Epo më në fund e vendosa dhe unë: të shkoj një herë në atë
plazhin ku të gjithë bëjnë check in në facebook. Aty ku këtë verë duhet të mos
mungosh, se ndryshe nuk quhesh. Atë plazhin për të cilin të gjithë flasin sepse
këtë vit është ‘in’. Ose është “mainstream’. As e di fare se çfarë domethënë
kjo fjala, por duhet të jetë një gjë
tmerrësisht-në-modë-dhe-e-rëndësishme, sepse ndryshe nuk do ta përdornin të
gjithë.
Vendosa të shkoj pra në atë plazhin, ku të gjithë bëjnë selfie dhe i hedhin në
facebook (e di që jam totalisht rëndë që
s’kam instagram, por mbase më falet) sepse e di që po nuk bëra dhe unë si
gjithë dynjaja, do dukem si një pabukse dhe palekse, që nuk merr erë nga kjo
jetë. E meqë ra fjala tek lekët, vendosa të shkoj e të shtrihem pikërisht aty,
në rreshtin e parë të shezlongëve, që sipas statuseve në facebook, si në asnjë
plazh tjetër na kushtokan ca më shtrenjtë dhe që vijnë duke u bërë më të lirë
kur i largohen rreshtit të parë. Tamam tamam, do doja që të ulesha të zonën
VIP, por sado që s’jam dhe aq pabukse e palekse, në fund të fundit ai çmim që
flitet se kushtojnë ato dreq shezlongësh në atë vend edhe më duket njëçik si i
ekzagjeruar. Se në fund të fundit për herë të parë e kam: s’do kapardisem
direkt e tek viplliku. Le ta marr pak e nga pak. Të shkoj njeherë e të shoh ç‘bëhet,
pa kismet, mund edhe të paguaj njëcikë më shumë e të ulem në zonën VIP.
Si njeri me fat që jam, ja ku më dalin dy shoqe, që nja dy
javë më parë kanë bërë një rezervim në hotelin e plazhit të shumëlakmuar. Me një
telefon, sigurohemi që një krevat shtesë është i mundshëm në dhomë, por
sigurisht me pagesë ekstra (epo normal,
nuk po shkojmë në plazh për të kursyer!) dhe ja ku jemi për rrugë. Dhe siç
e do zakoni, postohet një selfie dhe tregohet destinacioni ku po shkojmë… Oh sa
gjë e bukur kur shikon një mori me “like” dhe me komente. Nuk është se janë dhe
aq të veçanta të thuash të drejtën, shumiica janë të tipit “për ty paska qenë
kjo jetë!” e që ty të bëhen mbi çdo fotografi, si kur je në makinë duke shkuar
në punë, ashtu dhe kur ke ikur në një plazh në fund të botës, si kur je në
restorantin më të shtrenjtë të qytetit ashtu dhe kur poston një pjatë groshë
apo thua se je duke ngrënë bukë me vaj ulliri e me kripë… Por gjithsesi gjithë
ato komente të bëjnë mirë. Jo thjesht se të japin nga ajo energjia pozitive, të cilen na e ka bërë fiksim një prezantuese, por edhe sepse ti e kupton që ke bërë jashtëzakonisht mirë që ke vendosur të
shkosh tek ai plazhi, ku qenka mainstream
të shkosh… Dhe e kupton më mirë akoma kur një shoqe të merr në telefon dhe të bën
ca thashetheme se si ca goca të tjera, që ne nuk i kemi dhe aq shoqe, na qenkan
shumë të mërzitura, që nuk paskan gjetur vend në atë hotel as këtë javë dhe as
tjetrën. A ka krenari e kënaqësi më të madhe kur mendon si po të zilepsin e
mallkojnë?! Ia vleka pra! Me çdo çmim.
Dhe në fakt nuk të kanë gënjyer aspak. Eshtë i vetmi vend i
shtrenjtë në Shqipëri, ku asnjë gjë në dhomë nuk të bën të nxehesh. Madje,
madje po të mos bëje njëcik sherr me rojen e parkingut që pretendon që makina
duhet lënë poshtë dhe valixhet duhen marrë në krahë në maloren që të shpie
tek dhomat, do mund të mendoje se ishe ‘jashtë shtetit’. Të kthejnë brenda
shtetit edhe bisedat që vijnë në shqip nga ballkoni i fqinjit, por ndërkohë
sapo ke marrë vesh edhe një lajm tjetër të mirë: në plazhin aty poshtë nuk u
lejokan fëmijët! Uuuurrrrraaaaaaaa!!!!! Ne që nuk i kemi dhe aq qejf të qarat e
fëmijëve dhe as ulërimat e mamave, që i thërrasin nëpër plazh, paskemi përpara
një fundjavë të qetë prej të rriturish.
Të qetë? Po disco ngjitur?
Tamam tamam është disko ajo që ka bërë të famshëm plazhin.
Ndaj duhet duruar. Më saktë duhet shijuar. E nëse nuk do ishte për atë këngëtarën
nga Kosova, që arrin të stonojë edhe pse nuk këndon live, edhe mund të
shijohej… Pastaj në fund të fundit pas gjithë atyre dasmave nëpër lagje që të
kanë stërvitur me këngët e Ylli Bakës, apo me nga pesë herë në natë “Të ka lali
shpirt, të ka lali xhan”, mund të flesh si qingj duke dëgjuar hitet e kësaj
vere.
Zbulon madje se hitet e verës mund të shijohen edhe në
rreshtin e parë të shezlongëve (po, po,
në rreshtin e parë, ku tjetër?!). Mund të shijohen edhe pisk të vapës
madje, pasi je zënë me pronarin e restorantit, që pasi të ka sjellë një faturë
dreke prej treqind mijë lekësh të thotë pa iu dridhur syri se kafe nuk shërbehet,
se është fikur ekspresi. Dhe shijohen edhe në darkë sërish, kur gjumi të zë
edhe më herët akoma, pasi lodhja e një nate më parë ka bërë të vetën. Shijohen edhe gjatë kohës
së zhegut ditën tjetër, teksa në disco ka nisur trendi më i bukur i verës
“schuma party”… Mirë do ishte të shkoje aty në mes të shkumës dhe siç e kërkon
zakoni të vije një foto në facebook, por
ja që kur mendon se pale me ç‘ilaç enësh bëhet ajo shkumë dhe si do ndikonte
ajo në flokun që këtë vit ka pësuar disa dekolorime, stepesh. Pastaj është dhe
ai mendimi tjetër, që të ngrin ne vend: a jam veshur unë denjësisht për të marrë
pjesë në një schuma party? I hedh një sy të shpejtë vetes: mbathje plazhi të
kuqe, të sipërmet blu, shapka llastiku me gisht, syze dielli dhe kaq. Aaaa poo,
dhe shumë krem mbrojtës në fytyrë, që në vende të caktuara e ke vënë më shumë
sesa duhet që të mos krijohen njolla dhe që ka ngrirë e duket si allci e
bardhë… Sheh vajzat në shezlongët rreth e rrotull dhe kupton që pamja jote
qenka për turp. Mirë që s’ke si ato rrobat e banjës së Alesia Marcuzzit, për të
cilat një vajzë në Tiranë të ka thënë
që-është-e-domosdoshme-t’i-kesh-se-ndryshe-nuk-quhet, por s’ke as vathë më
ngjyra, as rruaza të mëdha në qafë, as një shall të madh që ta lidhësh në bel e
me të të futesh në det e të shkosh në disko, as sytë e lyer dhe make up sikur
po shkon në dasëm, por nuk ke as atë aksesorin e kësaj vere, atë që kanë të
gjitha ato, që janë dikush: kurorën e luleve në kokë. Po, po, kurorë lulesh. Jo
një rreth i thjeshte me copë me lule të spambuara. Por rreth me lule të vërteta
(domethënë kauçuku ose cope), që
mbijnë mbi kokë, ngjyra ngjyra ose njëngjyrëshe. Mund të jenë ndoca centimetra,
por e mira fare është të jenë si ato të
kuqet e mëdha në pikturën e Frida Kahlos. Fiks si ato që shoqërojnë editorialet
e modës nëpër revista, e që këtë vit na i paskan marrë seriozisht dhe i paskan
veshur nëpër plazh.
Po si do bëj not me to në det? Po unë që vë syze dhe kapëse
hunde dhe pastaj pllaquritem për një orë rresht? Epo ja ku ka ardhur momenti ta
kuptoj që ia paskam futur kot! Pse ç’u bë plazhi? Pishinë për fitness??
E kuptoj që qenkam anakronike në kulm. Jo vetëm unë, por dhe
një tufë shoqesh, që më dëgjojnë gjithë sy e veshë, pasi jam kthyer në Tiranë. Dëgjojnë
dhe tundin kokat… ncuq ncuq ncuq… Tek e fundit ngushëllohen, që sa paku
rriskova unë një javë dhe shkova e nxora mësime për të gjitha. Kështu do
mësojmë të gjitha nga gabimet e mia, që kur të shkojmë të gjitha bashkë në fund
të verës në një fundjavë gocash, të nderohemi. Dy prej shoqeve marrin vendimin
të futen në dietë urgjente, kurse të gjitha bashkë vendosim që për dy javët e
ardhshme asnjëra nga ne të mos hajë asnjë gram bukë. Si shoqëri do shtojmë
seancat e palestrës, masazheve anticelulitë dhe elektrodave, sipas nevojës.
Njëra nga ne, madje hedh idenë që të nisemi të gjitha në Bari dhe të përfitojmë
nga uljet e çmimeve e të blejmë ca rroba për të qenë… Do thoja e para ‘jo’,
meqë jam futur në dietë blerjesh, por pastaj kujtohem: “Po kurora?”. Ku ta gjej
atë në Tiranë? Nuk do turpërohem në këtë moshë unë!