Thursday, April 4, 2013

Një i dashur për shopping


Ka ca teori që askush nuk i vë në dyshim. Si përshembull që burrat pëlqejnë biondet. Apo që peshku shoqërohet me verë të bardhë (unë vetë vdes ta shoqëroj me të kuqe, por në shoqëri mashkullore bëj dhe unë si të gjitha, e zgjedh edhe fricante madje, që të dukem delikate). Apo që shopping-u është sporti i preferuar i çdo femre në planet dhe tortura më e madhe të cilës mund t’i nënshtrohet një burrë.
Ne kemi gjithmonë nevojë për dikë, që të na japë këshilla dhe të na mbushë mendjen që të blejmë ato xhinset e ngushta (edhe nëse me to nuk arrijmë të marrim frymë) kurse ata dalin vetëm për të blerë, i marrin veshjet pa i provuar fare dhe gjithë gjithë kjo u harxhon 10 minuta (9 prej të cilave tek kasa). Por, gjëja më e keqe, është kur dalim me ta për të pasur një këshillë (të sinqertë). Ata, të mërzitur, mbështeten tek ajo poltrona përballë dhomës së provës, ndërsa ne provojmë gjysmën e dyqanit, duke menduar se me çfarë veshjesh të “arkivës” mund t’i kombinojmë gjërat e blera, duke stresuar shitësen e duke i kërkuar një palë taka të larta për të provuar një fund tub dy numra më të vogël, që nuk arrijmë ta mbërthejmë... Kur më në fund hapim perden, thithim barkun, drejtojmë shpatullat dhe ecim si të kemi gëlltitur okllai, ai të thotë “të rri shumë bukur!”. (I ka sytë në ballë ky, apo thjesht do që të ikim sa më shpejt që këtu?!) Pikërisht në këtë moment ne nisim paradën para pasqyrës dhe një tufë pyetjesh, që ai nuk denjon t’u kthejë përgjigje: A shkon me xhaketën kafe? Këmisha e mëndafshit, ajo ngjyrë panna, e ke parasysh, po u vesh me ketë fundin, do perla apo varëse floriri? Ja e vesha me këpucë të zeza me takë, mos dukem si grua? Po me ato me takë katrore, mos më duken këmbët e shkurtra? Herë pas herë ai lëshon ndonjë “po”, ose “ti e di”, sa për të thënë që është aty. Derisa prekim argumentin kryesor: “Zemra, sikur po më rri pak i ngushtë ky numri 40? Mos ia kanë futur kot numrave këta?” Kot sa për provë (justifikim pra) provoj një 42. “Tani po, të rri shumë mirë”, thotë ai menjëherë teksa (ca do të thotë ai, që jam e shëndoshë unë, ëëëëë) dhe kur e kupton se çka këputur, shton shpejt e shpejt “Je shumë në formë zemër, thjesht ia kanë futur kot numrave”. Pikërisht në këtë pikë ne nuk e kuptojmë më, nëse ai po tallet, apo e ka seriozisht... por vlerësojmë përpjekjen.
Mirëpo ja që teoria e mësipërme e shopping-ut i ka ca anë të errëta. Me të provuar e të dëgjuar mendoja që skena në çift në një dyqan rrobash ishte kjo që përshkrova, derisa u gjenda në një udhëtim me Zemrën time dhe teksa unë mendoja njëqind mënyra se si t’i thoja me stil, që nuk do ishte fundi i botës nëse nuk i shihnim gjithë muzetë e qytetit, por të shkonim edhe njëçik dyqaneve, ai thotë “A do ketë ndonjë qendër të madhe tregtare këtu në qendër?!” (Uuurrraaaaa, ky është mashkulli i ëndrrave). Meqë reparti i burrave është në katin e dytë dhe mendoj se do mbarojmë punë shpejt aty, e nisim pikërisht prej aty. Pas një endjeje treçerek orëshe, ku ai sheh me kureshtje shkencëtari çdo gjë në varëse, i sheh nga lart poshtë, pastaj nga poshtë lart, pastaj anash, pastaj kontrollon tegelat, pastaj çmimin, pastaj flet për kombinimin, pastaj i kërkon shitëses gjithë rripat e mundshëm... dorëzohem dhe ulem tek poltrona, teksa ai provon e provon. Pastaj më thërret dhe më pyet nëse ato pantallonat kaki që ka provuar, mos ngjajnë shumë me ato pantallonat kaki që ai ka në shtëpi (sinqerisht unë nuk e kam parë kurrë me pantallona kaki, ose e kam parë por nuk e mbaj mend), pastaj nis sfilatën para pasqyrës dhe thotë se i rrinë të ngushta, pastaj provon një palë më të gjera, pyet shitësen si është puna me numrat italianë dhe si konvertohen në numra francezë. Pastaj kalon dhe ca kohë me rripat, duke studiuar dy togëza, që mua më duken identike, por që qenkan tmerrësisht të ndryshme, sepse njëra e paska bordurën me cepa e tjetra të lakuar... Pas një tjetër ore e gjysmë vuajtjeje, ngjitemi në katin e tretë, aty ku duhej të isha endur unë. E mbaj frymën tek një firmë e njohur, që e di që ka fustane tipike zyre dhe tërheq nga varësja më të thjeshtin fare, numër 42 (ai le të thotë ç’të dojë ai, në daç e shëndoshë në daç e dobët, nuk ma ndien fare fare) dhe drejtohem për tek kasa. “Zemra mos është pak i shtrenjtë?!”, pyet ai nën zë, ndërkohë që unë mezi kam pritur të shpërthej t’i mbaj një fjalim sesi firmat e mira janë investim, nuk ka pse t’i provosh dhe nuk ka pse blen njëqind gjëra koti që prishen e dreqosen shpejt, marrin pluhur e piprrohen, siç ka bërë ai pak më parë dhe se unë jam “pak e saktë”... Vetëm se dy ditë pasi kemi ardhur në Tiranë shoh që ai pak-e-saktë fustan, mbushet me push dhe duket i vjetër që në orën 11 të paradites. Dhe nuk mund të mos pyes veten: po në çiftin tonë kush e ka sport të preferuar shopping-un?!

2 comments:

  1. Iva je e papare me duket sikur po shikoj Lencin me veten pasi dhe ai e ka sport te preferuar por ai do ti preke ti studioje gjysem ore dhe nuk provon vetem 2 gjera ne fund te cilat mudn ti bleje dhe pa provuar sepse ai ka SY ne s'kemi.
    Madje kaq bukur e ke pershkruar saqe po filloj te dyshoj me ke paska qene Lenci ne France qe s'e ditkam une hahahaha !!!! ups !!!!

    ReplyDelete
    Replies
    1. hahahahhaha, epo ishalla po e lexon personazhi i vertete komentin tend qe ta kuptoje se nuk ia kam nxjerre erzin sic me tha... ne filllim tha "jam une pak a shume", pastaj u dorezua dhe nuk pranoi vetem tokezen e rripit

      Delete

Google+ Followers