Saturday, February 9, 2013

Ku(nata)!?


Unë dhe zemra ime nuk jemi të fejuar. Domethënë ai ka takuar ata të shtëpisë sime dhe në biseda e sipër e kemi lënë që në të ardhmen të shesim shtëpinë time dhe të tijën, të shtojmë lekët që ai ka mbledhur dhe bashkë me një kredi tjetër, të blejmë një shtëpi, tek një nga ato rezidencat që po bëhen në periferi të Tiranës, ku jetojnë shumë VIP-a (domethënë njerëz që dalin në televizor) dhe ca biznesmenë e juristë (këta që janë më të rëndësishëm e me para, por që nuk i njeh kush për fytyrë, sepse nuk dalin as në ekrane e as në gazeta e revista). Kurse unë, nuk mund ta quaj veten kurrsesi të fejuar, nëse në gishtin e katërt të dorës së majtë, nuk do të shndrisë ndonjë diamant, që nuk është së paku dy karat. Mund edhe të martohem ndërkohë me të, ama pa atë unazën, s’ka fejesë!
Gjithsesi, në këto kushtet e të pafejuarës zyrtare, u organizua një takim, në formë darke jozyrtare, me vëllanë e madh të zemrës sime dhe gruas së tij. Të vëllanë, kisha pasur rastin ta takoja dhe më parë shumë herë, madje i kam rënë rregullisht më qafë sa herë që unë dhe ai (zemra ime pra) ziheshim dhe ndaheshim dhe mua më duhej dikush që të merrte përsipër që të sqaronte keqkuptimet (pra që t’i thoshte atij që unë nuk kisha faj) apo thjesht që të krijonte një mundësi, që ne të shiheshim si rastësisht dhe pastaj krejt natyrshëm, të nisnim të flisnim sërish (sepse po u pamë apo po folëm prapë, edhe nëse ndahemi për arsyet më të mëdha të botës, ne të dy duam të rrimë menjëherë bashkë e t’i harrojmë të gjitha). Por gruan e tij, me të cilën ka dhjetë vjet i martuar dhe kanë dy fëmijë, unë nuk e kam takuar kurrë. Jo sepse unë kam pasur ndonjë problem, por ka qenë ajo, që deri më sot, nuk ka takuar kurrë asnjë shoqe, mikeshë, të dashur apo ish-të dashur të kunatit të saj, me pretendimin që do takohet vetëm me atë, që në të ardhmen do bëhet gruaja e tij (sa inat i kam këto gratë e martuara që bëjnë sikur jashtë rrethit të përsosur të martesës çdo gjë tjetër është e pamoralshme). Por, meqë jam natyrë pozitiviste, duke e quajtur veten si të vetmen të denjë për t’u ulur në tavolinë me të, karikohem me një dashuri të pashoqe për zonjën, që pritet të bëhet kunata ime, tetoja e dashur e fëmijëve të mi; mikesha ime më e mirë, me të cilën do ulemi pasdite e do shfletojmë albumet e familjes, duke këmbyer ide se kujt i kanë ngjarë më shumë fëmijët tanë që janë më të bukurit e botës (normal që do e shajmë dhe ca vjehrrën e përbashkët, se ndryshe ku është lezeti i kësaj shoqërie...); shoqen e shopping-ut dhe të gatimeve të ndërlikuara me salcra franceze...
Ja kështu e përfytyroj veten dhe kunatën time të ardhshme. E që të bëj figurë të mirë, sepse mendimi i saj ka rëndësi të dorës së parë, kam veshur fustanin e zi tub, një varg perlash, flokët e drejtë të shtrirë dhe një çantë të vogël... Pres me frymën pezull, derisa në derë të shfaqet e mezipritura, që sipas rrëfimeve të zemrës sime, duhet të jetë shumë elegante dhe shpirt njeriu... Por zonja që shfaqet në derë, pak ka nga përfytyrimi im – mbipesha e dukshme, xhinset e gjera, një bluzë linoje stil indian dhe flokët biondë me rrënjët e zeza tre gishta, nuk janë maksimumi i elegancës (në fund të fundit pamja nuk është gjithçka, me siguri ajo është tip dhe sigurisht shpirt njeriu). Pastaj fillon porosia: ajo kërkon që sallata të mos ketë asnjë dressing dhe largon me neveri vajin e ullirit nga tavolina, sepse siç thotë, ajo është maniake pas formës fizike (epo kjo, po të ishte kaq maniake, nuk do dukej si shitëse djathi), kërkon një pasta të veçantë dhe përfundon në tortelini me panna, proshutw e kërpudhë (ky gatim në ’95-ën edhe mund të ishte i veçantë), e kthen mbrapsht mishin, sepse e kërkoi të papjekur shumë, doli që ishte shumë i papjekur dhe kur u poq disi, përfundoi që ishte i djegur dhe larg shijes së saj të sofistikuar... Pastaj bën fjalë me kamerierin për verën, për nxehtësinë e pjatës, për muzikën që vjen në sfond, për vonesën e tij në sjelljen e një thike për të zëvendësuar atë që ra në tokë... Pastaj kur na sjellin një sallatë frutash, pretendon që thika, me të cilën qenë prerë frutat, kishte qëruar më parë qepë...
Uuuuufaaaaa!!!!!!
E ku qenka rritur kjo princesha mbi bizele kështu?! Pale bisedat. Fillojnë e mbarojnë duke më thënë mua se çfarë fati më ra, që jam e zgjedhura, sepse unë nuk e ditkërkam, por zemra ime na paskërka pasur... ehuheeeee.... sa e sa të dashura... “Po ti nuk e di se sa kam pasur unë!”, i them kur nuk mundem më, dhe kur ëndrrat ku ne të dyja e kalojmë pasditen me çaj, albume fotografike apo salcra franceze janë zhdukur përfundimisht nga truri.
Në fund të fundit s’kam pse e mbaj shoqe. As që dua t’ia di për të. Ajo është thjesht kunata. Ku – nata. Nata pra, mirë e kanë quajtur. Jo dita.  

7 comments:

  1. hahahahahaaha...sa kam qeshur...

    ReplyDelete
  2. hahahahahhahahah ke plotesisht te drejte

    ReplyDelete
  3. Obobo Ku-nata ja dhe ketu me doli. Paska qene shkruar per mua kjo pjese :P se mezi prisja te takoja kunaten (indiane me te vertete ne rastin tim ;)) dhe kisha thurur shume enderra dhe une si cdo vajze e re e moshes sime - e re i thencin se po shkoj te 30-tat tani :P. Gjithsesi ku-nata e ardhshme qenka plot xhelozi dhe nuk me pranon si pjesen e familjes pse bashkejetoj me te dashurin tim dhe akoma nuk jam martuar - edhe pse gjyshja e te dashurit qe eshte 88 vjec nuk e ka fare per bezdi qe jetojme bashke ne shtepine e saj ;). Ndonje keshille per nje person pozitiv si une qe vazhdon shpreson se nje dite ajo do me flasi, ndoshta edhe do me qeshi dhe do me japi nje mundesi te vertete per te me njohur? Se aq e pati, po me njohu, do te me doje si moter...

    ReplyDelete
    Replies
    1. hahahaha, qenke me pozitive sesa une e dashur, une nuk do ia kisha dhene me kurre mundesine per te me njohur... :D. Kjo gjyshja qenka yll fare!

      Delete
  4. Hera e pare qe lexoj dicka ne shqip, ne kete rast nje blog kaq te vertete, te perditshem, per te qeshur, plot ironi dhe batuta shume te bukura. duket sikur me ke lexuar mendjen ne shume prej shkrimeve. a mund te t'i shperndaj te preferuarat e mija ne FB??? komplimente Iva :).

    ReplyDelete
    Replies
    1. faleminderit Alketa! faleminderit qe e lexon, me komplimenton dhe mbi te gjitha qe e shperndaj ne FB

      Delete
  5. Iva jam duke qeshur me ze, sa shume po me plq menyra jote e te shkruarit, jam e gezuar sepse ne shqip s'kisha lexuar kurre ironira kaq te vecanta e kaq te bukura (flas per blogjet).

    POR SA VONE QE E GJETA BLOGUN TEND :( DO TE FITOJ GJITHE KOHEN E HUMBUR.

    ReplyDelete

Google+ Followers