Siç mund ta keni kuptuar nga titulli, isha në teatër. Për të
parë shfaqjen “Mirandolina”. Ose siç njihet nga të gjithë, “E zonja e bujtinës”.
Nuk do rri të bëj analizën e shfaqjes tani, se kjo nuk
pritet nga unë. Domethënë kjo nuk pritet nga të gjitha ato vajza që dinë për
koleksionet e fundit të dizainerëve, apo që celuliti nuk zhduket me palestër. Për
një arsye apo për një tjetër, vajzat që dinë këto gjëra nuk quhen të besueshme
të flasin për letërsinë apo për dramat, ndaj dhe ua lënë këto tema atyre
vajzave që moslyerjen e flokut e konsiderojnë vlerë dhe veshjen e pantallonave
pa formë me këpucë të zeza me majë e takë katrore dhe një bluzë me ngjyrë
allasoj e kanë sfidën më të madhe të intelektit ndaj botës së modes. Ndaj, siç
edhe pritet nga vajza si unë dhe shoqet e mia, i bie të merrem me ca
thashetheme mbi personazhin kryesor, Mirandolinën, të zonjën e Bujtinës.
Edhe pse jeton andej nga shekulli i tetëmbëdhjetë, ajo bën
një jetë si ne. Në fakt nuk është se e ka zgjedhur të jetë single, të jetojë vetëm dhe të jetë shefja e një bujtine, por kështu
ia ka sjellë fati. Në fund të fundit ç‘rëndësi ka kjo, rëndësi ka që ajo është
një femër e pavarur edhe shumë e shumë vjet përpara sesa fjala feminizëm të
shpikej, Drejton një biznes, pret e përcjell klientë dhe nuk e ka problem të
tregojë që kur vjen puna tek shtrati, ka dikë me të cilin të ndajë netët. Kurse
gjatë ditëve ka adhuruesit. Jo nga ata që i shprehin ndjenjat me fjalë të
bukura, me yje e me hëna, por nga ata që dashurinë e tregojnë me dhurata të
vyera, mundësisht ar ose diamantë. Dhe pas ca ngatërresave me një kalorës që
urrente femrat e që Mirandolina, thjesht ashtu për qejfin e saj e bëri të
ndryshonte mendim e të binte kokë e këmbë në dashuri me të, vendos të martohet
me atë që i ngrohte shtratin, që nuk ishte as më shumë e as më pak, por një nga
punonjësit e bujtinës së saj. Ai nuk e kishte me aq qejf këtë punën e martesës,
por ajo e kërcënoi që do mbetej pa punë e do kthehej në fshat. Kurse prendentët
e dashuruar, kontër dhe markezë dhanë bekimin e tyre duke premtuar që do ta
mbronin çiftin dhe do t’i dhuronin lekë. Dhe në fund fare, të gjithë jetuar në
lumtur.
Morali? Ku është morali? Epo që dashuria e vërtetë në fund
triumfon. Ose që gocat e shkathëta gjithmonë gjejnë burrë. Ose që gocat e
shkathta edhe pasi gjejnë burrë, arrijnë t’u zgrëpin ndonjë lek pretendentëve.
Ose që kalorësit, kontët dhe markezët duhet të bëjnë dhurata. Sepse kjo është mënyra
e duhur për të shprehur dashurinë.
Që nga kohët e Mirandolinës e deri në ditët e sotme, shumë
pak gjëra paskan ndryshuar. Edhe pse kalorës, kontër dhe markezër me shpata si
qëmoti nuk ka më. As me ato shprehjet poetike të dashurisë me hënë dhe me yje.
Ama ka plot nga ata që e shprehin dashurinë me dhurata, edhe pse diamantët nuk janë
më miqtë më të mirë, por janë zëvendësuar nga këpucët. Apo me ca çanta me
rroba. Apo me pagesën e qirasë së shtepisë së të adhuruarës së vet. Ose ata
kalorësit e mirë fare, ata dhurojnë edhe makinë, madje edhe krejt shtëpinë. Por
që të kesh rreth vetes të tillë kalorës, duhet të jesh pak , Mirandolinë.
Domethënë të dish si ta vërtisësh. Sepse ai që është kalorës për dikë, dhe që i
bien krahët në tokë nga çantat e pazarit që bën për të, kur rri me një vajzë
tjetër, domethënë me një jo-Mirandolinë, del që është çun normal, nga ata që e
dashura i bën pazarin me lekët e veta dhe i gatuan…
Ndërsa Mirandolinat nuk ndryshojnë, me ose pa kalorës pranë.
Sapo e kuptojnë që janë të tilla, ato sillen denjësisht si të tilla. Si ajo
vajza që ka mbaruar shkollën për dentiste, që edhe kur vishej me Zara dhe me
Mango dhe dukej yll e bukur. Pastaj pasi Kalorësi u shfaq në jetën e saj (ashtu si në shfaqje, këta kalorësat i bie të
jenë të martuar, ndaj dhe për të krijuar familje me Mirandolinën, as që bëhet
fjalë) nisi të shfaqej me veshje dhe çanta nga koleksionet e fundit, mijëra
euroshe. Kuptohet, si single-girl e suksesshme, mburret se biznesi i saj i dhëmbëve
shkon për mrekulli. Kurse një tjetër, njëzetëenjëcik vjeçare që njoh unë, as që
merr mundimin të justifikohet fare për për miijëra eurot që mban në trup:
Mirandolina do dukej naive përpara saj, sepse Kalorësi i njëzetëenjëçik
vjeçares është gati të luftojë gjithë dragonjtë për të (domethënë të ndahet më të fund nga gruaja e të martohet me të).
Kurse një tjetër Mirandolinë, tek pallati ngjitur me mua, i shkoi skenarit deri
në fund duke e bërë edhe më të bukur mbylljen: pasi Kalorësi investoi për
makinë, shtëpi, e katandi (kjo e fundit
dmth llogari bankare), nuk jetoi e
lumtur me kamarierin, por me shefin e vet, që fiks si kamarieri e kishte të
madhe dëshirën të jetonte në shtëpinë e saj, me të.
Mos e teprova ndonjëçik me thashetheme? Ëëëëë? Se unë për
teatrin po flisja. Siç do thoshin ato vajzat që s’janë si unë dhe u lejohet të
flasin për të tilla tema intelektuale: shfaqja erdhi tek publiku në mënyrë
shumë bashkëkohore.
sa deshire do kisha te lexoja me shpesh shkrime te tilla nga ju , i lexoje me endje dhe me zor pres shkrimin e rradhes
ReplyDeleteqe ne gusht pa shkruar
ReplyDelete