Tuesday, November 26, 2013

Dua të bëhem supergrua

Ka ca javë që duken të pafundme që të hënën në orën 10 të mëngjesit. Ca punë që i kishe shtyrë e shtyrë  e shtyrë nuk presin dot më dhe kësaj radhe e di që e ke pisk dhe duhen bërë patjetër. Pastaj është dhe ai dreq shiu që s’pushon për asnjë moment dhe hedh mbi ty gjithë pikëllimin e botës… Eshtë dhe ajo puna ekstra që duhet të bësh, ajo e koleges së zyrës që sot në mëngjes ka telefonuar në sekretari dhe ka lajmëruar se është e sëmurë me këtë virozën e tmerrshme, që sapo ka rënë ndaj dhe do mungojë.
E di që duart të ngadalësohen mbi tastierë vetëm kur mendon çfarë fati i ka qëlluar. Ja ti je në zyrën e zymtë me një mal me gjëra për të bërë, kurse ajo është si zonjë në divanin e shtëpisë së saj, me ndonjë revistë në prehër dhe pultin e televizorit në dorë. Eh, një sëmundje do ishte shpëtimi. Të rrije në shtëpi siç nuk e bën kurrë të dielën, nga mëngjësi në darkë dhe të shmpish kockat. Ka nevojë i shkreti njeri për një sëmundje një herë në kaq. Një herë në kaq domethënë një herë në javë. Të hënën përshëmbull. Ose më mirë të mërkurën. Kështu me një ditë pushim në mes, java sikur thyhet më kollaj. Kështu të enjten dhe të premten i bie të punosh më me qejf.
Dhe ja ku ndodh: siç thotë proverbi i vjetër kur e dëshiron diçka me gjithë zemër, ndodh të realizohet. Të mërkurën në mëngjes gryka është copë. Temperatura tridhjeteshatë e gjysmë dhe ajo dhimbja e trupit në çdo cep kanë vetëm një emër: virozë.
Urrraaaaaa!!!
Rrofshin pra virozat!
Një telefonatë në sekretari. Pastaj revista Elle, botimi i shtatorit që ka nja tetëqind faqe. Një çaj me mjaltë. Batanija e butë. Pulti i televizorit në dorë. Dhe macja që bën një gërr gërr të lumtur tek këmbët. Kjo po që është jetë.
Në një ekran ka emision mëngjesi. Një vajzë dhe një grua po gatuajnë. Se ç‘u bëjnë ca kërpudhave. Pastaj fusin ca gjëra në një mikser dhe nxjerrin një alamet salce. Njëkohësisht bëjnë ca role mishit të mbushura me lloj lloj gjërash të shijshme, të cilat i shtrojnë në një pjatë të bukur krah kërpudhave dhe të gjitha i spërkasin me atë salcën që duket sikur bëhet shumë thjesht,  por që mua më duket sprova më e vështirë në jetë.
Mjam mjam mjam! Mund të vdiset nga nepsi duke parë të tillë program. Vuajtje e madhe duhet të jetë ta shohësh çdo ditë.
Në një tjetër kanal televiziv drejtuesja e emisionit është ulur në studio përballë një gruaje.  Flasin për karrierën. Ajo e pyet “sa e vështirë është për një grua të bëjë karrierë?”, kurse tjetra përgjigjet që nuk është aspak e lehtë, se kshu dhe ashtu, se ata burrat s’na lënë të bëjmë përpara dhe se ne jemi të zonjat t’i bëjmë të gjitha, edhe më mirë se burrat. Pffffff, ça muhabeti që në pikë të mëngjesit.
Në një tjetër ekran, biseda duket më interesante. Dy gra dhe prezantuesja po flasin për firmat e veshjeve. Thonë që nuk janë të rëndësishme. Se rëndësi ka shija e mirë. Dhe se veshjet nuk e bëjnë njeriun, por janë të tjera vlerat në jetë. Njëra prej tyre ka një fustan nga ata me kuadrata që të thonë: “Unë blej Burrberry se vetëm kështu jam e sigurt që e njohin të gjithë, që është mall firmato”, kurse tjetra ka marrë masat që bluza e pambukut të lexojë YSL (jam e bindur që kam parë në treg plot bluza të tilla).
S’qenka gjë as ky emision. Tjetri në radhë ka në studio dy drejtues. Një djalë dhe një vajzë. Të ftuarit janë katër, dy femra e dy meshkuj të moshave nga më të ndryshme. Po hahen me njëri tjetrin për temën “kush është shtylla e shtëpisë, burri apo gruaja”. Mes gjithfarë argumentash, të gjithë janë dakort që gruaja është forcë e madhe. Se pas një burri të fuqishëm është një grua e fuqishme. Dhe se gratë e tyre dhe gratë në studio janë të zonjat për të bërë karrierë, për të mbajtur familjen, për të ndihmuar fëmijët me mësimet, pjanë amvisa të shkëlqyera, gatuajnë shkëlqyeshëm, janë njerëz të mrekullueshëm, të jashtëzakonshëm... Një bisedë që të magjeps. Aq sa të vjen keq që mbaron aq shpejt, për t’ia lënë vendin një tjetër rubrike. Një VIP kësaj radhe në shtëpinë e vet që gatuan. Dhe jo gatim të thjeshtë. Por nga ai me pesë yje. Nga ai që s’ke menduar ndonjëherë se mund të bëhet në një apartament shqiptar. Eh, mendo të ishe VIP dhe të të vinin gazetarët në shtëpi? C’do u gatuaje ëëëë??? Bukë të skuqur me vezë? Turp i VIP-ave do ishe.
E mban pultin në një tjetër ekran. Mooooos!!!!! Një kuzhinë restoranti. Një shef që po gatuan. Normal, ka ardhur dreka dhe ti ke mbetur me filxhanin e çajit me mjaltë në dorë. Dynjaja gatuan, ti vret mendjen se cila nga piceritë është më e përshtatshme për t’u telefonuar kur je sëmurë. Jo ajo që gatuan më mirë. Por ajo që ta sjell ushqimin deri në shtëpi, pa pasur nevojë të zbresësh poshtë pallatit pasi je zënë ca herë ne telefon me motorristin që nuk ta gjen hyrjen.
Pastaj pasdite sudiot fillojnë sërish. Diku katër gra, dyshe dyshe mikesha me njëra tjetrën. Këto veç njëqind punëve, fëmijëve e mëthetëthashë, na shkokan bashkë dhe nëpër palestra apo bëjnë gliko në shtëpitë e njëra tjetrës. Kurse në një tjetër studio, një tjetër femër, flet për karriërën. “Sa e vështirë është për ju?”, pyet gazetarja…

Boooooll!!!! Po si nuk tha asnjëra që mezi pres të më bjerë viroza e të mbledh njëçik kockat në shtëpi?! Në këtë botë me supergra, që i bëjnë të gjitha, vetëm unë na qenkam më e pazonja?! S’ja vleka të rrish as në shtëpi. Se këto supetrgratë arritën të të helmojnë dhe atë virozën që dukej më e ëmbla në botë.  

Google+ Followers