Saturday, March 16, 2013

Po Bruku ç’ka më shumë?!

Me siguri që nuk ka ndonjë prej jush që të mos ketë parë, në çfarëdolloj moshe apo periudhe ndonjë seri të “Beautiful”-it. Me aq sa keni parë, të gjithë keni kuptuar se kur vjen puna tek ndjenjat e pastra (domethënë tek seksi), të gjithë dashurohen (domethënë shkojnë në shtrat) me të gjithë. Domethënë mund të dashuroni njërin, pastaj të vëllain, pastaj të atin, pastaj vëllanë e parë, pastaj del një vëlla tjetër, pastaj ai i pari nuk është vëlla me të dytin, babai është xhaxhai…
Uuuu, u ngatërrova. Domethënë më mori historia me vete. Kisha ndër mend ta krahasoja jetën e ndonjërës nga ne me një tjetër aspekt të “Beautiful” – it: trekëndëshat dashurorë. Ja përshembull, Rixhi duhet të zgjedhë mes Kerolajnit dhe Brukut, pastaj Bruku mes Rixhit dhe Tornit, pastaj Kerolajni mes Tornit dhe Rixhit, Rixhi mes Brukut dhe Tejlorit, Tejlori mes Rixhit dhe Tornit, Bruku prapë mes Tornit dhe Rixhit, pastaj po Bruku mes Rixhit dhe një vëllai tjetër të Rixhit, por që s’është vëllai i Tornit…
Epo pak a shumë kështu mund të vijë rasti dhe të jetë ndonjëra nga ne, vetëm se pa Rixhin e farefisin e vet. Domethënë mund ta gjesh veten hera herës në të njëjtën situatë me Brukun, duke u betuar se kjo do jetë hera e fundit që të ndodh të jesh në një lidhje të dyfishtë. Për herë të parë një gjë e tillë shoqes sime kjo gjë i ndodhi para disa vjetësh, as vetë ajo nuk e kuptoi se si u gjend në një të tillë trekëndësh. Ajo ishte lumturisht e lidhur me një alamet çuni (kur thuhet ‘lumturisht e lidhur’ me këtë nënkuptohet që qante hera herës për gjëra nga më të ndryshmet, por kjo është normale në një lidhje) dhe donte që kështu si ajo, ‘lumturisht e lidhur’ të ishte dhe një shoqe tjetër. Prandaj mendoi që ta prezantonte këtë shoqen me një djalë që njihte. Që gjithçka të rridhte normal, pra të mos dukej si takim i sajuar apo nga ato shkesitë e qëmotit, në pritje të fundjavës kur do dilnin ‘rastësisht’ të tre, ajo doli nja dy herë për kafe me këtë tipin, pastaj për drekë dhe pastaj... Epo kuptohet, në fundjavë dolën vetëm ata të dy dhe me kaq u pa kjo punë. Ishin çift.
Por ajo ndërkohë ishte pjesë e një tjetër çifti?!
E kotë këtu të shpjegoj se ç’hoqi kjo shoqja ime atë periudhë. Di vetëm të them se që nga ajo ditë, kur ne të gjitha marrim vesh për ndonjë që ka lidhje dyfishe, nuk mendojmë aspak keq: thjesht na dhimbset. E dimë mirë se ç’po heq i shkreti, dhe vetëm qejf që nuk është kjo punë...
Po do thoni ju, që pse qan e qaravitet kot kjo shoqja dhe bën si viktimë, kur puna është e thjeshtë fare: të ndahej nga njëri e të rrinte me tjetrin. E lehtë për ta thënë, por aspak e lehtë për ta bërë. Sepse sapo ajo mendonte të rrinte me njërin, të linte tjetrin, zbulonte se pikërisht pa atë tjetrin që duhej lënë, nuk jetonte dot. Ose anasjelltas.
Ishte pastaj dhe ai problemi tjetër: ja e lë, po si t’ia thuash?!  T’ia thuash copë? Që do një tjetër? Apo që mes jush nuk po funksionon?!
Nuk e di pse në të tilla raste ndodh që edhe ne gocat preferojmë atë variantin tjetër, që e urrejmë aq shumë kur na e bëjnë, e për të cilin meshkujt janë mjeshtra, por që me ne se pse nuk ecën: zhdukemi, nuk marrim në telefon dhe presim që ai tjetri ta kuptojë vetë që mes nesh ka mbaruar. Por ja që nuk qenkemi dhe aq të zonjat në këtë punë. Ata nuk e kuptojnë që nuk e kuptojnë që duhet ta lënë me kaq. Dhe bëjnë sikur çdo gjë shkon më së miri.
Të bindura se asnjëri prej të dyve nuk do e linte, menduam që t’ja mbushnim mendjen shoqes sonë që t’i thoshte njërit prej tyre troç fare se gjithçka kishte mbaruar. Normalisht që justifikimeve të saj, se i vinte keq t’i thyente zemrën dikujt, ne i përgjigjeshim që kur duan të na thyejnë ne zemrën, askush nuk e mendon dy herë...
Epo mirë pra, shoqja jonë na kishte qëlluar zemërmirë. Dhe pak frikacake për të marrë vendime. Pret që gjërat të rrjedhin dhe t’i marrin të tjerët vendimet në vendin e saj. Fiks siç mbaroi dhe kjo histori bashkë me trekëndëshin dashuror: qëlloi që një të dielë në mbrëmje, shkuan të dy në të njëjtën kohë në shtëpinë e saj. Pra, siç ndodh në telenovelat e keqija, e kapën në “flagrancë”. Pastaj e lanë që të dy, pastaj erdhën veç e veç që të dy dhe i thanë që e kishin falur... Ajo po i tha çdonjërit prej të dyve që do rrinte vetëm me atë, u premtoi madje veç e veç të dyve dhe kur e kapën herën e dytë, mori fund gjithçka dhe ajo nisi jetë te re.
Por ja që fiks si Bruku, ndodh që dhe kjo shoqja jonë paska dhe një të keqe tjetër, që po e zbulon tani tek vetja: nuk mëson kurrë nga historitë e shkuara. Në fakt një gjë tashmë e ka mësuar, i dashuri i muajve të fundit, për arsye të ndryshme, të shpikura nga ajo, nuk ka shkuar ende në shtëpinë e saj, që një nga ish-ët ka nisur ta frekuentojë sërish, sa për të pirë ndonjë çaj e për t’u sqaruar.
Pra, për momentin, ajo po i lë prapë gjërat të rrjedhin. Sepse është shumë e vështirë të zgjedhësh mes një të dashuri fantastik, që t’i ka bërë muajt e fundit shumë të bukur dhe atij që të bën t’i vësh shkelmin gjithçkaje që ke arritur në jetë, vetëm për ta provuar edhe njëherë, për të njëqindtën herë... Dhe e keqja është që ashkush nuk ia qan më hallin. Te “Beautiful”-i, Brukun të gjithë e përqafojnë dhe i thonë se kanë besim që do zgjedhë më të mirin. Kurse sapo ajo nis të ankohet ne ia presim shkurt: mblidh mendtë e kokës e mos na hajde të na qash prapë!

4 comments:

  1. Epo, eshte me fat qe nuk ia qate hallin edhe heren e dyte. Te pakten nuk ka perse te kerkoje shoqe paralele :)

    Te pergezoj per shkrimet. Nuk e di pse ky i fundit m'u duk pak me ndryshe ne rrjedhe, por ndoshta ngaqe te gjithe te tjeret i lexova me nje fryme brenda pak minutash pasi zbulova blogun tend para pak ditesh.

    Pres me padurim te shtunen tjeter :)
    Lisa

    ReplyDelete
    Replies
    1. faleminderit Lisa, te shtunave i botoj ne gazeten MAPO, nje ne muaj ne revisten Madame kurse ketu ne blog hedh here pas here dhe nga arkiva. Jane te ndryshem sepse shkruhen ne kohe te ndryshme ndoshta, plus une jam Binjaket dhe me ndryshon humori apo gjendja shpirterore nga nje moment ne tjetrin... gje qe pasqyrohet edhe ne ato qe shkruaj. Te falenderoj shume per vizitat ne blog

      Delete
  2. Iva nuk jam e sigurte nese dhe personazhi Brooke eshte i lumtur ne jete me gjithe ato pasiguri,por padyshim eshte me mire te jesh Brooke sesa ajo qe skarton Brooke.

    Por me pelqen shume ideja qe tashme dhe Brooke ne Shqiperi nuk gjykohet thjeshte ngushellohet.
    Shkrimet e tua jane sa reale aq domethenese i shijoj pafund dhe ne cdo post mundohem te vizatoj portretin e mikeshave te mia apo timin.
    Te perqafoj.

    ReplyDelete

Google+ Followers