Wednesday, December 9, 2015

Një i dashur “dora jonë”

Më duket se jua kam treguar njëherë. Domethënë jua kam thënë shkarazi. Domethënë kam thënë diçka, duke menduar se mund ta merrnit vetë me mend… Epo mirë pra, le ta them nga e para: lidhja ime nuk shkon vaj. Ka raste kur shkon vaj, por ka dhe raste te tjera kur ngec aty këtu. Ose kur nuk shtyhet fare. Ose kur ndahemi… Dhe pak a shumë, të gjitha rastet, kanë një arsye të përbashkët: ai, zemra ime pra, nuk është shumë i kujdesshëm me telefonin. 
Unë mendoj se telefonat janë bërë për këtë punë, për ta marrë tjetrin njëqind herë në ditë, për ta pyetur ku je, kurse pjesen tjetër të kohës, të të marrë ai ty dhe të të thotë që nuk po rrinte dot pa ta dëgjuar zërin. Ja për këtë janë shpikur celularët, e për çfarë tjetër?! Por ja që ai nuk mendon aspak kështu, përkundrazi, nuk e kupton që unë e kam të nevojshme ta shtyj rrugën nga shtëpia në punë e anasjelltas duke folur me të (ta ketë për nder, se unë mund të llomotis dhe me shoqen e ngushtë, por ja që kam zgjedhur atë). Kurse ndonjëherë, nuk e ngre fare telefonin, dhe as nuk merr mbrapsht, ndërsa të nesërmen thotë pa të keq “zemra ti e di që unë këtë tip kam”… 
E meqë ai ka këtë tip, ka raste që unë nuk e dua fare këtë dreq tipi. Dhe normal, meritoj më shumë. Meritoj dikë që ta hapë telefonin që në zilen e parë. Dikë që të më marrë dhe sa për të më dëgjuar zërin. Dikë që edhe kur është në takim pune, kur unë e telefonoj, të më shkuajë që s’më përgjigjet dot sepse është i zënë, dhe pastaj të më thotë me ça është i zënë, kur do mbarojë së qeni i zënë, të më pyes po unë ç’po bëj, e pastaj të më thotë që e ka marrë malli... Dikë që të më thotë mirëmëngjes e natënemirë me sms, mms, bbm, a ç’të jetë... Pra dikë krejt të ndryshëm nga ky palo i dashur që nuk më meriton. Dikë si ai që njoha ca kohë më parë, atëherë kur unë dhe ai (zemraimepërhershme pra!), kaluam ndarjen e radhës (dhe ta mendosh që kisha menduar se kësaj radhe do zgjaste përgjithmonë, se s’do t’i flisja kurrën e kurrës, në jetë të jetëve)
Në fakt nuk ishte një njohje fringo e re, por një i njohur i vjetër, i takuar rishtazi, që kur pa që unë mbaja blackberry, më kërkoi ‘pin’-in. Aty filloi gjithçka, me një pin... Në fillim ca batuta, pastaj shumë të tilla, pastaj orë të tëra chat, pastaj një ftesë për darkë... Vijimi po dihet (atë më drita të kuqe nuk ua tregoj sikur ç’të bëhet), ai jo vetëm më shkruan të nesërmen, por më shkruan gjithë kohës, duke më thënë se sa mirë që kemi gjetur njëri tjetrin, pastaj më fton për drekë, pastaj kur ndahemi më lë porosi që t’i shkruaj... Pastaj më shkruan prapë, më fton prapë... Për pak ditë në shtëpinë e tij, veç furçës së dhëmbëve (një ish i dashuri im thoshte që ajo është kali i Trojës, pas saj pushtohet gjithë shtëpia prandaj një femre nuk i duhet lejuar kurrë ta vendosë në banjo) ja ku lirohet edhe një raft rrobash, për ndërresat e mia, që unë të ndihem sa më komode. Më duket sikur kam kapur qiellin me dorë. Ja pra, morën fund vuajtjet e mia, kjo është ora e shpagimit. E ku ka më mirë, kur ti nuk ke zbritur ende nga ashensori për të ikur nga shtëpia e tij dhe ai të shkruan “je zemër”?! Pale nëse bëjmë sherr (megjithëse nuk kemi probleme komunikimi, se pse dreqin bëjmë sherr çdo ditë, kjo mbetet mister), mund të thuash fjalën e fundit, të ndahesh çdo ditë dhe të jesh e sigurt se pas dy orëve ai do të shkruajë, do gjejë një justifikim, do pyesë për diçka dhe do shkruajë. Në një situatë të tillë, teksa shfryj me një shoqen time, ja ku më shkruan ai, për të më pyetur për një gjë fare pa rëndësi... Sa për të thyer akullin. “Po ky qenka komplet dora jonë!”, më thotë shoqja ime. Normal, që ndihem krenare. Të gjitha luten të gjejnë një mashkull të tillë, që jo vetëm të mos bezdiset nga sjellja jonë, por që të sillet fiks si ne. Komplet dora jonë. Aq sa kur një ditë unë e acaruar në kulm, vendos që t’i fik të dy celularët, tre orë më pas, kur i hap e kuptoj që ky është dora jonë e shkuar dorës sonë: thirrje të hunbura e sms tek të dy telefonat, mesazh në bbm, mesazh në gmail dhe mesazh të facebook... Epo s’paska pasur dhe aq faj zemra ime (ai i përhershmi) kur akohej për vrullin tim të telefonatave. I paskam rënë më qafë kot. Ne qenkemi shpirtra binjakë. E meritojmë që të jemi bashkë, me gjithë ulje ngritjet, ndarjet dhe të njohurit të vjetër a të rinj që takojmë.

Wednesday, September 30, 2015

Dosjet X

Nuk e kam fjalën për X (iks), e panjohur. Por për X (eks, siç e thërrasin në X Factor Albania). E që në shqip ne i themi thjesht “ish”-i.
Vjen një pikë në çift dhe ajo dosje hapet. Ka disa që e bëjnë që në fillim. Që ato ditët e para fare, kur fillojnë të njihen bashkë dhe argumenti del me thjeshtësinë më të madhe dhe rrëfehet po njëlloj siç tregohet dhe shija e preferuar e akullores, siç flitet për aktorët e filmat që pëlqen më shumë, apo siç rrëfehet nëse je tip që zgjohesh herët në mëngjes ose nga ata që po nuk fjetën deri në dhjetë, nuk funksionon fare… Ja në këtë mënyrë një shoqja ime mësoi se ai djali me të cilin po dilte dhe po i pëlqente, kishte pasur një histori shtatë vjeçare dashurie, kishte blerë dhe një shtëpi, ku do jetonin të dy dhe fiks në ditët kur kishin vendosur që sobën e kuzhinës të mos e merrnin me gaz, por vetëm me korrent, sepse ajo tjetra kishte frikë, kishte dalë se ajo tjetra në të vërtetë kishte frikë edhe nga martesa në përgjithësi dhe thjesht i kishte thënë këtij “e lëmë me kaq edhe pse të dua shumë” dhe pastaj ishte zhdukur… Një rrëfim ky që erdhi fiks në kohën e duhur, pasi shoqja ime e kishte të thjeshtë të tërhiqej në kohë, pa arritur të mallkonte atë tjetrën kur të iknin dritat dhe të mos kishte mundësinë të skuqte as edhe një vezë në sobën që nuk kishte zgjedhur vetë, apo dhe ca më keq akoma, kur ta kalonte jetën duke vrarë mendjen se pse ajo tjetra kishte ikur ashtu pa pritur e pa pandehur pas shtatë vitesh. Ja, të tilla rrëfime ta shpëtojnë jetën.
Ka pastaj te tjera raste kur këto takimet përpara lidhjes nuk i hapin fare “Dosjet X”. Të dy mendojnë se e shkuara nuk ka rëndësi dhe se për njëri – tjetrin ata kanë lindur ditën që janë njohur. Dhe kështu mund të funksionojë për bukuri. Derisa ndonjë ditë ajo nuk rrëmon në facebook-un e tij dhe në komentet poshtë një fotografie, përtej komplimenteve të zakonshme një fjali hedh ca hije mbi të shkuarën… Ai tjetri, pa ndjerë ndonjë kërcënim në pyetjen “kush është kjo” tregon i qetë se është ish e dashura e kohës së shkollës, që tani jeton jashtë dhe ja ku jemi: “Dosja X” hapet e plotë. E nëse ajo e pyet nëse kjo  X-i ishte apo jo e rëndësishme, ai e ka punën pisk, sepse sido që të përgjigjet, do sjellë patjetër shqetësim. Nëse i thotë që ajo tjetra ka qenë fare e parëndësishme, do quhet gënjeshar. Nëse i thotë që ishte e rëndësishme njëherë e një kohë, por jo tani, dihet ç‘dramë do shkaktojë… Sido që t’i përgjigjet, kjo histori nuk do mbetet me kaq, do gërrmohet kush ka qenë para saj, kush ka qenë pas, pastaj në njëzetë vitet e ardhshme çdo bisedë pa lidhje do përfundojë aty, tek “Dosjet X”, që ai na i paska mbajtur të fshehta, sepse i këtillë njeriu na qenka, që e ndërton jetën mbi mashtrime…
Ka pastaj dhe ca raste të tjera që këto “Dosje X” nuk janë aspak të fshehta, ndoshta sepse të dy njihen prej kohësh dhe dinë pothuajse gjithçka për njëri tjetrin përpara se të mendojnë se mund të bëhen çift. Në të tilla raste X-et nuk futen fare nëpër dosje dhe duket se janë fare të padëmshëm. Me tam und të përshendetesh në rrugë teksa jeni të dy, mund të pish edhe kafe kur je vetëm dhe pastaj ta tregosh si pa gjë të keq. Për sa kohë që flitet, nuk është e dëmshme. Derisa ndonjë ditë të bukur ty nuk të shpëton goja të tregosh se si  një herë në kohën e gjimnazit të kishte rënë në kokë për një djalë të vitit të katërt që e kishte klasën përballë teje… Atëherë po që gjendesh me “Dosjet X” përpara, dhe aty rriskojnë të futen edhe shokët e tu më të ngushtë, që befas shikohen me syrin e dyshimit, si ndonjë gjë që mbahet e fshehur, sepse ti befas na dole tipi me të shkuar të fshehtë…

Eshtë pastaj dhe ai problem tjetër: Sa fletë kanë këto dosje? Domethënë sa X-e gjenden brenda tyre. Nëse thua që ajo dosje ka një X të vetëm, është shumë keq, sepse i bie të jesh zemërthyera dhe shpirtpërvëluara, që thjesht po kërkon të gjesh një gozhdë të re për të shkulur gozhdën e vjetër. Nëse ka disa fletë, ti je e lehtë. Nëse ka një numër të papërcaktuar fletësh, je e fshehtë. Nëse ai pretendon se në dosje ka më shumë fletë, por ti s’po ia tregon të gjitha, duke u justifikuar se zilia e njerëzve po të përgojon, epo atëherë është shumë keq: ai s’do të të besojë kurrë. E nëse ti, për t’ju dhënë fund diskutimeve i thua “po zemra, ka kaq shumë fletë, sepse unë isha duke kërkuar dikë si ty dhe tani s’dua të shtoj më as edhe një fletë të vetme”, do kuptosh shumë shpejt që më mirë të mos e kishe pranuar kurrë numrin e vërtetë të fletëve (se në fund të fundit nuk je e sigurt, që ai nuk do zbulojë dhe të tjera fletë të grrisura e të harruara ndokund) dhe se ia vlen më mirë të diskutosh gjithe jetën mbi fletë të imagjinuara sesa të ulesh dhe të hapësh vërtetë ato të mallkuara “Dosje X”.

Monday, September 14, 2015

Jam në dilemë, pa jam

Nuk është dhe aq e lehtë jeta kur je shenjë ajri si Binjakët. Për ta shpjeguar më mire, për ata që nuk marrin shumë vesh nga horoskopët, ose nuk besojnë fare se yjet hyjnë këtu, nuk është e lehtë të jesh një njeri i dyzuar. Jo vetëm sepse humori të ndryshon nga një moment në tjetrin, duke ua nxirë jetën atyre që ke pranë, që s’dinë kurrë se ç‘të presin nga ty,  por sepse ti vetë nuk je dhe aq rehat. Se ja përshembull: del nga shtëpia me idenë që jeta jote është e përsosur dhe ti je mjaft e lumtur dhe rrugës deri tek makina, teksa pllaka dalëvendi e trotuarit të spërkit këmbët, një zhurmë matrapiku të  jep alarmin në kokë, një sms që mbërrin në një kohë me zilen e celularit të dytë të fusin alarmin dhe sheh se një vizë bojëqielli mbi makinën tënde të kuqe është kujtimi që ka lënë ajo biondja e pallatit përbri, që ka pesë vjet që s’po mëson të parkojë siç duhet, humori nis të shkatërrohet pak nga pak, të pushton një ndjenjë parehatie që shndërrohet në ankth, pastaj të kap trishtimi, pastaj trishtimi kthehet në hall, halli në krizë identiteti, kriza e identitetit në ku-di-unë-se-çfarë.
Imagjino tani të jesh në çift. Ai del nga shtëpia me një njeri të lumtur. Dhjetë minuta më pas, në mes të trafikut, ka në krahë një të xhindosur, që shan mbarë e prapë kalimtarë e makina, biçikleta dhe të zotët e tyre, shan madje edhe atë gruan që kalon të trotuar dhe ka fajin e vetëm që atë ditë ka veshur një palë streçe animal print që ti i urren për vdekje dhe i ke të parat në listën e atyre gjërave që të ngrenë nervat.
E nëse i shkreti djalë arrin të dalë shëndoshë e mirë nga makina jote e të shkojë në punën e vet dhe mendon se ti do jesh gjithë ditën me buba, ndodh të shastiset pa masë teksa pesë orë më vonë të sheh në një restorant të Bllokut  teksa futesh me shoqet e ngushta duke qeshur me të madhe e me duart të mbushura plot me çanta kartoni. Tani po, që je i njëjti njeri i lumtur, fiks ai që ishe në mëngjes. Kurse ajo tipja e makinës për ty sikur nuk ka ekzistuar kurrë. Ndërsa ai tjetri s’do ta harrojë kurrë dhe në rastin më të parë do të të quajë të çmendur e do të ta kujtojë në çdo sherr që do bëni gjatë muajve të ardhshëm.
Nëse je kaq e pazbërthyeshme për të tjerët, imagjino tani brenda vetes.
Kërkon të punosh. Të punosh shumë. Nga mëngjesi deri në darkë. Të fitosh  lekët e tua. Të kesh pavarësi. Të blesh ç‘të kesh qejf. Të jesh në karrierë. Të jesh e lakmuar. E fortë. Superfemër. Pastaj një të premte në mbrëmje ndodh të jesh e lodhur apo e acaruar, apo ke takuar atë shoqen e shkollës që ka burrin e pasur apo atë vajzën tjetër që jeton si princeshë në shtëpinë, që i ka blerë i dashuri, dhe ja ku e gjen veten duke menduar se po bën jetën e gabuar… Nuk do që të shkosh kurrë në punë. Mos t’ia shohësh bojën punës. Të mos kesh emrin në asnjë listë rrogash. Të t’i sjellë dikush tjetër lekët në shtëpi dhe të mos duhet ta vrasësh kurrë mendjen për ato dreq lekësh. Pastaj të blesh ç‘të duash. Pastaj të kthehesh në shtëpi e të shohësh filma dhe jo emisione pasditeje, ku llomotisin goca që bëjnë karrierë. As të intereson të të lakmojnë të tjerët: rëndësi ka që ta kesh ditën të lirë që ta kalosh në pishinë, palestër, spa, manikyr a pedikyr e çdo lloj vendi ku ti rehatohesh dhe të shërbejnë. As që do fare të jesh femër e fortë. Ku ka më mirë sesa të jesh e butë dhe të të llastojnë!? Superfemër? Kush e shpiku këtë pisllëk? Kush i nxori gratë në punë? Poshtë feministet!
Ja e zgjidhe dhe dilemën ezistenciale: superfemër apo shtëpiake. Po ke atë dilemën tjetër tani: të lidhjes. Ti do dikë të butë. Dikë që të kupton. Dikë që kur është me ty nuk i kullot sytë vërdallë, qoftë dhe ashtu për qejf. Një njeri që të ndihmon e që përpiqet me mish e me shpirt të të bëjë  të lumtur, edhe pse hera herës gabon metodë. Dhe nuk është se ka shumë faj, ti nuk je nga ato të thjeshtat për t’u përballuar. E vetmja mënyrë për ta bërë është të të vijë nga mbrapa. Të jetë aty për ty, kur ti ke nevojë dhe kur nuk ke nevojë. Kur të prishet doreza e dushit, apo kur të bie goma e makinës, kur je e lodhur dhe ke nevojë thjesht për një përqafim apo kur do të tregosh me detaje gjithë hallet e zyrës… Kur nuk do të rrish vetëm dhe kur ndihesh e frikësuar… Pa prit njëherë! E kur nuk dashke ti të rrish vetëm? Fiks kur ai sistemohet në shtëpinë tënde, ty të ngrihen nervat dhe mezi pret të ikë. Ti nuk je nga ato që i kalon gjërat me një përqafim, ti nuk ke ç’e do një mashkull të tillë. Ty nuk të nevojitet, ai që dëgjon qaravitje për orë të tëra, por një që të shtyn për një sekondë të marrësh një vendim. Jo një palluq, që i lë gjithë punët e veta për një dorezë dushi, por një që të tregon në telefon ku ta blesh, sepse ti je aq e zonja për të montuar dhe raftet e një bliblioteke të tërë. Ty nuk të duhet një i butë, që të vjen mbrapa. Ty të duhet i forti. Që të bën të lumtur pikërisht se nuk është aty për ty orë e çast, por që kur vjen të duket  dhuratë nga qielli, pikërisht sepse e ke fituar me vështirësi. Ty të duhet ai i vështiri, që dhe po i hodhi sytë ndonjëherë vërdallë punëemadhe. Ty të duhet…
E ku di ti çtë duhet?! Ty të duhet ajo që s’ke. Ke fatin e keq që je shenjë e dyfishtë. Ec e thuaj që këtu nuk hyn horoskopi!

Sunday, July 19, 2015

Pushimet? Vetëm ikni! Ikniiiiii!!!!

“Ku do pushosh këtë vit?”, më pyet komshija e katit të tretë, ajo që lë gjithmonë plehrat tek dera e jashtme dhe rri gjithmonë me disa gra të tjera tek hyrja e pallatit, për të folur për shkundjen e tapeteve dhe metodat bashkëkohore të gatimit të ‘imam bajalldisë”. I pëshpëris nëpër dhëmbë që do jem gjithë muajin këndej vërdallë, kur ajo ia jep me të madhe “Si??????? Nuk do ikësh me pushime?????”.
Iki nga sytë këmbët shkallëve me vrap, e trembur mos ngrihet gjithë pallati dhe më bëjnë gjyqin kolektiv mu aty tek shkallët, aty ku duhej të mblidheshim nja tre vjet më parë për të paguar lekët e një  pompe uji dhe për të zgjedhur një administrator të ri pallati, por që s’u bëmë dot të gjithë bashkë dhe lamë një zonjë që ishte më në gjendje t’i paguante prej asaj dite të gjitha shërbimet... Iki e tmerruar se e di që janë gati të pyesin e të skandalizohen të gjithë se si unë, vajza beqare dhe trendy, në vend të them me krenari ndonjë destinacion të rëndësishëm, na paskam zgjedhur të mos iki e të rri këtu. Iki me vrap se ata aq duan, pas asaj fjalisë ‘nuk iki’ janë të gatshëm të bëjne hetime të detajuara: mos më është ulur rroga, mos jam ndarë nga i dashuri, mos ka mami në shtëpinë e vet ndonjë problem dhe unë po e ndihmoj, mos jam shtatzënë, mos po planifikoj të iki në ndonjë vend që s’duhet ta marrë vesh askush… 
Deri tek makina nuk më del kush. Vetëm se në radion ku unë dëgjoj gjithë kohës këngë ‘të brezit tim’ të gjitha reklamat fillojnë më ‘përpara se të ikni me pushime mos harroni të kaloni nga ajo qendra tregtare”, për të mbaruar me filan e fistëk agjensi që të çojnë dhe në fund të botës me fare pak lekë… Asnjë reklamë për ata që duan të rrinë në qytet dhe asnjë mesazh sensibilizues për qytetarët që u çajnë dërrasat fqinjëve duke pyetur “ku do shkoni me pushime?”.
“Me pushime!” Kemi evoluar ca në fakt. Ja, përpara nja njëzetë vitesh, kur shkëmbeheshe me dikë në rrugë të pyeste “ca do bëni për pesmediç“. Që ishte shkurtimi i “pesëmbëdhjetëditësh”. Domethënë aq sa ishin ditët kur të zgjaste “leja e zakonshme” gjatë të cilës duhej të bëje gjithë punët e zakonshme e të jashtëzakoshme të vitit si lyerje shtëpie dhe shkepje e leshit të dyshekëve dhe jorganëve, dasmën e kunatit apo të zierjen e rakisë me rrushin e bahçes, e nëse gjeje ndonjë fletë kampi apo kabine mund të bëje dhe plazh të cilësisë së parë, duke ngrënë në mensë, apo të cilësisë së dytë duke udhëtuar me furnelën e vajgurit  me vete e duke mbajtur radhën për të mbushur ujë te çezma e plazhit… Tani “pesmediçi” i shkretë është rrudhur  ca, shkon nga një javë deri në dhjetë ditë, ama meriton të quhet me plot gojën “pushime”. Fiks siç ma përplas shitësja e minimarketit poshtë pallatit këtë fjalë sa herë shkoj. Ka dy muaj, qëkur vera zyrtarisht ka nisur që teksa merr frymë me zor mes frigoriferëve dhe arkave lajmëron çdo klient se sa të vijë gushti ajo dhe familja e saj do ikin një javë me pushime. “Do e mbyllim dhjetë ditë, epo shpirtin shejtanit nuk do ia japim de! Kemi nevojë për pushime”, thotë dhe herë pas here pyet këdo: “po ti ku do ikësh? kur?”
Pastaj është dhe këpucari, ku kam çuar sandalet që m’i zuri shiu dhe mu shqitën. Merr në celular dhe thotë që duhet të shkoj urgjent e t’i marr sandalet se në 1 gusht ai do ikë me pushime dhe do kthehet në 18 “do u ikë koha sandaleve goce, sa të kthehem unë”, thotë shpejt e shpejt ndërsa unë mendoj se atij duhet t’i ketë ecur më mirë biznesi sesa shitëses së lagjes.
Eshtë pastaj dhe ajo teta tjetër, që s’ja di emrin por që e shoh gjithmonë duke patrulluar tek rrugica e shtëpisë dhe që sheh me vëmendje çdo procedurë parkimi makine.  Ajo pyet direkt “ku ishe për pushime” dhe nuk të lë mundësi t’i thuash “nuk do shkoj “ se të thotë: “dukesh që ke qenë në plazh se të qenkan bërë prapë njollat në fytyrë. Po pse s’blen një krem dielli?”. Nuk arrin dot të justifikohesh në kohë, që ke qenë vetëm për fundjava dhe se kremin e ke blerë nga ata të shtrenjtët fare, ndaj dhe njollat quhen cilësore, se ajo direkt ka pyetjen tjetër “jashtë shtetit ishe? Se ju që dilni në televizor vetëm jashtë shkoni”.
E kotë t’i sqaroj ndonjë , por buzëqesh duke ngritur supet “epo-ç‘të-bëjmë-ky-fat-na-qëlloi”. Përderisa nga njerëzit e ekranit priten të këtilla rrëfime, nuk do rrimë t’u lodhim kokën njerëzve e t’u tregojmë gjëra normale me plazhe shqiptare apo të diela pishinash. Sepse të gjithë janë në ethe. “Ku do pushosh?!” është si të thuash “sa e ke rrogën”. Ose sa mirë ke zgjedhur të jetosh. Dhe nëse thua “hiç” atëherë ti nuk vlen fareeeeeee.
Ndaj e keni, s’e keni terezinë, ju japin apo nuk ju japin leje nga puna, keni probleme me shëndetin apo keni ca plane të tjera për andej nga  dimri,  keni ca gjëra që ju mbajnë lidhur apo thjesht ju rrihet  në shtëpi, keni vetëm një zgjidhje: të niseni. Nuk ka rëndësi se ku, ikni!
Dhe mos harroni, vini statuse në faceboook! Postoni orë e çast që ta marrin vesh të gjithë që keni ikur.

Ikni pa merak se qytetin e keni lënë në dorën time. Ikni se kur të bjerë nata i fik unë dritat!

Tuesday, June 16, 2015

Në provën e fundjavës

Ka disa momente kur një lidhje mund të vihet në provë. Përtej atyre gjërave,  që shumicës së vajzave të vogla u duken thelbësore, e që e që nisin me argumentat e besnikërisë e tradhtisë dhe mbarojnë po me argumentat e besnikërisë dhe tradhtisë, atëherë kur nga njëzetëeca bëhesh tridhjeteshumë, që një lidhje ta mendosh si atë kryesoren, atë që do të të bëjë të mendosh që ka ardhur momenti që s’do të jetosh më vetëm, por me dikë tjetër, ka dhe ca prova të tjera. Nga ato që nuk duken për jetë a vdekje, por që mund të kthehen në vdekjen e një lidhjeje. Si ha dhe si fle ai? Si qesh? Sa shpejt lodhet? Sa praktik është? Sa shpenzon? Si shpenzon? Pse shpenzon? Sa rrëmujaxhi apo i rregullt është? A është zevzek? A nxehet shpejt? A di të përballojë avaritë e vogla? Si reagon në raste të paparashikuara? Sa mund të durojë kur ti flet e flet papushim? Sa orë mund të rrijë ai vetë pa folur, pa mërmëritur as ‘ëhë” ndërsa ti e pyet dhe e pyet? Sa herë në ditë ndërrohet? A e ul dhe e ngre rregullisht kapakun e WC-së? A këndon këngë të shpifura në dush? E lag të gjithë banjon kur bën dush? A i lë të gjitha, kur në televizor ka ndeshje? A zgjohet menjëherë dhe i kënaqur apo duket sikur i janë mbytur gjemitë?
Ja, këto janë halle dhe jo ato cicmicet e vogla me kontrolle telefonash dhe oraresh. Dhe nuk është e lehtë të zbulohen menjëherë. Domethënë mund të zbulohen, por kërkojnë ca si shumë kohë. Domethënë kërkon që ti me atë tjetrin të kaloni shumë kohë së bashku, pastaj të jetoni dhe në një shtëpi, dhe vetëm atëherë ti mund ta mësosh se si është paketa e plotë… Epo atëherë është shumë vonë.
Por ja që një mikja ime e ka një zgjidhje për këtë punë. Që tamam tamam nuk është se e ka shpikur si të tillë, se domosdo, nuk ka si të jetë kaq e mençme, por që në mbi pesëmbëdhjetë vjet kërkimi të “të duhurit” ka shkuar në mënyrë intuitive tek ajo që ne e kemi pagëzuar si “prova e fundjavës”. Domethënë po del me dikë dhe nuk e di nëse ia vlen ta mendosh nëse është “i duhuri”. Bëj një udhëtim fundjave dhe e merr vesh menjëherë.
Mikesha ime sapo ka njohur dikë. Ka dalë për rreth një muaj për kafe e çaj, lëng frutash dhe aperitiv, drekë dhe darkë dhe ja ku vjen rasti të niset për një fundjavë. Në fillim janë biletat. Pastaj është dhe hoteli. Plani është i përbashkët. Po biletat do priten veç e veç apo bashkë? Po hoteli? Kush nga të dy do ta zgjedhë dhe kush do ta paguajë? Në ç‘pjesë të qytetit është? Dhe normal: si është ky hoteli? Nga ata të tipit “hajt se dy netë janë, nuk do jetojmë këtu gjithë jetën” apo “unë s’dua të fle dy netë këtu, dua të jetoj këtu”? Ja këto janë informacione që tregojnë shumë se ç‘jetë e pret në të ardhmen me një tip të tillë…
Pastaj janë në aeroport. “Tmerr”, - më shkruan ajo, “unë kam vetëm një çantë dore kurse ai ka ngritur gjithë shtëpinë me vete”. As ky nuk është informacion koti: i bie që ai njeri të jetë merakli veshjesh. Dhe ca i pavendosur: në dilemë këtë apo atë, ai merr edhe atë edhe këtë me vete. Dhe kur këtë e bën me veshjet, po me gjërat e mëdha?
Pastaj vijnë ato të tjerat që thashë më lart, nga tavolina e deri tek uji në banjo. Shoqja raporton orë e çast dhe duket se i zgjedhuri i saj po i kalon me sukses shumë nga provat. Ngel vetëm në provën e shopping-t: nuk e ka dëgjuar kurrë markën e atyre këpucëve me shuall të kuq nga poshtë dhe kur dëgjon për çmimin mendon se është çmenduri. Por ne gocat këto gjërat me “shopping”, as që i kemi vënë në listën e provave: po i vumë na mbetet të martohemi me njëra – tjetrën.
Pastaj, ditën që do kthehen, prapë te valixhja: ajo i mbledh veshjet e saj fët e fët, pa i palosur fare, por direkt e në çantë. Normal, në shtëpi do zbrazen dhe direkt e në lavatriçe. Kurse ai zë dhe i palos një e nga një, në mënyrë perfekte, aq sa po t’i fuste dhe ne qese plastmasi e t’i zbukuronte me ndonjë lule të tharë, valixhja e tij do t’i ngjante pajës së gatisnin nuset qëmoti… Ja përshembull, po ta shihte mami i saj, me siguri do t’i kishte pëlqyer shumë një dhëndër i tillë.

Tani deri për dhëndër ka dhe ca punë. Por prova e fundjavës kaloi me sukses. Tani ajo që mbetet deri tek ky “happy end” janë nja një mijë mundësi të tjetra… Për ta prishur, si gjithmonë.

Google+ Followers