Tuesday, October 29, 2013

Në pritje të së dielës

Eshtë vetëm e hënë në mëngjes dhe mezi pres të vijë e premtja, që të hallakatem kot të shtunën dhe më në fund të mbledh një çik kockat të dielën. Pa nisur ende punët e javës, pa nisur nervat, mërzitë apo dhe euforizmat, ja tek e gjej veten duke u ngritur me përtim e duke menduar se të dielën tjetër, ndryshe nga e djeshmja, që as vetë nuk e di se si iku, do merrem vetëm me veten. Do rregulloj patjetër dollapin e rrobave, të heq ato të verës e të nxjerr të dimrit, që të mos vazhdoj të dal me gishtat e këmbës jashtë, se sikur jemi futur pak në nëntor… Pastaj do ndërroj dhe atë dheun e atyre tre luleve, që janë aq të forta, sa vijojnë të rezistojnë në ballkonin tim dhe në vazot me kërcej të tharë, e pastaj do mbjell disa të reja (në fund të fundit dy qese me dhé, dorezat, gërsherët dhe ca vegla të papara kopshtarie, bashkë me një përparëse kam një një vit që i kam blerë, me shpresën se do vijë dita dhe ballkonin e shtëpisë do e kthej në verandë të gjelbëruar, ndërkohë që nga ballkonet e tjera fqinjët më shohin ashtu të pajisur gjithë stil!).
Nisem më në fund për të dalë nga dhoma dhe pengohem në dy libra dhe ca revista që janë përtokë – aty marr vendimin që të dielën tjetër të sistemoj të gjithë librat, revistat bashkë me cd-të e dvd-të. Pra, do bëj si do bëj edhe këtë javë me disa rroba të reja, që kam blerë këtë fillim sezoni dhe me rroba vere (në fund të fundit në makinë jam), do duroj dhe rrëmujën e librave dhe do dal gjatë javës të blej ca fidanë lulesh apo fara, në mënyrë që të dielën të merrem vetëm me veten time, pra me shtëpinë time.
Për fat dielli është aleati im më i mirë këto ditë. Kështu dhe një palë këpucë të reja me gishtat e hapur që kam blerë nja një muaj më parë, mund t’i vesh gati çdo ditë, fustanet e verës shkojnë të gjitha me një triko të gjatë e një palë çizme të reja, revistat dhe librat nuk është se më japin dhe aq shqetësim (për aq kohë sa nuk kam mama në shtëpi që të më thotë dhjetë herë në ditë se s’ka parë dhomë më rrëmujaxhije se kjo e imja), ndërsa sa u takon luleve, përderisa kam ndenjur gjithë këto kohë me verandë të zhveshur, ca ditë më shumë s’janë asgjë.
Kështu kalon java, herë në punë e herë në kafe, ja dhe ca dreka pune dhe ca dreka me shoqet, që i raportoj si dreka pune dhe më në fund e premte. Dita kur dilet vetëm me goca për të ngrënë një darkë të qetë e kthehesh në shtëpi pa dashje në 5 të mëngjesit. Kështu e shtuna ikën me gjumë deri në drekë dhe pasdite shkoj me Zemrën time në kinema. Pastaj dhe një birrë me shokët e tij dhe të dy shkojmë në shtëpinë time diku nga ora 2 (i kam thënë gjatë gjithë javës që do merrem me shtëpinë dhe ai më ka thënë që ka të tjera plane – do shkojë bashkë me të ëmën tek tezja në Durrës).
Në përgjithësi nuk jam nga ato që më del gjumi herët – por të dielën e shumëpritur më del shumë më vonë. Diku nga ora 12 e gjysmë ngrihemi dhe hamë ca vezë të skuqura (plani me mamin qenka anulluar por ai me premton që nuk do më bezdisë fare, të-bëj-ça-të-dua-se-ai-zëre-se-s’është). Nga ora 1, pasi kam larë pjatat e mëngjes-drekës, mendoj se kam kohë gjithë pasditen për të bërë ato punët që mezi pres. Ndaj sapo fillon filmi “Notting Hill” ulemi të dy për ta parë – normalisht ai nuk do shihte kurrë një film të tillë, po të mos ishte për atë idiotin Spike. Pas tij shohim një film action, që unë nuk do e shihja kurrë, nëse ngjarjet nuk do zhvilloheshin në planetin Mars (gjithmonë jam kuriozuar se si vishen meshkujt në atë planet. Po femrat a bëjnë tualet dhe si i mbajnë flokët?!). Ndërkohë dhe pak dhe fillojnë ndeshjet. Zemra ime më pyet nëse bezdisem nëse ai i sheh (jo mo çne?!) dhe befas nxjerr nga portofoli kartën e marrësit satelitor, ku unë normal që s’kam abonim për kanalet sportive (se pse e mban me vete kartën ai, një dreq e di, apo s’dihet ku e zë ndeshja e radhës?!) dhe më thotë atë fjalën magjike “Zemër, do bësh ndonjë gjë për të ngrënë?”.

Dal nga shtëpia dhe nisem për në supermarket. Dal që dal, meqë duhet blerë dhe ca ujë, pra duhet marrë makina, vendos të shkoj tek ai në dalje të qytetit. Aty mendoj që duhet të blej ushqime të freskëta, të bëj një gatim për të qenë. Pra fruta perime me shumicë. Po dhe ca kokoshka për qejf. Po dhe ca aceton duhet se ka mbaruar, e me këtë rast kujtohem që më ka humbur lima e thonëve, që mezi e gjej ku e kanë fshehur mes rafteve. Ujë, ilaç rrobash, shampo trupi dhe maskë flokësh, zbutës dhe aromatizues sirtarësh (zgjedhja e këtij të fundit merr së paku gjysmë ore, në dilemë mes aromës së livandos dhe luleblirit). Po dhe një gjysmë ore tjetër shkon tek frigoriferi për zgjedhjen e akullores – unë e ha me qershi, kurse ai do çokollatë dhe karamele, në fund i marr këto të dyja dhe një me pistak, që ishte me çmim oferte. Bisedoj ca me një grua për vajin e ullirit extravergine dhe ku ndryshon ai nga superextravergine, ndërkohë që nuk e kam parë fare nje mesazh në celular: “zemër po vdes për të ngrënë dhe po porosis picë. Ti e do me katër djathrat si unë, apo do gjë tjetër?” Ç”është kjo picë!? Unë do gatuaja ushqimet e freskëta. Ora qenka 8 pa një cerek! Të kisha rregulluar rrrobat të paktën, pa lulet s’kam pse i mbjell fare në nëntor. Apo do jetë prapë diell deri të dielën tjetër?!

Tuesday, October 15, 2013

Zonjë shtëpie po! Mblese kurrë më!

Ua kam thënë ndonjëherë që unë jetoj vetëm në shtëpi? E pra, nëse jo, po e tregoj tani – kam bërë realitet ëndrrën e fëmijërisë, jo për të pasur thjesht një dhomë për vete, por një shtëpi të tërë. Kjo nuk do të thotë medoemos që jam kaq e zonja për të fituar lekë (dhe aq e pazonja nuk jam në fund të fundit), por do të thotë që me ndihmën e prindërve (sidomos të gjyshërve, që iu prehtë shpirti në paqe që na lanë një copë truall), unë kam mundur të blej një apartament, që përkthehet në pavarësi. Nga ajo lloj pavarësie, me të cilën mund të bësh ç’të duash (shumicën e rasteve të flesh që në 10 e gjysmë e mos të të bezdisë njeri).  
Mund të ftosh kë të duash në shpëpi, madje dhe me ditë të tëra. Në fund të fundit, përse të mos ndihmoj ata që kanë nevojë, si përshembull motrën e një shoqes sime, që ka ardhur nga Vlora në kërkim të një pune në Tiranë dhe nuk ka se ku të banojë për momentin?! E ç’më kushton mua ta bujt për disa javë ose muaj?! Plus që vogëlushja (në krahasim me mua, 22 vitet e saj vogëlushe e bëjnë), është mjaft e këndshme, nuk ka lënë cep të shpisë pa larë e pa krruar, shtrydh çdo mëngjes portokallet, të dielën bën palaçinkat më të mira në botë dhe…
Dhe shokët e mi kanë lënë mendjen pas saj. Ai më i ngushti ca s’po bën që t’i tërheqë vëmendjen, asaj dhe mua bashkë me të, që si e si të krijohet mundësia që të dalin njëherë bashkë.
 Dhe këmbëngulja vjen dita që shpërblehet, pasi lutet e lutet që ta ftojmë në shtëpi për një çaj, më në fund e ftojmë të dielën pasdite (plani është që pas vizitës në shtëpi, ai do na ftojë për të pirë nga një birrë jashtë, dhe meqë unë do jem e lodhur dhe me dhimbje koke, mikesha ime do dalë vetëm me të).
Ai po normal, merr që në mëngjes në telefon dhe thotë që vjen që vjen, t’i bëjmë ndonjë gjë të mirë për të ngrënë në darkë. Pak më vonë vjen dhe një sms ku ai kërkon që mundësisht të gatuajmë kërpudha të mbushura…
Epo mirë, marrim masat që t’i gatuajmë. Kur diku nga pasditja e vonë ai merr në telefon dhe thotë që sikur nuk ka lezet të vijë vetëm dhe po merr dhe atë shokun tjetër, që unë nuk e kam dhe aq mik, por ja që do u bëkërkemi meqënëse ai po më vjen për darkë në shtëpi (ja, po të mos isha kaq e pavarur nuk do kisha kshu sikletesh!)
Normalisht që nuk e jap veten, por sillem si një zonjë perfekte shtëpie, shtroj tryezën, kujdesem që të shërbej gjatë gjithë kohës, që të pyes mos duan dhe reçel mbi akullore, biskota bashkë me kafetë… Pikërisht teksa pijmë kafetë, i bëj me sy nga ora që ka kaluar dhjetën, me idenë që ai do ta kuptojë që duhet të ngrihen. “uuuuu po thotë ai, sa paska shkuar ora, hapeni pak televizorin se na ikën lajmet”. Dystohemi në divane për lajmet, shohim një palë te Top-i, pastaj mbarojnë ato fillojnë të tjerat te Klan-i, diskutojmë të gjithë linjën editoriale, po flasim dhe pak se kush do hyjë e kush s’do hyjë te qeveria e re...
Ndërkohë ka filluar një film që është i papam dhe e mbajmë televizorin aty. Hedh sytë nga “vogëlushja” që rri në një cep të divanit dhe kafshon thonjtë (me siguri po mendon se çdo veshë kur të dalin për birra), pastaj hedh një sy tjetër nga shoku im, të cilit ka filluar t’i varet pak koka (ngrihu pra të hëngërt dhe dil!)...
Një gërhimë e lehtë dëgjohet nga e djathta ime, pikërisht andej nga është ai. Nuk dua ta kthej kokën e ta shoh, sepse po ta bëj e di që mezi do ta përballoj dëshirën që t’ia marr frymën me një jastëk.
Kur befas ndjej një dorë që lehtë lehtë më krruan kurrizin: shoku tjetër, ai që mbiu sot në shtëpinë time, pa e ftuar unë, me fytyrën më naive në botë sheh filmin ndërkohë që shëtit dorën në shpinën time...
Epo kjo pikë e zezë!!!
Sikur nuk ishim mbledhur për mua sot?!
Mos e kam tepruar me këtë pavarësinë time?!
O mamiiiiiiiiii!!!!!!!!!!!!!!!!!!

Google+ Followers