Ka ca javë që duken të pafundme që të hënën në orën 10 të mëngjesit.
Ca punë që i kishe shtyrë e shtyrë e
shtyrë nuk presin dot më dhe kësaj radhe e di që e ke pisk dhe duhen bërë
patjetër. Pastaj është dhe ai dreq shiu që s’pushon për asnjë moment dhe hedh
mbi ty gjithë pikëllimin e botës… Eshtë dhe ajo puna ekstra që duhet të bësh,
ajo e koleges së zyrës që sot në mëngjes ka telefonuar në sekretari dhe ka lajmëruar
se është e sëmurë me këtë virozën e tmerrshme, që sapo ka rënë ndaj dhe do
mungojë.
E di që duart të ngadalësohen mbi tastierë vetëm kur mendon çfarë
fati i ka qëlluar. Ja ti je në zyrën e zymtë me një mal me gjëra për të bërë,
kurse ajo është si zonjë në divanin e shtëpisë së saj, me ndonjë revistë në
prehër dhe pultin e televizorit në dorë. Eh, një sëmundje do ishte shpëtimi. Të
rrije në shtëpi siç nuk e bën kurrë të dielën, nga mëngjësi në darkë dhe të shmpish
kockat. Ka nevojë i shkreti njeri për një sëmundje një herë në kaq. Një herë në
kaq domethënë një herë në javë. Të hënën përshëmbull. Ose më mirë të mërkurën.
Kështu me një ditë pushim në mes, java sikur thyhet më kollaj. Kështu të enjten
dhe të premten i bie të punosh më me qejf.
Dhe ja ku ndodh: siç thotë proverbi i vjetër kur e dëshiron
diçka me gjithë zemër, ndodh të realizohet. Të mërkurën në mëngjes gryka është
copë. Temperatura tridhjeteshatë e gjysmë dhe ajo dhimbja e trupit në çdo cep
kanë vetëm një emër: virozë.
Urrraaaaaa!!!
Rrofshin pra virozat!
Një telefonatë në sekretari. Pastaj revista Elle, botimi i
shtatorit që ka nja tetëqind faqe. Një çaj me mjaltë. Batanija e butë. Pulti i
televizorit në dorë. Dhe macja që bën një gërr gërr të lumtur tek këmbët. Kjo
po që është jetë.
Në një ekran ka emision mëngjesi. Një vajzë dhe një grua po
gatuajnë. Se ç‘u bëjnë ca kërpudhave. Pastaj fusin ca gjëra në një mikser dhe
nxjerrin një alamet salce. Njëkohësisht bëjnë ca role mishit të mbushura me
lloj lloj gjërash të shijshme, të cilat i shtrojnë në një pjatë të bukur krah kërpudhave
dhe të gjitha i spërkasin me atë salcën që duket sikur bëhet shumë thjesht, por që mua më duket sprova më e vështirë në
jetë.
Mjam mjam mjam! Mund të vdiset
nga nepsi duke parë të tillë program. Vuajtje e madhe duhet të jetë ta shohësh çdo
ditë.
Në një tjetër kanal televiziv drejtuesja e emisionit është
ulur në studio përballë një gruaje.
Flasin për karrierën. Ajo e pyet “sa e vështirë është për një grua të bëjë
karrierë?”, kurse tjetra përgjigjet që nuk është aspak e lehtë, se kshu dhe
ashtu, se ata burrat s’na lënë të bëjmë përpara dhe se ne jemi të zonjat t’i bëjmë
të gjitha, edhe më mirë se burrat. Pffffff, ça muhabeti që në pikë të mëngjesit.
Në një tjetër ekran, biseda duket më interesante. Dy gra dhe
prezantuesja po flasin për firmat e veshjeve. Thonë që nuk janë të rëndësishme.
Se rëndësi ka shija e mirë. Dhe se veshjet nuk e bëjnë njeriun, por janë të
tjera vlerat në jetë. Njëra prej tyre ka një fustan nga ata me kuadrata që të
thonë: “Unë blej Burrberry se vetëm kështu jam e sigurt që e njohin të gjithë,
që është mall firmato”, kurse tjetra ka marrë masat që bluza e pambukut të
lexojë YSL (jam e bindur që kam parë në
treg plot bluza të tilla).
S’qenka gjë as ky emision. Tjetri në radhë ka në studio dy
drejtues. Një djalë dhe një vajzë. Të ftuarit janë katër, dy femra e dy meshkuj
të moshave nga më të ndryshme. Po hahen me njëri tjetrin për temën “kush është
shtylla e shtëpisë, burri apo gruaja”. Mes gjithfarë argumentash, të gjithë janë
dakort që gruaja është forcë e madhe. Se pas një burri të fuqishëm është një
grua e fuqishme. Dhe se gratë e tyre dhe gratë në studio janë të zonjat për të
bërë karrierë, për të mbajtur familjen, për të ndihmuar fëmijët me mësimet,
pjanë amvisa të shkëlqyera, gatuajnë shkëlqyeshëm, janë njerëz të mrekullueshëm,
të jashtëzakonshëm... Një bisedë që të magjeps. Aq sa të vjen keq që mbaron aq
shpejt, për t’ia lënë vendin një tjetër rubrike. Një VIP kësaj radhe në shtëpinë
e vet që gatuan. Dhe jo gatim të thjeshtë. Por nga ai me pesë yje. Nga ai që
s’ke menduar ndonjëherë se mund të bëhet në një apartament shqiptar. Eh, mendo
të ishe VIP dhe të të vinin gazetarët në shtëpi? C’do u gatuaje ëëëë??? Bukë të
skuqur me vezë? Turp i VIP-ave do ishe.
E mban pultin në një tjetër ekran. Mooooos!!!!! Një kuzhinë
restoranti. Një shef që po gatuan. Normal, ka ardhur dreka dhe ti ke mbetur me
filxhanin e çajit me mjaltë në dorë. Dynjaja gatuan, ti vret mendjen se cila
nga piceritë është më e përshtatshme për t’u telefonuar kur je sëmurë. Jo ajo që
gatuan më mirë. Por ajo që ta sjell ushqimin deri në shtëpi, pa pasur nevojë të
zbresësh poshtë pallatit pasi je zënë ca herë ne telefon me motorristin që nuk
ta gjen hyrjen.
Pastaj pasdite sudiot fillojnë sërish. Diku katër gra, dyshe
dyshe mikesha me njëra tjetrën. Këto veç njëqind punëve, fëmijëve e mëthetëthashë,
na shkokan bashkë dhe nëpër palestra apo bëjnë gliko në shtëpitë e njëra tjetrës.
Kurse në një tjetër studio, një tjetër femër, flet për karriërën. “Sa e vështirë
është për ju?”, pyet gazetarja…
Boooooll!!!! Po si nuk tha asnjëra që mezi pres të më bjerë
viroza e të mbledh njëçik kockat në shtëpi?! Në këtë botë me supergra, që i bëjnë
të gjitha, vetëm unë na qenkam më e pazonja?! S’ja vleka të rrish as në shtëpi.
Se këto supetrgratë arritën të të helmojnë dhe atë virozën që dukej më e ëmbla
në botë.
Asgje e re. Dhe ky postim pritej po kaq i mire sa te tjeret :) Ne nje dite me shi si kjo, ia vlejti ta lexoja, edhe pse jo me viroze :)
ReplyDeletemos te kapshin virozat! mund te besh edhe sikur dhe te rrish ne shtepi hera heres, te pershendes dhe te falenderoj
Deleteune isha me viroze javen e shkuar, te marte te merkure dhe te enjte!! o sa me ka shijuar!! po nuk pashe nga keto emisionet! fjeta gjume deri ne 2-3, se ajo dhimbja e kockave nuk me linte te levizja nga krevati. Te them te drejten, dhe pse te enjten isha me mire, prape ndejta ne krevat dhe i dhurova vetes time nje dite koti, nje dite rikarikim per te qene serish te nesermen nje supergrua, me gjene e vetme firmato qe kam, nje cante guess, qe e bleva per 80 euro ne Jerusalem (40% off) dhe qe se kam nderruar asnje dite, qe nga janari. pra per nje vit rresht!! e pse ta nderroj? eshte praktike dh e vetmja gje firmato qe kam!! pikerisht se jam supergrua kam vetem nje gje firmato. e ne fakt kam nje rroge qe me lejon te blej ndoshta nga nje gje firmato cdo muaj, por qe duke qene se njehere e nje kohe isha supergirl e tani kam nderruar status, kjo rroga me duhet per te rrit nje supercun dhe nje supergoce. e mendoj qe (te pakten genjej veten) qe kjo me ben mua nje supergrua!!
ReplyDeleteEma ti e ke kap statusin "supergrua", edhe nje gje firmato sa per shenje e ke, s'ke c'do me shume :)
Delete