Monday, April 8, 2013

Tradhtaret gazmore


Eshtë një nga ato fundjavat kur batanija e ngrohtë dhe filmat njëri pas tjetrit, që shoqërojnë më së shumti mbrëmjet e së premtes, të bëjnë të kuptosh se po rri më shumë nga ç’duhet brenda dhe duhet të dalësh patjetër. Të dalësh me një shoqëri gazmore, nga ata që i takon një herë në vit, që mund të qeshësh pa fre dhe të mos thuash asgjë personale. Ndaj xhinset e ngushta, një bluzë që e ke blerë dy vjet më parë sa qimet e kokës për ta veshur në të tilla mbrëmje, por pastaj ke harruar që e ke, dhe e sheh që ka ende etiketën të pahequr, takat e larta dhe direkt në atë lokalin e ri, që si gjithë të tjerët që janë e hapur dy vitet e fundit ka prapa emrit prapashtesën “lounge”. Bashkë me mua dhe një shoqja ime e vjetër, me të cilën edhe pse shihem rrallë, gjithmonë ia kalojmë mirë, një nga ato që njihen në qytet qëkur kanë qenë të vogla për shkak të pamjes së hatashme, edhe ajo e lidhur, edhe ajo vetëm këtë mbrëmje…
Duket sikur jemi rikthyer në kohë, në vitet e shkollës, kur nuk linim klub të modës pa e hapur e pa e mbyllur në agim. Atmosferë fantastike: ne pozicionohemi në stolat e lartë tek banaku dhe rreth nesh duket sikur ajri është i elektrizuar, miqtë e vjetër janë në formë dhe qeshim pa fund, banakieri na sjell koktejet njëra pas tjetrës, ne po që vetëm qeshim… Të kesh një lidhje, të kesh një të dashur fiks e pastaj të dalësh vetëm në mbrëmje, të bën të ndihesh sërish në “treg”. Eshtë si të bëhesh e vetëdijshme se nëse një ditë apo një tjetër kjo do mbarojë, ti nuk do përfundosh e vetme duke qarë në shtëpi, por ke një listë të gjatë njerëzish që do donin të rrinin me ty, të dilnin me ty, të të sillnin koktejet njëri pas tjetrit. Eshtë thjesht e mrekullueshme.
Pastaj unë kërcej pak me një ish-shok të klasës. Më tepër sesa kërcim, një tundje shundje në vend, ku krahët e ngritur lart dhe koka lëvizin shumë më tepër sesa këmbët, që janë të ngulura fort në pllakat e dyshemesë, sepse nëse i lëviz, mund ta gjej pllakën time të zënë nga një çift që kërcen ngjitur me ne. Pasi mbarojmë këtë farë koreografie, kthehem te banaku, ku shoh se mikesha ime nuk është, po kërcen pak më tej, jo me ndonjë nga shokët tanë të vjetër, por me një çun që nuk e kam parë ndonjëherë. Pyes baristin, që më thotë se ai është pronari i lokalit. Pasi ata mbarojnë kërcimin afrohen tek unë dhe kemi mundësi të flasim nga pak duke i ulëritur njëri-tjetrit në vesh – tipi është me të vërtetë i lezeçëm, i veshur bukur, nja dyzetë vjeç dhe në gisht nuk i duket ndonjë rreth martese (as dhe lëkura më e zbardhur, çka do nënkuptonte se ka futur unazën në xhepin e pantallonave, në moshën tonë të bëhet talent t’i dallosh unazat e të tjerëve edhe nëse ata e kanë dorën në xhep, jemi si metal – detector). Fakti që s’ka unazë nuk do të thotë asgjë: ai mund të jetë dhe nga ata tipat që e ka hequr unazën që të nesërmen e dasmës, duke i thënë të shoqes që ka frikë se mos e humbet atë gjë të çmuar nga dhe është më mirë ta vërë me raste… Leqë ç’na hyn në xhep ne, nëse është apo jo i martuar djali… Ne jemi për vete lumturisht-të-lidhura-dhe-të-dashuruara, ndërsa sonte thjesht po zbavitemi, ndërsa ai na fton javën tjetër në një party të paparë në këtë lokal… Ndërkohë nis një nga ato këngët që këtë vit është shumë në modë, të gjithë ulërasin me sa kanë në kokë dhe mikesha ime dhe 40-vjeçari pa-rreth-unaze-në-gisht, nisin të kërcejnë sërisht. Uau çfarë nate!
Unë bëj llogje vërdallë, takoj ca goca që i njoh pak e që më thonë që dukem në formë të paparë, unë u bëj komplimenta që nga ngjyra e flokëve e deri tek gurët e takave të këpucëve. Dalloj nga larg flokët e kuq të mahnitshëm të shoqes sime teksa kërcen, ca si më ngjitur se më parë me atë tipin… Ndoshta e ka zënë pak alkooli, ndoshta s’ka ndonjë gjë të keqe, kështu ia kërkon muzika… kërcim pas kërcimi duket sikur nuk e shoh më… Pastaj e shoh sërish, sërish duke kërcyer… Vijoj të zbavitem si kurrë ndonjëherë, teksa diku nga ora tre e gjysmë ajo afrohet duke u lëkundur tek banaku, thotë “natën, të marr në telefon nesër” dhe ikën menjëherë. Në të njëjtën kohë me atë 40-vjeçarin pa-rreth-unaze-në-gisht. Si ikën bashkë?! Po ajo sikur është e lidhur dhe unë s’di të jetë ndarë?! Madje kur dolëm dhe po hanim darkë para se të vinim në këtë klubin në modë, ajo sikur i foli në telefon duke i thënë “zemër” e “shpirt”?! A nuk quhet kjo “tradhti”? Apo siç i thonë mamatë tona t’i vësh tjetrit brirë?!
Nejse, sikur nuk ia vlen ta paragjykoj tjetrën, kushedi si e ka hallin… Bëj mirë t’i telefonoj zemrës time e t’i them sa gocë e ndershme jam që edhe pse ora katër e mëngjesit, edhe pse pothuajse tapë, edhe pse me një tufë admiruesish, që po më hanin me sy, unë po marr një taksi e po shkoj direkt e në shtëpi, siç bëjnë gjithë gocat e mira.
Po ky pse e ka të fikur telefonin?! Ky sikur s’e fik telefonin natën? Ç’do të thotë kjo!?
Nuk është se kam shumë nerva ta mendoj. Domethënë bota po më vjen rrotull sa mezi kam takat të lahem e të pastroj fytyrën me qumësht e tonik (mund të jesh tapë sa të duash, mund të mos dish se ku ke pizhamat, ama pastrimi i fytyrës nuk anashkalohet kurrën e kurrës) dhe direkt në gjumë… Një gjumë, ku në ëndrra rrotullohesh bashkë me krevatin, derisa zgjohesh diku afër drekës… Dhe mezi kujton se ç’ka ndodhur mbrëmë dhe pse je kaq e këputur.
Pastaj kujtohem… Marr menjëherë mikeshën e mbrëmshme, duhet të mësoj medoemos ç’ka ndodhur. “Zemër u mundova të sillesha si dikur… si atëherë që isha vetëm dhe s’më plaste për njeri”,- thotë ajo me një zë qaraman, - “por sapo ai nisi të më prekte, më shkoi mendja direkt tek i dashuri im… ai më prek më mirë… më dukej e çuditshme të kisha duart e dikujt tjetër në trup”. Nuk mund të rri pa e pyetur gjithë ankth: “Bëre gjë?”. “Jo, jo, as që bëhej fjalë, ia mbatha… sot sa u zgjova e mora të dashurin tim në telefon dhe i thashë sa shumë e dua. Nuk kuptoi gjë”,- psherëtin e lehtësuar. “Me vërte e ke?”, e pyes. “Po, po, do Zoti ai nuk e merr vesh kurrë… por edhe nëse do e merrte vesh, do t’i them që më mirë që ndodhi kështu, që unë ta kuptoj sa shumë që e dua dhe se tani jemi më të bashkuar se kurrë”,- thotë ajo me ton gazmor.
Të papara jemi ne femrat, ëëëë??? Nuk ia lëmë asgjë rastësisë. Edhe kur tradhtojmë.

7 comments:

  1. Shkrimet e tua jane aq reale e aq me humor sa vertet mendoj se duke ecur drejt nje stili jetese te sinqerte me veten me pak doza humori autoironie dhe simpatie do jemi nje shoqeri me e pakompleksuar me e vertete me pozitive.
    Te vjen keq kur gjithe bisedat neper tavolina apo televizione jane vite drite larg shkrimeve te tua te verteta.
    Saqe kemi filluar te mendojme qe askush nuk tradheton askend.

    ReplyDelete
    Replies
    1. ndonjehere me duket vetja e vetmja debile ne qytet, sepse edhe neper studio televizive une jam po kaq e sinqerte... gje qe nuk e ben te lumtur mamin tim

      Delete
  2. hi Iva, te kam zbuluar rastesisht dhe me pelqen shume, po shume ama! Ke shume elegance ne shkrim. Vazhdo me sinqeritet dhe çiltersi! Nuk dalin kurre nga moda! :)
    Urime per kete menyre te vecante blogimi, pls keep posting!
    xoxo,N.

    ReplyDelete
    Replies
    1. te falenderoj shume! Keep visiting my blog :D

      Delete
  3. uouuuuu si mu duk sikur pashe nje film me metrazh te shkurter

    ReplyDelete

Google+ Followers