Rrugës për në Gjirokastër një shoqja ime më tregon një histori,
që më duket paksa e habitshme: një djalë i mirë na kishte patur një marrëdhënie
shumëvjeçare me një vajzë, po aq të mirë. Pas shtatë vitesh të gjata lidhjeje,
djali vendos të shpikë një sherr dhe të ndahet me vajzën. Pret që vajza të vajtojë, të mbyllet nështëpi,
të lëngojë shpirtin dhe stomakun dhe të humbasë 10 kile. Pasi të kishin ndodhur
këto për ca kohë të mira, djali, i lumtur nga ‘perfomanca’ e vajzës dhe nga vuajtja
e saj mazokiste, na kishte bërë plan të fejohej me të.
Por ja që vajza na doli kapedane: qau mirë e mirë nja dy javë
dhe mblodhi veten. Pas dy muajsh, në vend që djali të gjente vajzën si qyqare,
mbyllur si Oso Kuka në kullë, sheh se
ajo është lidhur me një djalë tjetër dhe janë duke u çiftosur lumturisht.
Angështia e djalit ishte e jashtëzakonshme: vajza kishte dështuar
dhe nuk e kishte kaluar provën. Sot e kësaj dite ai e vuan kur e sheh rrugës (ajo është tani e martuar dhe me dy fëmijë),
por ç’ti bësh, ai duhet ta vinte të bënte provën medoemos!!
Nuk mund të mos intrigohem nga truri mashkullor dhe mënyra e
tij e tëmenduarit: ai – mashkulli- është zoti ne – gratë – jemi Herakliu: heroi
i antikitetit duhej të bënte 12 bëma, të
kalonte dymbëdhjetë provat që të ngjitej
në Olimp, ne duhet të kalojmë nga kushedisesa në x dhe në x+1 prova për të arritur
ku?
Por e rëndësishme është që t’i dimë dhe t’i ndajmë në
kategori këto prova (epo rruga deri në
Gjirokastër nuk ka si shtyhet ndryshe).
Grupi i parë i provave - provat e tërheqjes fizike: duhet të
jesh patjetër tërheqëse për të, të ngjisë “muhabeti” në shtrat, të mos shtosh në
asnjë mënyrë as edhe një kile nga pesha e fillimit, ose të heqësh 15 kile nga pesha
e fillimit. T’i shpallësh luftë celulitit, njollave dhe pikave të zeza të lëkurës,
të gdhendësh muskujt, të jesh gjithmonë me flokë të krehur (dalja e thinjave
ndalohet me ligj), manikyr dhe pedikyr të përkorë dhe plot e plot punime ndërtuese
dhe restauruese që zbulohen pak nga pak gjatë rrugës për të qenë “zonjushë perfeksioni”
Grupi dytë i provave – provat e zhdërvjelltësisë mendore: si
femër duhet të jesh në gjendje të flasësh për teorinë Dekartiane të ekzistencës,
të sfidosh argumentin që jep Lubonja te Fevziu, të parashikosh përqindjen e ankandit
të bonove të thesarit dhe të dëgjosh e të kuptosh lajmet te CNN-i.
Grupi i trëtë i provave – provat zakonore: të dish të gatuash
imam-bajalldinë me më pak se 300 kalori, të mos përplasësh dyert e shtëpisësë të
dashurit, të qëndisësh kryq dhe të bësh grep modelin kalli -gruri, t’i bësh pa dashje
dhuratë mamasë së tij dhe të mos ta zësh kurrë në gojë martesën.
Gjithë këto prova duhen kaluar si zonjë, në fakt asnjëherë nuk
duhet tejkaluar prova. Ti duhet të jesh në jetën e tij, por jo gjithë kohës dhe
prezente aq sa duhet: me pak fjalë e padukshme, por të kesh sensin e gjashtë dhe
të bëhesh e dukshme kur do ai. Në fund fare, kur mendon se i ke kaluar të gjitha
dhe se meriton shpërblimin, martesën e shumëpritur, kupton se… ke filluar raundin
e dytë të provave. Ato provat “e ligjshme”, që t’i rendit prifti ose nënpunësi i
ligjit, që ndonëse janë të veshura me ca nota romantike janë thjesht prova: në
të mirë e në të keq, në sëmundje dhe shëndet, në varfëri dhe pasuri derisa
vdekja të na ndajë…
Dhe këtu pra, tek vdekja edhe provat marrkan fund.