Tuesday, June 16, 2015

Në provën e fundjavës

Ka disa momente kur një lidhje mund të vihet në provë. Përtej atyre gjërave,  që shumicës së vajzave të vogla u duken thelbësore, e që e që nisin me argumentat e besnikërisë e tradhtisë dhe mbarojnë po me argumentat e besnikërisë dhe tradhtisë, atëherë kur nga njëzetëeca bëhesh tridhjeteshumë, që një lidhje ta mendosh si atë kryesoren, atë që do të të bëjë të mendosh që ka ardhur momenti që s’do të jetosh më vetëm, por me dikë tjetër, ka dhe ca prova të tjera. Nga ato që nuk duken për jetë a vdekje, por që mund të kthehen në vdekjen e një lidhjeje. Si ha dhe si fle ai? Si qesh? Sa shpejt lodhet? Sa praktik është? Sa shpenzon? Si shpenzon? Pse shpenzon? Sa rrëmujaxhi apo i rregullt është? A është zevzek? A nxehet shpejt? A di të përballojë avaritë e vogla? Si reagon në raste të paparashikuara? Sa mund të durojë kur ti flet e flet papushim? Sa orë mund të rrijë ai vetë pa folur, pa mërmëritur as ‘ëhë” ndërsa ti e pyet dhe e pyet? Sa herë në ditë ndërrohet? A e ul dhe e ngre rregullisht kapakun e WC-së? A këndon këngë të shpifura në dush? E lag të gjithë banjon kur bën dush? A i lë të gjitha, kur në televizor ka ndeshje? A zgjohet menjëherë dhe i kënaqur apo duket sikur i janë mbytur gjemitë?
Ja, këto janë halle dhe jo ato cicmicet e vogla me kontrolle telefonash dhe oraresh. Dhe nuk është e lehtë të zbulohen menjëherë. Domethënë mund të zbulohen, por kërkojnë ca si shumë kohë. Domethënë kërkon që ti me atë tjetrin të kaloni shumë kohë së bashku, pastaj të jetoni dhe në një shtëpi, dhe vetëm atëherë ti mund ta mësosh se si është paketa e plotë… Epo atëherë është shumë vonë.
Por ja që një mikja ime e ka një zgjidhje për këtë punë. Që tamam tamam nuk është se e ka shpikur si të tillë, se domosdo, nuk ka si të jetë kaq e mençme, por që në mbi pesëmbëdhjetë vjet kërkimi të “të duhurit” ka shkuar në mënyrë intuitive tek ajo që ne e kemi pagëzuar si “prova e fundjavës”. Domethënë po del me dikë dhe nuk e di nëse ia vlen ta mendosh nëse është “i duhuri”. Bëj një udhëtim fundjave dhe e merr vesh menjëherë.
Mikesha ime sapo ka njohur dikë. Ka dalë për rreth një muaj për kafe e çaj, lëng frutash dhe aperitiv, drekë dhe darkë dhe ja ku vjen rasti të niset për një fundjavë. Në fillim janë biletat. Pastaj është dhe hoteli. Plani është i përbashkët. Po biletat do priten veç e veç apo bashkë? Po hoteli? Kush nga të dy do ta zgjedhë dhe kush do ta paguajë? Në ç‘pjesë të qytetit është? Dhe normal: si është ky hoteli? Nga ata të tipit “hajt se dy netë janë, nuk do jetojmë këtu gjithë jetën” apo “unë s’dua të fle dy netë këtu, dua të jetoj këtu”? Ja këto janë informacione që tregojnë shumë se ç‘jetë e pret në të ardhmen me një tip të tillë…
Pastaj janë në aeroport. “Tmerr”, - më shkruan ajo, “unë kam vetëm një çantë dore kurse ai ka ngritur gjithë shtëpinë me vete”. As ky nuk është informacion koti: i bie që ai njeri të jetë merakli veshjesh. Dhe ca i pavendosur: në dilemë këtë apo atë, ai merr edhe atë edhe këtë me vete. Dhe kur këtë e bën me veshjet, po me gjërat e mëdha?
Pastaj vijnë ato të tjerat që thashë më lart, nga tavolina e deri tek uji në banjo. Shoqja raporton orë e çast dhe duket se i zgjedhuri i saj po i kalon me sukses shumë nga provat. Ngel vetëm në provën e shopping-t: nuk e ka dëgjuar kurrë markën e atyre këpucëve me shuall të kuq nga poshtë dhe kur dëgjon për çmimin mendon se është çmenduri. Por ne gocat këto gjërat me “shopping”, as që i kemi vënë në listën e provave: po i vumë na mbetet të martohemi me njëra – tjetrën.
Pastaj, ditën që do kthehen, prapë te valixhja: ajo i mbledh veshjet e saj fët e fët, pa i palosur fare, por direkt e në çantë. Normal, në shtëpi do zbrazen dhe direkt e në lavatriçe. Kurse ai zë dhe i palos një e nga një, në mënyrë perfekte, aq sa po t’i fuste dhe ne qese plastmasi e t’i zbukuronte me ndonjë lule të tharë, valixhja e tij do t’i ngjante pajës së gatisnin nuset qëmoti… Ja përshembull, po ta shihte mami i saj, me siguri do t’i kishte pëlqyer shumë një dhëndër i tillë.

Tani deri për dhëndër ka dhe ca punë. Por prova e fundjavës kaloi me sukses. Tani ajo që mbetet deri tek ky “happy end” janë nja një mijë mundësi të tjetra… Për ta prishur, si gjithmonë.

Google+ Followers