Eshtë e shtunë dhe të duket gjëja më e
natyrshme të qëndrosh në shtëpi. Sepse je e dërrmuar nga darka e të premtes që
përfundoi me nja dy shootsa tekile.
Sepse flokët i ke larë në shtëpi, jo tek
parrukierja.
Sepse ke bërë gati një top me letër higjenike
për të parë filmin “Haçiko” (e ke qarë
atë të shkretë qen që nga traileri e deri tek pesë herët e tjera që e ke parë).
Sepse asnjë nga miqtë e tu nuk do të dalë nga
shtëpia. (Zemra ime ka kampionatet e
futbollit në fundjavë).
Sepse jashtë kanë filluar shirat që s’dinë të
pushojnë dhe e ngrohta e divanit të duket parajsë.
Sepse... S’ka. S’të lënë rehat! Edhe në 9 të
darkës xëëëëërrrr telefoni.
Është ai! Ai djali që ke flirtuar vazhdimisht
vitin e fundit, sa herë ke bërë sherr me të dashurin (edhe kur nuk ke bërë sherr, por thjesht nuk je ndjerë e vlerësuar aq
sa duhet). Ai të cilit nja dy ditë më parë i ke thënë që ishe dakord të
pinit diçka në fundjavë (po dhe ky sa
seriozisht e mori?!) dhe se mund të kalonte të të merrte me makinë (Po kjo!? Ç’ne unë në makinë me të? Kaq e
nxehur të kem qenë me Zemrën-time-të-përhershme sa të pranoja “takim të vërtetë”?!).
Ai të thotë që për njëzetë minuta vjen për të
marrë. Ti kërkon edhe dhjetë më shumë (e
di që nja 15 të tjera ai do presë në makinë).
Ai është një djalë mjaft i pashëm dhe dy vjet
më i vogël (një ditë të ka thënë kalimthi
që ndonjë ditë do shkoni dhe tek ai klubi i adoleshentëve, ku ke premtuar se
s’do vësh këmbë kurrë). Kurse ti për momentin je ajo e padala, që po qaraviteshe
para televizorit.
Alarm! Duhet të bëhesh tmerrësisht e bukur! Të
bëhesh e hatashme! Marsh në banjë!
Flokët nuk janë as të drejta, as kaçurrela, as
me onde. Çdo fije ka drejtimin e vet dhe është ndryshe nga komshija e saj. Në
fytyrë duken ca rrudha, që s’kanë qenë kurrë, nja dy shenja të kuqe (epo meqë ishte e shtunë mendova të hiqja
qafe ca pika të zeza) dhe ca njolla të vjetra të diellit (mirë të më bëhet, çdo duhej pasqyra
zmadhuese në banjë mua?!). Kalojnë ndërkaq shtatë minuta me vëzhgim të hollësishëm
dhe marrje vendimesh se ç’punë duhet bërë dhe çfarë duhet përdorur për t’u bërë
e hatashme. Dy minuta të tjerë në dush. Pastaj kremi hidratant hapet në 3
minuta të tjera. (Për të kursyer kohë,
kjo bëhet para dollapit, duke bërë apelin e veshjeve). Nuk ke ç’të veshësh!
Po tani ç’të veshësh? Fustan të shkurtër? Jooo, do dukeshe provokuese (në fund të fundit ky nuk është takim i parë
“i mirëfilltë”). Xhinse dhe një bluzë të lezeçme? Do dukeshe sikur je shumë
komode me të, sikur je e dashura e tij dhe nuk e vret mendjen se si dukesh në
sytë e tij (jo se të intereson si dukesh,
por ja që s’do të japësh këtë mesazh). Fustan kokteili? Jo, se nuk është
darkë pune. Pantallona dhe xhaketë jo e jo, se s’po shkon në zyrë...
Ndërkohë duhet nxituar. Flokët! Duhen
rregulluar urgjent. Një bisht kali, si ai që të bënte mami kur ishe 9 vjeç, kjo
është zgjidhja e vetme, shoqëruar me një piastër që e shtrin jep efekt të këndshëm
(ndërkohë zgjidhja më e mirë do ishte një
foulard në kokë, por me një të tillë Grace Kelly quhet ikonë, kurse ti thjesht debile).
Pastaj vjen tualeti: krempudra, korrektori, pudra, e kuqja e mollëzave,
dritëhijet, hijezuesit, peneli, rimeli, lapsi, lapsi i buzëve, buzëkuqi i parë,
kalimi i një kartëpicete mbi të (kështu
kam lexuar në një revistë se ruhet ngjyra, dhe fiks tani mu kujtua ta aplikoj)
dhe në fund fare shkëlqyesi. Po që jam e hatashme vërtetë!?
Pastaj prapë para dollapit, për të veshur të
pamundurën: një fund balonë, të blerë para pesë vitesh dhe që e paskam harruar
fare (kaq herë kam thënë me vete të bëj
një fletore me gjithë inventarin e rrobave – sikur të kapja anës përshkrimit
dhe një foto do ishte bukur fare, tepër praktike, si katalogët). Ja ku jam
pra, gati për të pirë atë gotën e famshme (ai
ka telefonuar ndërkohë, ka shkruar dhe mesazh që të më kujtojë se është poshtë
pallatit, ka 25 minuta aty). Ndërsa mbyll derën e shtëpisë, një mendim
kalon shkarazi në kokë: kanë kaluar katër javë që nga takimi i fundit te
estetistja (epos’ka qenë kohë plazhi dhe
në lidhje të qëndrueshme s’vihen re vogëlsira të tilla)... Jooooo, ç’mendim
koti! Unë po dal vetëm për një gotë. Jam krejt e pafajshme!
I dashuroj keto qe shkruan. Eshte e pamundur te hy ne internet dhe te mos te kaloj njehere nga blogu jot. Vazhdo keshtu! <3
ReplyDeletefaleminderit, vazhdo kalo here pas here, edhe pse postat nuk jane aq te shpeshta!
DeleteJam e pafajshme...e adhurova..
ReplyDeletekomplimenta Iva per kete nisme te re do te te ndjek rregullisht padiskutim
ReplyDeletehahaha na kenaq ky blogu yt :)
ReplyDeletehhahahahah na kenaqi ky blogu yt :)
ReplyDelete