“Di gjë
ti si mbaron ajo përralla e shtatë kecave me ujkun”, më merr në mes të natës
shoqja ime, që nuk po arrinte të vinte vajzën e vogël në gjumë. E sqaroj
fillimisht se ishin tre keca, dhe se ujku, shkoi dhe e lyeu këmbën me miell te
një furxhi, por rrugës mielli u shkund dhe kecat e kuptuan që nuk ishte
mamadhia, sepse këmba ishte prapë e zezë; i thanë ujkut se u kishte humbur çelësi,
ndaj duhej të futej nga oxhaku dhe ndërkohë ndezën një zjarr bubulak, vunë aty
një kusi me ujë dhe ujku ra pëlltym në ujin e valuar dhe ngordhi. “Iiiii, po kjo
qenka horror”, më thotë shoqja, “imagjino ujku duke marrë valë? Ca ere e
tmerrshme? Po si zjen aq shpejt uji? Po tre keca aq të vegjël, si e ngrenë atë
kusinë e madhe? Si t’ia shpjegoj vajzës së vogël unë këtë?!”
Epo nuk e
kisha parë me këtë sy këtë përrallën e kecave unë. Kjo qenka shpifurinë e
madhe. Ndaj i them ta lërë këtë, dhe të merret me përralla të bukura, nga ato që
i bëjnë vajzat e vogla të ëndërrojnë.
Le të
marrim të parën: Borëbardha
Nuk po
merrem fare me pasqyrën që fliste si të ishte juri “miss”-i dhe as me faktin, që
flinte në shtëpi me shtatë burra… Nga të panjohurit ne s’duhet të pranojmë as
edhe një kokërr karamele, e jo më një mollë të tërë. Pale të na e japi një
shtrigë që nuk shihet dot me sy. Pastaj nuk hahet fare, që gjithë dynjanë e
varrosnin në tokë, kurse këtë me një arkivol të qelqtë, dhe fiks andej i bie
rruga dhe Princit, që e ka parë vetëm një herë dhe ka kuptuar se kjo është
dashuria e jetës. Kurse meshkujve që njohim ne, u duhet një jetë e tërë për ta
kuptuar.
Hirushja.
Kam njëçik
më shumë rrespekt për të: E keni idenë sa male me pjata ka larë para se të
takonte Princin? E ç’janë ca lidhje që mbarojnë keq në krahasim me aq sa ka
punuar ajo duke larë, shplarë, e gatuar?! Ndaj e meriton Princin më shumë se të
gjitha. Ama mi ngre nervat sa s’ka me ato këpucët. Meshkujt që ne njohim përshembull, s’duan t’ia dinë për këpucë, të shajnë që e ke mendjen te këpucët, kurse kësaj
ia çojnë të arta dhe aq të vogla sa i bëjnë vetëm asaj. E sa e ka këmbën kjo!?
34 apo 35? Ne të tjerat që e kemi 38, mirë që s’gjejmë kurrë me 70 % ulje, por
s’kemi shans as të na bëjnë këto të Princërve.
Arieli
Sirena e vogël i ka të gjitha. Vajza e Tritonit, mbretit të thellësive ka flokë të kuq e të gjatë, ka miq dhe çuna, që i vijnë rrotull. Dhe për më tepër, këndon. Këndon gjithmonë. Dhe çfarë do ajo?! Do një jetë tjetër. Jo e tipit po iki që këtu e po jetoj atje. Do të bëhet njeri ajo. Dhe shkon e ia shet zërin Ursulës për një palë këmbë: vetëm e vetëm se për gjysmë sekondi pa një mashkull që këndonte dhe kërcente. Për më tepër që ky mashkulli na qenka dhe i martuar (jo në versionin e Disneyt por në librin e shkruar, sepse ata që bënë filmin i morën masat ta martonin në fund me Princin). Tipike nga ato llasticat kjo Arieli, që s’dinë ça duan e pse e duan.
Sirena e vogël i ka të gjitha. Vajza e Tritonit, mbretit të thellësive ka flokë të kuq e të gjatë, ka miq dhe çuna, që i vijnë rrotull. Dhe për më tepër, këndon. Këndon gjithmonë. Dhe çfarë do ajo?! Do një jetë tjetër. Jo e tipit po iki që këtu e po jetoj atje. Do të bëhet njeri ajo. Dhe shkon e ia shet zërin Ursulës për një palë këmbë: vetëm e vetëm se për gjysmë sekondi pa një mashkull që këndonte dhe kërcente. Për më tepër që ky mashkulli na qenka dhe i martuar (jo në versionin e Disneyt por në librin e shkruar, sepse ata që bënë filmin i morën masat ta martonin në fund me Princin). Tipike nga ato llasticat kjo Arieli, që s’dinë ça duan e pse e duan.
Bela
Kjo po
kjo, kjo është më e bukura nga të gjitha: e zbulon bukurinë e Princit – Bishë
pasi shikon përtej pamjes së jashtme. Hahahaha, sa e bukur! Po gjithë ato bisha
vërdallë, duhet të rrimë e t’i zbusim për të parë mos gjejmë ndonjë Princ?! Ja
përshembull Bela, mundohet ta bëjë të edukuar bishën… I mëson dhe si të hajë në
tavolinë. Pa provoni njëherë t’i thoni një mashkulli, që nuk duhet të përtypet
me gojën hapur e t’a shihni… Dhe në fund fare, morali është i qartë – ajo i
thotë “të dua” dhe ai shndërrohet në Princin e bukur që ka qenë më parë. Kurse
ajo fiton as më shumë e as më pak, por një kështjellë.
Jasmina
E
dashura e Aladinit pastaj është komplet qorre. E takon këtë tipin në Pazar, bie
brenda, pastaj e sheh të veshur si Princ dhe nuk e njeh… Mund të mos më njihte
mua përshembull, po të më shihte kur dal me pizhama për të blerë bukën në mëngjes
te dyqani i lagjes, por jo Aladinin. Dhe nga çfarë e njeh ajo? Se ai i thotë “a
ke besim tek unë?!” I bukur moral ky: kini besim tek meshkujt qe takoni
shkarazi në pazar!
Jo, jo,
nuk ke ç’i mëson vajzës së vogël nga këto. Shkojnë nga shkojnë e merren me
princa. Kur hapin probleme dhe çunat e thjeshtë, e imagjinoni dot këta princat?!
Më mirë shtatë kecat dhe ujku. Uuups, tre, se u ngatërrova.
Hah! Pikerisht, nuk ke cfare i meson, pervecse t'i tregosh pjesen ideale, romantike dhe shpresedhenese te kesaj bote. Prandaj sot ka me mijera libra per foshnja e femije te vegjel, me tema nga me ordineret e deri tek me tekniket, per te gjithe prinderit e zgjuar atje jashte :)
ReplyDeleteEshte kenaqesi kur lexoj per tema te ndryshme prej teje, me te njejten mjeshteri ne te shkruar!
hahaahahahahahhahahaa
ReplyDelete