"Bam, bam, bam”, zhurma vjen ritmike, e qartë, fiks si një
javë më parë. Ora shënon fiks 7:32 minuta. Një javë me parë ishte qenë 7:28,
kurse në një nga të shtunat e muajit të fundit 7:50, ç’ka më bëri tmerrësisht
merak: mos vallë teta e katit të katërt tek pallati përballë ishte pa qejf,
ndaj edhe ishte ngritur vonë për të bërë punën e saj të preferuar, shkundjen e
tapeteve dhe rrugicave me një rrahëse kauçuku tek hyrja?! Jo për gjë, por ajo
është gjithmonë korrekte: 7:30 në dimër dhe 7:00 në verë, plus ose minus dy tre
minuta. Çdo dreq të shtune, shi, erë, borë, diell, Shën Valentin, 1 Maj a 1
qershor, festë a mort në lagje, kurdo që të qëllojë e shtuna ajo është aty,
stoike, bashkë me rrahësen e kauçukut, tapetin bezhë me bordura kafe dhe dy
rrugica të së njëjtës ngjyrë… “Bam, bam, bam”, janë ritmi që nuk i mungojnë
asnjë të shtune, me gjithë protestat e mia herë të heshtura (shoqëruar me sharje e mallkime në facebook)
e herë të zhurmshme (shoqëruar nga
sharjet e tetës dhe thirrjet, se në shtëpinë e vet ajo mund të bëjë ç’të dojë).
Teksa përpiqem të fle sërish, pasi shkundja çerekorëshe
mbaron me sukses, më kujtohet se si përpara se të blija apartamentin në një nga
rrugicat në qendër të Tiranës, një mik i familjes që po ndërtonte një shtëpi
diku në një nga kodrat në lindje të qytetit, më këshilloi të bëja të njëjtën
gjë. Atëherë i kisha gjithë argumentat e duhur për ta kundërshtuar: jam një
vajzë që jetoj vetëm, ndaj edhe duhet të jetoj në qendër të qytetit (po ky miku i familjes kaq i humbur ishte,
sa të ngatërronte serialin “Sex and the city” me “Desperate Houseëives” , nuk e
di ky që unë jetoj në të parin dhe pas nja dhjetë vjetësh do nis të jetoj në të
dytin?!)… Nis të përgjumem dhe ndoshta dhe dremis ca minuta, derisa ulërima
e bebes së fqinjëve ma nxjerr gjumin vetëm dhjetë minuta përpara se në
apartamentin sipër, të fillojë zhurma e një trapani… E kotë të shaj beben,
trapani do më zgjonte gjithsesi… Dhe është nga ato zhurmat që s’të lënë të
rrish as shtrirë kot, duhet të çohesh urgjentisht nëse nuk do të të zërë koka.
Divani i kuzhinës duket alternativa më e mirë, bashkë me një
film të vjetër bardh e zi, që ata të programacionit duhet ta kenë menduar që
është melhem për nervat e shkatërruara të atyre që zgjohen dhunshëm të
shtunave… Por konkurenca me buçitjen e muzikës së BBF-së që vjen nga televizori
i komshinjve është e fortë, shoqëruar me klithmat e kalamajve që luajnë poshtë
pallatit dhe thirrjet e mamave që të ngjiten në shtëpi që të hanë apo të mos
zihen me njëri tjetrin, të bëjnë të çohesh e të mendosh daljen si të vetmin
shpëtim.
Dhe ashtu është. E shtuna kalohet mirë nëpër Tiranë, mund të
hash mëngjes e drekë bashkë, të bësh muhabete me shoqet, të endesh dyqaneve të
rrobave me shoqet, pastaj të shkosh dhe në një qendër tregtare, për të tjera
dyqane rrobash dhe sidomos për një hypermarket të madh, ku tre orë mes rafteve
të ushqimeve kalojnë pa u ndjerë fare dhe në fund fare një karrocë e madhe dhe
lloj lloj kutish dhe shishesh mbushin bagazhin e makinës. “Sa shumë blen dhe
ti, një njeri je në shtëpi dhe çdo javë me qese plot”, është i pari koment që
dëgjoj nga një nga plakat e lagjes, sapo filloj të nxjerr dy tre qeset e para
nga bagazhi. Janë komentet e përhershme nga grupi i të moshuarave, që çdo
pasdite ulen te hyrja e pallatit, ku rrinë e sodisin kalimtarët e rrugicës,
numërojnë kush hyn e del dhe sa qese ka, ça ka veshur, për ta krahasuar me sa
qese kishte javën e shkuar dhe sa herë hyri doli, e mbi të gjitha me kë hyri e
doli… Para tre vjetëve madje, njëra prej tyre, guxoi e i tha një djali me të
cilin kisha disa javë që dilja, se pse ai nuk ngjitej lart, por më priste e më
përcillte te hyrja (ça donte të thoshte
ajo, që ndonjë tjetër ngjitej ndërkaq lart?!)… Kurse një tjetër, i kishte
thënë të shoqes së nipit, që kishte një shoqe që punonte te studioja ku sapo
kisha filluar punë, se unë bashkëjetoja aty me të dashurin tim, i cili kishte
blerë madje shtëpinë… Mezi ia dola atëherë t’u mbushja mendjen kolegëve se nuk
i kisha gënjyer për gjendjen time civile, se vërtetë kisha një lidhje, por
shtëpia ime e imja dhe vetëm e imja. E di që është e kotë të kapem me plakat e
pallatit, një buzëqeshje dhe jam në shtëpi.
Fiks në kohë për të dëgjuar zënkën e radhës në shtëpinë e
fqinjëve: ai do dalë me shokët, kurse ajo ulëret se nuk është skllavja e tij që
do mbyllet në shtëpi për të rritur fëmijët. Nga të shtunat e tjera kam mësuar
se diku nga ora dy e natës ajo do zgjohet, do e marrë në telefon dhe do t’i
ulërijë pse nuk e ngre telefonin dhe pse nuk ka ardhur akoma në shtëpi. Mua do
më zërë prapë gjumi dhe në 4 do zgjohem sërish, sepse ai do kthehet në shtëpi
dhe do bërrtasë më shumë se ajo, se ai është burrë dhe ka të drejtë të hyjë e
të dalë kur t’i dojë qejfi… Unë mund të fle rehat pas këtij sherri. Mund të fle
sa të dua të dielën paradite, e kam këtë luks: nuk ka shkundje tapetesh, nuk ka
as trapan as BBF e as kalamaj. Do jenë lodhur të gjithë e do pushojnë që të
jenë gati për të shtunën tjetër. Për çdo dreq të shtune. Derisa mua të më jetë
mbushur mendja se ka ardhur koha të ndërroj serial. “Sex and the city”!? Në
djall vaftë qyteti. Dua të shkoj në periferi. Qoftë edhe vetëm!
Pershendetje Iva! Me nxorre mallin e pallatit nga ketu ku jam. Kisha harruar ato trapanet e te shtunave apo tapetet e mbi te gjitha sherret e katit te dyte apo plakat tek hyrja.... je fantastike! Shume mall dhe trishtim te njekohshem me ndermendin keto rreshta. Ketu vuaj nga qetesia e pamate qe eshte neper shtepi saqe gati gati duket sikur heton vetem ti ne ndertese...
ReplyDeletee di cfare? shpesh here, kur me kap nostalgjia, rri e pyes veten pse ika, jo nga Tirana ne periferi, por nga Shqiperia fare fare... dhe pastaj kujtoj te gjitha keto gjerat qe permenden te ky shkrimi yt, plot me mijra te tjera, dhe nostalgjia zhduket...
ReplyDelete''Në djall vaftë qyteti. Dua të shkoj në periferi. Qoftë edhe vetëm! ''
ReplyDeletehahahhahaah ke shume te drejte, me mire ne periferi me qetsi dhe rehat se ne qytet! :))
periferia ne fakt eshte e mire, po jo kjo qe kemi. se ja nja 600 metra me tutje e ka shtepine Liu marangozi qe i teket te punoj ne mes te nates e qe duket sikur te sharron trute, pastaj eshte nje buf qe kendon ne maje te ullirit qe plaste. Pa llogaritur ketu komshiun qe te numeron sa here del e hyn ne garazh. e per me teper vilat e reja jane aq afer sa faren e kosit mund ta kerkosh direkt e nga ballkoni :)
ReplyDeletehahahahhahaha ke te drejte, me tha nje shoqja ime qe banon ne nje te tille: "kur me mbaron letra higjenike me kollaj e kam t'ia kerkoj nga dritarja komshiut sesa t'i therras burrit"
DeleteAh, ta dish ti Iva sa na clodh ne qe na ikin ditet ne zyre, nga nje mbledhje ne tjetren deri ne 7 te darkes, e nganjehere s na del koha as per nje kafe.... Bej si te besh e mos ja var ketij blogu. Po te duash te sugjerojme ne tema, se te njejtat "halle" kemi.... ;-) dhe ti na qendis nje nga keto perlat e tua. Per shembull, si i behet qe megjithese leme leshte dyqaneve cdo muaj (s jam vetem une, e di si fakt te vertetuar kete ;-), s kemi asgje te hajrit per te veshur ne mengjes??? Tung, dhe faleminderit
ReplyDeletemos na i vjedhin rrobat nga shpia miiiiiiiiiiiiii. se dhe une vras mendjen pse nuk kam ca te vesh. Ide e mire per shkrim, faleminderit
DeleteHahahaha, ku ma gjen ti vidhnin, se ajo eshte force madhore, s 'rrihet pa rroba, dhe ke justifikimin e duhur, qe te dalesh per qef e ti vesh ne pune gjithe kartat, debit, kredit, c'te kesh, deri sa te fillojne te hollohen.... ;-)
ReplyDeleteIva hajde jeto ne Kosove...kam ndrruar nja 10 vendbanime dhe keto probleme nuk i kam pas me komshi... edhe me knaqe me keto shkrime.
ReplyDeleteIva hajde jeto ne Prishtine...kam ndrru nja 10 adresa banimi dhe kto probleme me kojshi nuk i kam pas haahhaha, edhe me knaqe me keto shkrime...shpresoj te takohemi ne Prishtine ose Tirane.
ReplyDeletehahahahaha te duhet nje lagje Shqiperie e dashur, eshte plot me te tilla zhurma cdo dite
Delete