Kur isha e vogël mendoja se paraja të bën të lumtur. Tani që jam rritur, kam zbuluar se… paskam
qenë fëmijë tmerrësisht i zgjuar.
Epo më quani ç’të doni. Thomëni materialiste, të cekët, të
pavetëdijshme për gjërat thelbësore të jetës, thoni sa të doni që paraja nuk është
kaq e rëndësishme dhe se nuk e blen lumturinë. As kam ndërmend t’ju kundërshtoj
fare e t’u futem polemikave. E si paraja nuk e bleka lumturinë, kur me të blen
të gjitha gjërat që të bëjnë të lumtur!? Që nga ato xhinglat e vockla dhe veshjet
e deri tek makinat e shtëpitë, shtëpitë e dyta, pushimet verore në mes të dimrit
dhe ç‘të të dojë zemra… “Epo edhe Filankës që i ka të gjitha, nuk i qesh buza
sepse i shoqi ia dredh”, - më thotë shoku im, teksa i tregoj për vilën e paparë
të një zonje, ku sapo kam qenë për vizitë dhe kam dalë si e shushatur nga gjithë
luksi që kam parë aty. “Ke të drejtë”, - i them, “ama dhe mërzitja duhet të jetë
kaq e bukur brenda asaj vile, teksa ulesh e qan në buzë të pishinës dhe syri të
sheh një kopsht aq të bukur…”. Do kisha qarë me më shumë qejf në buzë të asaj
pishine sesa të vinte rasti e të qaja në divanin e shtëpisë sime, ku macja pa
pasur mirësinë të krruajë thonjtë disa herë në ditë duke e shndërruar në “model
peshqiri”. Por ja që ky divan, që unë s’e shoh më dot me sy, është objekti i ëndërruar
i një shoqes sime, që ende ka një shtëpi me qira dhe divanin ku qan ndonjëherë
e ka gjetur aty dhe duhet ta lërë aty, për të tjerë qiraxhij të mëvonshëm. Fiks
siç ëndërron të jetë një tjetër shoqe, që ende nuk i ka mundësitë të ikë nga
shtëpia e prindërve. “Ju të paktën qani
nëpër divanë, kurse unë mbyllem në banjo, që të mos më shohim prindërit, që ma
nxijnë duke i rënë derës e duke thënë ‘hë, ke dhe shumë?’”, thotë ajo.
Ja pra, se si po pate lekë, ti mund të jesh e lumtur. Ose të
qash në një ambient të lumtur. Se kur thahen lotët ti je prapë aty, në mes të të
mirave dhe me ose pa atë burrin që ta ka thyer zemrën, nuk do rrish të vrasësh
mendjen për atë mbijetesën e përditshme, kur gëzon që po mbaron muaji dhe afron
data e rrogës dhe kështu rrogë pas rroge nuk e kupton se si po të ikën jeta…
Apo ajo kënaqësia e madhe e të shpenzuarit, e të blerit
gjithçka që do. Hë a nuk të bën kjo të lumtur?!
Përshembull të rezervosh online biletën e avionit e hotelit dhe të
shkosh në dhjetor në një kryeqytet evropian, të blesh gjithfarë gjërash, që nga
çokollatat dhe qirinjtë aromatikë e parfumet e deri tek pulovrat e kashmirit
dhe ato këpucët me shuall të kuq që i duam të gjitha… Hë, thotë dot njeri që këto
nuk të bëjnë të lumtur? Por dhe një pasdite të diele e kaluar nëpër Conad, nga
një raft në tjetrin, duke e mbushur karrocën me çdo gjë që të kap syri e dora,
pa i hedhur sytë fare tek etiketa e çmimit në fund të fundit është një e dielë
shumë e lumtur. Pale pastaj ca pazare të tjera, ku varëset dhe unazat futen në
ca kutiçka ngjyrë bojëqielli… Unë nuk do haja vetëm mëngjesin aty si Audrey,
por të trija vaktet sepse “nothing bad ever happens in Tiffany's”. Asgjë e keqe
s’mund të të gjejë aty brenda, vërtetë.
E zgjuar unë ëëë???!!! Po pse kot shoh filma gjithë ditën?
Ja për të vërtetuar këto teoritë e mia. Ose lexoj libra të Sophie Kinsella-s
dhe vras mendjen se pse dreqin s’jam ulur me kohë të shkruaj bëmat e mia me
kartën e kreditit, por doli kjo britanikja dhe u bë e famshme dhe e pasur përpara
meje. Le që personazhi i saj nuk ka as
fatin e keq ta ketë shoqen drejtoreshë banke, kështu mund të zhytet në borxhe
sa të dojë e t’i hedhë në kosh gjithë letrat, që i vijnë nga banka ndryshe nga
unë, që nuk e bëj dot sepse Daninela (epo
le ta marrin vesh të gjithë emrin e inkuizitores sime) nuk më lë të rri e
qetë në padijen time. Kur e sheh që unë nuk reagoj ndaj email-eve zyrtarë të
Bankës, më merr në cellular dhe më jep urdhra që të shkoj urgjent e të bëj
derdhje për kreditë, se do më marrin shtëpinë ose makinën. Ose nëse në llogari
hyjnë lekë, ajo direkt i kalon për kreditë dhe unë s’arrij t’i tërheq e të blej.
Ose më keq akoma, kur e sheh se mua më kap ndonjë nga ato periudhat që nis e
blej në internet, ma mbyll kartën pa më lajmëruar fare. Por ma mbyll edhe
thjesht kur unë blej nëpër dyqane. I lutem të ma hapë sa herë udhëtoj, se më
duhet për rezervimin e hotelit. E kotë të
them që ditën e dytë, karta mbyllet prapë dhe unë turpërohem në mes të Barcelonës
përshembull dhe riskoj të më tregojnë me gisht…
Pale kur ajo bëhet bashkë me një shoqe tjetër, Inën, që
gjithashtu nuk është tipi im për punë blerjesh. Kjo më keq akoma: vdes për
kursime. Më saktë për bono thesari. Me llogaritë e mia, i bie që pas nja dhjetë
vjetësh, kur t’i kalojë të pesëdhjetat ajo ta blejë shtëpinë (ndërkohë që
kredia ime do jetë shlyer dhe unë do kem njëzetë vjet që jetoj aty). Por kjo nuk e bën shoqen time
pesimiste, përkundrazi. Më mban fjalime për vlerën e parave, objekteve apo
sendeve dhe nuk i mbushet mendja për vlerën e këpucëve dhe fustaneve. Pale kur
më këshillon që të bëj dhe master për ekonomi, që t’i kuptoj më në fund këto
vlera… Nuk më mbetet t’i këshilloj të bëjë një master ku të mësojë për vlerën e
qejfit.
Ja pra që nuk qenkam dhe kaq materialiste, siç mund të keni
menduar në fillim. Sepse unë këto të shkreta lekë nuk i dua që t’i ruaj, por për
qejf i dashkam! Domethënë për të qenë e lumtur.
Dhe po të mos ishin kaq të rëndësishme këto dreqka parash, nuk do flitej
gjithë kohës për to, më saktë për krizën që ka ca vjet dhe nuk na ndahet nga çdo
lajm. Që nga politika, tek aktualiteti, e deri tek kultura dhe sporti gjithçka
lidhet me krizën ekonomike. Kriza andej,
kriza këndej, shtrëngim i kredive, mospagesa të kredive, rritje ekonomike,
rënie të rritjes ekonomike, rënie të interesit të bonove të thesarit… Këtu
mendoj sa gjynah ajo shoqja ime që ka investuar aty, kur me vjen telefonata e
Danielës: “Këtë vit këstet e kredive i ke më të vogla, sepse kanë rënë bonot e
thesarit…”
Hë??? Do më thoni gjë mua? Paskam qenë tmerrësisht e zgjuar,
që fëmijë. Edhe në financë madje.
Hahahaahahahahah jam shume dakort me ty ne cdo germe! Dhe po, ke qene nje femije shume i zgjuar! :D
ReplyDeletehahahahahahahaha gjeni i finances pra :P
ReplyDeleteFantastike IVA, edhe une desha ca leke per ca gjera te vogla ja si keto...e dashur ke pene fantastike, sa per faktin qe femije ke qene jo vetem e zgjuar por me ide shume te qarta haha :-)
ReplyDeletefaleminderit Laura!
Deleteme kenaqe Ivush...gjeja me e bukur e dites se sotme....:-) puuuuuuciiii
ReplyDeleterrofsh shoqe! te perqafoj fort
DeletePrandaj te doli emri ty te klasa e Masterit tone? Do behemi shoqe klase dmth? :) Anis
ReplyDeletepoooooo, me ruaj nje vend te banka e pare ;)
Deleteje e madhe...
ReplyDeletejam ca e madhe, i kalova 37-atat, hahahah. faleminderit nga zemra
DeleteShume objektive. Komplimente
ReplyDeletefaleminderit Eneda!
DeletePo ta lexonte Ema Andrea do ti binte ne sy fjala "riskoj"...se ajo i ka fiksim kto fjalet e huaja, sic dhe une! ;) lol Perpos kesaj mbaroj per kte blogun tend, kenaqesi qe te lexoj! :)))
ReplyDeletehahahahhaha, faleminderit Ela, here tjeter nuk do "riskoj" me llafe te jashtme, do shkruaj "rrezikoj"
DeleteUne te kam thene qe ti shkruan shume bukur apo jo??? Epo dua te ta them prap: Me pelqejne shume te gjitha shkrimet e tua. Je nder te paktat qe lexoj me qejf dhe kjo nuk ka lidhje vetem me faktin qe shkrimet e tua duket sikur kane lexuar mendimet e mia :D Shkruan shume bukur. Vertet. Urime :)
ReplyDeletefaleminderit nga zemra Bona!
DeleteE dashur, ne kohe je t'ja kalosh asaj britanikes, se ke nje stil shume te pelqyeshem. Me kete vet sarkazem na perfaqeson te gjithave.... :)
ReplyDeleteAmen! se vetem me leke ma kalon ajo 'qelbsina'. Faleminderit shume e dashur!
Delete