Tuesday, July 15, 2014

Jam në dietë (për shopping)

Që të thuash që unë vdes të vërdallisem njëçik nëpër dyqane e të kthehem në shtëpi me duart plot me qese kartoni, normal që nuk po thua ndonjë gjë të veçantë. Se kur vjen puna për shopping, shoqet unë nuk i kam të rralla. Kush më shumë e kush më pak janë si puna ime, vetëm se ndryshojmë në ca gjëra të vogla. Shoqja ime e ngushtë fare përshembull, mjaftohet vetëm me rroba, me parfume e kremra dhe me xhingla për të zbukuruar dhomën, kurse për pazar ushqimor nuk ia ndjen fare, sepse përveçse ha çdo ditë ushqimet që blejnë prindërit (kështu edhe kursen ca), ka nja dhjetë vjet që thotë se është me dietë, prandaj dhe në supermarket nuk futet fare. Kurse një shoqe tjetër, ajo pak më pak e ngushta, përveçse rri me orë të tëra me mua përpara banakut ku shitet kosi me fruta (sa e kanë rritur çmimin mizerjet, një gotë kos në darkë kushton sa një picë) shpenzon dhe ca orë të tëra tek detergjentët, duke i nuhatur shishe me shishe e duke blerë një për pllakën e sobës, një për furrën dhe një për inoksin anash pllakës së sobës (të ishte për të, do blinte edhe për atë inoksin tjetër anash furrës, por kështu detergjenti nuk ka).
Unë vetë, i kam shumë qejf detergjentët, por në këtë moment kam rënë në dashuri me shportat. Shporta për bukën, shporta për kapëset e rrobave, shportë për revistat dhe një tjetër për katalogët, shportë për kremrat e trupit, shportë për ato të fytyrës, shportë për ca kremra që i përdor për raste (se janë me xixa apo firmato, sipas parfumeve, pra dhe shportën e meritojnë më të shtrenjtë dhe me fjongo), shportë për kutitë e tualetit, një shportë më të madhe për të futur shportat e vogla... Para ca muajve më kishte hipur fiksimi për kutitë nëpër sirtarë e nëpër dollapë, por kur e pashë që hiq e vër rrobat e xhinglat nga kutitë bëhesha lëmsh dhe mezi sajohesha në veshje, i hoqa kutitë dhe ia fala mamit. Ajo kutitë i kishte me qejf, por më ka paralajmëruar që shportat nuk i sheh dot me sy, kështu që po mu mërzitën, t’i gjej sistemim tjetër (ia fut kot ajo, ku më mërziten mua shportat, i kam blerë gjithë ato lekë!).
E meqë ra fjala për lekët, nuk e di se si, por këto të shkreta nuk dalin fare, por fare ama. Më ishte fiksuar që tek zyra jonë dikush kishte dorë (domethënë na zgrapte lekët nga portofoli), sepse ndryshe nuk shpjegohej fakti që mua lekët më zhdukeshin. Ndoqa këshillën e mamit dhe vendosa të mos i mbaj të gjitha lekët me vete. Por këtu nisa të turpërohesha nëpër dyqane, mezi arrij të gjej një palë këpucë apo një fustan që kisha vite që e ëndërroja dhe nuk besoja që mund ta gjeja, kur shih që s’të dalin lekët që ke me vete. Mirë që shumicën e pronareve i kam mikesha (domethënë më kanë dhe u kam numrin e telefonit), që m’i japin sakaq rrobat e më thonë që lekët t’i shpie kur ta kem unë terezinë (tani kur ta kem unë terezinë ato përgjithësisht e kuptojnë kur ta kenë ato terezinë, domethënë pas një jave nisin sms dhe më kujtojnë të çoj lekët që u nevojiten për të bërë furnizimin e ri, uuuuffff!!!). Po janë pastaj dhe blerjet në internet, ka ca faqe fantastike ku ka rroba firmato që shkojnë dhe 90 përqind ulje çmimi. Pastaj janë dhe faturat – drita, uji, celulari, celulari tjetër, interneti, dixhitalbi... Por dhe parukierja, manikyristja, palestra, pishina, depilimi, masazhi (epo njëcik masazh dhe na duhet, se jemi lodhur e s’do ia japim shpirtin shejtanit).
Ncuq ncuq ncuq, s’paskemi hajdut në zyrë. E kanë fajin çmimet që janë rritur. Ah po, edhe kriza globale (sa bukur e thashë këtë të fundit!)
“Futu në dietë”, - më thotë shoqja ime e ngushtë, -“kështu dhe kursen, sidomos me restorantet, edhe bëhesh më e hollë?!”
Më e hollë unë?! Të shohë vetën ajo!

Më mirë të futem në dietë për shopping. Domethënë të mos blej më. Apo të blej nga pak. Mirë e ka. Kështu do bëj. Ama të hënën tjetër. Ta nis përsëmbari, siç bëhet me të gjitha dietat.

Google+ Followers