“Prrip prrip prrip”,
vjen një tingull i çuditshëm nga celulari mbi komodinë e që më nxjerr gjumin.
Dreqi e mori, është mesi i natës dhe gjumi më kish zënë me njëmijë peripecira (pale që kisha pirë dhe një gotë qumësht të
vakët, ulur në tavolinën e kuzhinës, e veshur me një kanatiere mëndafshi dhe me
këmbët njëra mbi tjetrën, fiks si revista që kisha parë në orarin e punës, ku
jepeshin këshilla për një gjumë të qetë)… Mezi kujtohem që këtë pasdite jam
pajisur më në fund me blackberry (se pse
kisha vendosur që nuk do ta hap trurin kurrë për këto sofistikimet
teknologjike) dhe se kam instaluar aty gjithë postat elektronike dhe
chat-et e mundshme që disponoj. Pra qenka chat-i. Qenka Ai! (e pra, ja ku i nxori dhe blackberry lekët e
veta, ia vlente të shpenzoja një rrogë për të qenë më pranë Atij). “Zemra
ç’bën në chat në ktë orë?”, më shkruan dhe unë i shpjegoj gjerë e gjatë se si
kisha instaluar gmail-in aty, dhe si e kisha harruar hapur, dhe si pastaj nuk
po më zinte gjumi, dhe si më kishtë zënë dhe pastaj si më kishte dalë… Dmth folëm
kshu pak, pastaj puc puc dhe natën. Se ç’po bënte ai në atë orë në chat, nuk më
shkoi mendja fare ta pyesja, me siguri do ketë pasur ndonjë email pune për të dërguar,
se ç’do ketë tjetër për të bërë në këtë orë?!
Mëngjes. Sa hap sytë
marr celularin dhe hap facebook-un. E do njeriu një status që në mëngjës. Po ç’të shkruaj? Të them thjesht “mirëmëngjesi”, do duket
sikur s’di ca të them tjetër dhe po kërkoj ndonjë gjë sa për t’u kruajtur. Të
them ndonjë gjë filozofike më mirë, po po filozofike. Nga ato ku të gjithë do më
bëjnë like brenda dy sekondave, pastaj do më komentojnë, unë do kthej një përgjigje
edhe më të thellë akoma, pastaj shoqja ime e
ngushtë do thotë që është krenare që ka një mike kaq të mencur e kaq të
kulturuar dhe ajo tipja që kemi pasur në klasë e që orë e çast bubrron për të
parë ç’bëhet te wall-i im, do plasë nga inati… Po
ja që s’po më vjen në mend asnjë gjë e hajrit paaaa!!!! Pa të shoh njëherë vërdallë
ç’kanë bërë të tjerët. Uuuu, Ai paska shkarkuar këngë deri në tre të mëngjesit.
Romantik djali! I nis
një mesazh në inbox, ku i them sa xhan e kam dhe se më ka marrë njëcik malli
dhe se nuk do ishte keq që sot të rrinim pak bashkë. Pastaj nxitoj të vishem e
të pispillosem pak dhe t’ja mbath për në punë (që pa dalë nga krevati e di që jam shumë vonë, por do sajoj ndonjë
justifikim të hajrit, në fund të fundit sa kam filluar punë dhe atyre të zyrës
nuk u janë mësuar ende sytë me mua, prandaj s’kanë si ma vënë re mungesën që në
pikë të mëngjesit). Sa ulem përpara kompiuterit, hap menjëherë gmail-in, sa
për të parë se mos ndonjë klient i studios është ngatërruar dhe në vend të
adresës zyrtare ka shkruar në atë private. Shoh që Ai, (zemra ime pra!) më ka
kthyer përgjigje aty dhe më thotë që do lidhemi më vonë. Më vonë më vonë, por
duhet ta marr unë, apo jo?! Apo të pres, se
meqë thotë do lidhemi më vonë, do më marrë ai… Nejse, tre orë më vonë quhet më
vonë. Pra i nis
një sms në celular. Që mos dukem sikur po i zë frymën, e pyes për një gjë që
nuk e mbaj mend, e që ai duhet ta dijë mirë… Hiç përgjigje. Me siguri ka punë.
Ose është në makinë dhe me njerëz. Një nga këto të dyja, ose ka harruar
celularin në palestër. Pas ca, dëgjoj një zhurmë në blackberry (paskam harruar
hotmail-in hapur) AIIIIII!!!! Më ka nisur një artikull nga një revistë
italiane, që flet për atë që e pyeta qëparë. Ma ka nisur nga celulari i tij
iphone (e pse nuk ka blackberry ky, që të
shkëmbenin pin-et e të bënim pak chat, kot fareeee tani). I kthej përgjigje
në hotmail dhe i them që pastaj kur të shihemi, do flasim dhe për këtë
artikullin. Pasi ha drekën, e gjej në chat-in e gmail-it dhe e pyes cfarë hëngri
(jemi njerëz në fund të fundit, do
interesohemi kaq!). Po dhe ai më pyet.
Pastaj, rrugës për në shtëpi, ndaloj në një dyqan këpucësh ku janë ato të kuqet
që më duhen patjetër. I fotografoj dhe ia nis me mms (mendimi i tij është vendimtar në çështje
kombinimesh). Më dërgon një sms të shkurtër “ok”. Ok? Vetëm kaq?! Kur shkoj
në shtëpi e marr në numër fiks. Sekretaria telefonike më thotë që ta provoj më
vonë e tërci e vërci... I them të bëhet i gjallë se po më bën merak. Hiç! Epo
kjo punë?! E marr në celular. “Zemra sa po të merrja, shiko, se më ka ardh ai
shoku i ngushtë nga Italia, ai që kam dhjetë vjet pa e parë e pa e dëgjuar por që
kemi qenë si vëllezër? Nuk e njeh, nuk ta kam treguar?!. Nejse, më duhet ta
takoj patjetër, ti nuk mërzitesh, ëëëë?! Lidhemi nesër, puc, puc, natën”.
Normal që nuk më ngelet hatri! Pse ca jam unë?! Nga ato gërret që të qepen nga
pas. Vetëm një gjë s’kuptova: kur thotë lidhemi, ta marr unë apo të pres të më
marrë ai? Apo shihemi në ndonjë chat?
Më rrëmbeu një të qeshur të sinqertë ky postim :)
ReplyDelete:D
Deleterealiteti i meshkujve te sotem...:/
ReplyDeleteedhe i femrave do thoja, realiteti teknologjike, kur komunikojme shume dhe shihemi pak
Deletedhe nderkohe ty te hypin nervat me veten dhe plas nga ideja qe e duron, cna gjeti ...:)
ReplyDeletedo durojme, se mos kemi ndonje gje me te mire per te bere :P
Deleteune do te thesha sa e qete paske qene :P :D
ReplyDelete