“Ti nuk di të krijosh
lidhje sepse thua për çdo gjë ‘unë’ dhe jo ‘ne’”, - ma kthen një mikesha ime
teksa unë po e këshilloj që paratë e trashëguara nga familja e saj duhet të jenë
në llogarinë e saj bankare dhe jo në një llogari, që po hap me atë që do bëhet
burri i saj të shpejti.
Ndoshta ka të drejtë! Ndoshta unë jam shumë ‘unë’ për t’u
shndërruar në ‘ne”, sepse mund të isha bërë me kollaj ‘ne’, nëse pas një njëzetekatërorëshi
të plotë kur ai është në shtëpinë time nuk do prisja me mjaft dëshirë atë
momentin kur mbetem vetëm fare. Sepse mesa di unë kjo më mungon të bëhem ne
plotësisht. Kurse këtë punën e parave as që e kisha llogaritur fare këtu, sepse
gjërat e mia janë gjërat e mia, gjërat e tij janë gjërat e tij, kurse gjëra
tonat janë vetëm gjërat që kemi blerë bashkë, unë dhe ai. Madje ende mbaj mend
fytyrën e shastisur të arkitektes, ca vjet më parë, kur teksa porositja dollapin
e rrobave e ajo këmbëngulte që brenda tij të kisha një hapësirë për të varur
pantallona dhe unë që i shpjegoja se nuk vesh fare pantallona, ndërsa ajo
vijonte të këmbëngulte duke thënë ‘po do varësh një ditë pantallonat e burrit’,
unë i thashë: “po ç‘duan pantallonat e burrit aty, ato do i mbajë në dollapin e
vet, kurse ky është thjesht dollapi im”.
Mirë pra, e kuptova, unë jam ‘unë’. Rrezik nuk bëhem dot ‘ne’.
Jo për gjëra madhore si lekët apo dollapi, që s’bëhet fjalë, por as për ato ca më të voglat.
Nuk bëhem dot çift i ngjitur unë!
Përshëmbull nuk bëhem dot si ca goca që porsa krijojnë një
lidhje ndërpresin çdo takim, dalje, kinema, qarje, thashethem me shoqet, sepse
befas nuk kanë me kohë sepse kanë një lidhje, janë ‘ne’ dhe të qenët ‘ne’ na kërkoka
shumë përkushtim. Ose dhe kur i takojnë shoqet, e sjellin edhe të dashurin me
vete, e nëse ai nuk vjen, flasin gjithë kohës për të, i shkruajnë mesazhe, e
marrin në telefon… Unë s’bëhem kurrë e tillë dhe u bëj dalje shoqeve të tilla,
edhe nëse kështu marr mbi vete rriskun që të etiketohem si xheloze.
Nuk bëhem dot as si ato shoqet e tjera, që marin burrin për
dore dhe bëjnë pazarin bashkë (largqoftë
të vendos në shtëpi bashkë me të se çfarë do blejmë dhe të shkruajmë listë).
Sepse për mua shopping-u është nga ato
sporte, ku ka nevojë për improvizim, për të papritura, për emocion. Ndaj s’mund
ta vendosësh që në shtëpi, sepse lumturia këtu vjen nga rastësia. Dhe kjo vlen
si për blerjen e këpucëve, ashtu dhe të biskotave: mjafton të kesh shpirtin e
duhur të aventurës blerëse. Dhe këtë nuk e bën dot me një mashkull në krah.
Ndryshe me shoqet: ato dinë të flasin Pradçe, futen me ty në dhomën e zhveshjes
dhe të thonë se nuk ke fare celulit dhe janë të afta të mendojnë se një palë këpucë,
që kushtojnë sa një rrogë mesatare kryefamiljari shqiptar, janë gjithmonë një
investim i mirë.
Por unë nuk bëhem dot as si ato shoqet e tjera për të cilat
burri është shoferi i shtëpisë. Ai të shpie në punë dhe ai të merr (mendo në mëngjes, kur del nga dera e shtëpisë
dhe ai pret i veshur në korridor ndërsa ti s’ke vënë ende krempudrën e nuk ke
vendosur se çfarë do veshësh?!). Apo ai të çon në palestër dhe të pret të
mbarosh kafen me shoqet... Më mirë ta bredhësh Tiranën në këmbë kryq e tërthor, sesa të kesh me burrin një të tillë marrëdhënie shofer – pasagjer.
Dhe normal që nuk bëhem dot as si ca të tjera (kurrsesi shoqe të miat, s’kam të tilla
shoqe unë) që dhe faqen e
facebook-ut e kanë të përbashkët me atë. Anila ArbenShehu përshembul…
pppppfffff. E nëse unë dua t’i shkruaj një gjë Anilës? Do ia them njëkohësisht
edhe Arbenit?! Apo duhet t’i çoj sms në telefoni, siç bënim
në kohët kur s’kishte dalë ende facebook-u?!
Dhe meqë jemi tek facebook-u, ja ku shoh fotot e beqarisë së
shoqes së një shoqes sime. Dita e fundit e beqarisë së saj. Kush është në krye
të tavolinës do thoni ju? Nusja dhe dhëndri i ardhshëm! Një festë e përbashkët
beqarie për ata që së shpejti do jetojnë bashkë, do flenë çdo natë bashkë, do
hanë çdo ditë bashkë, do shkojnë në fundjavë në plazh bashkë, do shkojnë ngado
bashkë dhe tani po rrinë bashkë edhe natën e fundit kur duhej të ishin vetëm!
Epo kjo pikë e zezë.
Mos u dashka kështu dhe qenkam unë gabim?! Rrezik unë
s’ditkam të bëhem ‘ne’. Ndaj duhet të përmirësohem. T’i them zemrës sime se ka
ardhur moment të kemi një llogari të përbashkët?! E nëse aty futet vetëm rroga
e tij, që e prishim bashkë, kjo do ishte një ide e shkëlqyer. Ndonjëherë qenka
bukur të jesh ‘ne”!