Wednesday, April 17, 2013

"Ti s’je dhe aq burrë për mua"


Një nga kënaqësitë më të mëdha të një të shtune, është dhe blerja e një reviste femërore, nga ato të huajat me njëmijë faqe, që teksa e blen, mendon se mund të shtysh gjithë javën duke e lexuar (ndodh që sapo e fut pastaj në makinë, e harron në sediljen e pasme për nja tre javë të tjera, derisa blen një tjetër revistë). Gjithsesi, nëse arrin ta çosh në shtëpi për ta lexuar, në vend të kënaqësisë së leximit mund ta ndiesh veten keq për dy gjëra. E para dhe kryesorja është se rrobat e tua nuk bëjnë dhe ke nevojë urgjente të blesh disa (domethënë sa më shumë) të reja dhe e dyta se aty do gjesh gjithmonë një artikull që do të të fusë në mendime dhe pastaj në krizë. Sipas një artikulli të tillë, që s’mungon kurrë aty, lidhja jote nuk është dhe aq e përsosur sa e mendoje ti, apo që ka shumë gjëra elementare. që kanë të bëjnë me seksin dhe ty s’të shkojnë kurrë në mend (edhe pasi, i lexon nuk i kupton fare, se flitet për ca pozicione të çuditshme sa dhe artistët e Cirkut të Tiranës s’do i bënin dot), apo që meshkujt vijnë nga Marsi, ti po nga Afërdita dhe për ty “i duhuri” nuk ekziston (epo burrat që vijnë nga Afërdita e janë fiks tipi jonë, edhe ata kërkojnë një burrë që vjen patjetër nga Marsi).
Revista e kësaj të shtune merret pikërisht me këtë, se përse ti nuk e ke gjetur ende “të duhurin”. Kanë bërë sondazhe bota, kanë pyetur meshkujt dhe kanë arritur në ca përfundime. Domethënë në pesë përfundime, që na qenkan nja pesë sjellje femrash, që i bëkan meshkujt të ikin me vrap. I hedh një sy shpejt e shpejt, e bindur që maksimumi ti mund të shohësh pjesërisht veten tek njëra. Por ja që e sheh plotësisht aty. Tek të pesta. Por që sillen e nga sillen, në thelb janë e njëjta gjë: nëse ti je një tip i fortë femre, nëse je e pavarur, ata nuk të duan se të kanë frikë, ndaj dhe ikin. Edhe nëse ti je një tip i butë, nga ato që të duhet patjetër një burrë në krah, sepse nuk arrin të bësh as gjënë më të vogël vetëm, ata prapë ikin, sepse prapë kanë frikë të rrinë me një qaramane e qullace që varet prej tyre (nuk ikin në Mars prej nga kanë ardhur, as në të s’ëmës ku duhej të iknin, por ikin të rrinë me një femër që është e fortë, e kundërta jote).
Në të dyja rastet ikin dhe ti mund ta gjesh veten duke menduar (rrallë e tek duke e thënë, se ne femrat jemi goxha të zonjat të frenojmë gojën për të ofenduar ata): "Ti s’je dhe aq burrë për mua". Eshtë një nga ato frazat që nëse ia thua, ata i lëndon aq sa nuk mbajnë, sepse tek burrëria ata s’duhet të preken kurrë. Por si ta thuash, si thjesht ta mendosh ti sërish do trishtohesh dhe vetë. Sepse nuk është ndonjë gjë e bukur të zbulosh që ai që ke përballë, ai që ke dashur nuk është dhe aq burrë për ty. Nuk është burrë për aq kohë sa thotë “dua por nuk mundem”. Apo “mundem por nuk duhet”. Ose dhe “duhet, por po sikur të mos të duhet”. Ose “duhet patjetër, por unë nuk i bëj gjërat me zor, thjesht se duhet, se jam spontan”. Në të gjitha rastet thjesht nuk është burrë.
Kur e kupton këtë nuk ke ç’bën më. Mirë është të mos arrish në këtë përfundim. Sepse është e kotë të rrish e të mendosh se ai mund të ndryshojë, se me kalimin e kohës nuk do jetë ai i papjekuri dhe i pavendosuri, por do bëhet burrë. Se ja, i ndodhi shoqes sime, e kaloi kalvarin disa vjeçar me ‘po’ dhe me ‘jo’, me ‘ndoshta’ dhe me ‘po sikur’-e, me presione e me ndarje, me kthime e me premtime - ishte e fortë dhe bleu një shtëpi, pastaj u bë e butë dhe i tha atij se vetëm pasi ai nisi t’u rrinte në kokë ustallarëve për të montuar kuzhinën problemet u zgjidhën dhe se shtëpia kishte një burrë siç duhej… Por ç’ndodhi? Me sherrin më të parë mamaja e atij mbërriti në shtëpi dhe i tha shoqes sime që nuk e kishte tepër djalin ajo, që kjo ta tallte e t’i bënte sherre. Dhe e mori me vete në fund, në shtëpinë e saj (epo ky të paktën paska shkuar aty ku duhet, në të s’ëmës). Apo shoqja tjetër, që jeton me të prej dhjetë vjetësh në një shtëpi, gjatë të cilave ai ka ndërruar nja njëzetë punë (gjithmonë ankohet se ata të tjerët e pengojnë, se meriton gjithmonë më shumë) dhe nuk vendos që nuk vendos të bëjnë fëmijë sepse janë ende të pastabilizuar (epo stabilozohu  praaaaa, çfarë pret, qëndro së paku një vit në një punë, se ndërkohë shoqja ime ka 12 vjet në të njëjtin institucion). Apo mikja ime më e mirë, me të cilën nis të diskutoj atë artikullin tek revista njëmijëfaqëshe, e cila sapo ka kuptuar, se njeriu me të cilin sapo kishte nisur të dilte dhe dukej se adhuronte çdo gjë që ajo bënte, befas kishte nisur t’i bënte vërejtje për gjithçka, t’i mbyllte me “ku merr vesh ti nga kjo” çdo argument, dhe të thoshte ekzakt të kundërtën e asaj që ajo mendonte për çdo lloj gjëje. “Ndihet i parealizuar përpara teje”, i nxjerr unë menjëherë diagnozën e gatshme, mësuar nga përvoja dhjetëra vjeçare e leximit të të tilla revistave. “Po pse burrë është ky, që reagon kështu?!” thotë ajo. Me fat shoqja ime. E ka kuptuar që javët e para dhe mund të largohet e qetë, pa ndjerë ndonjë bosh të madh, sepse tjetri s’kishte bërë ende vend tek ajo dhe pa pasur frikë se po i doli përpara ndonjë ditë, do mjaftojë një buzëqeshje apo një shikim për ta bërë të kthehet aty ku ishte, me shpresën se mund ta ndryshojë… Me kaq fat, sa nuk na duhet të dalim me ankth dyqaneve, për t’iu vërsulur terapisë së shopping-ut, edhe pse revista që sapo pamë na mësoi që rrobat tona këtë sezon nuk bëjnë fare dhe na duhen ca blerje të reja. Domethënë sa më shumë blerje të reja, thjesht për qejfin tonë.

No comments:

Post a Comment

Google+ Followers