: Diplomuar për drejtësi  (Pse e humbur jam unë që mos bëj dot një juridik?)
Eksperienca pune: Asistente juriste (domethënë, shkurt muhabeti sekretare. Se që thoni ju, tezja ime është juriste. Dhe meqë unë nuk gjeta dot një punë për së mbari, punova tek studioja e saj për ca kohë. Mirëpo mami bëri ca fjalë me tezen. Domethënë për pak desh u zunë për flokësh. Çështje pronash. Besoj më kuptoni).
Gjuhët e huaja: I thashë më lart.  
Aftësi të veçanta: Di të komunikoj rrjedhshëm (Ok, jam paaaak llafazane. Ose më saktë më pëlqejnë thashethemet) dhe të përshtatem në punët në grup (Pale kur në grup ka çuna simpatikë :p). Jam energjike (Sidomos kur vjen puna për të bërë shopping. Nuk lodhem gjithë ditën po ju them). Jam e gatshme të punoj edhe jashtë orarit të punës (Edhe pse do më ziente përbrenda inati që do lija pa parë telenovelën e pasdites).
(Në fakt, kam edhe aftësi të tjera unë. Për shembull, gjëja që bëj më mirë është të rri gjithë ditën pa bërë asgjë. Di të kombinoj bukur rrobat. Të harxhoj para. Dhe ca gjëra të tjera, por janë sekret… )
Ej, këto gjërat në kllapa lexojini ju, por mos ia rrëfeni pronarit tim të ardhshëm J.

Google+ Followers