Thursday, February 7, 2013

Kush jami im


Kam treçerek ore që rri përballë kompjuterit dhe akoma s’po arrij të sajoj dy rreshta. Po më lëshojnë sytë xixa nga e bardha e ekranit. Ngaqë nuk ia them dhe aq për të shkruar nga këto si tip CV-je. Edhe kur më është dashur që të paraqes të tilla nëpër të gjitha punët ku kam aplikuar, i kam vjedhur në internet dhe pastaj i kam zëvendesuar të dhënat me të dhënat e mia. Ok, disa herë nuk i kam zëvendësuar të gjitha. Ç’kuptim ka të tregosh për veten po nuk gënjeve nga një çikë? Se mos do shkojë shefi të verifikojë të gjitha të vërtetat e të gënjeshtërtat e mia: shkollën e mesme, universitetin, masterat e kualifikimet apo gjuhët e huaja, të cilat as që të bie radha ndonjëherë t’i përdorësh (po gjuhën vllehe, që fliste gjyshja e mamit, a ta shkruaj që e di dhe unë?! Duhet vallë? Apo që di të flas me “f”: këfështufu!). Nuk verifikohen, nuk verifikohen... ama po nuk i radhite mirë e bukur e zezë mbi të bardhë, vështirë se ndonjë nga shefat t’i hedh sytë. Pra, siç iu thashë, unë nuk jam shumë e aftë për të shkruar një CV. Jo se nuk di të flas për veten ëëëë! Po do ta kisha më të thjeshtë nëse në një CV do kërkohej të shkruaje se sa e ke numrin e këmbës ose më mirë sa palë këpucë ke, cilat janë lulet e preferuara, kë telefonon të parën kur ndahesh nga i dashuri, si e kupton kur të tjerët të shohin me zili apo kur janë duke të gënjyer, cili është libri i fundit që të ka lënë pa gjumë dhe thashethemi i fundit që të la pa frymë, sa kilogramë je (apo s’thuhet kjo…?!), në ç’vend gudulisesh më shumë, sa ke pa bërë seks (kjo thuhet, po po e lë për javës tjetër, se është një çikë si e ngatërruar… ;).
Në vija të trasha, CV-ja ime është kjo.
Emri dhe mbiemri: Dihen
Mosha: 28 (ja maksimumi 30 jo më shumë. Ju betohem!)
Gjendja civile: Single (Domethënë e pamartuar. Jo se jam single fare, fare, fare,...)
Arsimimi: Diplomuar për drejtësi  (Pse e humbur jam unë që mos bëj dot një juridik?)
Eksperienca pune: Asistente juriste (domethënë, shkurt muhabeti sekretare. Se që thoni ju, tezja ime është juriste. Dhe meqë unë nuk gjeta dot një punë për së mbari, punova tek studioja e saj për ca kohë. Mirëpo mami bëri ca fjalë me tezen. Domethënë për pak desh u zunë për flokësh. Çështje pronash. Besoj më kuptoni).
Gjuhët e huaja: I thashë më lart.  
Aftësi të veçanta: Di të komunikoj rrjedhshëm (Ok, jam paaaak llafazane. Ose më saktë më pëlqejnë thashethemet) dhe të përshtatem në punët në grup (Pale kur në grup ka çuna simpatikë :p). Jam energjike (Sidomos kur vjen puna për të bërë shopping. Nuk lodhem gjithë ditën po ju them). Jam e gatshme të punoj edhe jashtë orarit të punës (Edhe pse do më ziente përbrenda inati që do lija pa parë telenovelën e pasdites).
(Në fakt, kam edhe aftësi të tjera unë. Për shembull, gjëja që bëj më mirë është të rri gjithë ditën pa bërë asgjë. Di të kombinoj bukur rrobat. Të harxhoj para. Dhe ca gjëra të tjera, por janë sekret… )
Ej, këto gjërat në kllapa lexojini ju, por mos ia rrëfeni pronarit tim të ardhshëm J.

7 comments:

  1. Shkruhet ne CV se ku e sheh veten pas 10 vitesh? :-)

    ReplyDelete
  2. po, dhe pergjigjja ne keto raste eshte: jam tip qe jetoj momentin - moto ime eshte carpe diem :P

    ReplyDelete
    Replies
    1. hahahahahahaa. iva sikur degjoj veten ne cdo fjale tenden!

      Delete
  3. kualifikime te metejshme, ne vazhdim ose jo te shkollimit: kurse pergatitore per rritje dhe mbareshtim kafshesh shtepiake kater kembeshe ose dy thundrake; kurs mbi kontrollin e pazar-varesise, ende e angazhuar (te mos perdoret termi deshtim apo braktisje);

    publikime dhe konferenca: konference dy javore (te mos perdoret termi turizem apo per qejf) mbi sjelljen e turisteve ne plazhet e greqise;

    Sfida dhe suksese ne pune/jete: menaxhimi efikas i blogut/facebook-ut ne kohe dhe nder njerez;

    ReplyDelete
    Replies
    1. hahahahahahahahahahahaha, ke harruar te shtosh kurse praktike per mesimin e qendisjes dhe grepit, kuse te sfidat reduktimin e majonezes :P

      Delete
  4. This comment has been removed by a blog administrator.

    ReplyDelete
  5. Fillimi i mbare gjysma e punes thone! Me kenaqe!

    ReplyDelete

Google+ Followers