Uuuu, u ngatërrova. Domethënë
më mori historia me vete. Kisha ndër mend ta krahasoja jetën e ndonjërës nga ne
me një tjetër aspekt të “Beautiful” – it: trekëndëshat dashurorë. Ja përshembull,
Rixhi duhet të zgjedhë mes Kerolajnit dhe Brukut, pastaj Bruku mes Rixhit dhe
Tornit, pastaj Kerolajni mes Tornit dhe Rixhit, Rixhi mes Brukut dhe Tejlorit, Tejlori
mes Rixhit dhe Tornit, Bruku prapë mes Tornit dhe Rixhit, pastaj po Bruku mes
Rixhit dhe një vëllai tjetër të Rixhit, por që s’është vëllai i Tornit…
Epo pak a shumë kështu mund të vijë rasti dhe
të jetë ndonjëra nga ne, vetëm se pa Rixhin e farefisin e vet. Domethënë mund
ta gjesh veten hera herës në të njëjtën situatë me Brukun, duke u betuar se kjo
do jetë hera e fundit që të ndodh të jesh në një lidhje të dyfishtë. Për herë të
parë një gjë e tillë shoqes sime kjo gjë i ndodhi para disa vjetësh, as vetë ajo
nuk e kuptoi se si u gjend në një të tillë trekëndësh. Ajo ishte lumturisht e
lidhur me një alamet çuni (kur thuhet
‘lumturisht e lidhur’ me këtë nënkuptohet që qante hera herës për gjëra nga më
të ndryshmet, por kjo është normale në një lidhje) dhe donte që kështu si ajo,
‘lumturisht e lidhur’ të ishte dhe një shoqe tjetër. Prandaj mendoi që ta
prezantonte këtë shoqen me një djalë që njihte. Që gjithçka të rridhte normal,
pra të mos dukej si takim i sajuar apo nga ato shkesitë e qëmotit, në pritje të
fundjavës kur do dilnin ‘rastësisht’ të tre, ajo doli nja dy herë për kafe me këtë
tipin, pastaj për drekë dhe pastaj... Epo kuptohet, në fundjavë dolën vetëm ata
të dy dhe me kaq u pa kjo punë. Ishin çift.
Por ajo ndërkohë ishte pjesë e një tjetër
çifti?!
E kotë këtu të shpjegoj se ç’hoqi kjo shoqja
ime atë periudhë. Di vetëm të them se që nga ajo ditë, kur ne të gjitha marrim vesh
për ndonjë që ka lidhje dyfishe, nuk mendojmë aspak keq: thjesht na dhimbset. E
dimë mirë se ç’po heq i shkreti, dhe vetëm qejf që nuk është kjo punë...
Po do thoni ju, që pse qan e qaravitet kot kjo
shoqja dhe bën si viktimë, kur puna është e thjeshtë fare: të ndahej nga njëri e
të rrinte me tjetrin. E lehtë për ta thënë, por aspak e lehtë për ta bërë.
Sepse sapo ajo mendonte të rrinte me njërin, të linte tjetrin, zbulonte se pikërisht
pa atë tjetrin që duhej lënë, nuk jetonte dot. Ose anasjelltas.
Ishte pastaj dhe ai problemi tjetër: ja e lë,
po si t’ia thuash?! T’ia thuash copë? Që
do një tjetër? Apo që mes jush nuk po funksionon?!
Nuk e di pse në të tilla raste ndodh që edhe
ne gocat preferojmë atë variantin tjetër, që e urrejmë aq shumë kur na e bëjnë,
e për të cilin meshkujt janë mjeshtra, por që me ne se pse nuk ecën: zhdukemi,
nuk marrim në telefon dhe presim që ai tjetri ta kuptojë vetë që mes nesh ka
mbaruar. Por ja që nuk qenkemi dhe aq të zonjat në këtë punë. Ata nuk e kuptojnë
që nuk e kuptojnë që duhet ta lënë me kaq. Dhe bëjnë sikur çdo gjë shkon më së
miri.
Të bindura se asnjëri prej të dyve nuk do e
linte, menduam që t’ja mbushnim mendjen shoqes sonë që t’i thoshte njërit prej
tyre troç fare se gjithçka kishte mbaruar. Normalisht që justifikimeve të saj, se
i vinte keq t’i thyente zemrën dikujt, ne i përgjigjeshim që kur duan të na
thyejnë ne zemrën, askush nuk e mendon dy herë...
Epo mirë pra, shoqja jonë na kishte qëlluar
zemërmirë. Dhe pak frikacake për të marrë vendime. Pret që gjërat të rrjedhin
dhe t’i marrin të tjerët vendimet në vendin e saj. Fiks siç mbaroi dhe kjo
histori bashkë me trekëndëshin dashuror: qëlloi që një të dielë në mbrëmje, shkuan
të dy në të njëjtën kohë në shtëpinë e saj. Pra, siç ndodh në telenovelat e
keqija, e kapën në “flagrancë”. Pastaj e lanë që të dy, pastaj erdhën veç e veç
që të dy dhe i thanë që e kishin falur... Ajo po i tha çdonjërit prej të dyve që
do rrinte vetëm me atë, u premtoi madje veç e veç të dyve dhe kur e kapën herën
e dytë, mori fund gjithçka dhe ajo nisi jetë te re.
Por ja që fiks si Bruku, ndodh që dhe kjo
shoqja jonë paska dhe një të keqe tjetër, që po e zbulon tani tek vetja: nuk mëson
kurrë nga historitë e shkuara. Në fakt një gjë tashmë e ka mësuar, i dashuri i
muajve të fundit, për arsye të ndryshme, të shpikura nga ajo, nuk ka shkuar
ende në shtëpinë e saj, që një nga ish-ët ka nisur ta frekuentojë sërish, sa për
të pirë ndonjë çaj e për t’u sqaruar.
Pra, për momentin, ajo po i lë prapë gjërat të
rrjedhin. Sepse është shumë e vështirë të zgjedhësh mes një të dashuri
fantastik, që t’i ka bërë muajt e fundit shumë të bukur dhe atij që të bën t’i
vësh shkelmin gjithçkaje që ke arritur në jetë, vetëm për ta provuar edhe njëherë,
për të njëqindtën herë... Dhe e keqja është që ashkush nuk ia qan më hallin. Te
“Beautiful”-i, Brukun të gjithë e përqafojnë dhe i thonë se kanë besim që do
zgjedhë më të mirin. Kurse sapo ajo nis të ankohet ne ia presim shkurt: mblidh
mendtë e kokës e mos na hajde të na qash prapë!
Epo, eshte me fat qe nuk ia qate hallin edhe heren e dyte. Te pakten nuk ka perse te kerkoje shoqe paralele :)
ReplyDeleteTe pergezoj per shkrimet. Nuk e di pse ky i fundit m'u duk pak me ndryshe ne rrjedhe, por ndoshta ngaqe te gjithe te tjeret i lexova me nje fryme brenda pak minutash pasi zbulova blogun tend para pak ditesh.
Pres me padurim te shtunen tjeter :)
Lisa
faleminderit Lisa, te shtunave i botoj ne gazeten MAPO, nje ne muaj ne revisten Madame kurse ketu ne blog hedh here pas here dhe nga arkiva. Jane te ndryshem sepse shkruhen ne kohe te ndryshme ndoshta, plus une jam Binjaket dhe me ndryshon humori apo gjendja shpirterore nga nje moment ne tjetrin... gje qe pasqyrohet edhe ne ato qe shkruaj. Te falenderoj shume per vizitat ne blog
DeleteIva nuk jam e sigurte nese dhe personazhi Brooke eshte i lumtur ne jete me gjithe ato pasiguri,por padyshim eshte me mire te jesh Brooke sesa ajo qe skarton Brooke.
ReplyDeletePor me pelqen shume ideja qe tashme dhe Brooke ne Shqiperi nuk gjykohet thjeshte ngushellohet.
Shkrimet e tua jane sa reale aq domethenese i shijoj pafund dhe ne cdo post mundohem te vizatoj portretin e mikeshave te mia apo timin.
Te perqafoj.
rrofsh zemer, te perqafoj!
Delete