Thursday, July 25, 2013

Ankthi i lidhjes (së të tjerëve)

Ja pra ku jemi. Në ankth. Edhe atëherë kur gjërat duket se shkojnë më së miri. Kur ti përpiqesh të shfaqesh sa më pak trape-fiksimaxhije-naziste (të shfaqem, ëëëë, jo të mos jem fare, se nuk do dal nga vetja unë) ndërsa ai përpiqet të marrë pjesë sa më shumë në gjërat e tua (kjo s’do të thotë që ai arrin të dallojë nëse një fustan është i ri, apo është veshur edhe më parë).
Në përgjithësi shkojmë mirë dhe e shohim njëri- tjetrin në sy gjithë dashuri. Edhe shoqet e mia thonë që jemi çift jashtëzakonisht i bukur dhe se duhet të mbajmë patjetër hudhër me vete (do kisha mbajtur vërtetë nëse nuk do shihja që në Facebook kështu u thuhet të gjithëve në çdo foto).
Nejse, me ose pa hudhër, jemi më së miri bashkë. Miqtë kanë dëshirë të rrinë me ne. Ca më shumë nga ç’duhet ndoshta. Si shokët e tij. Ata që normalisht duhej t’i takoja rrallë e për mall. Dhe akoma më rrallë gratë e tyre, ato që më fusin veçanërisht ankthin.
Përshembull një natë i shmang. E di që janë mbledhur nja shtatë veta në një restorant, ku duhej të isha dhe unë, që e kam justifikimin e gatshëm: kemi një deadline në zyrë dhe duhet të punoj deri në mesnatë. Normalisht që planifikoj të dal me shoqen time, të endem ca dyqaneve dhe pastaj të bëjmë një dorë thashethemesh. Ç’bëjnë ata ndërkohë? Bisedojnë vetëm për mua. “Ç’është kjo punë kështu”, - thotë gruaja e një shokut të tij, - “s’mund të punojë femra orar e pa orar, jo për gjë por shefi i asaj zyrës, ku punon ajo, nuk e ka namin shumë të mirë…”. Zemra ime nis të më justifikojë, sa më shumë që e bën, aq me më shumë keqardhje e shohin në tavolinë. “Sot e gjete të bredhësh dyqaneve? Mundohu të vish sa më parë dhe kur të arrish thuaj që shefi nuk ju mban kurrë pas orarit”, shkruan ai me sms… Nervi vetëm sa i ndihet. Katër orë më vonë në shtëpi përfundon patjetër në sherr, sepse befas ai zbulon se nuk ka qejf të bëjë në tavolina rolin e “gjynafit”.
Ndërsa një çift tjetër vetëftohen në shtëpinë e të dashurit tim dhe me këtë rast thonë që unë do gatuaj kurse ata do sjellin verën (se si u ndanë kështu këto role, as short nuk hodhëm as ndonjë gjë të ngjashme). Përpiqem të mos e jap vetes dhe i futem punës që të nderohem me gatimet. Domethënë shkoj e porosis tek ai restoranti i njohur, pastaj e vendos lazanjën në tavë, tavën në furrë dhe furrën e nxeh ca sa të marrë shtëpia aromën e gatimit. Sallata po kollaj, raguja e gatshme e viçit po ashtu, për shtrim tavoline jam njish fare dhe opa ja ku jam: amvisa e përsosur. Por ja që i paskam bërë hesapet pa hanxhinë. Domethënë pa gruan e çiftit të vetëftuar, e cila më mban një leksion të gjatë se si mishi i kuq është i dëmshëm dhe se lazanja ka më tepër sesa duhet karbohidrate dhe se unë duhet të gatuaj pak më shumë gjëra crudo, ose maksimumi me avull . “Nuk hahet më si qëmoti”, më thotë gjithë ton, teksa tregon për kuzhinën light dhe delikate, që në shtëpinë e saj e kanë trashëgim nga gjyshja e të atit (light dhe delikate kuzhina tiranse, nga është kjo me origjinë? Për qoftet a tavat e dheut të jetë duke folur kjo?! Apo mos e ka fjalën vetëm për taratorin?)
Pas një jave jemi ne që shkojmë miq në një shtëpi. Një çift që kanë pesë vjet bashkë. PESE VJET. Aq sa i duhen asaj të na tregojë si u njohën, si u puthën, si e kuptuan menjëherë që ishin bërë për njëri – tjetrin e sesi nuk u ndanë më asnjë çast të atyre dreq-pesë-vjetëve që ajo i rrëfen ditë pas dite, javë pas jave derisa na dalin thinjat (ndërkohë vras mendjen se në cilin moment kur ata nuk ndaheshin ai pati atë lidhjen dy vjeçare me atë bionden e zyrës që e di gjithë Tirana). Kuptohet që nuk hap gojën. Dhe pendohem si dreqi. Sepse ajo nuk e ka fare problem të flasë për ish-in e Zemrës sime, të tregojë se si e ka takuar një ditë, sa e bukur ishte bërë, sa mirë mbahej në trup, të pyesë madje edhe se pse janë ndarë (po ia vesha një grusht turinjve kësaj a bëhem dhe unë një ish me trup të mbajtur mirë?!)

I bindem si rrallë herë atij proverbit të vjetër, sipas të cilit duhet të numërosh deri në njëqind përpara se të nisësh një sherr. Kur arrij tek pesëqinda, dëshira për sherr është po aq e madhe. Sepse sado që unë mund të ndihem mirë me gjërat e mia, të mos kem pikën e ankthit se ç’po ndodh me lidhjen time, nuk të lënë të tjerët. Këta miqtë. Po armiqtë?! Si mund të jenë vallë?! Ndoshta nuk do ishte keq ideja e hudhrës. Jo një kokë, e as një thelpi. Por një kile e gjithë, e qëruar dhe e shtypur. Që qelb aq shumë sa të mos dojë më asnjë të rrijë me ne. Dhe të shpëtojmë.

Tuesday, July 9, 2013

Dhe sekreti është… indiferenca


Tipa të dashura apo të ftohtë qofshim, optimiste apo cinike, të dhimsura apo shpirtkatran, ka një gjë që e bëjmë njëlloj ne femrat – kur u japim këshilla shoqeve zemërvrara. Kur mikesha na qan një hall, ne fap si eksperte, hapim sirtarët e përvojës sonë dhe me pamje kompetente të japim menjëherë zgjidhjen. Dhe gjithë përvoja jonë jetësore, përmblidhet në dy tre fraza. Kur shoqja ndahet, në vartësi të ndarjes, themi “ai s’të meriton” (kur ai i ka bërë të qartë që nuk do ta shohë më me sy dhe i ka hequr çdo shans që ajo ta marrë ndonjë ditë në telefon, qoftë dhe për t’i uruar ditëlindjen) dhe “me siguri ai mendon që nuk është në lartësinë tëndë dhe ka frikë nga përkushtimi” (kjo në rastet kur ai është zhdukur nga faqja e dheut dhe nuk ka marrë mundimin as ta lajmërojë që janë ndarë, dhe ajo duhet ta gjejë vetë edhe këtë).
Kuptohet në të dyja rastet rastet, themi dhe ca fjalë të tipit “ka për ta kuptuar se ç’ka humbur por atëherë do jetë shumë vonë (epo ç’shoqe do ishim që në momentin më të keq t’i themi që atij thjesht nuk i plas për ty?!). Kurse në rastet kur ajo që e kërkon ndarjen është shoqja jonë, normalisht nuk ka nevojë për ngushëllime, kjo nënkupton që ne, një grup shoqesh të ngushta, dhe shoqesh të shoqeve, kemi nja një vit që e dimë që ajo ose del dhe me një tjetër, ose nuk e sheh dot më të dashurin me sy, ka shkuar ndërkohë dhe me një shokun e tij të ngushtë, por nuk po di si t’ia thotë që lidhja nuk funksionon më…
Nejse, nuk do merrem sot me histori gallate, por me gjëra serioze. Siç është ngushëllimi i mikeshave zemërthyera. Që kur nuk ndahen, duhet të ngushëllohen për lidhjet që nuk ecin mirë. Në këtë rast ne kemi një këshillë të artë, që thuhet se funksionon dorë me një. Ai sillet keq? Ai nuk të përkëdhel sa duhet? Ai nuk të merr gjithë ditën në telefon? Ai nuk të do, aq sa e do ti? Zgjidhja është një dhe vetëm një: mos bëj sherr, por bëj indiferenten.
Në një moment të jetës të gjithave na është dhënë kjo këshillë. Nuk e kemi ndjekur, normal, (por ama kemi dëgjuar se ato që durojnë, fitojnë), por edhe e kemi dhënë sa herë që na ka ardhur rasti (në kësi rastesh bëjmë be se sa herë kemi qenë indiferente, kemi arritur rezultate befasuese në lidhje). Mbaj mend përshembull një shoqe, që këshillonte një tjetër. Sa herë që kjo i tregonte një problem, tjetra ia priste shkurt “mos ia var! të kam thënë mos ia var…”. Deri sa e varfra shpërtheu “Nuk po ja var mi motre, por po var veten…”.
Ose një shoqe tjetër, që mikeshës se vet i mori celularin dhe nuk ia dha për tre ditë, (duke i prishur dhe shumë punë pune), vetëm e vetëm që të mos merrte të dashurin, që në ato ditë po bënte interesantin dhe thoshte se kishte punë...
Kurse unë vetë, nuk e dija që mund të nxirrja të tilla fjalë nga goja, deri tre ditë më parë. Kur zemërthyera e radhës qëlloi të ishte Kaltra, një vajzë katër vjeç, vajza e miqve të mi. Thjesht për të hapur një bisedë fëmijësh (urrej pyetjen kë do më shumë mamin apo babin), e pyeta se cilin nga dy miqtë e saj të lojrave, 5 vjeçarë që të dy, donte më shumë. “Aleksin dua, por ai sillet me mua shumë keq”, më tha duke psherëtirë. Dhe krejt natyrshëm, duke harruar kë po këshilloja, i thashë që të bëhej indiferente. Normalisht që ajo nuk e dinte se ç’domethënë ky llafi, ia shpjegova bashkë me dukurinë që djemtë e çdo moshe, kur e marrin vesh që ne i duam, bëjnë si interesantë. Dhe ne atëherë nuk duhet t’ua varim. Dmth nuk sillemi keq, por i tregojmë që nuk nuk na interesojnë…

Kjo pra është të jesh indiferente. Që për të voglën Kaltra u përkthye që ajo nuk do t’ja japë më topin Aleksit… Kaq e thjeshtë qenka pra. E ndreq apo jo sjelljen Aleksi, rëndësi ka që mikesha ime vogëlushe ndihet më mirë. Ajo e ka një plan. Kjo puna e indiferencës funksionoka për të gjitha femrat. Duke filluar nga katër vjeç.

Google+ Followers