Duhet
t’jua kem treguar para disa javësh: qëkur u ftova në një emission të rëndësishëm
televiziv për të folur për blerjet online, dhe pasi rashë në sy për mirë aty më
ftuan në një tjetër studio për të folur për ëndrrat (vijoj të jem juriste tek ajo studioja që u kam thënë që në fillim,
s’kam ndryshuar zanat edhe pse tani jam vajzë ekranesh), një mori ftesash
kanë mbërritur në derën time. Tashmë dhe nga shtypi i shkruar. Një revistë mode
po bënte një shkrim për veshjet e zyrës: aty pozova dhe unë. Një tjetër
shkruante për femrat në karrierë. Prapë unë. Një tjetër fliste për sportet. Unë
prapë, fotografuar në palestër. Pastaj një vajzë nga një gazetë më nisi një
pyetësor, të cilit çdo javë i përgjigjej një VIP (ja ku jam zyrtarisht VIP pra!!!) Prapë unë, që u përgjigjem
pyetjeve me kë e pi kafen e mëngjesit, kur fle e kur zgjohem, ça më mërzit e
s’më mërzit, e nga këto gjërat. Më duket intervistë e mirë (më e mirë se fotoja që e shoqëron madje, sepse ajo ka ca më shumë sa duhet
photoshop). Shoqja ime e ngushtë, që ia çoj për ta parë përpara botimit,
thotë se unë jam jashtëzakonisht e
zgjuar, e vërtetë dhe me humor. Edhe unë veten për të tillë e njoh. Të nesërmen,
kur gazeta del në treg, telefonatat lumë. Aq sa më mbushet mendja që e ardhmja
ime është kjo, talenti im i pazbuluar është ky: të jap intervista. Sepse unë
qenkam jashtëzakonisht interesante.
Java
kalon në këtë dalldi VIP-i, duke menduar për intervistat e ardhme, kur do
filloj të flas për fëmijërinë, kur do rrëfej nja dy zhgënjime dashurie dhe kur
do tregoj se si mu thye zemra dhe pastaj si mu ngjit (nuk do i zbuloj të gjitha në një interviste de! Që të kem diçka të re
gjithmonë për lexuesit). Dhe vjen prapë fundjava. Dita kur del sërish ajo
gazeta, ku javën e kaluar kisha dalë dhe unë. E hap me idenë që një tjetër VIP,
si puna ime, do jetë rrëfyer këtë javë. E hap gazetën. Qejfi në kulm. Këtë javë
është një vajzë e vërtetë ekrani, një nga më të njohura, nga ato që quhen ikona
(unë që paskam qenë përpara saj qenkërkam
kaq e rëndësishme, apo kjo ikona ka vonuar përgjigjet dhe ata të gazetës më janë
drejtuar mua si gur rezervë?! Ka mundësi të jetë kështu, por kjo pak rëndësi
ka, unë isha në të njëjtin pyetësor me ikonën, këtu duhet të përqendrohem).
Nis ta lexoj, për të parë nëse dhe unë jam në të njëjtën lartësi me të, me ikonën
pra. Përshembull pyetjes, se ku e pi kafen e mëngjesit, unë i isha përgjigjur që
e pi në shtëpi, nesskafe të madhe e të fortë, sepse ndryshe nuk i hap dot sytë.
Kurse ikona: “Nuk ka kënaqësi më të përkorë për qiellzën, kur ndjen shijen e
kafes herët në mëngjes, teksa truri është ende i turbullt, i mjegulltë e blu”.
Zakonisht kuptoj gjithçka. Por këtu kam nevojë për fjalor. Në fjalorin e
shqipes së sotme mungon. Marr në telefon një mikun tim gjuhëtar, që më thotë që
fjala “i përkorë” ka kuptimin “e thjeshtë”, “jo e stërholluar dhe sofistikuar,
pra pa lajlelule” (ec e gjeje pse kjo
ikona e përdor fiks këtë stilin “e përkorë” dhe fjalën “e përkorë” në kuptimin
e kundërt). Pastaj vijnë pyetje të tjera. Përshembull cili do ishte mëngjesi
ideal. Unë isha përgjigjur pastër dhe thjesht: që të zgjohesha sa më vonë të
mundja, nëse do më lejonin komshinjtë zhurmaxhij, e te dremisja prapë dhe
pastaj të haja nja dy vezë të skuqura dhe të mbërthehesha para televizorit e të
rrija kot deri në drekë. Por ndryshe ikona: “Zgjim i vonë, me kotje përmidis… Mandej
lëng të freskët portokalli e një briosh në verandë, një kredhje në pishinë,
dush të nxehtë paskëndaj, make up të lehtë e gati për t'ja shtrydhur lëngun ditës”
(prandaj ndoshta unë s’ja shtrydh dot lëngun
ditës, sepse nuk më shkon mendja për lëng portokalli por për coca – cola).
Vijoj
më tej, tek pyetjet gjatë ditës. Ja të shohim profesionin. Unë kam thënë se më
pëlqen puna që bëj dhe më pëlqen, që me rrogën e saj, jetoj mirë. Ndryshe
mendon ikona: “Profesioni që kam zgjedhur më mban 24 orë në kontakt me punën që
bëj edhe pasi jam larguar me kilometra prej zyrës apo studios së transmetimit.
Ky është ndryshimi mes punës dhe profesionit, për të parën mjaftojnë 2 orë në
ditë, për të dytën 24 orë janë pak. Pa pëlqimin në mes do isha një punëtore e
medias, me dashurinë përmbi dhe nëpër të rrekem të bëj profesionisten”. (ndoshta këtu ajo ka të drejtë, po të isha
gazetare dhe unë do isha profesioniste e tillë). Ja të shoh pyetjen tjetër,
nëse i devijoj shpesh detyrimet e ditës. Kjo ishte pika e fortë e intervistës
sime, ku unë kisha thënë, që nuk i le për nesër punët që mund të shtyj për
pasnesër (për këtë pikë mora shumë
lëvdata). Por tjetër përgjigje jep ikona: “përpiqem të përmbush baziket,
thelbësoret, për të tjerat devijimi është shpëtim për të evituar ankthin e të qënurit
supergrua”.
E
hedh tutje gazetën. Pse nuk më thanë që unë paskam lënë nam javën e shkuar?!
Unë qenkam një tralala, që s’di të shkruajë dy llafe për të qenë. Ku mësohet ky
stili i përkorë?! Do u kthehem klasikëve. Ata bëjnë punë. Të lexoj njëherë
Pushkinin? Tatiana i drejtohet Onieginit – Po marr guximin të të shkruaj çdo
deshit të mendjes e të shpirtit tim… A pika ty e Onieginit tënd! Kurrë mos u
bëfsha ikonë! Nuk flas dot kështu unë!