Tuesday, June 18, 2013

Na duhet nje mur

Tetor, 2025!
Ajo që kishte frikë bota prej mëse 80 vitesh ndodhi: Irani kryen një shpërthim bërthamor. Pasoja katastrofale. Jo vetëm qindra mijëra të vdekur e të infektuar por edhe black out total teknologjik. Gjithë sistemet dalin nga funksioni.
Tiranë!
Ajo hap sytë dhe zgjat dorën tek Blacberry Extra Bold Galactic: asnjë sinjal. Shkon me vrap tek priza ku është lënë në karikim iPhon 69. Edhe aty asnjë sinjal.
Shkon me vrap tek divani, ku një natë më parë ka lënë të ndezur laptopin Mac Super Pro, ku po shkarkoheshin këngët e Rita Orës (që vazhdon të ketë çdo javë tituj në shtyp që është me origjinë shqiptare), kompiuteri as jep as merr.
Televizori vetëm miza. Radioja gjithashtu.
Po tani?
Hap sytë vërdallë. Në kolltukun me ngjyrë gri (a nuk ishin të bardhë kolltukët, kur u ble shtëpia), një vajzë pesëmbëdhjetë vjeçare po lyen thonjtë me një manikyr ngjyrë kafe. Në aneks, një tjetër vajzë, nja dy tre vjet më e vogël, po përzien ca corn flakes me majonezë… Nuk e kishte menduar sa ishin rritur ndërkaq… Ja vetëm dje,  (apo ca ditë më parë?) ajo e vogla kishte ardhur dhe e kishte pyetur për një problem të matematikës, teksa ajo i kishte thënë të fliste më vonë se po komentonte në facebook mbi një debat televiziv. Por sikur i kishte të gjata e me onde të verdha flokët? Pse tani i ka të shkurta pas kokës dhe të gjebra??? Uuuuu po, i leu para tre muajsh, atëherë kur ajo po bënte një status në facebook se si Angelina Jolie kishte birësuar një fëmijë të pestë, pas 6 të tillëve biologjikë…
Si ikën koha ëëë??? Hiç nuk e kupton! Ja ti bën ca statuse, pastaj kthen dhe ca përgjigje, pastaj shkon në punë dhe bën rrugës një status në blackberry dhe… Dhe vajzat qenkan rritur ca pa e vënë re.
“Ka ikur në punë babi?”, pyet shpejt e shpejt nëpër dhëmbë… Vajzat ngrenë supet… Uuuu pooooo, tani kujtohet. Babai i vajzave ka dhjetë vjet që ka ikur nga shtëpia, jeton me atë bionden, kanë një djalë dhe ajo paguan rregullisht pensionin ushqimor dhe kredinë e tij të shtëpisë, siç u nda pasuria përgjysmë pas divorcit.
Nuk e jep veten. Shkon në tualet. Në ditë normale do kishte marrë me vete dhe celularin. Do thoshte mirëmengjes në facebook dhe do tregonte se si ishte dita ideale. Do shkarkonte një këngë ku do u uronte të gjithëve “mirëmëngjes” dhe pastaj teksa vishej për të shkuar në punë, do hapte një diskutim të madh: çokollata bën mirë apo bën keq për puçrrat.
Por ja që telefon dhe internet nuk ka. Vjen pak vërdallë nëpër banjo dhe ndalon para pasqyrës: ç’janë këta flokë me yndyrë? Po ajo mbante mend që herën e fundit i ka bërë me rrënjë të errëta dhe maja të verdha, të derdhura mbi supe e me onde të mëdha, fiks si të atij yllit të televizionit, që flet gjithë dashuri dhe energji… Uuuaaaa, kishte ide tjetër për veten. Le që nuk e dinte që kishte puçrra. Po thonjtë? Ç’janë këta thonj!? Tre me xhel, dy të gërryer??? Me siguri parmbrëmë, kur po shante pronarin e një unversiteti privat në facebook dhe nja pesë mijë vetë pas saj ça nuk po thonin, nga ngazëllimi i ka ngrënë pak me dhëmbë…
Meqë s’ka ç’të bëjë, ashtu pa celular dhe internet futet në dush: sa i kishte munguar kjo ndjesi! …Të rrijë me nge nën ujin e ngrohtë, të shkumohet e pastaj të lyhet me një vaj trupi, pa nxituar tek blackberry mbi bide, që rri gjithë kohën me dritën e kuqe të ndezur.
Shkon të dhomë dhe hap dollapin. Ku e ka atë trikon e kashmirit, që kishte në plan ta blinte, pasi ia pa atij yllit televiziv, që dukej aq bukur me to? Po fustanin e mëndafshit? Po atë xhaketën me prerje fantastike? Ncuq ncuq ncuq!
Merr me vrap një fund të gjerë të zi me lule dhe një palë geta portokalli. Vesh sipër një bluzë të zezë, xhaketë bezhë dhe një palë çizme të gjera të zëza. I hedh një sy vetes në pasqyrë: mënxyrë e vërtetë! Më shumë e gjerë se e gjatë, dhe ato këmbët se pse rrijnë të hapura një dreq e di…
Del me vrap nga dera e shtëpisë, duke shpresuar që nuk do takojë asnjë të njohur deri tek makina. Ah që s’ka një celular me internet! Ç’do bëjë tani në semafor? Me kë të ndajë mendimet për trafikun?
Pa prit një sekondë. Ja një ide brilante. Nxjerr nga xhepi lampustilën dhe shkon me vrap te muri i pallatit “Të lahesh apo të mos lahesh… Dilema Shekspiriane e mëngjeseve të mia! S’është as e shtunë… Mirëmëngjesi miq!”
Trupin ia përshkojnë mornica kënaqësie. Sidomos kur sheh se një vajzë adoleshente ndalon tek muri, e lexon, qesh, nxjerr stilolapsin nga xhepi dhe shkrun “like”.

Jeta është prapë e bukur! Mjafton të kesh një mur ku të shkruash!

2 comments:

  1. This comment has been removed by the author.

    ReplyDelete
  2. Ahh keto muret, na kane rrethuar jeten...Jane te gjere e te larte , i kemi ngritur te na e zene frymen mire ! fantazi e papare ! Superlike !

    ReplyDelete

Google+ Followers