Saturday, March 30, 2013

Burrat, rregulla përdorimi


Që meshkujt vijnë nga Marsi dhe ne nga Afërdita, kjo nuk është ndonjë gjë e re. Por dhe që për gjëra që ne e e stërhollojnë ata përgjigjen me “po”, “jo” dhe “ndoshta”, edhe kjo nuk është dhe aq e re. Por ka dhe shumë gjëra të tjera që ne i mendojmë ndryshe nga ata. Më saktë që ne mendojmë se e dimë si mendojnë ata, kur ata mendojnë fiks të kundërtën. Përshembull:
- Nëse mendon se mund të jesh e shëndoshë, atëherë padiskutim që je. Mos e pyet të dashurin nëse dukesh ndopak e shëndoshë, duke shpresuar të të thotë që je si shpirt. Thjesht ngrihu nga nga divani dhe shko në palestër.
- Dietat nuk funksionojnë pa bërë ushtrime fizike. Nëse ti je në dietë, kjo nuk do të thotë që edhe ai është në dietë dhe duhet të hajë barishte dhe karrota si ti. Katër llojet kryesore të ushqimimit të një burri janë: mishi i bardhë, mishi i kuq, birrë e ftohtë dhe birrë e ftohtë. Ndaj sigurohu që gjatë të gjitha vakteve të ketë një balancë të mirë të gjithë përbërësve të mësipërm, në sasi të mëdha. çdo gjë tjetër futet të kategorinë “garniture”.
- Mos i prit flokët. Asnjëherë. Sepse nuk do të të pëlqejnë kurrë komentet mbi to. As kur të thonë që i ke mirë (do thuash që po  të gënjen) dhe largqoftë kur të thonë që i ke keq.
- Ditëlindjet, Shën Valentinët dhe përvjetorët nuk janë rasti për ta vënë atë në provë nëse ai është i zoti të gjejë dhuratën perfekte… edhe njëherë tjetër! Madje nuk janë rasti për ta vënë në provë nëse arrin ta mbajë mend datën. Nëse do të festosh dhe jo të bësh sherr, kujtoja vetë datën e rëndësishme dhe mësoje veten që më mirë ta blesh vetë dhuratën tënde (me lekët e atij, sigurisht) sesa ai të blejë diçka që ti nuk e sheh dot me sy.
- Ndonjëherë ai nuk po mendon për ty. Prandaj duhet të mësohesh e të jetosh me këtë ide.
- Hiqe qafe macen. Dhe mos të të shkojë mendja t’i thuash se është ndryshe, se macja jote është shumë e mirë. Ajo është si çdo mace tjetër. Dhe për meshkujt qentë janë më të mirë se cilado mace.
- E diel = futboll. Në televizor për t’u parë. Apo në kalçeto për t’u luajtur. Por dhe ndonjë sport tjetër. Nuk ke ç’diskuton këtu. Dheeeeeee… shopping-u nuk është sport. Së paku jo për meshkujt me mend në kokë.
- Çdo gjë që ti vesh është e bukur. Me të vërtetë. Dhe ti ke shumë rroba. Shumë palë këpucë. Shumica e meshkujve nuk kanë më shumë se dy ose tre. Ndaj as mos e ço nëpër mendje që të pyesësh një mashkull se cilat nga tridhjetë palët që ke do duken më bukur me atë fustanin që po zgjedh për të dalë.
- Të qash, domethënë  të bësh shantazh. Përdore këtë armë, nëse ke nevojë, por mos prit që ai ta hajë gjithmonë presionin
- 'Po', 'Jo' dhe 'Mmmmmm' janë përgjigje mëse të pranueshme.
- Nëse i thua të dashurit, që femrat nëpër revista nuk janë aspak të bukura, por janë të rregulluara me fotoshop, kjo thjesht do të të bëjë dukesh xheloze dhe për të qarë hallin. Dhe për më tepër, kjo nuk do e ndalojë atë të shfletojë revistën. Ndërkohë që nuk ke as pikën e ngushëllimit – modelët meshkuj me ata trupat e paparë që ti sheh nëpër revista, janë të gjithë gay.
- Lërë të dashurin tënd t’i kullosë sytë gjithandej. Nëse ai nuk ua ngul sytë femrave, nga do e kuptojë ai sa e bukur je ti në krahasim me të tjerat?! (nëse je gocë e zgjuar ti e di që kjo fjalia e fundit është thjesht ngushëllim. Por gjithsesi ai do i kullosë sytë, ndaj ia vlen të ngushëllohesh J)
- Nëse është e mundur, thuaje atë që ke në kokë gjatë reklamave dhe jo në mes tëfilmit.
- Kur shtriheni për të fjetur dhe ai duket i lodhur , kjo do të thotë që ai është i lodhur dhe nuk nënkupton që pikërisht në atë moment ai po kërkon të diskutojë se ç’po bëhet me lidhjen tuaj. Por edhe kur jeni duke gatuar, nuk është moment i duhur, as duke ngrënë, nëse nuk doni t’ja ngecni në grykë. Kur sheh sportin, jo e jo, kaq e dinë të gjithë. As kur ai lexon gazetën sportive e as kur shkoni për darkë te mami i tij. Tamam tamam, asnjëherë nuk është moment i duhur për të tilla biseda. Ai gjithmonë do mendojë: “mos, e filloi avazin dhe kjo!” 

Sunday, March 24, 2013

Katër raste kundër një Princi të Kaltër (ose aty rrotull)


Bota nuk është më ajo e dikurshmja. Kurse vajzat e sotme nuk janë si heroinat e filmave vizatimorë të Disney-t. Princat e kaltër nuk takohen dhe aq kollaj në ditët e sotme. Por edhe nëse takohen, pak nga pak zbulohet se nuk janë dhe aq princër. Ose jo dhe aq të kaltër. Dhe nëse vendos t’i mbash, edhe ashtu siç janë, as princa prej vërteti edhe të dalë boje ndërkohë, sërish nuk është e thënë që gjithçka shkon mirë. Sepse ja, ti mësohesh dhe ia pranon gjithë difektet jo – princërore, arrin edhe të duash të kaltrën e dalë boje dhe befas ai zhduket. Ose nuk zhduket dhe thotë që kjo lidhja juaj nuk ishte ajo që ai kishte menduar. Ose se kjo ishte ajo që ai kishte menduar, por ndërkohë mendon se mund të jetë dhe gjasme-Princi i Kaltër-dalë-boje i dikujt tjetër, dhe se këtu s’ka asgjë të keqe, përderisa ai nuk ndahet kurrën e kurrës me ty (kur e thotë këtë, e thotë me një fytyrë aq të lumtur, i bindur se kjo është fjalia që ti ke gjithë jetën që pret ta dëgjosh, se mosndarja kurrsesi nga ty përkthehet se ti je dashuria më e madhe e jetës së tij).
Ja pra, vetëm të shtunën në mbrëmje. Të shtunën e shkuar ishe në qiellin e shtatë, tani je me këmbë në tokë. Apo pesëmbëdhjetë centimetër sipër tokës, aq sa janë të larta takat e tua, ato këpucët që ti zgjedh të veshësh pikërisht kur duhet të shfaqesh më kryelartë se kurrë.
Je vetëm dhe nuk  je e dëshpëruar. Je në atë pikën, kur nuk ia vlen të dalësh e të qaravitesh me shoqet. As të ulesh me shoqet e të tallësh byçkën me veten tënde, historinë tënde dhe ish-gjasme-Princin e Kaltër-dalë-boje. Dhe as të dalësh e të hallakatesh me shoqet, të pish e të kërcesh deri në mëngjes. Je në pikën kur do të dalësh me një tjetër. Jo pretendent për Princ. Asgjë që t’i afrohet. Thjesht do të dalësh me dikë, të hash një darkë, të flirtosh me fjalë, të rrotullosh fundin e një gote verë mes gishtave (tek “Cosmopolitan” ke lexuar se kjo është shumë joshëse, nuk thuhet pse, por ashtu i bie të jetë)… Me pak fjalë, një nga ato që mes gocash quhen “dalje të pafajshme” (hera herës kanë rezultuar të jenë gjërat më të fajshme në botë, që ta koklavisin jetën sa s’ka më, por nuk po flasim për këtë tani).
Këtu vjen më e rëndësishmja: me kë do dalësh. E nis punën nga fillimi. Nga lista e kontakteve në telefon. I futesh një analize të detajuar, përjashton flirtet e vjetra, (ish të dashurit i ke fshirë me kohë, që të mos i telefonosh në momente krize, ndaj këtu nuk ngatërrohesh), përjashton ish-et e shoqeve dhe ja ku në fund ke katër pretendentë. Katër djem të mirë, nga ata që e di që janë gati të dalin me ty, sepse nuk janë të lidhur (ose më mirë të themi nuk kanë lidhje publike), me pamje të mirë e të veshur bukur (epo normal, si hallexhie nuk do dalësh ti, që të mendojnë se je totalisht në krizë pas dështimit me gjasme-Princin e Kaltër-dalë-boje) dhe me punë të mirë (këtu ende nuk e kupton se pse zgjedh me trutë e mamit, qoftë edhe për një darkë të pafajshme).
Avokati është rasti i parë – kujtohesh që e ke takuar në një mbledhje pune, pastaj keni shkëmbyer numrin e telefonit, keni pirë një kafe me ca miq të tjerë dhe keni flirtuar me sms. Tani që po vret mendjen, kujton që në kafen me të tjerët, ai kishte thënë se shkonte gjithmonë tek një lokal nate në Bllok, se shkonte vetëm dhe se atje gjente gjithmonë njërëz të hajrit. Ëëëëëmmmm, do doje që të shkonit tek ai lokali ku shkojnë gjithë adoleshentët e Tiranës dhe gjithë të dëshpëruarit mbi 45 vjeç? Kurrë. S’ka avokat pra!
Dentisi është rasti i dytë -  Duhet fshirë urgjent nga mendja. Kujtohesh që ai ka pasur një histori me komshien e shoqes së kushërirës tënde. Një histori që mbaroi me një dramë të madhe: ajo e la pas një historie tetë vjeçare thjesht duke i thënë “nuk na përputhen karakteret”. Vërtetë ty s’të intereson që mbrëmja me të të shndrrohet në marrëdhënie, por dhe tepër nuk i ke trutë , që t’i nxjerrësh duke dëgjuar historinë e tij të dështuar. Ose mburrjet e tij, që sa mirë që ata janë ndarë.
Arkitekti është rasti i tretë. Për të qenë të sinqertë, ky është më kingu ndër të gjithë. Por tani që kujtohesh se nuk është se ai ka flirtuar dhe aq shumë me ty. Domethënë ka kthyer përgjigje sa herë i ke shkruar e para, dhe nuk është se ka kthyer përgjigje të këqija. Por dhe mund të kujtohej e të ngacmohej vetë ndonjëherë… Më mirë ta shmangësh edhe këtë, se nëse ai largqoftë thotë jo, do e urresh veten pafund.
Dhe ja ku jeni tek i katërti i vërteti, biznesmeni. Ka një qendër tregtare dhe dukej shumë interesuar kur jeni prezantuar. Të ka marrë gjithmonë në telefon, madje dhe shumë nga punët e tij i ka transferuar tek studioja ku ti punon e ndërsa ishte para tre javësh në Dubai, nisi një email ku kërkonte…. Aaaa, pa prit pak…. Dubai? Po ajo modelja e famshme mos kishte ikur gjë në Dubai për pushime me pronarin e një qendre tregtare?! Larg dhe ky! Nuk ke as moshë e as takat tani që të ekspozohesh me një që ikën në Dubai me vajza që i kanë këmbët të gjata sa ç’je ti nga koka te këmbet me gjithë taka.
Shumë stres kjo punë. Aq stres sa ndoshta nuk ia vlen të merresh me përgjigje të tilla. E ç’të duhet të dalësh në një ditë të tillë, kur nuk do as të qash për gjasme-Princin e Kaltër-dalë-boje. Një film i mirë. Kjo i duhet kësaj të shtune.

Saturday, March 16, 2013

Po Bruku ç’ka më shumë?!

Me siguri që nuk ka ndonjë prej jush që të mos ketë parë, në çfarëdolloj moshe apo periudhe ndonjë seri të “Beautiful”-it. Me aq sa keni parë, të gjithë keni kuptuar se kur vjen puna tek ndjenjat e pastra (domethënë tek seksi), të gjithë dashurohen (domethënë shkojnë në shtrat) me të gjithë. Domethënë mund të dashuroni njërin, pastaj të vëllain, pastaj të atin, pastaj vëllanë e parë, pastaj del një vëlla tjetër, pastaj ai i pari nuk është vëlla me të dytin, babai është xhaxhai…
Uuuu, u ngatërrova. Domethënë më mori historia me vete. Kisha ndër mend ta krahasoja jetën e ndonjërës nga ne me një tjetër aspekt të “Beautiful” – it: trekëndëshat dashurorë. Ja përshembull, Rixhi duhet të zgjedhë mes Kerolajnit dhe Brukut, pastaj Bruku mes Rixhit dhe Tornit, pastaj Kerolajni mes Tornit dhe Rixhit, Rixhi mes Brukut dhe Tejlorit, Tejlori mes Rixhit dhe Tornit, Bruku prapë mes Tornit dhe Rixhit, pastaj po Bruku mes Rixhit dhe një vëllai tjetër të Rixhit, por që s’është vëllai i Tornit…
Epo pak a shumë kështu mund të vijë rasti dhe të jetë ndonjëra nga ne, vetëm se pa Rixhin e farefisin e vet. Domethënë mund ta gjesh veten hera herës në të njëjtën situatë me Brukun, duke u betuar se kjo do jetë hera e fundit që të ndodh të jesh në një lidhje të dyfishtë. Për herë të parë një gjë e tillë shoqes sime kjo gjë i ndodhi para disa vjetësh, as vetë ajo nuk e kuptoi se si u gjend në një të tillë trekëndësh. Ajo ishte lumturisht e lidhur me një alamet çuni (kur thuhet ‘lumturisht e lidhur’ me këtë nënkuptohet që qante hera herës për gjëra nga më të ndryshmet, por kjo është normale në një lidhje) dhe donte që kështu si ajo, ‘lumturisht e lidhur’ të ishte dhe një shoqe tjetër. Prandaj mendoi që ta prezantonte këtë shoqen me një djalë që njihte. Që gjithçka të rridhte normal, pra të mos dukej si takim i sajuar apo nga ato shkesitë e qëmotit, në pritje të fundjavës kur do dilnin ‘rastësisht’ të tre, ajo doli nja dy herë për kafe me këtë tipin, pastaj për drekë dhe pastaj... Epo kuptohet, në fundjavë dolën vetëm ata të dy dhe me kaq u pa kjo punë. Ishin çift.
Por ajo ndërkohë ishte pjesë e një tjetër çifti?!
E kotë këtu të shpjegoj se ç’hoqi kjo shoqja ime atë periudhë. Di vetëm të them se që nga ajo ditë, kur ne të gjitha marrim vesh për ndonjë që ka lidhje dyfishe, nuk mendojmë aspak keq: thjesht na dhimbset. E dimë mirë se ç’po heq i shkreti, dhe vetëm qejf që nuk është kjo punë...
Po do thoni ju, që pse qan e qaravitet kot kjo shoqja dhe bën si viktimë, kur puna është e thjeshtë fare: të ndahej nga njëri e të rrinte me tjetrin. E lehtë për ta thënë, por aspak e lehtë për ta bërë. Sepse sapo ajo mendonte të rrinte me njërin, të linte tjetrin, zbulonte se pikërisht pa atë tjetrin që duhej lënë, nuk jetonte dot. Ose anasjelltas.
Ishte pastaj dhe ai problemi tjetër: ja e lë, po si t’ia thuash?!  T’ia thuash copë? Që do një tjetër? Apo që mes jush nuk po funksionon?!
Nuk e di pse në të tilla raste ndodh që edhe ne gocat preferojmë atë variantin tjetër, që e urrejmë aq shumë kur na e bëjnë, e për të cilin meshkujt janë mjeshtra, por që me ne se pse nuk ecën: zhdukemi, nuk marrim në telefon dhe presim që ai tjetri ta kuptojë vetë që mes nesh ka mbaruar. Por ja që nuk qenkemi dhe aq të zonjat në këtë punë. Ata nuk e kuptojnë që nuk e kuptojnë që duhet ta lënë me kaq. Dhe bëjnë sikur çdo gjë shkon më së miri.
Të bindura se asnjëri prej të dyve nuk do e linte, menduam që t’ja mbushnim mendjen shoqes sonë që t’i thoshte njërit prej tyre troç fare se gjithçka kishte mbaruar. Normalisht që justifikimeve të saj, se i vinte keq t’i thyente zemrën dikujt, ne i përgjigjeshim që kur duan të na thyejnë ne zemrën, askush nuk e mendon dy herë...
Epo mirë pra, shoqja jonë na kishte qëlluar zemërmirë. Dhe pak frikacake për të marrë vendime. Pret që gjërat të rrjedhin dhe t’i marrin të tjerët vendimet në vendin e saj. Fiks siç mbaroi dhe kjo histori bashkë me trekëndëshin dashuror: qëlloi që një të dielë në mbrëmje, shkuan të dy në të njëjtën kohë në shtëpinë e saj. Pra, siç ndodh në telenovelat e keqija, e kapën në “flagrancë”. Pastaj e lanë që të dy, pastaj erdhën veç e veç që të dy dhe i thanë që e kishin falur... Ajo po i tha çdonjërit prej të dyve që do rrinte vetëm me atë, u premtoi madje veç e veç të dyve dhe kur e kapën herën e dytë, mori fund gjithçka dhe ajo nisi jetë te re.
Por ja që fiks si Bruku, ndodh që dhe kjo shoqja jonë paska dhe një të keqe tjetër, që po e zbulon tani tek vetja: nuk mëson kurrë nga historitë e shkuara. Në fakt një gjë tashmë e ka mësuar, i dashuri i muajve të fundit, për arsye të ndryshme, të shpikura nga ajo, nuk ka shkuar ende në shtëpinë e saj, që një nga ish-ët ka nisur ta frekuentojë sërish, sa për të pirë ndonjë çaj e për t’u sqaruar.
Pra, për momentin, ajo po i lë prapë gjërat të rrjedhin. Sepse është shumë e vështirë të zgjedhësh mes një të dashuri fantastik, që t’i ka bërë muajt e fundit shumë të bukur dhe atij që të bën t’i vësh shkelmin gjithçkaje që ke arritur në jetë, vetëm për ta provuar edhe njëherë, për të njëqindtën herë... Dhe e keqja është që ashkush nuk ia qan më hallin. Te “Beautiful”-i, Brukun të gjithë e përqafojnë dhe i thonë se kanë besim që do zgjedhë më të mirin. Kurse sapo ajo nis të ankohet ne ia presim shkurt: mblidh mendtë e kokës e mos na hajde të na qash prapë!

Saturday, March 9, 2013

Dhe sekreti është… indiferenca

Tipa të dashura apo të ftohtë qofshim, optimiste apo cinike, të dhimsura apo shpirtkatran, ka një gjë që e bëjmë njëlloj ne femrat – kur u japim këshilla shoqeve zemërvrara. Kur mikesha na qan një hall, ne fap si eksperte, hapim sirtarët e përvojës sonë dhe me pamje kompetente të japim menjëherë zgjidhjen. Dhe gjithë përvoja jonë jetësore, përmblidhet në dy tre fraza. Kur shoqja ndahet, në vartësi të ndarjes, themi “ai s’të meriton” (kur ai i ka bërë të qartë që nuk do ta shohë më me sy dhe i ka hequr çdo shans që ajo ta marrë ndonjë ditë në telefon, qoftë dhe për t’i uruar ditëlindjen) dhe “me siguri ai mendon që nuk është në lartësinë tëndë dhe ka frikë nga përkushtimi” (kjo në rastet kur ai është zhdukur nga faqja e dheut dhe nuk ka marrë mundimin as ta lajmërojë që janë ndarë, dhe ajo duhet ta gjejë vetë edhe këtë).
Kuptohet në të dyja rastet rastet, themi dhe ca fjalë të tipit “ka për ta kuptuar se ç’ka humbur por atëherë do jetë shumë vonë (epo ç’shoqe do ishim që në momentin më të keq t’i themi që atij thjesht nuk i plas për ty?!). Kurse në rastet kur ajo që e kërkon ndarjen është shoqja jonë, normalisht nuk ka nevojë për ngushëllime, kjo nënkupton që ne, një grup shoqesh të ngushta, dhe shoqesh të shoqeve, kemi nja një vit që e dimë që ajo ose del dhe me një tjetër, ose nuk e sheh dot më të dashurin me sy, ka shkuar ndërkohë dhe me një shokun e tij të ngushtë, por nuk po di si t’ia thotë që lidhja nuk funksionon më…
Nejse, nuk do merrem sot me histori gallate, por me gjëra serioze. Siç është ngushëllimi i mikeshave zemërthyera. Që kur nuk ndahen, duhet të ngushëllohen për lidhjet që nuk ecin mirë. Në këtë rast ne kemi një këshillë të artë, që thuhet se funksionon dorë me një. Ai sillet keq? Ai nuk të përkëdhel sa duhet? Ai nuk të merr gjithë ditën në telefon? Ai nuk të do, aq sa e do ti? Zgjidhja është një dhe vetëm një: mos bëj sherr, por bëj indiferenten.
Në një moment të jetës të gjithave na është dhënë kjo këshillë. Nuk e kemi ndjekur, normal, (por ama kemi dëgjuar se ato që durojnë, fitojnë), por edhe e kemi dhënë sa herë që na ka ardhur rasti (në kësi rastesh bëjmë be se sa herë kemi qenë indiferente, kemi arritur rezultate befasuese në lidhje). Mbaj mend përshembull një shoqe, që këshillonte një tjetër. Sa herë që kjo i tregonte një problem, tjetra ia priste shkurt “mos ia var! të kam thënë mos ia var…”. Deri sa e varfra shpërtheu “Nuk po ja var mi motre, por po var veten…”.
Ose një shoqe tjetër, që mikeshës se vet i mori celularin dhe nuk ia dha për tre ditë, (duke i prishur dhe shumë punë pune), vetëm e vetëm që të mos merrte të dashurin, që në ato ditë po bënte interesantin dhe thoshte se kishte punë...
Kurse unë vetë, nuk e dija që mund të nxirrja të tilla fjalë nga goja, deri tre ditë më parë. Kur zemërthyera e radhës qëlloi të ishte Kaltra, një vajzë katër vjeç, vajza e miqve të mi. Thjesht për të hapur një bisedë fëmijësh (urrej pyetjen kë do më shumë mamin apo babin), e pyeta se cilin nga dy miqtë e saj të lojrave, 5 vjeçarë që të dy, donte më shumë. “Aleksin dua, por ai sillet me mua shumë keq”, më tha duke psherëtirë. Dhe krejt natyrshëm, duke harruar kë po këshilloja, i thashë që të bëhej indiferente. Normalisht që ajo nuk e dinte se ç’domethënë ky llafi, ia shpjegova bashkë me dukurinë që djemtë e çdo moshe, kur e marrin vesh që ne i duam, bëjnë si interesantë. Dhe ne atëherë nuk duhet t’ua varim. Dmth nuk sillemi keq, por i tregojmë që nuk nuk na interesojnë…
Kjo pra është të jesh indiferente. Që për të voglën Kaltra u përkthye që ajo nuk do t’ja japë më topin Aleksit… Kaq e thjeshtë qenka pra. E ndreq apo jo sjelljen Aleksi, rëndësi ka që mikesha ime vogëlushe ndihet më mirë. Ajo e ka një plan. Kjo puna e indiferencës funksionoka për të gjitha femrat. Duke filluar nga katër vjeç.

Google+ Followers