Eshtë
vetëm e hënë në mëngjes dhe mezi pres të vijë e premtja, që të hallakatem kot të
shtunën dhe më në fund të mbledh një çik kockat të dielën. Pa nisur ende punët
e javës, pa nisur nervat, mërzitë apo dhe euforizmat, ja tek e gjej veten duke
u ngritur me përtim e duke menduar se të dielën tjetër, ndryshe nga e djeshmja,
që as vetë nuk e di se si iku, do merrem vetëm me veten. Do rregulloj patjetër
dollapin e rrobave, të heq ato të verës e të nxjerr të dimrit, që të mos
vazhdoj të dal me gishtat e këmbës jashtë, se sikur jemi futur pak në nëntor… Pastaj
do ndërroj dhe atë dheun e atyre tre luleve, që janë aq të forta, sa vijojnë të
rezistojnë në ballkonin tim dhe në vazot me kërcej të tharë, e pastaj do mbjell
disa të reja (në fund të fundit dy qese
me dhé, dorezat, gërsherët dhe ca vegla të papara kopshtarie, bashkë me një përparëse
kam një një vit që i kam blerë, me shpresën se do vijë dita dhe ballkonin e shtëpisë
do e kthej në verandë të gjelbëruar, ndërkohë që nga ballkonet e tjera fqinjët më
shohin ashtu të pajisur gjithë stil!).
Nisem më
në fund për të dalë nga dhoma dhe pengohem në dy libra dhe ca revista që janë përtokë
– aty marr vendimin që të dielën tjetër të sistemoj të gjithë librat, revistat bashkë
me cd-të e dvd-të. Pra, do bëj si do bëj edhe këtë javë me disa rroba të reja,
që kam blerë këtë fillim sezoni dhe me rroba vere (në fund të fundit në makinë jam), do duroj dhe rrëmujën e librave
dhe do dal gjatë javës të blej ca fidanë lulesh apo fara, në mënyrë që të dielën
të merrem vetëm me veten time, pra me shtëpinë time.
Për fat
dielli është aleati im më i mirë këto ditë. Kështu dhe një palë këpucë të reja
me gishtat e hapur që kam blerë nja një muaj më parë, mund t’i vesh gati çdo
ditë, fustanet e verës shkojnë të gjitha me një triko të gjatë e një palë çizme
të reja, revistat dhe librat nuk është se më japin dhe aq shqetësim (për aq kohë sa nuk kam mama në shtëpi që të
më thotë dhjetë herë në ditë se s’ka parë dhomë më rrëmujaxhije se kjo e imja),
ndërsa sa u takon luleve, përderisa kam ndenjur gjithë këto kohë me verandë të
zhveshur, ca ditë më shumë s’janë asgjë.
Kështu
kalon java, herë në punë e herë në kafe, ja dhe ca dreka pune dhe ca dreka me
shoqet, që i raportoj si dreka pune dhe më në fund e premte. Dita kur dilet vetëm
me goca për të ngrënë një darkë të qetë e kthehesh në shtëpi pa dashje në 5 të
mëngjesit. Kështu e shtuna ikën me gjumë deri në drekë dhe pasdite shkoj me Zemrën
time në kinema. Pastaj dhe një birrë me shokët e tij dhe të dy shkojmë në shtëpinë
time diku nga ora 2 (i kam thënë gjatë
gjithë javës që do merrem me shtëpinë dhe ai më ka thënë që ka të tjera plane –
do shkojë bashkë me të ëmën tek tezja në Durrës).
Në përgjithësi
nuk jam nga ato që më del gjumi herët – por të dielën e shumëpritur më del shumë
më vonë. Diku nga ora 12 e gjysmë ngrihemi dhe hamë ca vezë të skuqura (plani me mamin qenka anulluar por ai me
premton që nuk do më bezdisë fare, të-bëj-ça-të-dua-se-ai-zëre-se-s’është).
Nga ora 1, pasi kam larë pjatat e mëngjes-drekës, mendoj se kam kohë gjithë
pasditen për të bërë ato punët që mezi pres. Ndaj sapo fillon filmi “Notting
Hill” ulemi të dy për ta parë – normalisht ai nuk do shihte kurrë një film të
tillë, po të mos ishte për atë idiotin Spike. Pas tij shohim një film action, që
unë nuk do e shihja kurrë, nëse ngjarjet nuk do zhvilloheshin në planetin Mars (gjithmonë jam kuriozuar se si vishen
meshkujt në atë planet. Po femrat a bëjnë tualet dhe si i mbajnë flokët?!).
Ndërkohë dhe pak dhe fillojnë ndeshjet. Zemra ime më pyet nëse bezdisem nëse ai
i sheh (jo mo çne?!) dhe befas nxjerr
nga portofoli kartën e marrësit satelitor, ku unë normal që s’kam abonim për
kanalet sportive (se pse e mban me vete
kartën ai, një dreq e di, apo s’dihet ku e zë ndeshja e radhës?!) dhe më thotë
atë fjalën magjike “Zemër, do bësh ndonjë gjë për të ngrënë?”.
Dal nga
shtëpia dhe nisem për në supermarket. Dal që dal, meqë duhet blerë dhe ca ujë,
pra duhet marrë makina, vendos të shkoj tek ai në dalje të qytetit. Aty mendoj
që duhet të blej ushqime të freskëta, të bëj një gatim për të qenë. Pra fruta
perime me shumicë. Po dhe ca kokoshka për qejf. Po dhe ca aceton duhet se ka
mbaruar, e me këtë rast kujtohem që më ka humbur lima e thonëve, që mezi e gjej
ku e kanë fshehur mes rafteve. Ujë, ilaç rrobash, shampo trupi dhe maskë
flokësh, zbutës dhe aromatizues sirtarësh (zgjedhja
e këtij të fundit merr së paku gjysmë ore, në dilemë mes aromës së livandos dhe
luleblirit). Po dhe një gjysmë ore tjetër shkon tek frigoriferi për
zgjedhjen e akullores – unë e ha me qershi, kurse ai do çokollatë dhe karamele,
në fund i marr këto të dyja dhe një me pistak, që ishte me çmim oferte. Bisedoj
ca me një grua për vajin e ullirit extravergine dhe ku ndryshon ai nga
superextravergine, ndërkohë që nuk e kam parë fare nje mesazh në celular: “zemër
po vdes për të ngrënë dhe po porosis picë. Ti e do me katër djathrat si unë,
apo do gjë tjetër?” Ç”është kjo picë!? Unë do gatuaja ushqimet e freskëta. Ora
qenka 8 pa një cerek! Të kisha rregulluar rrrobat të paktën, pa lulet s’kam pse
i mbjell fare në nëntor. Apo do jetë prapë diell deri të dielën tjetër?!
Fantastike Iva :-)
ReplyDeletedon't worry, pas 2 ditësh është përsëri e dielë! lol
ReplyDeleteshkruaj më shpesh Iva, hugs!
http://nastilanikolla.blogspot.com/
eeeeeeehhhhhhhhh, me javen qe kam pasur me ka mbajtur vetem shpresa qe te dielen s'do dal fare nga krevati deri pasdite kur nisin dhe provat e Dancing... mesa duket kete dimer do rri edhe me rrobat e veres neper kembe :(.
Deletefaleminderit per ndalesen e radhes, perqafime
Ohhh cfare kenaqesie te lexosh shkrimet e tua. Posto pak me shpesh.
ReplyDeleteXoxo lulu
Iva na kenaqe me keto shkrimet ,go on :)
ReplyDelete