Bota nuk
është më ajo e dikurshmja. Kurse vajzat e sotme nuk janë si heroinat e filmave
vizatimorë të Disney-t. Princat e kaltër nuk takohen dhe aq kollaj në ditët e
sotme. Por edhe nëse takohen, pak nga pak zbulohet se nuk janë dhe aq princër.
Ose jo dhe aq të kaltër. Dhe nëse vendos t’i mbash, edhe ashtu siç janë, as
princa prej vërteti edhe të dalë boje ndërkohë, sërish nuk është e thënë që
gjithçka shkon mirë. Sepse ja, ti mësohesh dhe ia pranon gjithë difektet jo –
princërore, arrin edhe të duash të kaltrën e dalë boje dhe befas ai zhduket.
Ose nuk zhduket dhe thotë që kjo lidhja juaj nuk ishte ajo që ai kishte
menduar. Ose se kjo ishte ajo që ai kishte menduar, por ndërkohë mendon se mund
të jetë dhe gjasme-Princi i Kaltër-dalë-boje i dikujt tjetër, dhe se këtu s’ka
asgjë të keqe, përderisa ai nuk ndahet kurrën e kurrës me ty (kur e thotë këtë, e thotë me një fytyrë aq
të lumtur, i bindur se kjo është fjalia që ti ke gjithë jetën që pret ta dëgjosh,
se mosndarja kurrsesi nga ty përkthehet se ti je dashuria më e madhe e jetës së
tij).
Ja pra, vetëm
të shtunën në mbrëmje. Të shtunën e shkuar ishe në qiellin e shtatë, tani je me
këmbë në tokë. Apo pesëmbëdhjetë centimetër sipër tokës, aq sa janë të larta
takat e tua, ato këpucët që ti zgjedh të veshësh pikërisht kur duhet të
shfaqesh më kryelartë se kurrë.
Je vetëm
dhe nuk je e dëshpëruar. Je në atë pikën,
kur nuk ia vlen të dalësh e të qaravitesh me shoqet. As të ulesh me shoqet e të
tallësh byçkën me veten tënde, historinë tënde dhe ish-gjasme-Princin e Kaltër-dalë-boje.
Dhe as të dalësh e të hallakatesh me shoqet, të pish e të kërcesh deri në mëngjes.
Je në pikën kur do të dalësh me një tjetër. Jo pretendent për Princ. Asgjë që
t’i afrohet. Thjesht do të dalësh me dikë, të hash një darkë, të flirtosh me
fjalë, të rrotullosh fundin e një gote verë mes gishtave (tek “Cosmopolitan” ke lexuar se kjo është shumë joshëse, nuk thuhet
pse, por ashtu i bie të jetë)… Me pak fjalë, një nga ato që mes gocash
quhen “dalje të pafajshme” (hera herës
kanë rezultuar të jenë gjërat më të fajshme në botë, që ta koklavisin jetën sa
s’ka më, por nuk po flasim për këtë tani).
Këtu
vjen më e rëndësishmja: me kë do dalësh. E nis punën nga fillimi. Nga lista e kontakteve
në telefon. I futesh një analize të detajuar, përjashton flirtet e vjetra, (ish të dashurit i ke fshirë me kohë, që të
mos i telefonosh në momente krize, ndaj këtu nuk ngatërrohesh), përjashton
ish-et e shoqeve dhe ja ku në fund ke katër pretendentë. Katër djem të mirë,
nga ata që e di që janë gati të dalin me ty, sepse nuk janë të lidhur (ose më mirë të themi nuk kanë lidhje
publike), me pamje të mirë e të veshur bukur (epo normal, si hallexhie nuk do dalësh ti, që të mendojnë se je
totalisht në krizë pas dështimit me gjasme-Princin e Kaltër-dalë-boje) dhe
me punë të mirë (këtu ende nuk e kupton
se pse zgjedh me trutë e mamit, qoftë edhe për një darkë të pafajshme).
Avokati është rasti i parë – kujtohesh që e ke takuar në një
mbledhje pune, pastaj keni shkëmbyer numrin e telefonit, keni pirë një kafe me
ca miq të tjerë dhe keni flirtuar me sms. Tani që po vret mendjen, kujton që në
kafen me të tjerët, ai kishte thënë se shkonte gjithmonë tek një lokal nate në
Bllok, se shkonte vetëm dhe se atje gjente gjithmonë njërëz të hajrit. Ëëëëëmmmm,
do doje që të shkonit tek ai lokali ku shkojnë gjithë adoleshentët e Tiranës
dhe gjithë të dëshpëruarit mbi 45 vjeç? Kurrë. S’ka avokat pra!
Dentisi është rasti i dytë - Duhet fshirë urgjent nga mendja. Kujtohesh që
ai ka pasur një histori me komshien e shoqes së kushërirës tënde. Një histori që
mbaroi me një dramë të madhe: ajo e la pas një historie tetë vjeçare thjesht
duke i thënë “nuk na përputhen karakteret”. Vërtetë ty s’të intereson që mbrëmja
me të të shndrrohet në marrëdhënie, por dhe tepër nuk i ke trutë , që t’i
nxjerrësh duke dëgjuar historinë e tij të dështuar. Ose mburrjet e tij, që sa
mirë që ata janë ndarë.
Arkitekti është rasti i tretë. Për të qenë të sinqertë, ky është
më kingu ndër të gjithë. Por tani që kujtohesh se nuk është se ai ka flirtuar
dhe aq shumë me ty. Domethënë ka kthyer përgjigje sa herë i ke shkruar e para,
dhe nuk është se ka kthyer përgjigje të këqija. Por dhe mund të kujtohej e të
ngacmohej vetë ndonjëherë… Më mirë ta shmangësh edhe këtë, se nëse ai largqoftë
thotë jo, do e urresh veten pafund.
Dhe ja ku jeni tek i katërti i vërteti,
biznesmeni. Ka
një qendër tregtare dhe dukej shumë interesuar kur jeni prezantuar. Të ka marrë
gjithmonë në telefon, madje dhe shumë nga punët e tij i ka transferuar tek
studioja ku ti punon e ndërsa ishte para tre javësh në Dubai, nisi një email ku
kërkonte…. Aaaa, pa prit pak…. Dubai? Po ajo modelja e famshme mos kishte ikur
gjë në Dubai për pushime me pronarin e një qendre tregtare?! Larg dhe ky! Nuk ke
as moshë e as takat tani që të ekspozohesh me një që ikën në Dubai me vajza që i
kanë këmbët të gjata sa ç’je ti nga koka te këmbet me gjithë taka.
Shumë stres
kjo punë. Aq stres sa ndoshta nuk ia vlen të merresh me përgjigje të tilla. E ç’të
duhet të dalësh në një ditë të tillë, kur nuk do as të qash për gjasme-Princin
e Kaltër-dalë-boje. Një film i mirë. Kjo i duhet kësaj të shtune.
This comment has been removed by the author.
ReplyDeleteju falenderoj shume qe keni ndaluar tek blogu im dhe mbi te gjitha qe me shkruani!
DeleteShkrimet e tua jane gjithmone kenaqesi dhe me mbushin me 10 emocione te ndryshme nga fillimi deri ne fund (duke marre parasysh qe leximi nuk zgjat shume). Te falenderoj dhe te inkurajoj te postosh gjithmone e me shpesh :)
ReplyDeleteTa marrte e mira moj cupe!
ReplyDeleteNdonjehere kur je e lidhur mendon se do doje ta rrotulloje goten gjysem bosh ne menyre sensuale pse jo,pasi sado ta rrotullosh me partnerin qe ke dhe femije madje tja thyesh ne koke si zor se do te vere re sa "sensuale" qe je :)
Te duhen shkrime te tilla te kuptosh qe s'ke humbur ndonje Princ Elektrik Blu :)
ohhh Iva, kur te lexoj ty me vjen ne mendje autoria ime e preferuar Sophie Kinsella menyren e te shprehurit e keni aferisht shume te ngjashme.
ReplyDeleteah princi i kalter, cte them, un te Kaltern gjithnje e kam patur inat.
Kinsella eshte e preferuara ime gjithashtu. eshte i dukshem ndikimi i saj tek une :D
Deleterastesisht perfundova tek blog-u yt, dhe jam shume e lumtur per kete :) love love love all the posts.
ReplyDeletegezohem qe te ra rruga kendej!
Delete