Kjo mund të ishte një nga ato të dielat kur mund të
flihet deri vonë, sidomos për shkak të shiut. Dhe kështu mund të kishte qenë nëse
një natë më parë do isha kujtuar t’i hiqja zilen celularit. Kjo do bënte që
telefonatën e shoqes ta humbja, ama të fitoja dhe ca orë gjumë… Gjithsesi, nuk
ka pse tregohem kaq egoiste: nëse tjetra merr në pikë të mëngjesit, sigurisht që
ka një nga ato hallet që vetëm unë mund t’ja zgjidh (unë ose nja dy shoqe të tjera, që i ka ca më të afërta, por që ndërkaq
mund të jenë treguar aq të mençura sa t’i lënë telefonat pa zile ose t’i fikin
fare).
Ja ku jam pra duke dëgjuar hallin e saj. Aspak i ri
për mua: ka kontrolluar sërish telefonin e të dashurit dhe aty ka gjetur sërish
gjurmë të asaj. Ishit të tij. “Po mirë ti dyshon se kanë prapë ndonjë gjë bashkë?”,
e pyes, pasi dëgjoj atë lumin e përhershëm të të sharave për atë tjetrën, që të
thëna me fjalë të ndryshme kanë të gjitha të njëjtin kuptim “Ç’i pëlqen ai
asaj, nuk e kuptoj?!”
Po pra, ç’i pëlqen ai asaj?
Ç’i pat pëlqyer kur ishin afruar bashkë shumë vjet më
pare, ndërsa ai ishte i përfshirë në një lidhje të rëndësishme?
Ç’i pëlqeu kur e la atë lidhjen e rëndësishme dhe
nisi të rrinte me këtë?
Ç’i pëlqeu, kur pasi u ndanë herën e parë, u lidhën
prapë?
Ç’i pëlqeu dhe kur u ndanë herën e pestë dhe ndenjën
mbi dy muaj pa folur fare dhe ai kishte dhe të tjera lidhje dhe prapë vazhdonte
me të?
Dhe ç’i pëlqeu sidomos kur edhe pasi nisi shkonte edhe
me këtë shoqen time, pa e marrë vesh kjo “tjetra”, kurrsesi nuk ndahej me të.
Dhe po të mos kishte qenë për shoqen time që i mori frenat e situatës në dorë
dhe bëri ç’bëri i dërgoi haber asaj “tjetrës” që kjo dhe ai tashmë ishin bashkë,
rrezik edhe sot e kësaj dite do vazhdonin të ishin të tre. Sepse edhe pse sado të
vrasim mendjen se ç’dreqin i pëlqente ai asaj, një gjë ai duhej t’ia pëlqente që
nuk e linte. Apo që vazhdoka të flasë nëpër telefona, edhe këtë të dielë me
shi.
E pyes shoqen se çfarë gjurme ka gjetur në telefon.
Zakonisht burrat fshijnë telefonatat e bëra por lënë gjurmë në log-un e
telefonit (për të zezën e tyre kjo, se
kur zbulohet që një telefonatë është fshirë, atëherë faji vërtetohet). Mirëpo
kjo mesa dimë ne, ndodh vetëm në celularët Nokia, ndërsa i dashuri saj ka
Blackberry (tani që po vras mendjen,
prandaj janë shtuar ca si shumë këta telefona së fundmi?!). Gjë që ka dhe
avantazhet e veta: mjafton që tjetrit t’i zbulosh paswordin (që në rastin e të
dashurit të saj, që nuk e vret shumë mendjen për këto gjëra, na paskësh qenë
thjesht viti i lindjes) dhe ja ku mund të bësh gjithçka: t’i fshish ish-it të
tij kontaktet, ta zhdukësh nga chat-i i blackberry-t (madje dhe ta bllokosh që ai të mos ketë mundësi ta shtojë sërish dhe të
mendojë se ka qenë ajo tjetra që e ka zhdukur), ta bllokosh në facebook,
gmail, hotmail (ky i fundit thuhet që do
mbyllet vetë, ndaj dhe mund ta kursesh). Normalisht që kjo shoqja ime i ka
marrë këto masa me kohë e me vakt, madje bëri dhe një aksion të dytë, nja ca
muaj të shkuar, kur kontakti i asaj “tjetrës” se nga ndreqin kishte mbirë sërish
në chat-in e telefonit blackberry. Po ja që këtë të dielë na paska mbirë prapë,
pikërisht aty ku ishte bllokuar. “Po kjo domethënë që janë takuar, që ai paska
arritur ta zhbllokojë?”, i them me gjysmë zëri, e penduar në sekondë për fjalinë
që sa nxora nga goja…
Apo mos ndoshta bëra mirë?
Sepse ndoshta ka ardhur momenti që shoqja ime ta
kuptojë njëherë e mirë që kështu nuk ia del dot, fshi sot, ruaj nesër e fshi
prapë pasnesër. Duhet të jetë e vështirë ta dish që ai është aty me ty, pa atë
tjetrën, jo se vendosi vetë kështu, por sepse e vendose ti..
Ndoshta ajo do kishte bërë më mirë që ta kishte
pyetur që në fillim “Ç’i pëlqen ti asaj?” Sepse nëse ai vazhdon ta kërkojë, ka
një dreq gjëje që ia pëlqen. Dhe po qe kështu, më mirë ta dish sesa ta kalosh
të dielën mëngjes duke gjurmuar fantazmat e tij. Dhe duke u prishur gjumin
shoqeve.
"...rrezik edhe sot e kësaj dite do vazhdonin të ishin të tre." Ah,sa njoh te tille,e kane lidhje ne simbioze biles ashtu ne heshtje e pranojne edhe pa ruajtje-fshirje-kontrolle.
ReplyDelete