Tuesday, April 23, 2013

Për sytë e botës (dhe prishjen e qejfit tim)


Nuk është se jam ndonjë vajzë nga ato të mirat fare, me shpirt të qelibartë e që s’më del nga goja asnjë llaf i keq për askënd. Në shumë raste madje, jam një qelbësirë e vërtetë, sidomos kur takoj ca qelbësira të tjera, si puna ime, që ulemi në ndonjë lokal dhe marrim nëpër gojë gjithë Tiranën (në fund të fundit kjo nuk është ndonjë gjë e keqe shumë, përderisa të tjerët çar s’thonë për ne, nuk u bë qameti të themi dhe ne për ta). Por është shumë e rëndësishme të them se nuk bëj kurrë keq (së paku jo me dashje) dhe kam shumë, por shumë takt ama. Ka plot gjëra që m’i vrasin sytë (sidomos këpucët e shëmtuara dhe celuliti që derdhet nga pantallonat e shkurtra), por kurrën e kurrës nuk i kam thënë të zonjës së këpucëve apo celulitit “uuua, po ti miiii, ku i ke psonisur këto këpucë, apo ç’të janë bërë kshu këmbët. Thjesht përpiqem që mos t’i mbaj sytë aty (sa e vështirë është kjo gjë) dhe llomotis ndonjë gjë tjetër. Madje dhe kur shoqja më kërkon mendim të tipit: “Si të duken kto këpucët?” apo “Po unë kam apo jo celulit?”, për të parën i them që janë shumë të bukura, por jo në stilin tim, për të dytën se të gjithë kanë celulit, por mos ta vrasë shumë mendjen (ore unë tani po e zbuloj që në mos hipokrite, qenkam gojëmbël!).
Nejse, sido që të jem, nuk ka asnjë gjë të keqe me faktin që jam njeri që nuk prish qejf dhe jap energji pozitive. Dhe duke qenë natyrë e tillë, normal që nuk dua që njerëzit me mua të bëjnë të kundërtën (për më tepër që kam shije shumë precise për të zgjedhur gjërat dhe nuk eksperimentoj kurrë aq sa të kem nevojë për opinion, dhe kofshët i kaloj në lupë 10 herë në ditë për të pikasur ndonjë gjurmë celuliti, që pastaj të marr masat).
Unë nuk kërkoj këshilla. Për asgjë. Por ja që më përplasen surratit gjithë ditën. Sidomos për surratin. Ka nja tre katër vjet, që atëherë që bëra një trajtim të gabuar në një sallon me emër (vdektë ishalla që del jep mend dhe në televizor ajo palo estetiste!), që më janë shfaqur ca njolla kafe. I shoh aty çdo ditë, e zezë mbi të bardhë. I shoh jo vetëm në pasqyrën e shtëpisë, ku farfurisin, por dhe në xhamat e makinës, aty ku mezi duken konturet… I shoh edhe në ëndërr dhe mendoj që asgjë që vesh nuk më tregon bukur vetëm për shkak të njollave. Se edhe ai fustani i paparë që ma kanë zili të gjithë, nuk duket bukur sepse nuk kombinon ngjyra e tij me kafen e atyre dreq njollave. Dhe e vetmja gjë që nuk dua të dëgjoj është fjalia: “Uuuaaa, po këto njollat pse të janë bërë?”, ose “E ke parë që të janë bërë njollat?” (po pse s’kam sy në ballë unë?!).
Pale ato këshillat nga një shoku im (goxha burrë!), që sa herë më sheh, më thotë t’i bëj me lëng domateje (ndoshta dhe funksionon, po vetëm se ai ma thotë me një lloj kompetence të tipit “mirë që më ke mua që dal me ty për kafe kaq shëmtuar sa dukesh”, as që kam ndër mend ta provoj, madje që të jem brenda, as në sallatë nuk dua t’i shoh domatet).
Kjo më kujton një shoqen time, që e superstresuar për puçrrat duhej të duronte gjithë dynjanë, që i thoshte se pse nuk bënte gjë për t’i hequr (“po të hoqa ty një dackë surratit do bëhesha më mire?!”, duhej të përgjigjej kjo shoqja ime). Apo një gocë që kisha në shkollë, që sa herë i dilja përpara më thoshte që isha dobësuar shumë (ishte e bindur që unë sa herë mërzitesha, dobësohesha) derisa fillova të merrja masa dhe sa më dilte ajo përpara, nxitoja të thoja se kisha filluar dietën… Aq fiksim ma ka bërë, sa dhe tani që i marr shpirtin vetes, duke kontrolluar ushqimin e duke bërë sporte, më djeg kur dikush më thotë që jam dobësuar. Si për shembull shitësja e lagjes, njëqindkilëshe, e lumtur, që sa herë i dal përpara më thotë pse jam bërë kockë e lëkurë (se i dashuri im nuk ka stomak të fortë si burri yt që fle me lopë!)…
Nuk ia them dot, edhe pse e meriton. Shkoj në shpi dhe vesh atë fustanin e paparë. Më në fund këtë vit njollat m’i hoqi një dermatologe e vërtetë, që nuk del në televizor, por që me sa duket nuk e ka kot diplomën. Shihem në pasqyrë dhe përsëri ndjej që fustani nuk duket bukur. Mos ua kam vënë më kot fajin njollave?! Mos thjesht nuk jam gjë? Baaah!

11 comments:

  1. Elementi surprize ishte shuuuuume i bukur hahahaha mos nuk ma paskan fajin njollat kafe :)akoma po qesh.
    Ky eshte rasti ideal o Iva qe pak femra e kane shumica djegin kripen cdo dite mos ti hane me sy :)

    ReplyDelete
    Replies
    1. hahahahahhahaha, nejse, pa njollat jam permiresuar ndjeshem :P

      Delete
  2. Nuk e dija qe kishe blog, rastesisht e kam zbuluar. Bravo te lumte. Ti e di qe shkrimet e tua me pelqejne.

    Fjale me mend ke shkruajtur me siper.


    P.S. Uroj qe ne mos gjithmone, te pakten ndonjehere te na tregosh foto te veshjeve sipas stilit tend qe ne e dime qe eshte shume i kuruar.


    Gjithe te Mirat nga Vajza qe i pelqen kepucet. ;-)

    ReplyDelete
    Replies
    1. te falenderoj shume e dashur, ndoshta do ia vlente te postoja foto te veshjeve qe lidhen me shkrimet (si tek "Tradhtaret gazmore" psh)... Ose te behem mysafire ne bloget tuaja. gjithsesi avash avash, kjo eshte pervoja e pare me blog dhe ndoshta ka shume lexime pikerisht sepse eshte pak me ndryshe nga te tjerat, me shkrime dhe jo veshje. Gjithseso, nuk eshte e thene qe njera te perjashtoje tjetren. te perqafoj fort. Ma puth princeshen Vivian

      Delete
  3. Une mendoj qe kto komente behen sepse e para: skane ndonje muhabet tjeter per te bere, dhe duhet patjeter te shprehin cdo opinion qe iu shkon neper mend, e dyta: sinqerisht iu duket si forme te shprehuri e shqetesimit qe kane per pamjen/mireqenien tende.

    ReplyDelete
  4. Eh si jemi ne femrat. Takohen dy vajza ne bulevard! Kembejne vetem pak fjalë:
    A -hë mi ç'kemi si dukesh?
    B-Mire, ti mire?
    A-Ndonje të re?
    B-Hiç mire. Ok, gezohem qe te pashe
    A-Gjithashtu! Kalofsh mire!
    B-Edhe ti...

    Nderkohe ne te vertete ne mendjet e tyre:

    A-uaaa paska prere floket. duket skandal me kete model
    B-ska patur kohe ti shtrije floket kjo sot, mbeti duke i kapur si bisht kali..
    A-ky fustani i rri keq tek beli, po rripin ku ta kete blere shtriga?!
    B-me pantallona stofi mbeti kjo edhe tani ne vape. Ndoshta s'eshte depiluar, na i shpifi..
    A-Epo kur ka blere dhe kjo kepucet e modes dhe mos vdis. I ka kembet tmerr te shtrembra...
    A-Boo sa keq i duken sandalet me kete fustan, s'ka pike gusto per kombinime!

    :P


    10 fjale me ze te vajzave/grave, konvertohen ne 100 fjale me mendje :) Keshtu funksionon. Ku pyesim ne per syte e botes o Iva, merri syte tane dhe shiko boten,lol

    ReplyDelete
  5. Pergezime Iva. Nje blog shume i kendshem.

    ReplyDelete
  6. aaaaaaaa, cfare kam hequr une me te tilla komente :@:@ ka kaq shume vajza te paedukata ,te cilat do e gjejne dicka vetem te te prishin humorin :@ .well done , komplinemta

    ReplyDelete
  7. Shkrimi shume i bukur, si gjithmone. Po emrin e dermatologes mund te na e thuash?

    ReplyDelete
  8. Ka raste qe eshe sme pelqen shume. Ndonje here behesh shume e vrazhde,madje edhe e tepron.Ama sidoqofte mund te them me gojenplote qe je shume e talentuar!

    ReplyDelete
    Replies
    1. te them te drejten me pelqen shume ky koment, vrazhdesia rregullohet (e di qe jam harbute me raste, turp eshte por une e shijoj dhe me ben mire) por kjo e talentit ma ben zemren mal! sinqerisht faleminderit!

      Delete

Google+ Followers