Wednesday, March 19, 2014

Pranvera që nuk vjen vetëm…

Për fat të keq erdhi.
Jo se kam ndonjë problem me ata që zgjedhin të dalin rrugëve në 14 mars dhe bëjnë lëmsh gjithë trafikun, apo me ata që bëjnë piknike te liqeni dhe pasi hanë e pinë nuk i mbledhin plehërat, sepse ne këtë pikë i marr masat mirë: nuk dal fare nga shtëpia atë ditë dhe nuk shkoj tek liqeni pa u mbushur muaji, kur plehërat o do jenë mbledhur, o do kenë filluar të mos bien dhe aq shumë në sy.
Por e kam me pranverën në përgjithësi. Nuk guxoj ta them me zë të lartë, sepse njerëzit më shohin me çudi sikur të jem duke thënë ndonjë blasfemi.
Dhe nuk do guxoja ta bëja nëse nuk do gjeja mbështetjen tek bibla ime: revistat e huaja. “Pranverë e mallkuar”. Ai që më duhej. Pikërisht ai shkrimi që më tregon që nuk është se jam kthyer në atë ciniken e pashërueshme, por që jam një gocë me këmbë në tokë e që nuk marr për kot e bie në romantizma vetëm nga disa lule kumbulle budallaqe apo nga ca jeshilliqe më shumë. Pikërisht ai shkrimi që rreshton pikë pas pike se pse kjo stina që na qenkërkësh frymëzimi i artistëve, nuk është dhe aq e dashur për ne njerëzit e thjeshtë (revista më jep të drejtën të mos futem tek cinikët).
1.Ditët (nuk) janë më të gjata: domethënë janë, por jo për ty që duhet të rrish në zyrë nga mëngjesi e deri afër perëndimit, kur të duhet pastaj të mbyllesh në palestër.
2. Ditë sakrificash. Meqë jemi tek palestra kjo është stina kur nuk flitet për asgjë tjetër, përveç asaj. Tek cila palestër shkon? E shoqëron me dietë apo jo? Po masazh anticelulit bën? Kush është më e mirë, balta apo bendazhi? Po për elektrodat ke dëgjuar? A bihet në peshë vetëm me palestër? Ja këto janë hallet e kësaj periudhe. Dhe nëse shihni dikë që mban timonin e makinës me një dorë dhe dorën tjetër e mban tek krahu, që është mbi timon, mos u çuditni: po provon se sa të fortë e ka bicepsin e tricepësin. Dhe nëse shihni vajza që prekin me gisht kofshet e njëra tjetrës, mos mendoni për keq: po vlerësojnë nëse shoqja ka punuar aq sa duhet me këmbët për të qenë e hatashme në plazh. Nuk do ketë verë të bukur nëse nuk i merret shpirti vetes në pranverë.
3. Lamtumirë çokollatë. Kjo mund të zinte vend fare mirë në pikën dy, por çokollata është kaq e rëndësishme, sa nuk mund të kalojë vetëm me një përmendje në paragrafin e palestrës. Pra le t’i japim vendin e merituar.
4. Ka nga ata që e ndiejnë që në ditët e para të shkurtit pranverën. Nga ata që u gëzohen të parave rreze të diellit. Mëngë të shkurtra, kondicioner i makinës në të ftohtë, pastaj kthim në shtëpi me 38 e gjysmë.
5. Pastaj janë lulet. Aromat. Poleni. Apshuuuuuuuuuuu. Alergjitë. Apshuuuuuu…
6. Ndryshimi i gardërobës. Ky duhet të ishte qejf i madh. Do ishte qejfi më i madh në botë nëse ti të gjitha ditët e pranverës do kishe një kartë krediti pa limit dhe do bëje namin dyqaneve. Por karta jote ka një limit që zbulohet shpejt, sidomos nëse në këtë periudhë kur nuk ke mbushur ende gropat e udhëtimeve të fundvitit dhe xhinglave të Krishtlindjeve. Pale që dhe moda tregohet tepër mizore: ndryshon çdo vit dhe se nga nxjerr ca ngjyra dhe forma të reja, që trazojnë shpirtin edhe të atyre që janë betuar që këtë vit nuk do blejnë asgjë të re, por thjesht do rregullojnë dollapët dhe do fusin nëpër kuti veshjet e dimrit dhe do nxjerrin jashtë veshjet e lehta.
7. Pastrimet e pranverës i quante Wendy dhe Piter Pani. Që në kohërat e sotme janë reduktuar thjesht në rregullimin dy herë në vit të dollapëve. Rregull që në shtëpinë time nuk zbatohet dhe aq me përpikmëri. Domethënë nuk zbatohet fare, sepse rrobat e dimrit dhe të verës mund të kombinohen mjaft mirë bashkë për të nxjerrë stilin “në çdo stinë”.
8. E detyrueshme: të jesh e dashuruar. Zogjtë dhe pemët japin shembullin të parët. Ndaj dhe njerëzit s’kanë pse bëjnë ndryshe. Ata që janë në çift, më shumë shëtitje dorë për dore dhe më shumë foto në instagram apo facebook. Të tjerët në kërkim të një njeriu të veçantë (ose aty rrotull) për të ecur për dore ose për të bërë foto për në instagram dhe në facebook. Nëse nuk e bën, je armik i pranverës. Më shumë se ata që e urrejnë thjesht për shkak të alergjive.

Apshuuuuuu!

Google+ Followers