Thursday, February 28, 2013

Zgjidhe “atë tjetrën” më të mirë se veten


 
Gjithmonë më ka munduar një dilemë – ne femrat duam që konkurrentja jonë (shemraaaaa pra, por e urrej shumë këtë llafin), të jetë më e bukur apo më e shëmtuar?! Kam pyetur shumë vërdallë, dhe nuk marr dy herë rresht të njëjtën përgjigje. Nëse ajo tjetra ndodh të jetë më e mirë, nuk lëmë defekt pa i gjetur, edhe nga ato të imtat fare, për ta sharë e për të arritur në përfundimin “S’është gjë, kot e mban veten me të madh”. Pastaj nëse vërtetë s’është gjë, ose thjesht është pak më keq nga ne, kjo dihet “të kishte gjetur ndonjë më të mirë edhe ia falja, por asaj ç’i pa?!”... Por historia që i ndodhi shoqes sime të ngushtë, vetëm sa m’i hallakati edhe më shumë mendimet.
Del kjo shoqja ime para ca ditësh nga makina, me atë pamjen triumfuese që mund të ta japin vetëm një palë këpucë lëkure, prodhim i rrallë krejt të bëra me dorë e me fjongo mëndafshi rozë, që kombinonin më së miri me një shall mëndafshi po rozë, nga ata që duken si të thjeshtë farë por që kushtojnë një rrogë nëpunësi shteti... Dhe fiks te dera e dyqanit ku po futej, i del përpara ajo, ish shemra e dikurshme (gruaja e ish- Atij pra, dhe mos të bëni kot si moraliste). Kjo shoqja ime normal që nuk e dha veten, burrin në fund të historisë e kishte mbajtur ajo tjetra, kështu që mendoi se i kishte të gjitha arsyet për t’u ndjerë ca viktimë e jo fitimtare. Por ndërsa tentoi të kalonte, sikur ishte shumë e përqendruar te vitrina dhe ngjyrat e reja të sezonit, befas tjetra iu kthye e nuk la gjë pa i thënë. Ku fjala “si s’të vjen turp e më kapardisesh dyqaneve”, qe e vetmja e citueshme, sepse të tjerat ishin nga ato me pullë të kuqe. E zënë në befasi, kjo shoqja ime mundi të thoshte vetëm “katunare” dhe u fut me vrap në dyqan, ku mërzinë e nxori me një fustan të ri të kuq, që gjatë gjithë dimrit i ishte zilepsur kur e shihte në vitrinë e tani po e blinte me gjysmë çmimi... Ia doli ta harronte ngjarjen sa mbaroi punë me blerjen po me t’u gjendur në makinë inati dhe tërbimi nuk e lanë gjatë të bënte indiferenten (“pse ç’a jam unë të më shajë ajo në rrugë”, “unë nuk ia mora burrin dhe nuk i rashë kurrë më qafë”, “le të shajë burrin e vet ajo dhe jo mua”) ishin arsyetimi i duhur që e bënë t’i binte me urgjencë numrit të telefonit të burrit të gruas e të pinte një kafe ngushëlluese. Ai, po i dha të drejtë me vrap, dhe pasi s’lanë gjë pa thënë për poshtërsinë që kishte bërë ajo tjetra (fraza “unë nuk kam hallin tim por më vjen keq për ty që ajo po të vë bojën në këtë mënyrë”, ishte vendimtare), filluan të bënin plane se si duhej ta ndëshkonin fajtoren. Kjo shoqja ime pati idenë brilante, që ta merrte në telefon nga celulari i të shoqit, e t’i thoshte “paketoji pak rrobat atij se do ta marr në shtëpi”, por iu desh të hiqte dorë menjëherë se tjetri i tha “vij edhe pa rroba unë”. (“e tmerrshme”, - na tha ajo më vonë, -“kam gjithë jetën që s’martohem dot dhe desh u martova tani tak fak. Po ai nuk e thoshte dot këtë gjë nja dhjetë vjet më parë, atëherë kur unë e doja?!”)... pasi hoqën dorë nga ky plan hakmarrjeje kaq i rrezikshëm, kaluan te plani B: ai do shkonte në darkë në shtëpi, do ta kërcënonte e telendiste të shoqen, që i kishte vënë bojën dhe do ta detyronte të kërkonte të falur e të premtonte se nuk do ta bënte më... Ngjarjet rrodhën pak a shumë kështu, ndonëse falja nga ajo tjetra nuk erdhi në formatin e dëshiruar, por bashkë me arsyen që ia kishte ngritur nervat dhe e kishte bërë t’i lëshohej me të shara. “Mu errën sytë’, i kishte thënë ajo të shoqit, “kur e pashë që ishte veshur me rroba të shtrenjta e po futej në atë dyqanin. Pale këpucët me ato fjongot rozë, me erdhi ta mbysja me ato fjongot, kur e pashë”... Me pak fjalë, sipas kësaj shoqes sime, e kishin fajin rrobat. Nga i qëlloi të dilte e pispillosur fiks atë ditë kur kishte gjithë javën që bënte varavinga me tuta dhe atlete! Sepse në fund të fundit ne femrat nuk qenkemi xheloze fare për burrat. Mjafton që ajo tjetra të mos ketë rroba më të bukura.

No comments:

Post a Comment

Google+ Followers