Monday, June 23, 2014

Rrethi i kujtesës

“Gruaja ime të njihte, më tha që shkoni tek e njëjta palestër bashkë”, më thotë shoku i një mikut tim, që e kam takuar për një çështje pune, dhe shton: “se  në fakt unë jam i martuar”.
“E di që je i martuar’, - them dhe ndërsa miku im kthehet të më pyesë nga-e-di-se-s’ka-rënë kurrë-muhabeti-për-të, unë nxitoj të sqaroj: “të pashë unazën e martesës kur u takuam tani”. Ata të dy ngrenë supet duke thënë “kur e pe kaq shpejt?!”, ndërkohë që ‘i martuari’, ndryshe ne dy të tjerët që flasim me këmbë e duar në tavolinë, i ka pasur gjithë kohës duart në prehër, nën tryezë. “Epo në moshën time”, i sqaroj, “na mprihet shumë aftësia për të shquar unazat e martesës, edhe nëse i shohim vetëm në të qindën e sekondës. Jemi si metal detector: edhe nëse e mbani dorën në xhep arrijmë ta shohim”.
Një shoqja jonë madje është e aftë të dallojë edhe shenjën e bardhë që mbetet në gisht, nëse mbajtësi i unazës e ka hequr dhe e ka futur në xhep për t’u shtirur si beqar. Edhe në mes të dimrit, kur lëkura nuk është dhe aq e zeshkët, edhe nëse ajo dreq unaze ka vetëm shumë pak kohë që është vënë dhe nuk ka mundur të bëjë në gisht shenjën disavjeçare, ajo është e zonja ta dallojë me të njëjtën shkathtësi sa ne të tjerat mund të shquajmë unazën në dorën e atij tek ajo makina me të cilën shkëmbehemi në semafor. Nëse na pyet dikush se ç’markë ishte makina, mund dhe të mos e dimë (ama ngjyra nuk na shpëton kurrë), por jemi në gjendje të themi me përpikmëri nëse ai që e ngiste kishte apo jo unazë, edhe nëse nuk kemi vënë re kishte apo jo  flokë. Në fillim syri shkon pa mendje tek ai gishti  i katërt i dorës së majtë dhe vetëm pastaj mund të fillojë e të gjezdisë nëpër vende të tjera… Edhe kur nuk ke asnjë qëllim që ta gjuash atë personin përballë, edhe kur e di që nuk do ta shohësh më me sy dhe nuk do të të dalë më kurrë përballë, sërish sytë shkojnë atje tek ai rrethi i ndritshëm i verdhë ose i bardhë. Thjesht  për  të parë sa të stërvitura i ke sytë. Ose thjesht për të bërë statistikat: sa përqind e popullsisë janë të martuar dhe sa janë ende të lirë, në anën tënde të barrikadës.
Për të qenë të sinqertë nuk është se ai rrethi i bardhë ose i verdhë tregon saktësisht se në ç‘anë të barrikadës qëndron. Se ja ku më kujtohet ca vite të shkuara në një udhëtim pune një tufë burrash talleshin me njërin prej tyre, që sapo kishte vënë në dorë rrethin e artë dhe rrinte rrinte dhe e shihte i buzëqeshur ndërsa të tjerët I qeshnin në fytyrë duke i thënë “qe baba duart, do të të dalë qejfi shumë shpejt”, duke i treguar duart e tyre, ku nuk kishte as edhe një rreth për be, edhe pse të gjithë të martuar (dy vjet më vonë ama, një prej tyre kur duhej të dilte në një garë elektorale nuk la poster dhe konferencë shtypi pa ekspozuar dhe unazën e martesës, që kishte mbirë me magji në gisht). Por, më kujtohet edhe se si një shoqja jonë, tregonte e lumtur që gjatë një udhëtimi ishte njohur një italian dhe në tre ditë kishin kuptuar që mund të ishin shpirtra binjakë, ndërsa një tjetër shoqe tentonte t’ia zbehte entuziazmin duke i thënë se ai mund të ishte ndërkaq i martuar. Argumentin e unazës së munguar ajo e kishte qujatur pesë me hiç, pasi sipas saj, shumica e italianëve i hiqnin unazat që në avion (historia ka ndodhur shumë vite më parë, atëherë kur asnjëra nga rrethi jonë nuk e kishte mprehur aftësinë për të shquar shenjën e bardhë të lëkurës nën unazën e hequr dhe facebook-u nuk ishte  shpikur ende për të na i bërë të gjithëve hetimet shumë më të thjeshta).
Pikërisht kjo historia e vjetër me italianë më kujtohet disa netë më parë në një party, ku disa të tillë bënin pjesë. Zhurmaxhinj dhe plot komplimenta të derdhura pa hesap majtas e djathtas, mes tyre spikat sidomos ai më i shkurtri, që hiret e munguara fizike i kompenson me komplimente, të qeshura, komplimente të tjera dhe të qeshura me zë edhe më të lartë… derisa mes gjithë morisë femërore gjen një të vockël të lezeçme për t’ju lëshuar me furinë e ‘joshjes’ së vet. Por ja që ajo tjetra nuk ia var dhe në tentativën e njëqindë të tijën ia pret vrullin: “po atë unazën në gisht ç‘e ke?”.
Epo mirë, ai është në kohë për t’ju vardisur ndonjë tjetre. Ndaj merr masat, që kasaj radhe të mos dështojë. I kthen të parës kurrizin dhe nis të zhvidhosë atë dreq unaze. Rrotullo e rrotullo dhe ajo nis të lëvizë nga pak nga vendi, kalon nyjen e parë të gishtit dhe fiks në kohën kur mendohej që ishte duke dalë, ngec aty ku nuk pritej: në nyjen e dytë. Nuk shkon as poshtë as lart. Nuk lëviz as edhe një milimetër. Dhe ç‘është më e keqja, nuk rri rehat as aty ku ka ngecur, por befas gishti rreth e rrotull saj  nis të enjtet e të mavijoset e të dhembë si dreqi…. “Thërrisni ambulancën”, - bërrtet në panic, ndërsa ne vendalinjtë tentojmë t’i shpjegojmë që ambulanca në atë orë nuk do vinte dhe sikur të ishte duke dhënë shpirt, e jo po ta thërrisnim në telefon se “një italiani i është enjtur gishti”. Ne qeshim dhe s’ja varim, dreqi e mori nuk bën burri kështu nga gishti!… Derisa më zemërmira nga ne e merr me vete në makinë dhe e çon në urgjencën e spitalit, me frikë mos mjekët do ta marrin përpara me të tallura… Por ja që atje askush nuk tallet dhe i thonë që gjendja është serioze dhe se këto gjëra na u trajtokan vetëm në Spitalin Ushtarak. Shkojnë atje dhe vetëm pas tre orësh negociata me italianin që s’pranonte t’i bënin qetësues se kishte frikë mos e vinin në gjumë dhe ia prisnin fare gishti,n që s’e ndjente ndërkohë hiç, unazën arrijnë ta këpusin pa ia dëmtuar gishtin…
Vetëm disa ditë më pas shoqja na tregon se sa tragji-komike kishte qenë situata, kur në 6 e gjysmë të mëngjesit kishin dalë nga spitali. “Kushedi në krahët e kujt po fle ajo goca tani, ndërsa ti kalove gjithë këtë hall për një dreq unaze”, i kishte thënë ndërsa e kishte marrë me makinë. Ndërsa ne të tjerat rrimë e vrasim mendjen: ç‘ti ketë thënë vallë gruas në shtëpi për unazën e këputur?! T’i ketë thënë ‘më rrëshkiti e më humbi’? Po gishti i nxirë? Dhe në fund të fundit, ç‘dreq unaze na paska qenë ajo që për pak bëri hatanë!? Të bëjnë vallë magji këto gratë në ditët e sotme që ai rreth të mos shkulet vërtetë kurrë?!


Google+ Followers