Nuk dihet se si, por kohët kanë ndryshuar. Dikur
rriteshim me idenë, që kur të bëheshim të mëdha të ishim nikoqire. Një fëmijëri
e tërë i kushtohej këtij misioni. Punë shtëpie, që e vogël: nisej me derdhjen e
plehërave dhe marrjen e pluhurave, për të vijuar me larje çimentoje, enësh,
gatime, qendisje e grep, madje dhe larje rrobash. Diku lihej mënjanë loja me
peta, diku tjetër liheshin kukullat - gjithçka në emër të të ardhmes. Të një të
ardhmeje prej nikoqireje.
S’di se si dhe tamam tamam në ç’pikë kohët ndryshuan.
Befas të jesh nikoqire, nuk qenka dhe aq në modë. Mjafton të shohësh se si nëpër
emisione, ato që quhet “vajza VIP”, deklarojnë gjithë bujë se si nuk dinë të
skuqin as edhe një vezë dhe të gjithë rreth tyre i shohin me admirim.
Por jo vetëm në ekran. Le të marrim përshembull
apartamentin tim. Nëse sytë janë pasqyra e shpirtit, atëherë apartamenti i bie
të jetë pasqyrimi ynë në hapësirë. Në fillim mendohej që dhe hapësira ime do
ishte e mirësistemuar, me sipërfaqe të sheshta dhe të zbrazëta, forma
gjeometrike, ngjyra të akullta, një nga ato shtëpitë e thjeshta, që sheh nëpër
katalogë e revista dhe të duken të patëmeta. Kështu ishte dhe vitin e parë. Por
ja që macja bëri ca ndërhyrje në stil, e bëri mbulesën e divanëve me model
peshqiri ngaqë e shihte këtë si palestër për të bërë stretching, ndërsa me pjesën
tjetër u mora vetë. Në fillim ca revista filluan të popullonin hapësirat e
zbrazëta, pastaj këpucëve iu tek të mos rrinin të mbyllura në raft por të
shfaqeshin andej- këndej, me gjithë bukurinë e tyre. Po kështu edhe rrobat, më
tepër sesa dollapin preferuan karriget ndërsa librat e lexuar nuk e gjejnë që
nuk e gjejnë dot rrugën deri tek biblioteka, por u pëlqen të qëndrojnë në të
dyja anët e krevatit… Qeset e kartonit shpeshherë popullojnë një hapësirë diku
mes korridorit dhe banjës për disa ditë, përpara se unë t’i heq, ngaqë blej
ndonjë gjë tjetër, në një tjetër qese. Kurse filxhani i kafesë së mëngjesit qëndron
rregullisht mbi lavartiçe deri mëngjesin tjetër, kur unë e çoj në lavapjatë dhe
marr një tjetër filxhan për të pirë kafen, teksa bëj tualetin.
Nëse shtëpia ime është kështu (të shtunën e të dielën ama bëhen rregullisht të gjitha punët, ndaj
deri nga e marta pamja e saj nuk është dhe aq tragjike), mendohet se shtëpia
e një mashkulli beqar duhet të jetë shumë më keq. Jo vetëm rrëmujë, por edhe
pis. Së paku mendohet të ketë pluhur, apo jo?!
Kështu mendoja se do ishte dhe shtëpia e Zemrës sime në
ato kohët e para kur ne filluam të rrinim bashkë dhe ai vinte rregullisht tek
unë dhe ndihej aq rehat. As edhe një vërejtje për librat, këpucët apo filxhanin
e kafes mbi lavatriçe (ai e linte po aty
të vetin ndërsa bënte dushin dhe pispillosjet e mëngjesit). Me përjashtim të
dekorimeve të maces, për asgjë tjetër dukej se nuk kishte vërejtje, aq sa unë e
përfytyroja mbretërinë e tij ca më keq se timen. Deri sa, një muaj pasi ne
ishim zyrtarisht çift dhe unë kisha vendosur se macja ime mund edhe të
mbijetonte vetëm ndonjë natë (mund edhe të
kënaqej madje, ta kishte shtëpinë vetëm të sajën), shkojmë për darkë në shtëpinë
e tij. Rrugës i mbush mendjen se ia vlen të marrim ca ushqime të gatshme, se me
siguri nuk ia vlen të gatuajmë, se ndoshta nuk janë kushtet… E përfytyroj se si
ulemi me kutitë prej kartoni në divan, përpara televizorit, duke pirë ndonjë
birrë dhe me një batanije tek gjunjët… Ia vlen ndonjëherë dhe kjo eksperiencë.
Ai hap derën dhe hyjmë.
Përpara meje një aparmament minimalist, bardh e zi,
mobilje me cepa dhe hapësira bosh.
Pa xhingla mingla e zbukurime. Parket që shkëlqen
gjithandej. Askund as edhe një fije, asnjë gram pluhur.
Divanë me copa të parrudhosura dhe jastëkë të vendosur me
precizion të lartë, të barazlarguar nga njëri - tjetri.
Një oxhak pa dekore në cep të dhomës së ndenjjes dhe një
kuzhinë venge, që duket si banak farmacie.
Mbi tavolinën e qelqtë, të pastër kristal, një vazo me
lule natyrale.
Kurse në lavapjatë, asnjë pjatë për be. Asnjë filxhan,
sado i vockël qoftë që të më ngushëllonte.
As mami im nuk e mban shtëpinë kështu!
Ç’ka ndodhur kështu me këta djemtë e sotëm?! Dikur
hidhnin rrobat dhe sendet nëpër shtëpi, tani e kanë apartamentin të denjë për
revistën “Shtëpia moderne”! E nëse ai qenka shtëpiaku modern, unë ç’jam? Gruaja
intelektuale që shkon në pune e fiton jetesën? Ai është nikoriqi? Po unë? Rrëmujaxhija?
Iva me kenaqe :)kam gjithe dyshimet e mia qe ti vazhdon e shkruan per Lencin tim hahahahaha
ReplyDeleteJust kidding por eshte e vertete qe meshkujt e sotem e kerkojne perfeksionin edhe ne kuzhine edhe te dhoma e gjumit edhe jashte shtepise.
Pak e lodhshme por e rendesishme eshte te mosmbetesh ne asnje lende mendoj une :) se ku merr 10 eshte ceshtje prioritetesh dhe talenti :)
hahahhahaha, po per Lencin shkruaj miiii, ja na kape. hahahahaha.
Deletetek kjo puna e rremujes une nuk e marr kurre 10-en, jo per gje por orientohem shume mire ne rremujen time. as per hekurosje nuk ia thek. Nikoqirlliqet e tjera pastaj i kam sikur kam bere master
This comment has been removed by the author.
ReplyDelete