Dita nis në mënyrën
më të keqe të mundshme. Një nga ato ditët tipike (me qiell gri dhe zagushi mbytëse),
kur sapo nxjerr këmbën jashtë krevatit pendohesh që po e bën dhe e vetmja dëshirë
që ke është të heqësh dorë nga të gjitha e t’i kthehesh gjumit, të harrosh që
je rritur, që ke punë e njëmijë detyrime të tjera… Po ja që si e rritur nuk ke
zgjidhje tjetër, prandaj me shpirt nëpër dhëmbë bën punët e mëngjesit (domethënë pispillosjet e zakonshme, që është
e kotë të themi që në të tilla raste shkojnë ters, që nga lapsi i syve që nuk
ka majë e deri tek kopsa e këmishës që e gjen të këputet fiks kur jam duke
mbyllur derën e shtëpisë për të dalë). Pastaj vijon në të njëjtën mënyrë,
trafiku i tmerrshëm, polici që më ndalon pse po flisja në telefon (po pse ça pret polici, të merrem vesh me
sms unë kur jam në timon?!). Normalisht që në punë, mbërrij vonë… Meqë nuk
kemi kartë elektronike te dera (që para
gjashtë muajsh kur unë fillova punë, na u tha që do montohej, por kurrë mos u vëntë!),
duhet të firmosim tek sekretarja në çfarë ore erdhëm. Mendoj që të shënoj një
dhjetë minutësh më herët (po i dhashë një
kafe sekretares, ajo nuk i thotë njeriu), por pastaj ndërroj mendje… E ç’bëri
pesë minuta më shpjet, pesë më vonë, kur ora është gati dhjetë pa një çerek dhe
orari zyrtar është në nëntë!? Në fund të fundit nuk ka të thotë fare se në ç’orë
ikën e vjen, rëndësi ka sa produktive je. Dhe unë, të them të drejtën, kur nuk
kam ndonjë hall, jam si i thonë, qen i punës…
Dhe sot kam ndër mend t’i mbaroj të gjitha punët që kam lënë pezull (sepse kam një parim, punën e sotme mos e lër
për nesër kur mund ta shtysh për pasnesër… Por ç’e do që e pasnesërmja vjen
shpejt, dhe kur bëhen shtatë të pasnesërme bashkë, është tmerr i vërtetë).
Sa hap kompjuterin dhe përvesh mëngët, ja ku bie telefoni i brendshëm.
Sekretarja na thotë që kemi mbledhje me drejtorin e përgjithshëm. Kaq. Drejtor
në mashkullore, edhe pse në fakt bëhet fjalë për një bionde 27 vjeçare, që është,
as më shumë e as më pak, por gruaja e pronarit të studios. Historia tipike -
ajo që fillon punë si sekretare (me të dëgjuar
e kam, se në atë kohë nuk punoja aty), gratë e zyrës bëjnë ca çuçuçu me të
e i qajnë hallet, ajo po kokulur i dëgjon, pastaj dikush thotë se ajo është
prej kohësh e dashura e shefit, pastaj dalin hapur dhe bum! Ato gratë që nuk
dinë ku të futen, kjo që bën sikur nuk mban mend dhe vijon të bëjë sikur nuk ka
ndryshuar (ama rrobat i ka ndryshuar që
ç’ke më të. Në vend të një fustani të zi që kishte laj thaj, tani ka një koleksion
ngjyrash, të tëra firmato). E pra, tani është drejtor i përgjithshëm (funksionarët e lartë nuk kanë nevojë për
gjini) dhe si e tillë duhet të merret me ne. Por meqë nuk merr vesh fare
nga puna (diplomën nuk e ka marrë akoma
thuhet), bën të vetmen gjë që di të bëhet në këto raste: oraret. Ajo i quan
disiplina në punë. Na flet një orë të tërë, duke futur në fjalim dhe llafe të
tipit “performanca në punë”, “duhet menduar marketingërisht”, “segmente tregu”,
“efiçente”, “zëra”, “portofol”, “parti” (me
këtë nënkupton një grup sendesh, kaq e kam mësuar unë!)... Na kërcënon në
përgjithësi që thyerja e disiplinës do ndikojë në pakësimin e benefiteve mujore
(thuaj që do na mbash rrogën bibë!!!!!! Nga na doli ky talent për të shpikur
kshu llafesh). Në fund fare, kalon në emra të përveçëm. Vërejtja për mua është
me gojë, jo me shkrim, që ndiqet me porosinë “Kur themi në 9, jemi në 9 para kompjuterit
dhe jo shkallëve” (do e ketë pas orën mbrapa kjo, se unë për vete erdha gati në
10). Jep urdhrin për të cilin edhe na ka mbledhur: nga sot e tutje duhet të
jemi efiçentë në punë, për këtë duhet të bëjmë një “to do list”. Domethënë, në
një formular që na shpërndahet, do shkruajmë minutë pas minute se ç’bëjmë...
Ufaaaaaa!!!!!!!!!!!!!!! Po tani si i bëhet? Fiks në këtë moment më merr shoqja
e ngushtë, ka nevojë për një kafe urgjente. Shkruaj në “to do list” që po dal
të takoj një klient të mundshëm (derisa
të kthehem do e kem sajuar një emër për të qenë, ose dhe ndoshta e gjej ndonjë
rastësisht...). E mbaj dorën për pak, që bashkë me firmën të mos shtoj dhe
“Pika ty dhe atij që të vuri ty drejtor të përgjithshëm!”
This comment has been removed by the author.
ReplyDeletehahahahha ahhahahaahha,,, sh e bukur! super je iva ;)
ReplyDeletehahahahahahahahaha....me kenaqeeee
ReplyDeletepo ti kush je, e harrove veten?! kujto nga erdhe, si erdhe dhe kush (mendon) se je bere ;)
ReplyDeletejo qe nuk e kam harruar, por jam shume krenare nga kam ardhur dhe ku jam, por ende s'kam arritur aty ku kam nder mend. Ke per ta pare!
Deleteaahhaah sa kam qeshur <3
ReplyDeleteTe imagjinosh qe un x 5 min me vonese, çdo dit duhet te bej nje verbal. Konsiderohe veten me fat ^_^
o nami ziiii thuaj... une te isha si ty s'do e kisha mbajtur dot veten pa ja shkruajtur ate komentin e fundit tek 'to do list'-a drejtorit te pergjithshem bjond :D
ReplyDelete