Mos u shqetësoni: nuk kam ndër mend të
martohem e të ndërroj emrin e rubrikës (nejse,
s’kam për ta bërë kurrë “Spinster and the City”, - ‘Lënesha dhe qyteti’, sepse
do vijë një ditë që kjo e jetuara secili-në-shtëpi-të-vet do më mërzitet). Thjesht
më kanë frymëzuar dasmat, që bëhen rreth e rrotull shtëpisë sime (e kotë të them që dëgjohen sikur po bëhen
brenda në shtëpinë time).
Urrej dasmat ku marr pjesë, dhe ato ku nuk
marr pjesë. Këto të fundit sidomos, kur ndjekin traditën shqiptare dhe fillojnë
një javë përpara, me rrugicën poshtë pallatit që bllokohet nga makinat e gjithë
soj e sorollopit të atij/asaj që martohet (në
rastin kur në lagje kam nusen, kam një fije ngushëllimi se dasma zgjat një ditë
më pak). Urrej të gjitha këngët që këndohen në këto raste, që nga “Çuni
vogël do llokum” (ky është hiti i lagjes
sime, ndoshta se diku aty afër dikur ka qenë një fabrikë pastash), e deri
tek “Moj Sarandë moj Delvinë” (edhe kur
familjarët janë nga Kukësi, këtë këngën e kanë me qejf të madh) dhe sidomos
urrej “Koka në Stamboll e trupi në Janinë” (zakonisht
pas kësaj, fillon Lambada, e cila nga fundi miksohet me “Coco Jambo”-n për t’ia
lënë prapë vendin “Çuni i vogël do llokum”, që shoqërohet me thirrje op op op).
Urrej pastaj edhe të dielën mëngjes, kur pas rraskapitjes së gjithë javës,
gjumi më del e trembur nga boritë e makinës, që marrin ose sjellin nusen. Por
urrej edhe të shoh karvanët e nuseve, me nja shtatë benza njëri pas tjetrit, me
shamitë e kuqe me fije ari të varura te dritaret dhe me xhaxhi kameramanin, me
gjysmën e trupit të nxjerrë jashtë nga makina e parë, e që xhiron çdo sekondë të
ecjes sikur po bën dokumentar për BBC-në.
Por urrej edhe dasmat ku jam e ftuar. Të fisit
apo shoqërisë qofshin. Urrej të vishem e pispillosem, që në pikë të mëngjesit (pa llogaritur këtu, që nëse dasma është të
dielën duhet të zihem me nja pesë parukiere që këtë ditë e bëjnë pushim e nuk të
marrin përsipër, edhe pse ti harxhon lekë tek ato gjithë vitin) e pastaj të
shoh se si deri në darkë, tualeti fillon të rrjedhë e flokët hallakaten. Urrej
kur dasmat bëhen në drekë, sepse është shumë vapë. Urrej edhe kur bëhen në darkë
dhe pjata e dytë vjen diku nga ora 23.45, pikërisht atëherë kur unë do doja të
isha në shtëpi, veshur me pizhame e me tualetin e pastruar përpara televizorit (si për darkë dhe për drekë, urrej ato
pjatat ku bërxolla ndahet nga patatet me një kufi të përdredhur prej salce
kosi, me të njëjtin zell sa urrej dhe avullin e aromën që del nga tava e dheut
dhe venitin gjithë shkëlqimin e teminave në veshjet e zonjave rreth e rrotull).
Urrej të harxhoj një shumë të mirë parash, e
sigurt që nuk i marr më mbrapsht (sepse
unë dhe nëse martohem, dasmë s’do bëj kurrë, së paku jo dasmë ku sillen lekë në
zarf). Urrej të marr pjesë në festat e beqarisë, sepse në shumicën e
rasteve nusja edhe përpara se të martohej, nuk është se ka bërë ndonjë jetë të
zhurmshme prej beqareje (ndryshe nuk do
ta martonin, do prisnin “të shtrohej”). Urrej të ulem në tavolinë e të ha
me njerëz që nuk i njoh, që më pyesin ku punoj, sa e kam rrogën dhe pse nuk jam
martuar, që më thonë “ngihu kërce” apo “nuk u lodhe duke kërcyer?!” E meqë ra
llafi te kërcimi, urrej të çohem, të ulem, të çohem prapë, të ulem prapë, të bëj
fresk me erashkë...
Urrej të kap gjithmonë unë buqetën e nuses.
Sepse të gjitha të tjerat janë të martuara dhe ato që kanë mbetur beqare janë të
shkurtra e të shëndosha, jo të zonjat për kërcime (dhjetë vjet përvojë në këtë fushë, më kanë bërë të mos kem rivale).
Urrej
shumicën e veshjeve të nuseve. Ato në ngjyrë bezhë, apo ato shampanjë.
Ato të mbushura me dantella e me gurë. Ato pa rripa, ku gjoksi pesë kërcen nga
të gjitha anët (sidomos kur në pjesën e
dekoltesë duken shenjat e rripave të rrobave të banjës). Urrej dhe ata të
thjeshtët (në këto raste nusja pretendon
që është shumë e rafinuar, ndaj e ka zgjedhur). Urrej këpucët prej
mëndafshi të bardhë që vesh nusja. Por mbi të gjitha urrej grimin e saj – nuk e
kuptoj pse qëllimi është që të duket sikur nuk është ajo?!
Urrej tortën dhe prerjen e tortës. E pse duhet
të presim sa të dali ajo dreq torte për t’ia mbathur?! (gjithsesi ardhja e saj është moment lehtësimi, do ia mbathim, uuurrrrraaa!!!)
Dhe në fund fare, urrej kur më ftojnë në shtëpi
për të parë videon e fotot e dasmës dhe të muajit të mjaltit. Vetëm aty e
kupton se sa ke vuajtur. Sidomos të hënën mëngjes, kur e pangopur me gjumë, me
këmbët e ënjtura të duhet të shkosh në punë. E ku është qejfi i gjithë kësaj?!
Lerme te te them dicka une :Urrej ditet kur me kontrolloj blogun tend e gjej kaq rralle se fundmi nje post me fjale te mencura.
ReplyDeleteU're my idol definetely!
faleminderit Blondilicious!!!!
DeleteO Ivaaaa o ylll....
ReplyDeleteQe edhe une i urrej dasmat por qe ti je nje femer qe sdo urrehesh kurre!
E ke qare miiiii!
Tputh tputh tputh..nga vendi ku dasmat behen vetem me nja 2 aperitiva te thjeshte...:P
o Alba o zemer, edhe me dy aperitiva sikur s'kane lezet dasmat. kur behen sic duhet, sic me pelqejne mua, une i adhuroj ne fakt
Deletepo qe ke te drejte miiiiii :D bashkohem teresisht me mendimin tend sidomos: "Sidomos të hënën mëngjes, kur e pangopur me gjumë, me këmbët e ënjtura të duhet të shkosh në punë. E ku është qejfi i gjithë kësaj?!"
ReplyDeletepo kot nuk thone: 2 martohen dhe 100 terbohen :P
haters gonna hate :P
ReplyDelete