Thursday, September 5, 2013

Në shtëpi me “armikun”

Kur vjen puna për disa gjëra, unë kënaqem me eksperiencën e të tjerëve, pa u dashur ta kaloj mbi shpatullat e mia. Përshembull e di që duhani të plak lëkurën dhe të zverdh dhëmbët, ndaj dhe nuk e kam provuar kurrë. Apo se dekoloranti të shkatërron flokët dhe se një brune natyrale pas një jave duket një biode rrënjëzezë me pamje tmerrësisht të rëndomtë, ndaj dhe nuk kam guxuar ndonjëherë të bëhem e tillë. Apo se jetesa me vjehrrën në shtëpi është një sakrificfë jashtëzakonshme , një luftë e përditshme që nuk të shpie asgjëkundi, e në fund të së cilës, të gjithë dalin të humbur…
Nuk kam pse ta provoj në kurriz (edhe pse të them të drejtën nuk është se deri tani ndokush më ka propozuar zyrtarisht që mamaja e tij të bëhet vjehrra ime), për ta ditur se thjesht me atë gruan, të cilën nuk e njoh, nuk kam si të jetoj në një shtëpi. Sepse shembuj vërdallë ka nga të gjithë, që nga më komikët e deri tek ata tragjikët fare, ku vetëm vdekja e vjehrrës (nga shkaqe natyrore ama, asnjëherë nga kërpudhat), ka bërë që në fund fare të gjithë të jetojnë të lumtur.
Kur themi komikë, të tillë më duken mua, sepse ato nuset që i kanë këto vjehrra, i përjetojnë si gjëja më tragjike në botë. Përshembull një shoqja ime kalon në krizë nervash, kur në shtëpi gatuhen spageti: në kujtim të kohëve të dikurshme dhe atyre makanorave të zeza e të gjata të paketuara në letër kafe, e vjehrra ka ruajtur zakonin e thyerjes së spagetit “Barilla” më tresh. E kotë të themi sa është munduar kjo shoqja ime t’ja mbushë mendjen se kuzhina kontemporane nuk e pranon këtë huq, vjehrra nuk dëgjon madje nga ajo anë. Nuk është dakort as edhe që spagetit të marrin valë në dy tenxhere të ndryshme, në njërën të thyera, e në tjetrën të pathyera dhe të kënaqen të gjitha palët, sepse familja është familje dhe në të, ushqimi është i përbashkët… Ndërsa shoqja ime nuk dorëzohet: shpik lloj lloj marifetesh që të arrijë e para tek tenxherja ku vlon uji, por s’ja del dot të arrijë përpara të vjehrrës që është aty, vigjiliente, me pakon e “Barilla”-s në dorë… Dhe ai ‘krrak, krrak’ që i ndan spagetit më tresh do t’i shkaktojë infarkt ndonjë ditë.
Janë pastaj dhe ato historitë e tjera, ku vjehrrat nxjerrin rrobat nga lavartiçja për t’ja treguar të birit e për t’i thënë: “shiko gruaja jote, mirë që i ka të thara e s’lan dot me dorë, po s’di as t’i fusë në lavatriçe, ndaj dhe na i ka bërë çarçafët për turp”. Apo ato të tjerat, që kanë të bëjnë me zgjim të hershëm edhe kur s’ke punë, sepse ndryshe vjehrra do i ankohet fqinjëve që nusja fle deri në drekë dhe s’do t’ja dijë për gjë. Apo ca histori të tjera ku nusja nuk ndrron dot modelin e kolltukëve, ngjyrën e mureve apo të perdeve, sepse nuk është ajo zonjë shtëpie, por ajo tjetra, që ka qeverisur aty për vite me radhë dhe nuk do e lejë pushtetin si pa të keq, vetëm se një pispiruqe pretendon se ka më shumë gusto se ajo. Pale pastaj fëmijët e vegjël: ata janë gjithmonë të bukur, të zgjuar dhe plot temperament si i ati. Dhe nëse janë shëndetlig, grindavecë apo largqoftë kanë nevojë të vënë syze, gjithmonë i ngjajnë të ëmës… Shoqet e nuses nuk shkelin kurrë në shtëpi, sepse shtëpia nuk është han me katër porta për llogje grash. Kurse kushërirat e vjehrrës dhe sorollopi mund të hanë, të pinë, të flejnë me ditë të tëra aty dhe duhet të rrespektohen deri në detaj. Menyja për të tilla dreka festive është standarte, si sebepet e 20 viteve më parë: sallatë me domate e kastravec, dekoruar me ullinj anës e përqark (në pjatë të përbashkët ku fusin pirunin të tërë, jo tas dhe pjata të vockla të veçanta, siç propozon nusja), byrek me djathë, pulë e pjekur dhe pilaf që hidhet në pjatë me formën e filxhanit të çajit… Epo mirë, do thonë mamatë tona, ç’të keqe ka këtu? Kush pa keq nga pilafi dhe byreku me djathë?! Asnjë të keqe, do thonin nuset, veç asaj, që asnjë ditë nuk e ndjen veten si në shtëpinë tënde, ku gatuan dhe ha si të duash, i lan ose nuk i lan rrobat, si të kesh qejf dhe fle sa të ta dojë kokrra e qejfit…
Kjo për rastet komike, që dhe mund të durohen. Sepse ka dhe ca raste të tjera, që fatmirësisht janë shumë të rralla. Nga ato rastet ku doktor Frojdi do vinte vulën “kompleksi i Edipit” dhe do ikte pa dhënë ndonjë përgjigje, nga ato rastet kur vjehrra e shikon nusen si atë armiken që i mori çunin… Dhe këtu nis tragjedia. Jo me ankesa tek fqinjët e muhabete me gratë e fisit, por me sherre e shamatë, nga ato që e bëjnë të mundur bashkëjetesën.
Ja këtë nis të më tregojë mikesha ime që pasi u martua dhe jetoi dy vjet me një vjehrrë të tillë, nuk ia doli me dhe u kthye tek e ëma, ku jetoi pesë vjet të tjerë, duke e kthyer burrin në të fejuar, me të cilin dilnin, shkonin andej këndej  dhe në mbrëmje ai kthehej në shtëpi, përndryshe të ëmën e kapnin krizat e ankthit dhe rriskonte të vdiste… Derisa një ditë zemra nuk e mbajti më. “E shkreta gjynah… Ama po të mos ndodhte, s’dihej sa mund të vazhdonim ashtu. Rrezik nuk do jetonim kurrë bashkë dhe nuk do e kishim as vajzën”, - thotë kjo shoqja ime teksa po gatuan darkën, ku na ka mbledhur ne vajzat. Kur ‘krrap, krrap’ vjen një zhurmë nga aneksi… “Nuk i ha dot makaronat pa i thyer”, thotë.

Po kjo ia paska futur kot fare?! Këto paskan qenë shpirtra binjakë me njëra – tjetrën: mund të kishte jetuar njëqind vjet rehat me të vjehrrën e të kënaqeshin si shoqe të ngushta, duke thyer  makarona.

Google+ Followers