Monday, September 14, 2015

Jam në dilemë, pa jam

Nuk është dhe aq e lehtë jeta kur je shenjë ajri si Binjakët. Për ta shpjeguar më mire, për ata që nuk marrin shumë vesh nga horoskopët, ose nuk besojnë fare se yjet hyjnë këtu, nuk është e lehtë të jesh një njeri i dyzuar. Jo vetëm sepse humori të ndryshon nga një moment në tjetrin, duke ua nxirë jetën atyre që ke pranë, që s’dinë kurrë se ç‘të presin nga ty,  por sepse ti vetë nuk je dhe aq rehat. Se ja përshembull: del nga shtëpia me idenë që jeta jote është e përsosur dhe ti je mjaft e lumtur dhe rrugës deri tek makina, teksa pllaka dalëvendi e trotuarit të spërkit këmbët, një zhurmë matrapiku të  jep alarmin në kokë, një sms që mbërrin në një kohë me zilen e celularit të dytë të fusin alarmin dhe sheh se një vizë bojëqielli mbi makinën tënde të kuqe është kujtimi që ka lënë ajo biondja e pallatit përbri, që ka pesë vjet që s’po mëson të parkojë siç duhet, humori nis të shkatërrohet pak nga pak, të pushton një ndjenjë parehatie që shndërrohet në ankth, pastaj të kap trishtimi, pastaj trishtimi kthehet në hall, halli në krizë identiteti, kriza e identitetit në ku-di-unë-se-çfarë.
Imagjino tani të jesh në çift. Ai del nga shtëpia me një njeri të lumtur. Dhjetë minuta më pas, në mes të trafikut, ka në krahë një të xhindosur, që shan mbarë e prapë kalimtarë e makina, biçikleta dhe të zotët e tyre, shan madje edhe atë gruan që kalon të trotuar dhe ka fajin e vetëm që atë ditë ka veshur një palë streçe animal print që ti i urren për vdekje dhe i ke të parat në listën e atyre gjërave që të ngrenë nervat.
E nëse i shkreti djalë arrin të dalë shëndoshë e mirë nga makina jote e të shkojë në punën e vet dhe mendon se ti do jesh gjithë ditën me buba, ndodh të shastiset pa masë teksa pesë orë më vonë të sheh në një restorant të Bllokut  teksa futesh me shoqet e ngushta duke qeshur me të madhe e me duart të mbushura plot me çanta kartoni. Tani po, që je i njëjti njeri i lumtur, fiks ai që ishe në mëngjes. Kurse ajo tipja e makinës për ty sikur nuk ka ekzistuar kurrë. Ndërsa ai tjetri s’do ta harrojë kurrë dhe në rastin më të parë do të të quajë të çmendur e do të ta kujtojë në çdo sherr që do bëni gjatë muajve të ardhshëm.
Nëse je kaq e pazbërthyeshme për të tjerët, imagjino tani brenda vetes.
Kërkon të punosh. Të punosh shumë. Nga mëngjesi deri në darkë. Të fitosh  lekët e tua. Të kesh pavarësi. Të blesh ç‘të kesh qejf. Të jesh në karrierë. Të jesh e lakmuar. E fortë. Superfemër. Pastaj një të premte në mbrëmje ndodh të jesh e lodhur apo e acaruar, apo ke takuar atë shoqen e shkollës që ka burrin e pasur apo atë vajzën tjetër që jeton si princeshë në shtëpinë, që i ka blerë i dashuri, dhe ja ku e gjen veten duke menduar se po bën jetën e gabuar… Nuk do që të shkosh kurrë në punë. Mos t’ia shohësh bojën punës. Të mos kesh emrin në asnjë listë rrogash. Të t’i sjellë dikush tjetër lekët në shtëpi dhe të mos duhet ta vrasësh kurrë mendjen për ato dreq lekësh. Pastaj të blesh ç‘të duash. Pastaj të kthehesh në shtëpi e të shohësh filma dhe jo emisione pasditeje, ku llomotisin goca që bëjnë karrierë. As të intereson të të lakmojnë të tjerët: rëndësi ka që ta kesh ditën të lirë që ta kalosh në pishinë, palestër, spa, manikyr a pedikyr e çdo lloj vendi ku ti rehatohesh dhe të shërbejnë. As që do fare të jesh femër e fortë. Ku ka më mirë sesa të jesh e butë dhe të të llastojnë!? Superfemër? Kush e shpiku këtë pisllëk? Kush i nxori gratë në punë? Poshtë feministet!
Ja e zgjidhe dhe dilemën ezistenciale: superfemër apo shtëpiake. Po ke atë dilemën tjetër tani: të lidhjes. Ti do dikë të butë. Dikë që të kupton. Dikë që kur është me ty nuk i kullot sytë vërdallë, qoftë dhe ashtu për qejf. Një njeri që të ndihmon e që përpiqet me mish e me shpirt të të bëjë  të lumtur, edhe pse hera herës gabon metodë. Dhe nuk është se ka shumë faj, ti nuk je nga ato të thjeshtat për t’u përballuar. E vetmja mënyrë për ta bërë është të të vijë nga mbrapa. Të jetë aty për ty, kur ti ke nevojë dhe kur nuk ke nevojë. Kur të prishet doreza e dushit, apo kur të bie goma e makinës, kur je e lodhur dhe ke nevojë thjesht për një përqafim apo kur do të tregosh me detaje gjithë hallet e zyrës… Kur nuk do të rrish vetëm dhe kur ndihesh e frikësuar… Pa prit njëherë! E kur nuk dashke ti të rrish vetëm? Fiks kur ai sistemohet në shtëpinë tënde, ty të ngrihen nervat dhe mezi pret të ikë. Ti nuk je nga ato që i kalon gjërat me një përqafim, ti nuk ke ç’e do një mashkull të tillë. Ty nuk të nevojitet, ai që dëgjon qaravitje për orë të tëra, por një që të shtyn për një sekondë të marrësh një vendim. Jo një palluq, që i lë gjithë punët e veta për një dorezë dushi, por një që të tregon në telefon ku ta blesh, sepse ti je aq e zonja për të montuar dhe raftet e një bliblioteke të tërë. Ty nuk të duhet një i butë, që të vjen mbrapa. Ty të duhet i forti. Që të bën të lumtur pikërisht se nuk është aty për ty orë e çast, por që kur vjen të duket  dhuratë nga qielli, pikërisht sepse e ke fituar me vështirësi. Ty të duhet ai i vështiri, që dhe po i hodhi sytë ndonjëherë vërdallë punëemadhe. Ty të duhet…
E ku di ti çtë duhet?! Ty të duhet ajo që s’ke. Ke fatin e keq që je shenjë e dyfishtë. Ec e thuaj që këtu nuk hyn horoskopi!

8 comments:

  1. Sikur shoh veten time ne kto fjale! :')

    ReplyDelete
  2. Ohhhhh me ne fund shkrimi i rradhes 😍. Kam pershtypjen qe e vonon dhe ti enkas qe te na duket dhurate nga qielli 😜! Ime moter eshte binjaket dhe ti thashe te gjitha :).

    ReplyDelete
    Replies
    1. hahahaha se me ben konkurrence te forte divani dhe e ndenjura kot ;)

      Delete
  3. Ka nje problem dhe me peshoret sado te balancuara shum te pavaruara. Problem I jetes time me meshkujt Shqipetar dhe ne NY. :)

    ReplyDelete
  4. Mendoj dhe kam deshire te shkruash nje Histori per njerzit e zgjuar, psh per nje femer si ty e shkolkuar, e pavarur me llogjik. Cafare ben kur te bie te merresh me njerz injorat pa llogjik. Fatkeqsia e njerzve te zgjuar eshte Se jan shum te pa lumtur ne nje bot me kaq shum budallenj.

    ReplyDelete
  5. "Ja e zgjidhe dhe dilemën ezistenciale: superfemër apo shtëpiake." - Kjo eshte dileme konkrete, jo ekzistenciale. :)

    ReplyDelete
  6. Vazhdo te shkruash ! Me pelqejne pafund shkrimet e tua ☺️

    ReplyDelete

Google+ Followers