Saturday, April 27, 2013

Të dielat. Më mirë vetëm se e keqshoqëruar


Ka disa probleme që sjell e diela kur je single (domethënë e pamartuar) dhe kur ke një lidhje (domethënë jeni bashkë, por secili ka shtëpinë e vet). Sidomos në dimër, kur nuk ia vlen të dalësh e të udhëtosh sepse shiu të frymëzon vetëm për të veshur tutat dhe kur gjithë kjo rritje e madhe ekonomike që na rrethon të bën që shtëpia të të duket vendi më i ëmbël në botë dhe që kushton më pak. Ndaj zgjidhja më e mirë është të rrish brenda. Në shtëpinë tënde ose të tijën. Cilado shtëpi të zgjidhet, program i të dielës është i njëjtë, për të dy.
E diela e tij. Ditë shlodhjeje
-Zgjim në 10 e gjysmë ose 11.
- Ngrënie vezësh të skuqura pa folur, ose duke treguar se e ëma të dielave gatuante trahana shumë të mirë dhe sa keq që vajzat e sotme, edhe pse kanë moshën e të ëmës kur ai ishte i vogël, nuk dinë të bëjnë të tilla gjëra (pse kush ia bëri vezët atij? E ëma në telefon?)
- Pirje kafeje. Duke folur se sa i mungon ekspresi dhe lënie porosish për gatimin e drekës.
- Mbyllje në banjo për një orë, bashkë me gazetat e djeshme.
- Zbritje poshtë pallatit për të blerë gazetat e sotme (dmth gazetat sportive) dhe thjesht sa për të provuar fatin, mbushje e një skedine.
- Blerje buke duke u grindur se përse duhet t’i bëjë ai të gjitha punët.
- Lexim i të gjitha gazetave sportive për të pasur idenë se kush do luajë sot, çfarë pritet dhe nuk pritet.
- Ulje në tavolinë ku gjithçka është gati.
- Ngrënie duke parë një film. Në fund këshillimi, që më mirë t’i lash enët tani sepse pastaj do përtosh.
- Ora 15: Futbolli nis.
- Ora 17.30: Ndeshja përfundon. Kafe me shokët për të komentuar ndeshjen.
- Ora 20.00: Dush.
- Ora 20.30: Ndeshja e darkës duke ngrënë para televizorit.
- Ora 10.00: Fund i ndeshjes dhe fillim i programeve sportive, komente dhe intervista.
- Ora 12: Përgjumje në divan.
- Ora 1: Duhet të bësh sherr që të vijë në shtrat, ndryshe do ftohet.
E diela ime. (sh)lodhje.
7 e gjysmë – Zgjim nga protestat e maces para derës së dhomës. Ushqimi i saj dhe ndërrimi i rërës.
- Ngrënie mengjesi dhe pirje kafe. Dush, maskë fytyre (ndërkohë që lan pllakat e banjos) dhe dalje për pazar ushqimor.
- Rregullim i shtëpisë dhe depilim divanësh me furçë nga qimet e maces.
- Skuqje vezësh dhe bërje kafeje për atë. Larje dhe tharje banjoje pasi ka bërë ai dushin dhe e ka lënë gjithë ujë.
- Larje perimesh dhe gatim.
- Rregullim krevatësh dhe mbledhje gazetash nga toka.
- Shtrim tavoline, ngrënie dhe larje enësh.
- Rregullim shtëpie dhe fshesë me korent ndërsa ai ankohet për zhurmën e fshesës.
- Telefonata me shoqet ndërsa mbyllesh në dhomë sepse ai po sheh ndeshjen. Llogje në Facebook.
- Zapping me telekomandë në televizorin e dhomës ku s’ka asnjë për të parë sepse marrësi satelitor është në kuzhinë, ku ai sheh ndeshjen.
- Dy orë qetësi në kuzhinë, duke u përkëdhelur me macen sepse ai ka zbritur për kafe.
- Gatimi i darkës.
- Shtrimi i darkës së tij në tabaka. Ngrënie vetëm në kuzhinë.
 - Lënie përgjysmë e darkës për t’i çuar atij një tjetër birrë.
- Larje enësh.
- Larje fytyre dhe dhëmbësh, krem nate, veshje pizhamash, 10 minuta lexim dhe gjumë.
- Zgjim dhe vajtje në kuzhinë për ta marrë atë zvarrë në dhomën e gjumit.

Meqë i gjithë ky skenar e bën të dielën e urryer, unë preferoj atë skenarin tjetër, kur të dielën e kaloj në shtëpinë time dhe ai në shtëpinë e vet.

E diela ime vetëm.
7 e gjysmë – Zgjim nga protestat e maces para derës së dhomës. Ushqimi i saj, ndërrimi i rërës dhe kthimi në krevat për të fjetur deri në mesditë.
- Pirja e kafes. Pastrim i banjës, rregullim i shtëpisë dhe depilim divanësh me furçë nga qimet e maces.
- Shtrirje në divan, mbuluar me batanije. Filma, dremitje, porositje ushqimi në telefon, ngrënie në divan. Llogje në facebook.
- Ora 20. 00 – Grey’s Anatomy.
- Ngrënie e atyre që kanë mbetur nga dreka. Lënie enësh pa larë në lavaman.
- Zapping me pult duke parë programet e të dielës. Sharje e programeve të së dielës dhe llogje në facebook.
- Larje fytyre dhe dhëmbësh, krem nate, veshje pizhamash, 10 minuta lexim dhe gjumë. Pa u zgjuar derisa sa macja të nisë protestën në mëngjes.

No comments:

Post a Comment

Google+ Followers