Ua kam thënë ndonjëherë
që unë jetoj vetëm në shtëpi? E pra, nëse jo, po e tregoj tani – kam bërë
realitet ëndrrën e fëmijërisë, jo për të pasur thjesht një dhomë për vete, por
një shtëpi të tërë. Kjo nuk do të thotë medoemos që jam kaq e zonja për të
fituar lekë (dhe aq e pazonja nuk jam në
fund të fundit), por do të thotë që me ndihmën e prindërve (sidomos të gjyshërve, që iu prehtë shpirti
në paqe që na lanë një copë truall), unë kam mundur të blej një apartament, që përkthehet në pavarësi. Nga ajo lloj pavarësie, me të cilën mund të bësh ç’të
duash (shumicën e rasteve të flesh që në
10 e gjysmë e mos të të bezdisë njeri).
Mund të ftosh kë të
duash në shpëpi, madje dhe me ditë të tëra. Në fund të fundit, përse të mos ndihmoj
ata që kanë nevojë, si përshembull motrën e një shoqes sime, që ka ardhur nga
Vlora në kërkim të një pune në Tiranë dhe nuk ka se ku të banojë për momentin?!
E ç’më kushton mua ta bujt për disa javë ose muaj?! Plus që vogëlushja (në krahasim me mua, 22 vitet e saj vogëlushe
e bëjnë), është mjaft e këndshme, nuk ka lënë cep të shpisë pa larë e pa
krruar, shtrydh çdo mëngjes portokallet, të dielën bën palaçinkat më të mira në
botë dhe…
Dhe shokët e mi kanë lënë
mendjen pas saj. Ai më i ngushti ca s’po bën që t’i tërheqë vëmendjen, asaj dhe
mua bashkë me të, që si e si të krijohet mundësia që të dalin njëherë bashkë.
Dhe këmbëngulja vjen dita që shpërblehet, pasi
lutet e lutet që ta ftojmë në shtëpi për një çaj, më në fund e ftojmë të dielën
pasdite (plani është që pas vizitës në
shtëpi, ai do na ftojë për të pirë nga një birrë jashtë, dhe meqë unë do jem e
lodhur dhe me dhimbje koke, mikesha ime do dalë vetëm me të).
Ai po normal, merr që
në mëngjes në telefon dhe thotë që vjen që vjen, t’i bëjmë ndonjë gjë të mirë për
të ngrënë në darkë. Pak më vonë vjen dhe një sms ku ai kërkon që mundësisht të
gatuajmë kërpudha të mbushura…
Epo mirë, marrim masat
që t’i gatuajmë. Kur diku nga pasditja e vonë ai merr në telefon dhe thotë që
sikur nuk ka lezet të vijë vetëm dhe po merr dhe atë shokun tjetër, që unë nuk
e kam dhe aq mik, por ja që do u bëkërkemi meqënëse ai po më vjen për darkë në
shtëpi (ja, po të mos isha kaq e pavarur
nuk do kisha kshu sikletesh!)…
Normalisht që nuk e
jap veten, por sillem si një zonjë perfekte shtëpie, shtroj tryezën, kujdesem që
të shërbej gjatë gjithë kohës, që të pyes mos duan dhe reçel mbi akullore,
biskota bashkë me kafetë… Pikërisht teksa pijmë kafetë, i bëj me sy nga ora që
ka kaluar dhjetën, me idenë që ai do ta kuptojë që duhet të ngrihen. “uuuuu po thotë ai, sa paska shkuar ora, hapeni pak televizorin se na
ikën lajmet”. Dystohemi në divane për lajmet, shohim një palë te Top-i, pastaj
mbarojnë ato fillojnë të tjerat te Klan-i, diskutojmë të gjithë linjën
editoriale, po flasim dhe pak se kush do hyjë e kush s’do hyjë te qeveria e re...
Ndërkohë ka filluar një film që është i papam
dhe e mbajmë televizorin aty. Hedh sytë nga “vogëlushja” që rri në një cep të
divanit dhe kafshon thonjtë (me siguri po
mendon se çdo veshë kur të dalin për birra), pastaj hedh një sy tjetër nga
shoku im, të cilit ka filluar t’i varet pak koka (ngrihu pra të hëngërt dhe dil!)...
Një gërhimë e lehtë dëgjohet nga e djathta
ime, pikërisht andej nga është ai. Nuk dua ta kthej kokën e ta shoh, sepse po
ta bëj e di që mezi do ta përballoj dëshirën që t’ia marr frymën me një jastëk.
Kur befas ndjej një dorë që lehtë lehtë më
krruan kurrizin: shoku tjetër, ai që mbiu sot në shtëpinë time, pa e ftuar unë,
me fytyrën më naive në botë sheh filmin ndërkohë që shëtit dorën në shpinën
time...
Epo kjo pikë e zezë!!!
Sikur nuk ishim mbledhur për mua sot?!
Mos e kam tepruar me këtë pavarësinë time?!
O mamiiiiiiiiii!!!!!!!!!!!!!!!!!!
Domethene po thua qe une qe keto dite zhvendosem ne "pavaresine" time,mos te ftoj njeri?Zoti te bekofte,Iva,sapo me shpetove hahahaha :-)
ReplyDeleteMe thuaj nese ke mundesi ku i boton keto shkrimet e tua sepse e di qe keto i hedh shume rralle? :(
hahahahah, une vete shume rralle ftoj (per te mos thene asnjehere)
DeleteQe te jem e sinqerte, historia e mesiperme i ka ndodh nje shoqes sime, se ata qe me njohin e dine qe jam dhi e eger dhe s'mund te ndodhe te vijne njerez per te fjetur tek une... gjithsesi eshte 100 % e vertete :D.
Shkrimet e mia jane ne gazeten MAPO te shtunave.
faleminderit shume per frekuentimin e blogut
Te rafte pika me kete shkrimin tend....kujtova se ishte jeta jote e thash uaaa po zbulojme dhe dicka nga jeta e Ives. Jam nje simpatizante e juaja jasht Shqiperise. Te falenderoj per shkrimet e bukura dhe buzeqeshjet qe na dhuron me keto shkrime...:)
ReplyDeletehahahhahahaha, ka dhe plot nga jeta ime ne postet e tjera, shumica te miat jane :). faleminderit shume qe me lexon dhe me shkruan
Delete