Wednesday, December 9, 2015

Një i dashur “dora jonë”

Më duket se jua kam treguar njëherë. Domethënë jua kam thënë shkarazi. Domethënë kam thënë diçka, duke menduar se mund ta merrnit vetë me mend… Epo mirë pra, le ta them nga e para: lidhja ime nuk shkon vaj. Ka raste kur shkon vaj, por ka dhe raste te tjera kur ngec aty këtu. Ose kur nuk shtyhet fare. Ose kur ndahemi… Dhe pak a shumë, të gjitha rastet, kanë një arsye të përbashkët: ai, zemra ime pra, nuk është shumë i kujdesshëm me telefonin. 
Unë mendoj se telefonat janë bërë për këtë punë, për ta marrë tjetrin njëqind herë në ditë, për ta pyetur ku je, kurse pjesen tjetër të kohës, të të marrë ai ty dhe të të thotë që nuk po rrinte dot pa ta dëgjuar zërin. Ja për këtë janë shpikur celularët, e për çfarë tjetër?! Por ja që ai nuk mendon aspak kështu, përkundrazi, nuk e kupton që unë e kam të nevojshme ta shtyj rrugën nga shtëpia në punë e anasjelltas duke folur me të (ta ketë për nder, se unë mund të llomotis dhe me shoqen e ngushtë, por ja që kam zgjedhur atë). Kurse ndonjëherë, nuk e ngre fare telefonin, dhe as nuk merr mbrapsht, ndërsa të nesërmen thotë pa të keq “zemra ti e di që unë këtë tip kam”… 
E meqë ai ka këtë tip, ka raste që unë nuk e dua fare këtë dreq tipi. Dhe normal, meritoj më shumë. Meritoj dikë që ta hapë telefonin që në zilen e parë. Dikë që të më marrë dhe sa për të më dëgjuar zërin. Dikë që edhe kur është në takim pune, kur unë e telefonoj, të më shkuajë që s’më përgjigjet dot sepse është i zënë, dhe pastaj të më thotë me ça është i zënë, kur do mbarojë së qeni i zënë, të më pyes po unë ç’po bëj, e pastaj të më thotë që e ka marrë malli... Dikë që të më thotë mirëmëngjes e natënemirë me sms, mms, bbm, a ç’të jetë... Pra dikë krejt të ndryshëm nga ky palo i dashur që nuk më meriton. Dikë si ai që njoha ca kohë më parë, atëherë kur unë dhe ai (zemraimepërhershme pra!), kaluam ndarjen e radhës (dhe ta mendosh që kisha menduar se kësaj radhe do zgjaste përgjithmonë, se s’do t’i flisja kurrën e kurrës, në jetë të jetëve)
Në fakt nuk ishte një njohje fringo e re, por një i njohur i vjetër, i takuar rishtazi, që kur pa që unë mbaja blackberry, më kërkoi ‘pin’-in. Aty filloi gjithçka, me një pin... Në fillim ca batuta, pastaj shumë të tilla, pastaj orë të tëra chat, pastaj një ftesë për darkë... Vijimi po dihet (atë më drita të kuqe nuk ua tregoj sikur ç’të bëhet), ai jo vetëm më shkruan të nesërmen, por më shkruan gjithë kohës, duke më thënë se sa mirë që kemi gjetur njëri tjetrin, pastaj më fton për drekë, pastaj kur ndahemi më lë porosi që t’i shkruaj... Pastaj më shkruan prapë, më fton prapë... Për pak ditë në shtëpinë e tij, veç furçës së dhëmbëve (një ish i dashuri im thoshte që ajo është kali i Trojës, pas saj pushtohet gjithë shtëpia prandaj një femre nuk i duhet lejuar kurrë ta vendosë në banjo) ja ku lirohet edhe një raft rrobash, për ndërresat e mia, që unë të ndihem sa më komode. Më duket sikur kam kapur qiellin me dorë. Ja pra, morën fund vuajtjet e mia, kjo është ora e shpagimit. E ku ka më mirë, kur ti nuk ke zbritur ende nga ashensori për të ikur nga shtëpia e tij dhe ai të shkruan “je zemër”?! Pale nëse bëjmë sherr (megjithëse nuk kemi probleme komunikimi, se pse dreqin bëjmë sherr çdo ditë, kjo mbetet mister), mund të thuash fjalën e fundit, të ndahesh çdo ditë dhe të jesh e sigurt se pas dy orëve ai do të shkruajë, do gjejë një justifikim, do pyesë për diçka dhe do shkruajë. Në një situatë të tillë, teksa shfryj me një shoqen time, ja ku më shkruan ai, për të më pyetur për një gjë fare pa rëndësi... Sa për të thyer akullin. “Po ky qenka komplet dora jonë!”, më thotë shoqja ime. Normal, që ndihem krenare. Të gjitha luten të gjejnë një mashkull të tillë, që jo vetëm të mos bezdiset nga sjellja jonë, por që të sillet fiks si ne. Komplet dora jonë. Aq sa kur një ditë unë e acaruar në kulm, vendos që t’i fik të dy celularët, tre orë më pas, kur i hap e kuptoj që ky është dora jonë e shkuar dorës sonë: thirrje të hunbura e sms tek të dy telefonat, mesazh në bbm, mesazh në gmail dhe mesazh të facebook... Epo s’paska pasur dhe aq faj zemra ime (ai i përhershmi) kur akohej për vrullin tim të telefonatave. I paskam rënë më qafë kot. Ne qenkemi shpirtra binjakë. E meritojmë që të jemi bashkë, me gjithë ulje ngritjet, ndarjet dhe të njohurit të vjetër a të rinj që takojmë.

5 comments:

  1. E pra. Shume interesante kjo marredhenia treshe: Ti (Jo ti personalisht. As une) - Telefoni - I dashuri.Telefoni eshte ne mes ne pjesen me te madhe te kohes. E me gjithe aplikacionet gjeniale qe jane shpikur per te ndjekur tjetrin hap pas hapi nuk kane bere ende nje aplikacion qe te ndihmon te menaxhosh me karar marrdhenien tende roze me telefon. Si ai qe te mat hapat dhe kalorite, per shembull. I ve nje numer te caktuar telefonatash ne dite dhe te thote vete kur je brenda normave te shendetshme te dashurise telefonike dhe kur po djeg rezervat. domethene ‘Te ruash linjat” ne c’do kuptim te mundshem. Trupore, telefonike, ndervepruese. C’te keqe ka te shmangesh “karmen” me aplikacione mbrojtese?

    ReplyDelete
  2. Ishte gay ky i njohuri i vjeter? Se me duket nuk e kuptova :/

    ReplyDelete
  3. Shume i bukur, por cfare ndodhi? shkoi tek ai i pari apo ndenjti "me doren tone?

    ReplyDelete

Google+ Followers