Nuk është ndonjë fjalë e bukur për t’u thënë. Askush nuk do që ta pranojë.
Por ja që në mënyra të ndryshme, në momente të ndryshme, me fjalë krejt të
ndryshme nga njëra tjetra, duke vepruar në mënyra të ndryshme, ne femrat shkojmë
e nga shkojmë dhe përfundojmë aty: tek paranoja.
“Thuaja vetes tënde, se unë nuk jam ashtu”, do thoshte ndonjëra.
Ose “gjej ndonjë fjalë tjetër dhe hajde e diskutojmë”, do thoshte ndonjë tjetër.
Se po ta zbrazësh kështu, me emrin që ka “paranojë”, askush nuk mund ta pranojë e të thotë: “po,
kam paranoja dhe më lumtë që kam”.
Epo mire pra, ja ti nuk je me paranoja. Unë jo e jo. As kushërira
ime. As shoqja e ngushtë. Me përjashtim të atij rastit, ku sa herë që i ecën diçka
keq në punë, e shpie mendjen tek ai kolegu i saj, goxha më i suksesshëm, që nuk
mjaftohet me suksesin e vet, por bën gjithfarë skenarësh që t’i prishur punë kësaj.
Madje madje edhe i sukesshëm nuk është se është edhe aq: thjesht kështu është
perceptimi i njerëzve, se ai në fakt është
një i papaftë me brirë por thjesht ka ngritur këtë imazhin rreth vetes… E kotë
ta kundërshtoj shoqen time: ajo do ketë gjithmonë një histori për ta ilustruar,
do ketë gjithmonë dikë që do i ketë treguar diçka. Dhe largqoftë t’i them që bën
mirë ta fillojë analizën nga vetja dhe të mendojë se ai tjetri nuk është kot ai
që është. Unë do isha thjesht e keqe. Dhe nëse largqoftë do shqiptoja frazën që
kjo e saj është “paranojë”, do isha e
denjë për t’u futur në listën e ish-mikeshave.
Eshtë pastaj dhe ajo shoqja tjetër. Ajo që kontrollon orë e çast
telefonin e të shoqit. Jo siç e kontrollon gjithë dynjaja, sepse kështu fjala ‘paranojë’
do humbte çdo ngarkesë negative, për aq kohë sa këtë e bëjnë (thuajse) të gjithë. Por që e kontrollon
me themeli. Dhe paralelisht me këtë mban një ditar të gjithë veprimeve të të
shoqit, për të kryqëzuar informacionin. Dhe meqë jemi tek kryqëzimi i
informacionit, se nga ka gjetur një mik në një kompani celulare nga ku merr cdo
muaj dhe tabulatët e dy shokëve të tij të ngushtë. Dhe kur nuk gjen asnjë
dyshuese, nuk mendon se i shoqi është i pafajshëm, por thotë: çfarë më ka shpëtuar
në këtë histori? Ku duhet të kontrolloj, që të gjej prova?!
Pikërisht provat dhe hetimet janë paranoja e kushërirës
sime. Njeh dikë dhe po mendon të dalësh
me të? Shko e pyet kushërirën time. Brenda 24 orëve do kesh gjithë
informacionet që të duhen dhe ato që s’do doje t’i kishe ditur kurrë. Pikërisht
në këtë moment ti ke hapur kutinë e Pandorës. Sepse ajo nuk e lë me aq. Ndërmerr
veprime dhe hidhet në aksion me një zell të paparë. Zbulon çdo gjë që nuk shkon
me djalin që ti ke njohur dhe përpiqet ta rregullojë. Nëse ai ka një problem në
punë, kjo lëviz gjithë gurët që problemi të zgjidhet, kap gjithë dynjanë dhe telefonon
gjithë rrjetin e njerëzve, sa për 5 minutra gjithë Tirana do merret me atë
problem. Dhe nëse largqoftë ai ka një ish lidhje nga ato ende të pambyllurat e
të vulosurat për fare, kjo do bëjë çmos që ajo tjetra, që ende nuk e ka
mbledhur mendjen, të marrë vesh se, ky që sapo ke njohur dhe ti, jeni ndërkaq
duke zgjedhur se ku do e keni shtëpinë e plazhit dhe si do i keni emrat e fëmijëve.
Pastaj është dhe mikesha ime e fëmijërisë që mendon se është
perfektja dhe asaj nuk i ndodhin kurrë gjërat e këqija. Aq problem e ka që të
tjerët të mos e marrin vesh që asaj i ka ndodhur diçka e keqe, sa në vend të
vuajë hallin e saj e harxhon gjithë kohën dhe energjinë për t’u mbushur mendjen
të tjerëve që është shumë mirë dhe s’i ka ndodhur asgjë… E shoh teksa qesh e
shpenguar, duke rrezatuar sigurinë që bota është shumë e bukur dhe jeta e saj
perfekte dhe rri e mendoj: kur do pëlcasë?! Po sikur në vend të asaj të qeshure
që unë e di që është e sforcuar, të qante me të madhe, a do ndihej ndoshta më
mirë?
Po unë, vetë unë a kam paranoja? Ndoshta jo. Sepse, si zor
se mund të quhet paranojë ajo frika, se mos prish gjithçka. Ja përshembull, je
mirë e bukur dhe befas dëgjon diçka, që është shumë e vogël, fare e vogël, e që
nuk duhet të të bëjë përshtypje… Pastaj rri e mendon, që dikur të ka ndodhur diçka
e ngjashme, por s’ja vlen ta krahasosh, sepse nuk është rasti. Pastaj zë e
mendon po sikur?? Por nuk e flet… E mendon prapë dhe e heq nga mendja. Pastaj të
kujtohet se si dikur… U pooo, epo mirë, tenton ta harrosh e të mos e lësh
kurrsesi të ndikojë në të tashmen tënde. Ndërkohë kalojnë disa ditë, me të
njëjtën ndjesi. Dhe mjafton një gjest i vogël dhe të shpërthesh… Dhe teksa nis
e shpërthen, e ndjen se ke bërë gabim,
se fiks kështu e ke shkatërruar dhe shumë vite me parë dhe s’duhej ta bëje më, se je penduar ndërkohë që e
dëgjon veten që flet dhe flet, dhe prish e prish…
Po sikur të thuash: më fal, nuk jam unë, është paranoja ime!
Të kupton njeri vallë?
Së paku t’i kishin gjetur një tjetër emër.