Nuk e kam fjalën për X (iks), e panjohur. Por për X (eks, siç e thërrasin në X Factor Albania).
E që në shqip ne i themi thjesht “ish”-i.
Vjen një pikë në çift dhe ajo dosje hapet. Ka disa që e bëjnë
që në fillim. Që ato ditët e para fare, kur fillojnë të njihen bashkë dhe
argumenti del me thjeshtësinë më të madhe dhe rrëfehet po njëlloj siç tregohet
dhe shija e preferuar e akullores, siç flitet për aktorët e filmat që pëlqen
më shumë, apo siç rrëfehet nëse je tip që zgjohesh herët në mëngjes ose nga ata
që po nuk fjetën deri në dhjetë, nuk funksionon fare… Ja në këtë mënyrë një
shoqja ime mësoi se ai djali me të cilin po dilte dhe po i pëlqente, kishte
pasur një histori shtatë vjeçare dashurie, kishte blerë dhe një shtëpi, ku do
jetonin të dy dhe fiks në ditët kur kishin vendosur që sobën e kuzhinës të mos
e merrnin me gaz, por vetëm me korrent, sepse ajo tjetra kishte frikë, kishte
dalë se ajo tjetra në të vërtetë kishte frikë edhe nga martesa në përgjithësi
dhe thjesht i kishte thënë këtij “e lëmë me kaq edhe pse të dua shumë” dhe pastaj
ishte zhdukur… Një rrëfim ky që erdhi fiks në kohën e duhur, pasi shoqja ime e
kishte të thjeshtë të tërhiqej në kohë, pa arritur të mallkonte atë tjetrën kur
të iknin dritat dhe të mos kishte mundësinë të skuqte as edhe një vezë në sobën
që nuk kishte zgjedhur vetë, apo dhe ca më keq akoma, kur ta kalonte jetën duke
vrarë mendjen se pse ajo tjetra kishte ikur ashtu pa pritur e pa pandehur pas
shtatë vitesh. Ja, të tilla rrëfime ta shpëtojnë jetën.
Ka pastaj te tjera raste kur këto takimet përpara lidhjes
nuk i hapin fare “Dosjet X”. Të dy mendojnë se e shkuara nuk ka rëndësi dhe se
për njëri – tjetrin ata kanë lindur ditën që janë njohur. Dhe kështu mund të
funksionojë për bukuri. Derisa ndonjë ditë ajo nuk rrëmon në facebook-un e tij
dhe në komentet poshtë një fotografie, përtej komplimenteve të zakonshme një
fjali hedh ca hije mbi të shkuarën… Ai tjetri, pa ndjerë ndonjë kërcënim në
pyetjen “kush është kjo” tregon i qetë se është ish e dashura e kohës së shkollës,
që tani jeton jashtë dhe ja ku jemi: “Dosja X” hapet e plotë. E nëse ajo e pyet
nëse kjo X-i ishte apo jo e rëndësishme,
ai e ka punën pisk, sepse sido që të përgjigjet, do sjellë patjetër shqetësim.
Nëse i thotë që ajo tjetra ka qenë fare e parëndësishme, do quhet gënjeshar. Nëse
i thotë që ishte e rëndësishme njëherë e një kohë, por jo tani, dihet ç‘dramë
do shkaktojë… Sido që t’i përgjigjet, kjo histori nuk do mbetet me kaq, do gërrmohet
kush ka qenë para saj, kush ka qenë pas, pastaj në njëzetë vitet e ardhshme çdo
bisedë pa lidhje do përfundojë aty, tek “Dosjet X”, që ai na i paska mbajtur të
fshehta, sepse i këtillë njeriu na qenka, që e ndërton jetën mbi mashtrime…
Ka pastaj dhe ca raste të tjera që këto “Dosje X” nuk janë
aspak të fshehta, ndoshta sepse të dy njihen prej kohësh dhe dinë pothuajse
gjithçka për njëri tjetrin përpara se të mendojnë se mund të bëhen çift. Në të
tilla raste X-et nuk futen fare nëpër dosje dhe duket se janë fare të padëmshëm.
Me tam und të përshendetesh në rrugë teksa jeni të dy, mund të pish edhe kafe
kur je vetëm dhe pastaj ta tregosh si pa gjë të keq. Për sa kohë që flitet, nuk
është e dëmshme. Derisa ndonjë ditë të bukur ty nuk të shpëton goja të tregosh
se si një herë në kohën e gjimnazit të
kishte rënë në kokë për një djalë të vitit të katërt që e kishte klasën përballë
teje… Atëherë po që gjendesh me “Dosjet X” përpara, dhe aty rriskojnë të futen
edhe shokët e tu më të ngushtë, që befas shikohen me syrin e dyshimit, si ndonjë
gjë që mbahet e fshehur, sepse ti befas na dole tipi me të shkuar të fshehtë…
Eshtë pastaj dhe ai problem tjetër: Sa fletë kanë këto
dosje? Domethënë sa X-e gjenden brenda tyre. Nëse thua që ajo dosje ka një X të
vetëm, është shumë keq, sepse i bie të jesh zemërthyera dhe shpirtpërvëluara, që
thjesht po kërkon të gjesh një gozhdë të re për të shkulur gozhdën e vjetër. Nëse
ka disa fletë, ti je e lehtë. Nëse ka një numër të papërcaktuar fletësh, je e
fshehtë. Nëse ai pretendon se në dosje ka më shumë fletë, por ti s’po ia tregon
të gjitha, duke u justifikuar se zilia e njerëzve po të përgojon, epo atëherë është
shumë keq: ai s’do të të besojë kurrë. E nëse ti, për t’ju dhënë fund
diskutimeve i thua “po zemra, ka kaq shumë fletë, sepse unë isha duke kërkuar
dikë si ty dhe tani s’dua të shtoj më as edhe një fletë të vetme”, do kuptosh
shumë shpejt që më mirë të mos e kishe pranuar kurrë numrin e vërtetë të fletëve
(se në fund të fundit nuk je e sigurt, që
ai nuk do zbulojë dhe të tjera fletë të grrisura e të harruara ndokund) dhe
se ia vlen më mirë të diskutosh gjithe jetën mbi fletë të imagjinuara sesa të
ulesh dhe të hapësh vërtetë ato të mallkuara “Dosje X”.
E lexova para disa ditesh, po sot u ktheva thjesht per te vertetuar ndjesine qe pata se ne kete shkrim nuk do komentonte njeri :)
ReplyDeleteja ku u vertetua me poshte e kunderta e ndjesise qe pate ;)
DeleteShkruaj dicka me femerore...keto historite me dashnore dhe X kane dale nga moda.
ReplyDeleteme femerore te tipit kepuce?? nuk e kuptoj se si mund te quhet e dale nga moda dashuria dhe lidhjet, dhe pse nuk na qenkerkan femerore?! dhe nuk e kuptoj ku i gjete dashnoret ne kete shkrim, mesa marr vesh une nga keto pune dashnoret jane pak me ndryshe nga te dashurit
Delete